Gjatë vizitës në Divjakë, Kryeministri Edi Rama u ndal në sipërmarrjen “Agro-Liço”, një serë e prodhimit të fidanëve të perimeve, ku po realizohet me sukses një investim prej mbi 38 milionë lekë, për përmirësimin e teknikës dhe teknologjisë së prodhimit në serë të fidanëve të certifikuar.
“Agro-Liço” është një nga sipërmarrjet e agrobiznesit që ka përfituar nga skema e granteve IPARD, një program për mbështetjen e bujqësisë që bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian, përmes projektit të parazgjerimit IPA. Sipërmarrësi vuri në dukje se aktiviteti i tij është rritur me 300% falë mbështetjes që i është dhënë: “I bëj thirrje të gjithëve, që të kenë mundësi dhe me ndihmën e shteti, të investojnë sepse është koha që s’ka pengesa. Kush të dojë të punojë, punon.” – u shpreh sipërmarrësi.
“Në bazë të kontratave që mbyllen ju i garantoni që i merrni prodhimin kur ai prodhohet dhe kur vjen në pikat e autorizuara të grumbullimit merr plus edhe 10%-15%mbrapsht të faturës së shitjes,” ka sqaruar kështu Ministri Panariti duke ftuar të gjithë fermerët që prodhojnë që të orientohen drejt pikave të grumbullimit.
Fondi i skemës së grantit IPARD është mbi 8 milionë euro dhe i dedikohet zhvillimit të sektorit agro-ushqimor.
Nga drejtuesit e Bujqësisë, Kryeministri u informua se në thirrjen e parë për aplikime janë kontraktuar 19 aplikantë, nga të cilët 16 për investime në fermë dhe 3 për agro-përpunim.
Si një nga përfituesit e këtij fondi, sipërmarrësi tha se synon të sigurojë jo vetëm prodhimin e fidanëve të perimeve në sera, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, por edhe shpërndarjen e tyre për mbjellje gjatë gjithë vitit, duke minimizuar sezonalitetin.
***
Në Divjakë, në një tjetër serë të produkteve bujqësore Kryeministri u njoh nga sipërmarrësi me rritjen e eksportit nga ana e tij: “Ne eksportojmë në të gjitha vendet e rajonit dhe po tentojmë të hyjmë edhe në tregun perëndimor. Pas disa ditësh kemi një takim për të eksportuar në Angli.” – u shpreh sipërmarrësi.
Të strukturohet një grup pune që do shqyrtojë masat lehtësuese administrative, duke nisur nga shtrirja edhe në këtë sektor të “ndalesës së vetme”, ndryshe “one stop shop”, ka sugjeruar deputeti i zonës Erjon Brace.
Gjithashtu deputeti Braçe nënvizoi se “Ne mendojmë se teknologjinë e paketës për fasionistët, kryesisht administrative, ta zgjerojmë edhe për eksportuesit e produkteve bujqësore, sepse ka një specifikë që, nëse vonohen në doganë, u prishet produkti.”
Ndërsa Ministri Panariti informoi se laboratori për analizat fiziko-kimike të produkteve bujqësore në Lushnje funksionon dhe bën në kohë reale, për 10 minuta, të gjitha analizat për insekticidet, metalet e rënda dhe stimuluesit hormonalë.
***
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ishte sot në Frakull të Fierit, nga ku nisi procesi i dhënies së titujve të pronësisë të tokës bujqësore, mbi bazën e ligjit 7051.
Kryeministri dorëzoi 100 certifikatat e para të pronësisë, që shënojnë vetëm nisjen e këtij procesi, që vjen si një zotim i mbajtur i qeverisë ndaj tyre.
“Ne jemi këtu, për të filluar t’i japim jetë një procesi që ngrihet mbi një zotim shumë të fortë e shumë të qartë, që, mbi bazën e ligjit 7501, ne do të ndajmë titujt e pronësisë për të gjithë ata, që sot, prej kaq shumë vitesh vazhdojnë punojnë tokën e tyre, me familjet e tyre dhe ende nuk janë bërë dot pronarë të tokës, edhe pse kaq shumë vite kanë kaluar e fëmijët janë bërë burra,” – u shpreh Kryeministri.
Për Kryeministrin Rama, nisja e këtij procesi shënon edhe fillimin e fundit të kapitullit të gjatë të zvarritjes, konflikteve e stërmundimit të atyre që jetojnë në fshat, por edhe e kthen tokën bujqësore nga një kapital i vdekur në një kapital të qarkullueshëm.
“Besojmë që ky është edhe fillimi i fundit të një kapitulli të gjatë zvarritjeje të pakuptimtë e sfilitëse për të gjithë shqiptarët, familjet shqiptare që jetojnë në fshat, që jetojnë me tokën dhe që përmes tokës mundohen të krijojnë mirëqenien e tyre. Nga ana tjetër, ky është edhe fillimi i një kapitulli të ri për bujqësinë, blegtorinë dhe gjithë hapësirën shqiptare të fshatit, sepse është fillimi i një formalizimi të tregut të tokës,” – u shpreh Kryeministri.
Sot, në 2 maj, nisi procesi i aplikimit të skemave të reja të financimit dhe të mbështetjes nga ana e qeverisë, për projekte dhe plane zhvillimi në gjithë hapësirën në fshat, ku gjithsecili nga fermerët është i ftuar të aplikojë, të paraqesë idenë, të paraqesë programin e vet dhe të përfitojë nga kjo mbështetje.