Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria mirëpriti Kongresin Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë, një ngjarje që shënon përkushtimin e vendit për të udhëhequr në fushën e shkencës dhe teknologjisë në rajon. Në fokus të kongresit ishte ndërtimi i një ekosistemi të avancuar kërkimi e arsimi, që synon t’u japë të rinjve shqiptarë mundësinë të studiojnë teknologjitë e së ardhmes në vend.

Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe nanoteknologjisë si shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm dhe transparencës në qeverisje.

Përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe mbështetjes institucionale, Shqipëria synon të jetë një pikë referimi për inovacionin shkencor në dekadën që vjen.

***

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë!

Sot besoj që gjendemi në një ag të ri për Shqipërinë, si një komb që guxon të udhëheqë e jo të ndjekë në ballë të shkencës dhe teknologjisë në këtë rajon.

Më lejoni të them që duke krijuar një ministre të Inteligjencës Artificiale, ministrja e parë në botë e inteligjencës artificiale, Shqipëria nuk po përqafon thjesht të ardhmen, por po përpiqet të bëjë pjesën e saj për ta projektuar atë. Diella nuk është një lodër. S’mund të jetë më ndryshe sesa kaq. Përmes saj ne kemi shndërruar atë çfarë ka qenë domeni i së mjegulltës në një algoritëm transparent për të shndërruar pushtetin e shtetit, në pushtetin e shërbyesit.

Në fakt jemi të bindur që herët më shumë se sa vonë do të jemi në gjendje që të ofrojmë përmes Diellës, një instrument të jashtëzakonshëm për t’i bërë tenderat publikë, të hapur e transparent e me integritet, siç nuk është parë më parë. Siç e thashë, Shqipëria është një vend që guxon dhe shfrytëzimi i inteligjencës artificiale është një shtyllë themelore e qeverisjes, jo thjesht një instrument, është pra përparësi e jona kyçe dhe vizioni ynë kombëtar për Shqipërinë e 2030 në Bashkimin Europian, besoj është shumë i qartë, shumë qartësisht i rrënjosur në integritet, novacion dhe udhëheqje shkencore.

Meqë ra fjala, kjo ngjarje ilustron shumë më tepër se fjalët, atë çfarë po synojmë e po përpiqemi të bëjmë çdo ditë. Ne do të kanalizojmë më shumë burime, reforma institucionale, kapital njerëzor për të ndihmuar në ndërtimin e një ekosistemi të nanoteknologjisë, që e ka spirancën në Tiranë, por që rrezaton apo më mirë është e zgjeruar jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Do dëshironim që çdo program i madh novacioni, çdo terren shkencor, çdo projekt infrastrukture të ketë standarde të larta, llogaridhënie të plotë dhe gjithashtu edhe mbikëqyrje të ndihmuar nga inteligjenca artificiale. Kur u themelua ‘’NanoAlb’’, në qoftë se nuk e kam gabim 5 vjet më parë, ishte një sinjal i një akademie të ripërtëritur shkencash, një akademi shkencash që u shfaq e gatshme për të përqafuar të ardhmen, e jo për të mbetur sërish në të shkuarën, e nuk ka aspak dyshim se nanoshkenca dhe nanoteknologjia janë shkenca kampione të shekullit të XXI dhe ne duhet dhe mundemi që të harmonizojmë arsimin e lartë me strategjinë tonë për novacionin nga klasat, laboratorët, nga start-up-et dhe inkubatorët.

Në fakt, një sërë universitetesh shqiptare po hartojnë programe ndërdisiplinore për sistemet digjitale, inteligjencën artificiale dhe së shpejti për nanoshkencat, sepse ky nuk është një luks apo diçka shumë e veçantë. Kjo është një nevojë e së tashmes. Vizioni ynë është që brenda dekadës tjetër, çdo i ri shqiptar që aspiron të studiojë teknologjitë e së ardhmes, të mund ta bëjë këtu në shtëpi. Ne do të kërkojmë partneritete me universitetet europiane dhe institutet kërkimore, duke u siguruar që kurrikula jonë të përputhet me standardet më të larta ndërkombëtare. Është një punë që ka nisur e po shohim tashmë hapat e para dhe po kështu po shohim edhe rezultatet e para që janë inkurajuese.

Ky investim në arsim nuk ka të bëjë vetëm me prodhimin e shkencëtarëve a inxhinierëve, por ka të bëjë me krijimin e një hapësire për njerëzit që të mendojnë në mënyra novatore, të krijojnë një brez, do të guxoja të thoja novatorësh, që do të çojnë përpara ekonominë, industrinë e qeverisjen shqiptare përpara.

Për të mos vazhduar më gjatë dhe për të mos humbur më shumë nga koha juaj, dua t’ju them që Shqipëria është shumë e angazhuar që çdo euro e investuar në shkencë, të përkthehet në përparim të prekshëm në llogaridhënie dhe në mundësi për të rinjtë tanë. E nuk ka aspak dyshim që ashtu siç disa prej jush që kanë ardhur nga jashtë mund ta shohin tashmë, ky është një vend shumë i hapur, shumë miqësor dhe është një vend ku fjala ‘’mirë se erdhët’’, është në përputhje të përkryer me atë çfarë mund të presësh kur vjen në këtë vend.

Ndaj mirë se erdhët! Pres me shumë padurim që të punojmë ngushtë me Akademinë e Shkencave dhe me ‘’diktatorin’’ e saj për t’i bërë gjërat më mirë dhe për ta bërë përparimin më të prekshëm. Faleminderit shumë!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.