Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama me kompani dhe sipërmarrje për modernizimin e infrastrukturës, përmes Buxhetit 2018 dhe Programit “1 Miliardë për Rindërtim”:

Shumë faleminderit për pjesëmarrjen mbresëlënëse, që është më e madhe sa kishim parashikuar dhe konfirmuar nga ftesat e bëra. Çka për mua është një shenjë shumë inkurajuese e interesimit legjitim të kompanive, të sipërmarrjeve që punojnë, ndërtojnë, apo financojnë në këtë sektor, në prag të çeljes së një kapitulli të ri për infrastrukturën shqiptare, në funksion të një transformimi dhe modernizimi të domosdoshëm, qoftë të akseve kombëtare, qoftë të infrastrukturës së furnizimit me ujë të pijshëm, apo të kanalizimeve nëntokësore.

Nuk dua të bëj histori, se historia dihet. Ne jemi një vend ku nuk është financuar pak përsa i përket infrastrukturës rrugore kombëtare dhe për fat të keq, nëse do të vendosim në balancë paratë e financuara në vite me produktin e marrë, nuk mund të mos shohim se ka një hendek shumë të madh midis asaj që presupozohej të ndërtohej dhe asaj që faktikisht është ndërtuar. Sepse, ndër të tjera, planifikimi kombëtar ka qenë i mangët, projektet kanë qenë të mangëta, kontratat kanë qenë të mangëta, supervizionimi ka qenë i mangët dhe në fund, produkti është i mangët.

Ne sot, në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht financimeve të bëra, nuk kemi asnjë rrugë kombëtare të certifikueshme sipas standardeve europiane të lëvizshmërisë dhe sigurisë. Zero! Ambicia jonë është që në këtë katërvjeçar ta bëjmë të mundur pikërisht këtë transformim, që akset tona kombëtare të  kthehen në akse të sigurta, që garantojnë lëvizshmërinë dhe mbi të gjitha që nuk kërcënojnë jetën e askujt, në pikëpamje të asaj që infrastruktura garanton. Tjetër çështje aksidentet që ndodhin në rrugë për shkak të automjeteve dhe problematikave, që i ka gjithë bota në këtë drejtim.

Së pari, ne kemi një buxhet për vitin e ardhshëm 42% më i lartë për financimin e infrastrukturës. Që do të thotë jo pak, edhe pse nuk është i mjaftueshëm për të përfytyruar në një hark kohor të shkurtër, ndryshimin që duam. Ama është plotësisht i mjaftueshëm, nëse projektet janë të duhurat, nëse kontratat janë të duhurat, nëse supervizionimi është i duhur e natyrisht, nëse punët janë të duhurat, që ne të hedhim hapin e parë.

Në katër hapa, gjatë katër viteve, ne do t’ia dalim. Do t’ia dalim qoftë me financimin e buxhetit, i cili vit pas viti do shtohet, pasi parashikojmë një rritje ekonomike dhe rritje të ardhurash që do të na e mundësojë këtë gjë, qoftë edhe nëpërmjet Programit “1 miliardë për rindërtim”, që është një program kombëtar i dedikuar për modernizimin dhe transformimin e akseve kryesore kombëtare.

Infrastruktura nuk është vetëm kaq, por është edhe gjithë ajo punë e nisur me Rilindjen Urbane, që do të vazhdojë në të gjithë territorin e republikës, duke garantuar në katër vitet e ardhshme, shtrirjen e transformimit që ka filluar me prekjen e qendrave të bashkive të reja drejt zonave rurale të tyre, me fokus parësor zhvillimin e turizmit dhe të agroturizmit.

Në këtë paketë programesh buxhetore dhe jo buxhetore nuk marrim, ose duhet të marrim parasysh edhe pjesën që ka të bëjë me projektet që do të financohen në kuadër të Procesit të Berlinit, që e rrisin më tej shumën e financimit të infrastrukturës. Thashë “nuk”, sepse çka po flasim sot është e lidhur me çka kemi financime të siguruara, apo financime të pritshme nga bashkëpunimi me sipërmarrjen për Programin “1 miliardë për rindërtim”.

Janë 10 segmente të rëndësishme që do të mbulohen me financim nga buxheti i shtetit në vitin 2018. Në këto financime të rëndësishme, së pari, është çuarja përpara e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, si me përfundimin e aksit verior, edhe me fillimin e një transformimi rrënjësor të portës hyrëse të Tiranës, me dy akset, majtas drejt Bulevardit të Ri dhe djathtas për t’u lidhur me aksin e sapo përfunduar tek zona e pallatit me shigjeta.

By-pass-i i Tepelenës, edhe kjo një nyje shumë e rëndësishme, në funksion jo vetëm të garantimit të lëvizshmërisë dhe sigurisë sipas standardeve europiane, por edhe të zhvillimit të mëtejshëm të të gjithë zonës së bashkisë së re të Tepelenës dhe në funksion të turizmit që ka filluar pak nga pak të kthehet në një prani që do të shkojë duke u rritur në atë zonë për shkak të trashëgimisë kulturore dhe të lidhjes që ne do të bëjmë midis zonës së Tepelenës dhe zonës së Himarës.

Do të garantojmë fillimin e punimeve për përfundimin e rrugës Korçë – Ersekë, një histori shumë e vjetër që merr fund.

Do të garantojmë edhe çlirimin e një ngërçi të tmerrshëm disavjeçar, ku u gjendëm për shkak tipik të një gare me mangësi, të një kontrate me mangësi, të një supervizionimi me mangësi në dy By-pass-et kyçe të Fierit dhe të Vlorës, që janë vënë në rrugën e zgjidhjes dhe vitin e ardhshëm do të fillojë puna, pas përfundimit të garave.

Jeni njohur me ecurinë e projektit të Rrugës së Arbrit përmes mediave, tani mbetet vetëm finalizimi i kontratës dhe fillimi i punës në terren, për të mos u ndalur më, deri në përfundimin e kësaj lidhjeje shumë të rëndësishme, që do ta kthejë të gjithë zonën e Dibrës në zonën veriore të metropolit.

