Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria do të paraqesë Raportin e saj të Dytë Kombëtar Vullnetar në Forumin Politik të Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Raportet Kombëtare Vullnetare janë mekanizmi kryesor përmes të cilit vendet vlerësojnë dhe ndajnë progresin e tyre në zbatimin e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Ndërsa afati i vitit 2030 po afrohet, ky është më shumë sesa një moment raportimi. Është një moment llogaridhënieje: një mundësi për të shqyrtuar çfarë ka ndryshuar që nga raporti i parë i Shqipërisë në vitin 2018, ku progresi është i dukshëm, ku kanë mbetur ende boshllëqe dhe çfarë duhet përshpejtuar tani.

Për Shqipërinë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe integrimi evropian bashkohen rreth një horizonti të vetëm kombëtar: vitit 2030. Të dyja agjendat ndajnë të njëjtën ambicie: institucione më të forta, shërbime publike më të mira, një ekonomi më konkurruese dhe të qëndrueshme, më shumë barazi, qëndrueshmëri mjedisore dhe një shoqëri ku askush nuk lihet pas.

Formulimi i Raportit u drejtua nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, nën udhëheqjen strategjike të Zëvendëskryeministres, me kontribute thelbësore nga INSTAT, ministritë e linjës, Parlamenti, Kombet e Bashkuara në Shqipëri, partnerët për zhvillim, shoqëria civile, sektori privat, akademia, të rinjtë dhe adoleshentët. Ai pasqyron një përpjekje të gjithë qeverisë dhe të gjithë shoqërisë.

Që nga Raporti i parë Kombëtar Vullnetar, Shqipëria ka forcuar integrimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në planifikimin, buxhetimin dhe monitorimin kombëtar. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022-2030 ofron kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit, ndërsa Udhërrëfyesi Kombëtar për OZHQ-të 2025-2030 shërben si një instrument praktik për fazën përfundimtare, me objektiva të matshme, përgjegjësi më të qarta dhe lidhje më të forta ndërmjet planifikimit, financimit dhe rezultateve.

Në këtë mënyrë reforma shndërrohet në ndryshim sistemik. Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk trajtohen më si një agjendë e veçantë globale. Ato po integrohen gjithnjë e më shumë në arkitekturën zhvillimore të vetë Shqipërisë: në strategjitë kombëtare, treguesit, përgjegjësitë institucionale dhe prioritetet e politikave. Ky përafrim është thelbësor nëse vendi do të kalojë nga angazhimet në zbatim në shkallë të gjerë.

Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është shndërruar një nga përshpejtuesit më të fuqishëm të zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri. Reformat në sundimin e ligjit, reforma e administratës publike, lufta kundër korrupsionit, menaxhimi i financave publike, konkurrueshmëria ekonomike, veprimi për klimën, përfshirja sociale dhe transformimi digjital çojnë përpara edhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Këto reforma forcojnë institucionet, rrisin besimin e qytetarëve dhe e afrojnë Shqipërinë me standardet dhe mundësitë që qytetarët e saj presin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Me hapjen e të gjashtë grupkapitujve të negociatave dhe me miratimin e Raportit të Vlerësimit të Përmbushjes së Standardeve të Përkohshme (Interim Benchmark Assessment Report – IBAR), Qeveria shqiptare ka vendosur si objektiv përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Në këtë kontekst, Shqipëria e sheh Agjendën 2030 dhe integrimin evropian si dy dimensione të së njëjtit transformim, që veprojnë së bashku për të sjellë një të ardhme më të begatë, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.

Progresi i Shqipërisë ka ndodhur në një kontekst sfidues. Që nga raporti i parë në vitin 2018, vendi është përballur me sfida të mëdha dhe të mbivendosura: tërmeti shkatërrues i vitit 2019, pandemia COVID-19, presionet inflacioniste globale, paqëndrueshmëria në tregjet e energjisë, pasiguria gjeopolitike dhe rreziqet në rritje të lidhura me klimën. Secila prej këtyre goditjeve vuri në provë institucionet, financat publike dhe qëndrueshmërinë sociale.

