Në kuadër të një prej prioriteteve më të rëndësishme të qeverisë, luftën ndaj korrupsionit, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, organizoi takimin e parë koordinues me donatorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që veprojnë dhe kanë projekte në fushën e antikorrupsionit në Shqipëri.
Gjatë takimit, Ministri Çuçi vuri theksin në rëndësinë e krijimit të një mekanizmi gjithëpërfshirës dhe koordinues në rang kombëtar, Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, i cili do të sinkronizojë në mënyrë efektive përpjekjet e institucioneve të ekzekutivit, atyre të pavarura dhe ligjvënëse në parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit në vend. E reja e këtij mekanizmi do të jetë përfaqësimi në të edhe i organeve të qeverisjes lokale.
Ministri foli edhe mbi hapat konkretë që do të ndërmerren për hartimin e dy dokumenteve parësore politikash në fushën e antikorrupsionit, Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit kundër Korrupsionit 2014-2017, si dhe nevojat e menjëhershme për asistencë teknike edhe financiare për ngritjen, fuqizimin dhe mirëfunksionimin e kapaciteteve antikorrupsion në vend.
Më tej, ministri u shpreh se do të rishikohen me prioritet të gjitha Memorandumet e Bashkëpunimit ekzistuese mes organeve të ndryshme në luftën kundër korrupsionit dhe do të merren masa që këto Memorandume të jenë efektive dhe të prodhojnë rezultate. Ai theksoi se në luftën ndaj këtij fenomeni, i cili prek të gjithë sektorët e shoqërisë, krahas vullnetit politik që buron nga qeveria, mbështetja prej komunitetit të donatorëve është jetike.
Përfaqësuesit e donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare, të pranishëm në këtë takim, treguan gatishmërinë dhe shprehën mbështetje për iniciativat dhe aktivitetet antikorrupsion, duke propozuar edhe asistencë konkrete për aktivitet në vazhdimësi. Gjithashtu, do të ndërtohet një matricë integrale e asistencës së donatorëve në fushën e antikorrupsionit, e cila do të evitojë mbivendosjen dhe do të shtojë efikasitetin e asistencës së dhënë.
Takimet koordinuese të kësaj natyre do të kenë vijimësi periodike. Ato do të bashkëkryesohen nga ministri Çuçi dhe një përfaqësues i komunitetit të donatorëve, në bazë të rotacionit.