Një gjë vlen të theksohet para se të shkojmë më tutje, me disa nga projektet kryesore të programit “1 miliardë për rindërtim” dhe besoj se këtu kemi konsensus, ne do të bëjmë një politikë shumë agresive për sistemimin e kontratave në mënyrë që të mos lënë hapësira të pafundme për spekulime e mashtrime, për sistemimin e supervizionimit që është një problem themelor në këtë vend dhe do të jemi me tolerancë zero ndaj të gjithë supervizorëve që do të mashtrojnë në dëm të buxhetit të shtetit.

Njëkohësisht do t’i japim fund historisë së akumulimit të borxheve që fatkeqësisht na shoqëroi edhe në këtë periudhë për shkak supervizorësh të papërgjegjshëm e për shkak të një administrimi të papërgjegjshëm të Drejtorisë së Rrugëve. Ne kemi filluar proceset penale për të gjithë ata supervizorë dhe zyrtarë të përfshirë në këtë dëm ndaj buxhetit të shtetit dhe në këtë shkelje flagrante të ligjit të Buxhetit të Shtetit. Do të vazhdojmë të çojmë përpara drejtësisë këdo prej tyre që kanë marrë pjesë në këtë shkelje të patolerueshme. Buxheti i shtetit miratohet nga Parlamenti. Nuk ka supervizor dhe nuk ka zyrtarë ARRSH apo SHSH-je që mund të hapë buxhet me firmën e tij, duke i ngarkuar borxhe qeverisë dhe vetë publikut dhe duke bërë sikur s’kupton, ndërkohë që ligji i Buxhetit është shumë i qartë dhe ka kufij të pakapërcyeshëm nga askush, as nga vetë qeveria, pa shkuar më parë në Parlament, për të lëvruar më shumë para nga thesari i shqiptarëve.

Në Programin “1 miliardë për rindërtim”, ne besojmë që i kemi të gjitha potencialet, bashkërisht, që të çojmë përpara një financim masiv, duke krijuar masivisht vende pune, duke stimuluar masivisht ekonominë dhe duke pasur në fund të këtij 4-vjeçari, disa vepra, të cilat përndryshe do të mbeteshin ende të parealizuara;

Duke filluar nga Milot-Balldreni, i cili është një aks i rëndësishëm dhe që ka mbetur aty si zonë gri në një proces të nisur për të bërë ndërlidhjen dhe për të krijuar lëvizshmëri dhe garanci për të gjithë zonën veriore të vendit;

Duke vazhduar me aksin Tiranë-Thumanë, përmes Vorës , që është një tjetër aks strategjik shumë i rëndësishëm;

Kardhiq- Delvinë që është përmendur historikisht dhe ka qenë zotim i përsëritur në rrugë manjetonfonike  nga të gjithë partitë dhe kandidatët që janë paraqitur në atë zonë, por që ka ardhur koha për t’i dhënë drejtim dhe për ta përfunduar, duke i dhënë një impuls të jashtëzakonshëm zhvillimit ekonomik dhe turizmit përmes një ndërlidhje të shpejtë dhe të sigurt mes anës me det dhe anës me aq shumë trashëgimi historike e kulturore;

Aksi i ri, Kashar- Rrogozhinë drejt Vlorës, që do të jetë i kombinuar bashkë me një rindërtim, në funksion të certifikimit me standarde europian, të aksit nga Plepat deri në Vlorë.

Këto janë ambicie të mëdha, shumë vjeçare, që ka ardhur koha t’i realizojmë. Kompanitë  janë përgjigjur pozitivisht dhe me projekte serioze, të cilat dëshmojnë që kapaciteti projektues i kompanive është shumë më i lartë sot, sesa kapaciteti projektues i zyrave të shtetit përsa i përket infrastrukturës , por mund të fusim këtu të gjitha.

Për rrugën e Arbrit, për rrugën Milot- Balldren që ka hyrë në proces, për Thumanë – Vorë – Tiranë që është në proces dhe për të tjerët më pas do të jemi përballë provës së zjarrit për të garantuar financimin e qëndrueshëm.

Ndërkohë që qeveria i ka marrë të gjitha masat në ligjin e Buxhetit që të garantojë financimin e nevojshëm, pasi të zbatohet prej kompanive rregulli i artë i marrëveshjes, që në dy vite të para, kompanitë të financojnë vetë. Kjo skemë, në këndvështrimin tonë është një skemë transformuese për nga pikëpamja e integrimit social e të gjithë bashkësisë sonë, për nga pikëpamja e integrimit ekonomikë e të gjithë bashkësisë sonë, për nga pikëpamja e luftës me varfërinë dhe me prapambetjen sociale në shumë zona dhe patjetër për  nga pikëpamja e punësimit. Ne parashikojmë vetëm përmes këtij injektimi masiv të ardhurash, një rritje të konsiderueshëm punësimi. Sigurisht, pasi të kemi një pamje më të qartë dhe të kemi nënshkruar kontratat, do të jemi në gjendje të themi sa mijëra e mijëra vende të reja pune do të krijohen përmes kësaj ndërhyrje direkte apo indirekte.

Nga ana tjetër, një program tjetër që fillon me buxhetin dhe jo vetëm me buxhetin, por edhe me Bankën Botërore dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si financime të integruara përmes Fondit Shqiptarë të Zhvillimit, do të shtyjë përpara programin e Rilindjes Urbane, duke synuar rritjen e kapaciteteve përsa i përket shfrytëzimit të potencialit turistik.

Do të filloj rruga e Thethit, e cila është një rrugë shumë  e rëndësishme, por ndërkohë, së shpejti, pas miratimit të Programit të Zhvillimit të Alpeve, është përcaktuar edhe një paketë financimi që do të synojë stimulimin e zhvillimit të mëtejshëm të turizmit në atë zonë. Jo më kot, por duke pasur parasysh këtë strategji dhe këtë plan konkret të qeverisë, unë dhe ministri i Turizmit jemi të angazhuar që të nxisim sipërmarrjen, të shikojmë mundësinë e investimeve në hoteleri të klasit të parë në atë zonë, ku shikojmë lëvizje të ndjeshme përsa i përket numrit të turistëve. E si për atë zonë, si për të gjithë Shqipërinë është koha për të synuar krijimin e një infrastrukturë të nivelit të lartë me 4 – 5yje, në mënyrë që të gjithë kërkesën për turizmin masiv, që ne po e shikojmë të rritet vit pas viti, ta kombinojmë me kërkesën për turizëm elitar, që përcjellë shumë më tepër të ardhura për bashkësinë, për komunitetet dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.