Pavarësisht këtyre presioneve, Shqipëria ka treguar rezistencë të konsiderueshme. Ekonomia iu rikthye rritjes pozitive pas pandemisë, stabiliteti makroekonomik është forcuar, borxhi publik ka rënë nën 60 për qind të PBB-së, investimet e huaja direkte kanë arritur nivele rekord dhe reformat institucionale, sociale dhe mjedisore kanë vijuar. Këto arritje pasqyrojnë vendosmërinë e vendit për të mbetur i fokusuar te zhvillimi afatgjatë, edhe gjatë periudhave të pasigurisë globale.

Rezultatet janë të dukshme. Sipas Raportit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2026, Shqipëria ka vijuar të përmirësojë performancën e saj dhe renditet e 44-ta në botë, duke u pozicionuar ndër vendet me performancën më të mirë në Ballkanin Perëndimor. Progres është shënuar në të gjithë kuadrin e OZHQ-ve, megjithëse ritmi dhe thellësia e tij ndryshojnë nga një objektiv te tjetri. Përparime të rëndësishme janë arritur në uljen e varfërisë, energjinë e rinovueshme, zhvillimin e infrastrukturës, transformimin digjital dhe modernizimin institucional.

Një sërë arritjesh tregojnë se si reforma mund të arrijë drejtpërdrejt te qytetarët. Më shumë se 95 për qind e shërbimeve publike ofrohen tashmë online përmes e-Albania, duke përmirësuar aksesin, efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien. Mbulimi me kanalizime është zgjeruar, rezultatet shëndetësore janë përmirësuar dhe reformat në arsim po fokusohen gjithnjë e më shumë te cilësia, aftësitë, digjitalizimi dhe përputhja me tregun e punës. Aksesi në energji elektrike është universal, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme mbetet një nga pikat më të forta të vendit. Investimet në energjinë diellore dhe atë të erës po ndihmojnë në diversifikimin e furnizimit dhe rritjen e e qëndrueshmërisë së sektorit energjetik.

Barazia gjinore ka përparuar si një prioritet më vete dhe si një dimension ndërsektorial për zhvillimin e qëndrueshëm. Gratë mbajnë 35 për qind të vendeve në Parlament dhe 44 për qind të posteve ministrore. Buxhetimi i përgjigjshëm gjinor po integrohet gjithnjë e më shumë në menaxhimin e financave publike, me objektiva dhe tregues gjinorë të përfshirë në 65 për qind të programeve buxhetore në 11 ministri dhe 31 institucione publike. Ai zbatohet në sektorë kyç, si arsimi, shëndetësia, punësimi, bujqësia, mbrojtja sociale, drejtësia dhe qeverisja vendore. Mekanizmat për adresimin e dhunës me bazë gjinore tashmë funksionojnë në të 61 bashkitë. Këto arritje kanë rëndësi, sepse barazia lidhet me të drejtat, sigurinë, pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë e barabarta.

Raporti Kombëtar Vullnetar i Shqipërisë paraqet gjithashtu me realizëm sfidat që mbeten për t’u adresuar. Progresi nuk është i njëtrajtshëm. Varfëria dhe përjashtimi social vazhdojnë të prekin disa grupe më shumë se të tjerat. Fëmijët, gratë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet rome dhe egjiptiane, popullsia rurale, migrantët dhe grupe të tjera që përballen me pengesa në pjesëmarrje ende përjetojnë akses të pabarabartë në mundësi.

Pabarazitë territoriale, ndryshimet demografike, migracioni, mungesat e aftësive, transformimi i tregut të punës, ndryshimet klimatike dhe presionet mjedisore kërkojnë veprime më të shpejta, më të koordinuara dhe të financuara më mirë.

Parimi për të mos lënë askënd pas duhet, për këtë arsye, të mbetet në qendër të fazës së ardhshme të zhvillimit të Shqipërisë. Progresi duhet të matet përmes ndryshimeve konkrete në jetën e njerëzve: nëse një fëmijë në një zonë rurale mund të ketë akses në arsim cilësor; nëse një i ri mund të fitojë aftësi të përshtatshme dhe të gjejë punë të denjë; nëse një grua mund të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në ekonomi dhe në jetën publike; nëse një person me aftësi të kufizuara mund të marrë shërbime me dinjitet; nëse anëtarët e komuniteteve rome dhe egjiptiane përfitojnë në mënyrë të barabartë nga rritja dhe shërbimet publike; dhe nëse të moshuarit mund të jetojnë në siguri dhe me respekt.

