Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga Elbasani, Kryeministri Edi Rama u uroi sot shqiptarëve Ditën e Verës.

Fillimisht, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, ministrat Edmond Haxhinasto dhe Nasip Naço, si dhe deputetët Taulant Balla dhe Evis Kushi, Kryeministri vizitoi Panairin “Dita  e Verës 2015”.

Kryeministri u përshëndet me qytetarë të cilët vizitonin panairin, ndërsa shumë prej tyre ndodheshin në Elbasan enkas për të kremtuar Dirën e Verës. Gjithashtu, ndërsa vizitoi stendat e panairit, Kryeministri bisedoi me tregtarët rreth aktivitetit të tyre. Shumë prej këtyre sipërmarrësve tregtojnë produktet edhe në tregjet e huaja, ndërsa të tjerë shprehën ambicien për të nisur eksportin e prodhimeve të tyre.

Si një ndjekës i rregullt i këtij panairi, Kryeministri konstatoi se këtë vit është shënuar rritje e pjesëmarrësve. “Me shumë kënaqësi konstatoj se jo vetëm ka një rritje të pranisë dhe një rritje të kërkesës, por çka duket ende më inkurajuese është se një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve, me prodhime vendase, janë duke synuar eksportin. Disa prej tyre kanë filluar të nënshkruajnë kontratat e eksportit, disa të tjerë janë në negociata. Ky është lajmi më i mirë i kësaj Ditë Vere” – tha Kryeministri.

Më pas, Kryeministri së bashku me ata që e shoqëronin iu bashkuan qytetarëve të shumtë në bulevardin kryesor të qytetit, me të cilët shkëmbeu urime për Ditën e Verës.

Gjatë qëndrimit në Elbasan, Kryeministri Rama inspektoi edhe punimet për realizimin e një seri veprash infrastrukturore në këtë qytet, si rikonstruksion rrugësh, ripërtëritja e fasadave të pallateve dhe ndriçim, projekte të financuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.