Kryeministri Edi Rama shtroi edhe këtë vit iftarin tradicional në muajin e shenjtë të Ramazanit, në nderim të kësaj periudhe reflektimi dhe solidariteti. Në iftar morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, diplomatë, personalitete të jetës publike dhe figura të ndryshme publike, duke e kthyer iftarin në një moment simbolik bashkimi dhe dialogu.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se “sofra e iftarit është e vetmja sofër ku je njëkohësisht edhe mik edhe zot shtëpie”, duke e përshkruar atë si një hapësirë ku takohen njerëz me besime dhe përvoja të ndryshme.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Të dashur miq dhe të ftuar,
Agjërues besimtarë dhe jobesimtarë,
Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në sofrën tradicionale të iftarit që sëbashku me Lindën e shtrojmë me kënaqësi në nderim të vlerave dhe të traditës së ripërtërirë të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Sofra e iftarit është e vetmja sofër në të cilën je edhe shtrues, edhe i shtruar, edhe zot shtëpie, edhe mik i ftuar, i lirë mes të njohurish dhe i lidhur me të panjohurit përreth.
Je ti që mbledh apo mblidhesh, por është diçka sipërane që bashkon. Zoti, Allahu, universit a më thjeshtë me fjalët e Kantit, “yjësia e qiejve mbi mua, ligji moral brenda meje’. Këto dy botë pikëtakohen në sofrën e iftarit.
Këto dy botë pikëtakohen në sofrën e iftarit dhe pikërisht kjo është edhe arsyeja pse qoftë edhe ateisti më i madh, po u mblodh rreth asaj sofre, e ka të pamundur të mos mendojë qoftë dhe për një çast mbi vogëlsinë e vetë nën yjësinë e madhe.
Rreth kësaj sofre, ligji i padukshëm që jeton brenda çdo qenieje njerëzore, ligji që na thotë se tjetri nuk është një i huaj por një fqinj, një bashkëudhëtar, një grimë e ngjashme përkohësie nën të njëjtin qiell, merr në zotërim territore të caktuara të mendjes e të shpirtit, të vogla apo të mëdha, por i merr dhe bëhet i dukshëm për vetëdijen, për këdo mblidhet rreth sofrës së iftarit.
Agjërimi i mëson njeriut durimin e vetvetes dhe rrugën e zbutjes së paraardhësit të vetë të parë, shpellarit që ka brenda vetes.
Ndërsa çasti i uljes në sofrën e iftarit, bashkon fundin e urisë së trupit me pikërisht ligjin moral brenda qenies së njeriut, përmes bukës së ndarë mes njerëzve.
Ai çast bëhet dinjiteti që rritet kur buka ndahet mes të tëra duarve dhe bëhet ora që nuk ndahet mes rrugëve të ndryshme të jetës, prej nga vijnë ata që mblidhen rreth sofrës, si kjo sofër sonte. Besime të ndryshme, profesione të ndryshme, breza të ndryshëm. Njerëz që vijnë edhe vende të ndryshme, që luten në mënyra të ndryshme ose nuk luten fare, por ulen bashkë sepse ndryshe nga të tëra tryezat ku njerëzit ulën për dreka e darka nëpër Shqipëri, për të ngrëne e pirë sëbashku, kjo e iftarit ka një dritë ku ndërthuren qetësisht drita e jashtme sipër nesh me atë të brendshmen në secilin prej nesh.
Nën atë dritën mbi ne, yjësinë e qiejve kantianë, qëniet njerëzore ndërtojnë ishuj të vegjël vëllazërie të mbjellë me miqësira e njohje, të banuar në pikëtakime, tryeza çmalljesh apo mbledhjesh, mjedise festash apo ngushëllimesh, ishuj të rrethuar nga përkohësia e jetëve tona e të mbrojtur jo vetëm përmes ligjeve të shkruara të bashkëjetesës mes njerëzve, por edhe përmes ligjit moral në zemrën e gjithëkujt prej nesh.
Në një ditë si kjo, mbledhur në sofrën e një tjetër fund dite të muajit të Ramazanit, është e pashmangshme edhe ndërmendja për ishujt e konfliktit e të armiqësive që gjithashtu njerëzit i krijojnë duke i dhënë anës së tyre monopolin e të vërtetës dhe anës së tjetrit trajtën e shënjestrës, duke i lënë frikës nga tjetri vendin e besimit tek tjetri, duke i dhënë identitetit rolin e armës dhe urrejtjes, kodet e arsyes.
Kështu rrugët dhe kanalet e komunikimit mes njerëzve kthehen në shtigje sherri dhe në vija helmi ndërsa urat mes të ndryshmëve në besime, në etni, në kultura, në zakone, në gjuhë, shndërrohen në vend luftime me sho-shoqin.
“O njerëz, ne ju krijuam nga një mashkull dhe një femër dhe ju bëmë popuj e fise që ju të njiheni me njëri-tjetrin”, shkruhet në Kuran. “Jo që të kemi frikë nga njëri-tjetri, jo që të luftojmë me njëri-tjetrin, por që të njihemi dhe të afrohemi me njëri-tjetrin”. Kjo është thirrja e qetë që mban mbledhur në fakt sofrën e iftarit, ku dyshimin e merr vendi i mirëkuptimit, ndryshimi mes nesh bëhet vlerë brenda nesh, dallimet theksohen sepse na bie më shumë në sy që “ky agjëron, ky nuk agjëron, ky vjen nga andej, ky vjen nga këtej”, por në fakt konflikti tretet.