Partneritetet e forta dhe dhe përmirësimi i sistemeve të të dhënave do të jenë thelbësore. Progresi i Shqipërisë mbështetet nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shtetërore, Kuvendit, pushtetit vendor, shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, partnerëve për zhvillim dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara. Më shumë se 70 për qind e treguesve të OZHQ-ve janë tashmë të disponueshëm ose pjesërisht të disponueshëm. Investimi i vazhdueshëm në të dhëna të disagreguara, ndërveprueshmëri dhe sisteme të të dhënave administrative do të ndihmojë në identifikimin e grupeve që mbeten pas, të fushave ku pabarazitë vazhdojnë dhe të politikave që po prodhojnë rezultate.

Periudha deri në vitin 2030 do të jetë vendimtare. Raporti identifikon një set përshpejtuesis prioritarë për periudhën 2026-2030: përshpejtimin e reformave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe forcimin e efektivitetit institucional; investimin në kapitalin njerëzor, zhvillimin e aftësive, shëndetësinë dhe qëndrueshmërinë demografike; avancimin e veprimit për klimën, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e rezistencës ndaj fatkeqësive; zgjerimin e transformimit digjital, inovacionit dhe qeverisjes së bazuar në të dhëna; si dhe forcimin e përfshirjes sociale, kohezionit territorial dhe zbatimit të parimit për të mos lënë askënd pas.

Roli i Kombeve të Bashkuara është të mbështesë këtë ambicie kombëtare duke kontribuar me të dhëna, standarde globale, ekspertizë teknike, aftësi për të bashkuar aktorët kryesorë dhe duke ruajtur një fokus të vazhdueshëm tek ata që janë më të rrezikuar të lihen pas. Kombet e Bashkuara në Shqipëri mbështetën Raportin Kombëtar Vullnetar përmes konsultimeve, hartëzimit të treguesve të OZHQ-ve, analizës së të dhënave dhe përafrimit me udhëzimet ndërkombëtare. Më gjerësisht, ato punojnë ngushtë me Qeverinë, shoqërinë civile, komunitetet dhe partnerët për zhvillim për të përkthyer angazhimet globale në mbështetje konkrete për prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.

Ky partneritet është më i vlefshëm kur ndihmon në kalimin nga projektet e veçanta te sisteme më të forta, nga aktivitetet te rezultatet e matshme dhe nga ndërhyrjet e izoluara te ndryshimi institucional i qëndrueshëm. Qoftë në mbështetje të mbrojtjes sociale, zhvillimit të aftësive, barazisë gjinore, qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, qeverisjes së mirë, të drejtave të njeriut, sistemeve të të dhënave apo ofrimit të shërbimeve në nivel vendor, objektivi i përbashkët mbetet i njëjtë: të ndihmohet Shqipëria në sigurimin e përparimit të të prekshëm për njerëzit dhe komunitetet.

Gjetjet dhe prioritetet që dalin nga Raporti do të ndihmojnë gjithashtu në orientimin e zbatimit të Kuadrit të ri të Bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë 2027-2031. Kjo do të sigurojë që mbështetja e Kombeve të Bashkuara gjatë ciklit të ardhshëm programor të jetë plotësisht e përafruar me prioritetet e Shqipërisë për vitet e fundit të të zbatimit të Agjendës 2030. Kuadri i Bashkëpunimit do të fokusohet në zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, forcimin e kapitalit njerëzor, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit, barazinë gjinore dhe zbatimin e parimit për të mos lënë askënd pas. Në këtë mënyrë, ai do të ofrojë mbështetje të integruar dhe të koordinuar ndërsa Shqipëria avancon njëkohësisht drejt Agjendës 2030 dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Raporti i Dytë Kombëtar Vullnetar paraqet një Shqipëri që ka përparuar, ka mësuar dhe është përshtatur. Ai pasqyron gjithashtu një ndërgjegjësim të qartë për urgjencën e viteve që mbeten. Së bashku, Agjenda 2030 dhe integrimi evropian i ofrojnë Shqipërisë një mundësi të fuqishme për të ndërtuar një të ardhme më të begatë, më të drejtë, më konkurruese, më gjithëpërfshirëse, më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

Ky është horizonti i Shqipërisë për vitin 2030: të shndërrojë reformat në rezultate, angazhimet në përmirësim të cilësisë së jetës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në progres që arrin te të gjithë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.