Po ashtu po vazhdojmë dhe do të fillojmë financimin për rindërtimin, apo ndërtimin – rindërtim nuk do të ishte fjala e duhur – e të gjithë vijës bregdetare të Liqenit të Shkodrës, ku po punojmë edhe për një projekt për lundrueshmërinë  e Bunës. Ndërkohë, nuk e di kush është kompania që ka taksiratin të zbatojë atë projektin  e tmerrshëm të By-pass-it në Shkodër, po ndeshemi me një mal të madh me inerte mu mbi pedonale, që e verbon komplet liqenin, nuk e di sesa metra, duke e hequr nga sytë e njerëzve. Kam marrë shumë letra dhe shumë shprehje shqetësimi, kam pasur edhe një shprehje të drejtpërdrejtë shqetësimi nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës për të ndërhyrë dhe me ministrin kemi krijuar një grup, ku kam ftuar edh kryetaren e bashkisë të sjellë ekspertët e saj, për ta ndaluar atë masakër të bërë nga shteti.

Jam i bindur dhe kurrë nuk do të thosha që masakra është bërë me qëllim, apo kanë kuptuar se çfarë kanë bërë. Është fiks “fali Zot se nuk di se ç’bëjnë!”, kur qeveria financon, kur ministria garanton dhe kur shteti kontrakton një projekt monstruoz, si ai që po ndodh të zhvillohet në një nga zonat më të mrekullishme për nga potenciali i zhvillimit turistik dhe ekonomik të Shqipërisë, që është tek Liqeni i Shkodrës. Ky është një shembull tipik i kontratave të papërgjegjshme, të ngritura mbi projekte të papërgjegjshme dhe të lëna pas si pengesa serioze në rrugën drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, që të sjelli më shumë ekonomi, më shumë punësim, më shumë integrimin social dhe jo të krijojë situata që nuk kanë lidhje me Europën e kohës që jetojmë, por as me Europën e ndonjë kohe të shkuar.

Do të vazhdojmë me ndërtimin e aksit të ri që lidh Shëngjinin me Velipojën, në mënyrë që të kemi një rrugë turistike në krahun e Rërës së Hedhun deri në plazhin e Shëngjinit dhe pastaj, lidhja e drejtpërdrejtë me Malin e Zi të jetë shumë e shkurtër dhe mundësia e zhvillimit turistik elitar në atë zonë të hapët, duke krijuar edhe aty një hapësirë për zhvillim turistik, ekonomik dhe punësim.

Duhet të ndërhyjmë shumë seriozisht në zonën e Plazhit të Durrësit, sidomos në zonën ku ka zhvillime intensive dhe investime të rëndësishme në hoteleri dhe ku mungon çdo lloj infrastrukture. Do të financojmë të gjithë vijën bregdetare të Plazhit të Durrësit, të gjithë zonën e parkut të mbyllur të bllokut të famshëm do ta transformojmë në parkun qendror të të gjithë Bashkisë së Durrësit, do t’ua japim qytetarëve, familjeve, prindërve dhe fëmijëve. Do të rindërtojmë tërësisht infrastrukturën në të gjithë pjesën matanë Konvaleshencës së famshme, ku besoj ka plot nga këtu që kanë blerë edhe shtëpi të dyta në fillimfare dhe është një zonë e pajetueshme, por që me një ndërhyrje inteligjente dhe me një investim të rëndësishëm mund të kthehet në një zonë tipike të Mesdheut të para 30 viteve, por që vazhdon funksionon tërësisht për turistët.

Do të ndërtojmë aksin Fier – Seman, për t’i dhënë mundësi zonës së Fierit që të ketë një dalje normale në bregun e detit, duke parë që edhe në atë zonë ka interesa zhvillimi, por për mungesë të plotë të infrastrukturës, ato interesa janë të bllokuara dhe duke pasur bindjen që edhe në atë zonë, me një bregdet tërësisht të virgjër, mund të ketë një zhvillim turistik, ekonomik dhe rritje punësimi që do të ndikojë seriozisht në ekonominë lokale dhe atë familjare të zonës, por edhe në ekonominë kombëtare.

Jemi gati të fillojmë rindërtimin rrënjësor të të gjithë bulevardit të Vlorës. Bulevard i thënçin, se në fakt është një rrugë plot tym dhe makina. Njëkohësisht kemi filluar punën për rindërtimin e qendrës së Vlorës, ku edhe qeveria do të bëjë pjesën e vet, në bashkëpunim me Fondin Amerikan të Zhvillimit. Duke synuar zgjerimin intensiv të kapaciteteve turistike në Vlorë, ku presim me padurim të shikojmë zhvillime të tjera nga pikëpamja e sipërmarrjes private, që, jam i bindur, do të rriten edhe si rezultat i fillimit të punës konkrete në terren, vitin e ardhshëm, të aeroportit të dytë të Shqipërisë.

Ka filluar puna për restaurimin e fshatrave të vjetër të zonës së Himarës. Ka filluar puna për ndërtimin e shëtitores së Dhërmiut dhe sistemimin e plazhit të Dhërmiut, që ka përjetuar një kaos e dërrmim të vërtetë. Ashtu sikundër, edhe transformimi dhe sistemimi i plazhit të Jalës. Çka është e rëndësishme, presim të shohim edhe zhvillimin e infrastrukturës nga pika ku del prej Vlorës, në të gjithë aksin e Radhimës, në Orikum, në rrugën Llogara-Himarë që ka nevojë të rishikohet. Jemi në një diskutim midis opsionit të zgjerimit dhe futjes së rrugës në standarde europiane, – ajo rrugë s’ka asnjë standard dhe nuk mund të marrë dot asnjë certifikatë sigurie dhe asnjë lloj certifikate garancie për lëvizshmërinë normale të mjeteve – dhe ndërtimit të një aksi të ri. Po ashtu jemi në diskutim dhe këtë sot nuk e kemi të qartë, nëse duhet të ecim me tunelin, apo të shfrytëzojmë të gjithë segmentin panoramik të Llogarasë, thjesht duke e vendosur në standarde.