Të thërrasësh iftar për, siç është në rastin tim, privilegjin e funksionit, është të jesh të paktën një herë të vetme në kalendarin vjetor, në mes. E këtë herë që ky iftar vjen pas publikimit të “Sofrës së Hënës”, librit me reflektimet e iftarëve të derikëtushëm, i cili doli në dritë nga shtysa e disa miqve besimtarë apo studiues të islamit, ky çast i mesit, mua mu bë këtë herë edhe më i mirë se ardhur ndërkohë që jashtë këtyre mureve, ekstremet janë më larg se zakonisht.
Kjo ndjesi e distancës së rritur mes ekstremeve, më kujtoi një episod të historisë Mesjetare, një betejë anglo-franceze e shekullit të XIV, gjatë të cilës princi trashëgimtar ishte 14 vjeç, shikonte të atin, mbretin e Francës që luftonte me shpatën zhveshur dhe i thërriste, “atë, ruaju djathtas, atë, ruaju majtas”. Distanca e rritur mes ekstremeve nuk lidhet në këtë rast edhe aq me atë që ndodh në kazanin e politikës shqiptare, ku ekstremet kanë qënë në fat edhe më të mos o zotshme se sa shfaqen sot, por me atë që ndodh në gjithë mexhelisin e jetës sonë. E jetës së ishujve që përmenda më lart, ku ekstremet vetëm largohen.
Përshembull, një kartolinë e cila 100 vjet e kusur më parë, atëherë edhe kur ka dalë në qarkullim dhe kur thuajse, kinse Shqipëria ishte një vend analfabetësh dhe obskurantistësh, nuk ka bërë ndonjë bujë dhe nuk ka ngjallur asnjë lloj lebetie.
Sot, në Shqipërinë e vitit 2026, kur unë zgjodha ta ktheja atë kartolinë në kopertinën e “Sofrës së Hënës” kaq mjaftoi që unë vetë të kthehesha nga kanalet dhe portalet e komunikimit në “djallin që përqesh islamin”, ndërkohë që iftaret e shtruara u kthyen në “instrumente të kryeministrit për të prishur dinin e për të nëpërkëmbur imanin”.
I shenjti Kuran fton në dëgjesë duke thirrur, “o ju që keni besuar, kushedi se cili sysh është më i mirë se tjetri. Mos denigroni e mos fyeni me fjalë njëri-tjetrit”. E vërteta është se ky iftar, sikundër të gjithë ata që e kanë paraprirë, është një nevojë aspak politike, të cilën unë e gjej gjithnjë e më shumë me vend, në përputhje pikërisht me imazhin e asaj kartoline, sa të vjetër aq edhe të re, ku përfaqësuesit e të gjitha feve, shohin nga i njëjti zot dhe ku fjalët thonë se fetë, që janë ndarës njëra prej tjetrës, duhet të na bashkojnë në të njëjtën rrugë sepse jemi shqiptarë që të gjithë.
Po ashtu, unë e gjej atë kartolinë në përputhje edhe me parimet që lëvdon vetë islami, por për hir të vërtetës edhe çdo religjion tjetër.
Iftari është një ushtrim i bukur edukate sociale, është një praktikë mirësie dhe ndrojtjeje, ku zemërata, hakmarrja, ndëshkimi mbeten jashtë derës, sëbashku me ekstremet dhe ku përkujdesja për të mos e lënduar sofrën me fjalë pa vend, vjen shumë afër gjithsecilit.
“O daut, të bëmë alif në tokë, gjyko pra në paanshmëri të plotë e mos ndiq pasionin përndryshe pasioni do të largojë nga shtegu i Allahut”, thuhet në Kuran.
Me këtë paralajmërim për esëllim kuptimplotë i cili dikur iu drejtua dhe diktua mbretit të mbretërve dhe që sot kumbon edhe më shumë për më besimtarin e besimtarëve unë uroj që t’ju pranohet agjërimi, t’i dëgjohen e t’i pëlqehen lutjet çdo agjëruesi që është këtu i pranishëm, ndërkohë që çdokujt tjetër i ftuar këtu sonte, besimtar apo jo, shqiptar apo jo, i uroj edhe në emër të Lindës, që të ketë gjithçka meriton për vete e për të dashurit e vetë.
E duke qenë se ky iftar është i pari i këtij mandati të katërt, në detyrën që ma jep privilegjin që t’ju ftoj këtu sëbashku me Lindën, ndërkohë që ky mandat unë dua të jetë i fundit i një kryeministri të Shqipërisë jashtë shtëpisë së Europës së bashkuar, dua që me lejen tuaj ta mbyll me një detaj që mua ma hijeshon optimizmin tim për Shqipërinë.
Për herë të parë në tre dekada, Ramazani dhe Krishtlindja do të takohen në vitin 2030. Prandaj duke e ulur siparin e fjalës sime, unë dua tu shpreh sot një mirënjohje të madhe, të me gjithë zemërt, myslimanëve shqiptarë, për atë që janë e duke u uruar të kenë çdo të mirë për të cilën luten, dua të uroj që të jenë në jetë të jetëve shumica që gjithmonë kanë qenë gjer më sot; shëmbëlltyre e gjallë e të vërtetës së madhe të Shqipërisë ku besimi nuk është një vijë që ndan, por një sofër që bashkon dhe ku islami, njësoj si krishterimi, e thërret Europën në krye të sofrës.
Shumë faleminderit!