Nga ana tjetër, në gjithë zonën në krahun juglindor ku, përveç akseve që përmenda, janë disa projekte që do të finalizohen dhe do të financohen duke filluar nga viti i ardhshëm, qoftë për Përmetin, qoftë për Gjirokastrën, Beratin, Tepelenën. Në këtë mënyrë kemi një Shqipëri tjetër në fund të këtyre 4 viteve për nga pikëpamja e infrastrukturës.

Me ministrin kemi qartësi për domosdoshmërinë e vënies në funksion të ndriçimit publik në rrugët kryesore të vendit. Sa vite ka qeveria shqiptare që paguan shtylla ndriçimi dhe sa shtylla keni parë që punojnë natën për t’iu dhënë dritë qytetarëve? Përjashto aksin Tiranë-Rinas, e gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë është në errësirë.

Themi që jemi vend turistik. Kemi 3 akse turistike, pa llogaritur aksin që na lidh me Kosovën, që është turistik për shkak të interesit të madh dhe të lëvizjes së madhe nga Kosova. A keni parë ndonjë dritë të ndizet nga Vora në Shkodër, nga Plepat në Vlorë? Nuk po flas për drita drejt Tepelenës, se aty, shumëkush mund të mendojë që errësira është pjesë e traditës. Kjo është e papranueshme!

Beteja ime për të ndriçuar akset në 4 vitet që shkuan ishte një betejë e humbur, sepse e po i kthehem prapë tepsisë, por ndriçimi ishte në një pjesë të tepsisë, rrugët ishin në një pjesë tjetër të tepsisë. Pjesa e tepsisë që kishte rrugët nuk donte ndriçim, donte errësirë.

Ne do ndriçojmë akset. Ambicia është që, duke filluar nga qershori, të kemi ndriçim normal në akset turistike të Shqipërisë. Me rindërtimin e aksit Plepa-Vlorë dhe me ndërtimin e aksit Vorë-Rrogozhinë, që do ta sjellë shumë afër Tiranën me Vlorën dhe do të jetë një alternativë me pagesë e pjesës tjetër, si dhe me ndërhyrjet rindërtuese që do të bëjmë në pjesën e veriut me Milot-Balldren, duke përfshirë dhe ndërtimin e rrugës së re Thumanë-Vorë, do të kemi një ndriçim me standarde krejt të reja, siç është ndriçimi i rrugës Tiranë-Rinas, që është e vetmja rrugë që natën të bën të mendosh të vërtetën, që jemi në mes të Europës. Në rrugët e tjera jemi në mes të asgjëkundit.

Nuk janë vetëm rrugët, por edhe ujësjellësit. Kemi vendosur një fond të konsiderueshëm për ujësjellësit. Jo më larg se dje, bashkë me ministrin kemi diskutuar me KfW-në gjermane, që është donatori më i madh në këtë fushë, për paketën e re të financimit prej afro 150 milionë euro dhe do të fillojë nga viti i ardhshëm për ujësjellësit. Por tek ujësjellësit ka 2 gjëra; Së pari, si tek rrugët, ne kemi investuar në vite dhe nuk është një barsaletë elektorale, është një fakt, nëse shikojmë sa para janë financuar nga viti 1991 për ndërtim apo rindërtim ujësjellësish dhe sa funksionojnë sot ujësjellësit …

me ato para, ujësjellësit e Shqipërisë mund të ishin bërë dy herë. Jo rindërtuar, por ndërtuar dy herë. Së dyti, nuk mjafton të investosh, të ndërtosh e të rindërtosh ujësjellës, duhet të garantosh cilësi në investime. Edhe këtu e njëjta problematikë, kemi trashëguar projekte të papërgjegjshme, gara të papërgjegjshme, kontrata të papërgjegjshme, supervizionim i papërgjegjshëm në pjesë të konsiderueshme të rrjetit. Nuk po flas për një pjesë tjetër, ku KfW-ja gjermane ka bërë një punë shembullore, apo ku mund të jetë bërë një punë shembullore edhe nga të tjerë për një arsye apo një tjetër.

Ana tjetër e medaljes është administrimi. Ujësjellësit nuk janë zyra punësimi për militantët e partive që nuk kanë shkollë dhe nuk mund të bëjnë një punë tjetër. Ujësjellësit janë ndërmarrje, d.m.th, kompani që nuk kanë funksionuar në pjesën më të madhe të tyre, përjashto 2-3 raste që lidhen përsëri me KfW-në gjermane. Kanë funksionuar si parazitë që kanë thithur gjakun e këtij vendi pa fund, sepse uji është gjaku i vendit dhe kanë ngarkuar në mënyrë të tmerrshme buxhetin e shtetit me borxhe.

Që të kemi ujë në gjithë territorin e t’i japim të gjithëve mundësinë të kenë ujë e që Shqipëria të mos jetë vendi qesharak, ku populli në pjesë të ndryshme ankohet për ujë, duhet që këto investime t’i bëjmë si duhet e t’i mbrojmë si duhet, duke bërë që të gjithë të paguajnë. Kemi një situatë tipikisht të ngjashme me situatën e energjisë. Më shumë se gjysma e popullit e paguan çdo litër ujë që nxjerr nga rubineti. Pjesa tjetër e merr dhe e abuzon. E vjedh përmes lidhjeve të paligjshme dhe ndryshe nga energjia kemi një situatë shumë më dramatike sa i përket humbjeve. Nëse në energji e filluam me 52% humbje, këtu e fillojmë me 70% humbje. Humbje në pikëpamjen financiare.

Me burimet ujore që ka Shqipëria, sipas studimeve të bëra nga ekspertët në vite, na mjafton 1% e ujit që na ka dhënë Zoti, për ata që besojnë, natyra për ateistët,  për të furnizuar me ujë të gjithë popullsinë e për të përmbushur gjithë nevojat. Në Shqipëri, për 1 litër nevojë harxhohen 4 litra ujë. Nuk ka vend normal sot, që mund të pranojë këtë abuzim kombëtar me atë që është pagëzuar si nafta e shekullit të XXI.

Uji është burim ekonomie dhe mirëqenie. Ne, ujin e kemi hallin kryesor. Jo se s’kemi, e kemi aq me tepri në raport me çfarë na duhet. E përsëris, 1% e burimeve ujore mjaftojnë për të përmbushur gjithë nevojat e popullatës. Por e kemi hall se na përmbyt, e kemi hall se na mungon kur duam të pimë, apo kur duam të vadisim. Pse? Vetëm nga mendja. Sikundër ekstremi tjetër, Izraeli, vendi që nuk ka pikë uji, ka kompaninë më ekselente të ujësjellësit në botë dhe garanton ujë, jo për popullatën vetëm, por për çdo bimë, aty tek rrënja, me pikatore. Pse? Nga mendja.

E kemi pasur shumë të qartë këtë gjë, por po ashtu kemi qenë shumë të qartë se nuk mund t’i bënim të dyja përnjëherë, energjinë dhe ujin. Sikundër e kemi shumë të qartë edhe se ka një ngjashmëri të madhe, por ka dhe një diferencë. E për këtë arsye, ndryshe nga reforma në energji, kjo reformë fillon me 90 ditë apel. Kush është i lidhur në mënyre të paligjshme dhe vazhdon merr ujë pa paguar, në kurriz të atyre që e paguajnë, të shkojë e të legalizojë lidhjen e vet. Nuk do t’i kërkojmë asnjë borxh mbrapsht, siç bëmë me energjinë, me të drejtë. Do t’i kërkojmë vetëm të fillojë të paguajë. Kush nuk do paguajë e kush nuk do legalizohet e do kapet që e vjedh ujin, sigurisht që do penalizohet. Këtë nuk e them unë, nuk e dua unë, por këtë e thotë Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, qysh se unë akoma nuk isha futur në politikë.

Pse nuk e kanë zbatuar të tjerët, kjo nuk është përgjegjësia ime. Kjo është përgjegjësia jonë e mbi të gjitha, ne nuk mund të të vihemi në krah të askujt që e vjedh dhe e abuzon energjinë e ujin dhe të tradhtojmë ata që e paguajnë. Njësoj si për energjinë, paguesit më të rregullt të ujit janë pensionistët. Nuk ka pensionit të vetmuar, apo çift pensionistësh që janë vetëm dhe ne i kemi të regjistruar të gjithë, që nuk paguan faturën e ujit. Kush mund të thotë që unë kam më pak të ardhura se një pensionist i vetëm, unë kam më pak të ardhura se ky çift pensionistësh si familje dhe se paguaj? Askush.

Ndërkohë përsa i përket puseve është krijuar një konfuzion i madh. Konfuzioni ka një arsye themelore, prapë moskuptimi. Njerëzit thonë, ç’të duhet ty me ujin që unë e nxjerr vetë. Po shko provo të nxjerrësh ujë vetë, jo në Gjermani, por provo ta nxjerrësh vetë në Itali dhe na lajmëro, nëse do dali më parë uji nga vrima që po shpon ti, apo do ngrihesh të shkosh e të japësh llogari ku je, sepse është pasuri kombëtare. Shfrytëzimi i ujërave nëntokësorë, kudo është i normuar dhe po ashtu është i normuar në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë. Si mundet që një kompani që prodhon ujë për treg, të ketë një pus industrial e ta marri ujin me sasi eksponenciale nga nëntoka e të mos paguajë kokërr leku. Është pasuri kombëtare dhe mbi të gjitha, shfrytëzimi pa kriter, pa karar, pa ligj, ilegal i burimeve nëntokësore ujore ndikon tek kapacitetet furnizuese. Nuk është se ti po mbjell parcelën që ta dha gjyshi. Ti po merr poshtë një mall jetik, që nuk është vetëm aty, është kudo e ti e thith.

Nga ana tjetër nuk kemi folur dhe nuk kemi parasysh puset e shtëpive. Nuk kemi parasysh sot, as puset e hapura nga njerëzit në fshat për vaditje aty ku nuk ka sistem vaditës, janë në të drejtën e tyre. Sigurisht nuk është gjë e mirë, sepse ato puse, jo vetëm që dëmtojnë procesin e shfrytëzimit të burimit, por ato puse shterpëzojnë tokën, kripëzojnë tokën, e bëjnë atë të papërdorshme mbas 10-20 vjetësh. Ky është një fenomen që ka filluar të ndjehet, sepse shkohet në shtresa ku ka kripë, ndërkohë që uji që vjen nga burimet e drejtpërdrejta për vaditje, nuk e ka këtë rrezik, përkundrazi, është ushqim për tokën.

Sidoqoftë, tema është shumë e thjeshtë, debati është i kotë. Nuk ka në debat a duhet, apo nuk duhet që çdokush që prek këtë mall, të jetë së pari, formal. Nuk mund të shposh ku do ti. Ne kemi në Shqipëri, një numër pusesh që janë formale, me leje të rregullt. Nuk paguajnë as tarifë, as taksë, se thonë taksë. Nuk ka taksë as për energjinë, as për ujin. Është mall. Ajo që diskutojmë dhe nuk është fare në horizontin e punës tonë sot, asgjë tjetër përveç sistemimit të marrëdhënieve mes puseve industriale dhe nuk janë vetëm ato që prodhojnë ujë. Ka resorte në Shqipëri që furnizohen me puse. Resorte, fshatra turistike në qytet ose në fshat nuk furnizohen nga ujësjellësi, qoftë në një rast se aty sistemi i ujësjellësit nuk ka kapacitet, qoftë se në një rast tjetër e kanë zgjedhur. Një zonë e tërë rezidenciale furnizohet me pus, me korrent e ky ujë vlen. Merreni se e keni qyl. Kjo nuk ekziston.

Përsa i përket pjesës së përdorimit vetjak apo jetik për një familje që nuk e ka aty shërbimin e ujësjellësit, apo vetjak për një familje që vadit, sepse nuk ka shërbimin, nuk bëhet fjalë për të vënë asnjë gjë tjetër si barrë, përveç regjistrimit. Na duhet të kemi regjistrin, për shkak të administrimit të integruar të burimeve ujore të Republikës së Shqipërisë.

Unë jam shumë i dëshiruar që sëbashku të garantojmë që garat të jenë gara. Ne kemi rindërtuar sistemin e prokurimeve dhe APP-ja do të marrë një rol të ri. Prokurimet do të bëhen në të gjitha entitetet që janë bërë, por, së pari, APP-ja do të japë “no objection” për termat. Së dyti, do të monitorojë garën. Në kuptimin që unë kam parë në këtë vend, garë për një rrugë që s’kishte asnjë lloj tuneli e aty ishte specifikuar që të ketë eksperiencë në tunel dhe të ketë licencë kundër zhurmës. Gjëra të paimagjinueshme. Vetëm emri i mungonte se kush është personi që do ta marri sapo të futen në garë dhe të tjerët për të bërë garën. Këtë do ta sistemojmë në mënyrë që garat të jenë reale, por njëkohësisht nuk do të pranojmë e do të marrim masa, – ministri po punon, – për ofertat e papërgjegjshme. Nuk mundet të jemi pre e ofertave që vijnë me papërgjegjshmërinë më të madhe, me ulje 40%, 50% dhe ka kompani fantazmë që bëjnë vetëm këtë punë, bëjnë një ofertë, e marrin atë tender e pastaj dalin e shesin. Kuptohet, ai që e merr, paguan kompaninë fantazmë, por ndërkohë do nxjerri edhe ai fitimet e veta.

Nga ana tjetër është e domosdoshme të sistemojmë aspektin e punimeve të paparashikuara. Ajo që na ndodh tradicionalisht është që vihet me oferta të papërgjegjshme dhe gjatë rrugës kërkohen shuma e shuma për të kompensuar hendekun. Këto gjëra duhet t’i rregullojmë. Në këtë aspekt, ne duam dhe kjo është ftesë për të gjithë, kontributin e të gjithë kompanive serioze, që nuk kanë nevojë për të bërë ato garat e kopsitura paraprakisht, por ka nevojë vetëm për konkurrencë normale. Sepse kompanitë e mëdha, kompanitë që kanë dhënë prova, të gjitha do kenë më shumë se një mundësi për punë dhe nuk mund ta bëjë njëra të gjithë punën.

Për këtë arsye duhet të garantojmë që të mbrojmë këtë sektor. Kompanitë e ngritura mbi baza të qëndrueshme duhet të marrin punë, duhet të zhvillohen e të bëhen të gatshme për të bërë punime edhe jashtë Shqipërisë, sepse i kanë mundësitë. Nuk mund të jenë pre e fantazmave që shfaqen e pastaj shkatërrojnë gjithë sistemin.

Përfaqësues i Shoqatës së Inxhinierëve Projektues. Në këtë planifikim që ju mendoni, një nga elementët kryesore që ne ju sugjerojmë është masterplani i rrjetit rrugor. Ajo që na mundon është që në tenderat që organizohen në të gjithë subjektet, klientët tanë, ku kryesori është Drejtoria e Rrugëve, ku për 12 vjet, që është bërë një punë që duhet të rishikohet. Ligji i prokurimit publik është i saktë. Metodika e aprovuar nga Këshilli i Ministrave, është katrahurë. Ka 50 pikë ajo që quhet metodika dhe ajo është subjektive. 

 

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit profesor! Është shqetësim që ne ndajmë. Ministri ka edhe një eksperiencë personale si jurist, në lidhje me legjislacionin e Prokurimit Publik, për të cilin dikur ka qenë pjesë e një projekti të Bashkimit Europian. E njeh legjislacionin mjaftueshëm, për të qenë në gjendje të marrë dhe të trajtojë të gjitha shqetësimet  e nxjerra.

Jam shumë dakord me ju. Drejtoria e Rrugëve është një ndër shfaqjet më brutale të Shqipërisë së vjetër, nuk ka lidhje me Shqipërinë që duam dhe kjo nuk është parullë, por është fakt. Kërkon një reformë rrënjësore, për të cilën, ne po punojmë, sikundër kërkon edhe një rritje të konsiderueshme të cilësisë së burimeve të veta njerëzore. Por ne do të nisemi tek identifikimi i të gjithë boshllëqeve të krijuara me dashje apo pa dashje, – kjo pak rëndësi ka sot, – në legjislacion, në metodika e me radhë. Pjesë e reformës së reduktimit të licencave, të dokumenteve etj., do të jetë edhe ky sektor ku ndodhin çudira me licenca, autorizime, letra etj.. Ndërkohe që mbetet sfida për të pasur projekte serioze. Unë kam parë me sytë e mi në projektin e rrugës së Qafë-Plloçës, në një segment doli nevoja për një ekstra financim, sepse në projekt, një urë ishte parashikuar gabimisht me 14 metra diferencë. Nuk ishte urë, ishte një vijë në ngjitje apo në zbritje, me 14 metra diferencë nga njëra anë në tjetër mes dy shpateve të atyre kodrave të larta. Katastrofë! Sigurisht që këto sjellin nevojën për të shpenzuar fonde, që fare mirë mund të përdoreshin për të bërë edhe për një rrugë tjetër. Sjellin stres dhe shqetësime pafund për njerëzit. Dy By-passet e Fierit dhe të Vlorës janë gangrenat tipike të kësaj historie, projekt mizerje, garë mizerje, kontratë mizerje, supervizion mizerje dhe në fund fare, bllokim total i vendit gjatë gjithë periudhës së verës, pengesë për ekonominë, pengesë për njerëzit. Këto gjëra duhet të përpiqemi dhe do të përpiqemi  t’i evitojmë në start se, në qoftë se nis mbrapsht, përfundojmë edhe më mbrapsht, siç ju e dini shumë mirë.

Përsa i përket shqetësimeve konkrete të tjera që ju keni, ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është në qeveri ekzaktësisht për të qenë avokatja e sipërmarrjes, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, për të pasur në qeveri direkt kontaktin me secilin nga ju. Një kontakt direkt që çdokush që ka një biznes në Shqipëri, të madh a të vogël, s’ka nevojë për të kërkuar mik, për të kërkuar deputetin, apo kushëririn e ministrit për “si ta gjejmë anën e t’ia çojmë fjalën që po na bëhet  një padrejtësi”, por çështja merret menjëherë në shqyrtim nga qeveria, nga çdo ministër përkatës. Vetëm në këto javë të punës kam parë çdo javë, rastet e zgjidhura në kohë reale të sipërmarrjes vetëm nëpërmjet këtij mekanizmi. Çudi nga më të mëdhatë, ngërçe shumëvjeçare, probleme me tatimet, probleme me inspektoratin, gjoba etj., kështu që mos hezitoni, qoftë sa i përket nevojave tematike, kur një shoqatë, apo një grup profesionistësh duan të trajtojnë një nevojë tematike me pika, qoftë edhe për çdo rast e problem konkret që keni me shtetin, kontaktin e drejtpërdrejtë e keni me ministren dhe është kontakt i drejtpërdrejtë me qeverinë. Të gjitha ankesat e biznesit lexohen në fund të mbledhjes së qeverisë, çdo javë. Ministria që mbron sipërmarrjen lexon sa biznese janë ankuar. E fillon me radhe “x” biznes është ankuar për këtë, çështja është trajtuar nga ministri përkatës, u zgjidh. “Y” biznes është ankuar për këtë, çështja është në trajtim, për këtë përgjigja është negative dhe aty diskutohet pse është përgjigja negative. Sigurisht ka edhe raste kur ankesa nuk qëndron, por ama trajtohet drejtpërdrejtë aty.

Edhe platforma e bashkëqeverisjes që ne kemi nxjerrë online nuk është platformë partie, nuk është e hapur vetëm për ata që votojnë për ne. Aty mund të futen të gjithë dhe është një dritare vetëm për biznesin dhe çdo ankesë, çdo kërkesë, çdo nevojë që një biznes shkruan aty, menjëherë jep sinjalin në kompjuterin e zyrës së ministres. Kështu që, lidhje më të afërt nuk ka, për ta bërë qeverinë mikun e drejtpërdrejtë. Nuk ka nevojë për të shkuar me i “fut mik qeverisë”. Qeveria duhet të jetë miku më i drejtpërdrejtë dhe më i madhi i çdo njeriu të zakonshëm dhe i çdo biznesi. Edhe nëse nuk zgjidhet, kjo është një përgjigje e qeverisë. Nuk është më çështje “nuk po e takoj dot ministrin”, apo “s’ma ngriti telefonin” dhe fati i një sipërmarrjeje mbetet në dorën e një grupi inspektorësh, të një vendimi tatimorësh, të një zyre që i bie shkurt e jep një përgjigje formale, apo i zyrës së ish-letrave të popullit në Kryeministri, ku mund të keni shkruar edhe ju plot herë dhe përgjigjja është – drejtohuni institucionit përkatës. Kjo është e tejkaluar. Këtu është nevoja për besim. Sigurisht besimi nuk mund të krijohet me fjalë, krijohet me fakte, por ju duhet të na vini në provë. Është më lehtë direkt tek qeveria, sesa t’i biesh larg e larg, ose se të shkosh të kërkosh nga media që të ngrejë një problem. Edhe ato janë gjëra që bëhen, por nuk ka nevoje për të konsumuar kohë. Nëse keni një problem me administratën, direkt tek ministrja që është avokatja e sipërmarrjes në qeveri dhe ka detyrën që t’i kërkojë qeverisë të mbajë pozicion për çdo ankesë që nuk gjen zgjidhje.

 

Për katër vjet, 99.99% janë marrë të gjithë tenderat te Drejtoria e Rrugëve, nuk është bërë asnjë lloj konkurrence. E dyta, ligji i prokurimit publik është i vitit 95-96, vazhdon.

Kryeministri Edi Rama: Unë besoj se jemi në një gjatësi vale të gjithë bashkë këtu. Ne e kemi bërë të gjithë diagnozën e situatës. Edhe recetën e kemi gati, për të bërë një ndryshim rrënjësor që ka filluar të bëhet, për ta pasur gati strukturën që kur të fillojë faza e prokurimeve, struktura të përgjigjet krejt ndryshe nga sa është përgjigjur për të gjithë këto vite. Problemi është shumë i thjeshtë. Një kompani nuk mund të merret peng nga askush. Një kompani duhet t’i rezistojë kujtdo, sepse tjetër është vullneti politik, tjetër është abuzimi që bën një zyrë, një strukturë, një agjenci. Nëse ka një mundësi reale për ta shfarosur korrupsionin deri në masën që bëhemi normal si vendet e tjera, mundësia është bashkëpunim me kompanitë. Kompanitë nuk duhet të pranojnë asnjë lloj negociate me këta lloj njerëzish. Këta njerëz nuk duhet të kenë vend në administratë. Ne e kemi premtuar që do ta pastrojmë administratën nga parazitët, nga grabitqarët. Sigurisht, kjo kërkon kohën e vet, sepse nuk është një fshesë që po fshin shtëpinë ditën e diel, nuk është as një kosh me mollë, që sa hap e mbyll sytë e zbraz, janë njerëz, janë burime njerëzore të shtetit, duhen kaluar në sitë, sipas të gjitha normave, duhen respektuar të gjitha të drejtat ligjore administrative të tyre, për të nxjerrë atë rezultat që duam. Njëkohësisht duhet ndërtuar një sistem tjetër. Nuk mjafton vetëm ndryshimi që po themi, por dhe ndryshimi i vetë sistemit, që nga metodika. Nëse e ke në letër të hapur rrugën për të bërë çudira, është shumë e vështirë që çudirat të shmangen. Janë një kompleks masash që ne po i përgatisim dhe do t’i marrim për këtë gjë.

 

Në punën tonë si supervizorë kemi një vështirësi shumë të madhe sa i përket projekteve. Që ditën e parë që lidhim kontratën e fillojmë me kontratat shtesë. Projektuesit në shumicën e rasteve nuk na përgjigjen. Kam gjithashtu një vërejtje të madhe ndaj prokurimeve publike. Ju kërkoj zoti Kryeministër që të ndërhyni që të bëhet një konkurrencë sa më e ndershme.

Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi nisur punën që ditën e parë, pasi jemi përgatitur dy muaj për të bërë një reformë shumë rrënjësore lidhur me licencat, dokumentet, autorizimet, kërkesat, etj.. Në çdo sektor do të ketë një reduktim drastik të letrave. Sipas meje, sa më shumë letra të kërkohen, aq më shumë korrupsion bëhet dhe për çdo letër që duhet të marrësh, apo të paraqesësh, paguan. Kështu që paguan sepse ka një tarifë, ose paguan sepse ta kërkojnë. Reduktimi drastik i këtyre është objektiv parësor i 300 ditëve të para. Në 100 ditëshin e parë kemi filluar. Ministritë po punojnë dhe në 15 nëntor do paraqesin në qeveri, gjithë planin për reduktimin e dokumenteve. Edhe tek ky sektor ka lloj-lloj historish me letra dhe dokumente që kërkohen, që janë absurditete. Duhet të heqim, të garantojmë që të shpëtojmë nga gjithë këto specifikimet qesharake. Për shembull, ti do ndërtosh rrugë, ai thotë a ke traget (?). Këtë nuk e kisha dëgjuar. Është një nivel më i lartë se deri aty ku kisha dëgjuar unë. Mi tregoni dhe mua që të bëjmë një libër me barsoleta nga jeta e përditshme e sipërmarrjes, që torturohet dhe humbet gara, se kërkojnë vinça kur aty nuk ka asgjë për të ngritur. Edhe shqetësimi i zonjës shkon në këtë drejtim, të ketë një mundësi shumë më të hapur për të ushtruar aktivitetin dhe shumë më pak nga këto barrierat administrative.

 

A do vendoset në paketën fiskale për 2018 tatimi mbi dividentin 6%? Na është premtuar nga Ministri i Financave para fushatës elektorale.

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që është një zotim i marrë, vetëm se zotimi nuk është bërë që data do jetë sapo të fillojë mandati. Kështu që është një zotim i marrë, është një diskutim dhe e vetmja, po themi, kundërshti është se sot, shumica mendon se kjo duhet të futet në paketë, vitin e ardhshëm. Ndërsa ministri dhe një pjesë në pakicë mendon se duhet të futet që këtë vit. Duke qenë se për momentin unë jam me shumicën, do presësh vitin tjetër. Por mbase deri në fund të shikojmë, se paketa është në Parlament dhe Parlamenti ka zërin e vet, komisionet kanë zërin e tyre, të dëgjojmë se çfarë do thonë edhe komisionet. Por që ajo do bëhet, kjo nuk diskutohet. Çështja është se kur, me paketën e 2018-s, apo me paketën e 2019-s.

 

Administrator i një kompanie konsulente. Ne sot aktualisht operojmë me një legjislacion të para 20 viteve që është shumë i vakët. Të gjithë që jemi këtu punojmë me standarde të dyfishta. Kur është puna që do të supervizojmë me BB, me KE me KfW, ne respektojmë legjislacionin ndërkombëtar. Në momentin që fillojmë dhe operojmë me ligjin shqiptar, krijohet një kakofoni, krijohen mospërputhje. 

Kryeministri Edi Rama: Në këtë moment që flasim jemi në fazën e pastrimit të letrave. Çfarë janë letra që janë të tepërta, letra pa të cilat mund të vazhdojë jeta normalisht, si licenca, autorizime, vërtetime dhe çfarë janë letra si ato që përmendi profesori, metodika dhe kjo që thatë ju e dopio standardit, është koha për t’i pastruar. Pastrimi i tyre bëhet më i plotë, nëse bashkëpunojmë. Ju lutem të gjithëve që kush ka një sugjerim për të bërë, që e ka ndeshur në punën e tij, ta bëjë tani. Të gjitha këto do na ndihmojnë që ta bëjmë krehjen e gjithë këtyre ferrave që janë nëpër këmbë në formë letrash, sa më të plotë. Duam të kemi procedurat administrative më të lehta se kudo tjetër dhe mund t’ia dalim më shpejt, nëse bashkëpunojmë. Në jetën e përditshme juve ju dalin probleme, jo vetëm nga letrat që duhen hequr, por edhe nga letrat që duhen ribërë, sepse keqinterpretohen dhe krijojnë të tjera situata. Ndihma juaj është shumë e vyer në këtë fazë, që të pastrojmë maksimumin e ferrave nga rruga juaj, pas 20 e kusur vitesh që nuk u bë kurrë kjo punë. Mund të bëhet. U bë certifikata legjendë. S’ka nevojë më askush të marri certifikatë në gjendjen civile me pagesë. Ka rënë në mënyrë drastike prodhimi i certifikatave në muajin tetor, por prapë ka nevojë të shkojë në zero.  Ky është një shembull.  Por ka qindra letra të tjera që mund të hiqen dhe që do hiqen.

 

Anëtar i bordit të Shoqatës të Inxhinierëve Konsulentë të Shqipërisë. Të gjithë biem dakord që investimet kanë pasur problemet e veta, përsa i përket cilësisë. Në këto kushte është shume e rëndësishme që të ndryshojë mënyra dhe  metodologjia e supervizimit.

Kryeministri Edi Rama: Ne me këtë punë po merremi dhe duam të ndërhyjmë edhe në ligj, por s’mund të ndërhyjmë në ligj sa herë të dalë ndonjëri të thotë ndonjë gjë. Prandaj, të ulemi, t’i mbledhim të gjitha opinionet, të mbledhim të gjitha sugjerimet, të bëjmë filtrimin se çfarë na vlen e çfarë nuk na vlen dhe t’i fusim edhe në ligj këto gjera. P.sh, çështja e punimeve  të kryera është shumë e vërtetë. Nuk mban përgjegjësi prej 27 vjetësh askush. E supervizove mirë, e supervizove keq, je njësoj, vazhdon loja. Të gjitha këto  dhe të tjera që ju i dini më mirë se unë duhet t’i adresojmë në bllok në këtë fazë, që brenda 300-ditëshit të parë të qeverisjes, këto gjera t’i kemi vënë në letër.

 

Përfaqësues i një kompanie ndërtimi. Kemi një taksë të infrastrukturës  8% dhe me çmimin e shitjes. Është një taksë e lartë, sidomos kur bëhet fjalë për ndërtime voluminoze. Të paktën ky çmim të ishte me koston e ndërtimit dhe jo me çmimin  e shitjes, apo një ndarje, kur bëhet fjalë për volume që kanë një shumë të madhe të vlerës, sepse na pengon në investime.

Kryeministri Edi Rama: Më duhet të prish qefin në fund, të them që asnjëra as tjetra nuk bëhet. Një shtet duhet të thotë, “po” ose “jo”. Kështu që unë  nuk do të them “ta shohim”. Kush ndërton volume të mëdha, edhe do të paguajë. Faktikisht, taksa po funksionon dhe është edhe një garanci cilësie në një kuptim.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.