Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në llogaridhënien publike në Lushnje:

Mirë se ju gjeta!

Shumë faleminderit për praninë tuaj!

Ne kemi ndërmarrë një fushatë llogaridhënieje në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha njësitë administrative, jo vetëm bashkitë, por edhe njësitë e çdo bashkie, ku janë angazhuar pa përjashtim ministrat, deputetët, zëvendësministrat, për të krijuar një urë të drejtpërdrejtë komunikimi, nga njëra anë, për të shpjeguar çfarë kemi bërë, pa ndërmjetësinë e mediave që rëndom i përcjellin gjërat të deformuara dhe për të dëgjuar nga njerëzit se çfarë nuk shkon dhe çfarë mund të bëjmë më mirë, por edhe për të folur për atë që do bëjmë.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm që, nëse kthejmë kokën pas, gjërat që janë bërë janë shumë, por, nëse shikojmë përpara, gjërat që duhen bërë janë edhe më shumë. Unë dua të ndalem në disa aspekte, besoj, themelore të këtij procesi qeverisës, që është në hapin e parë të mandatit të ri.

Dua të ndalem tek ajo që ne e kemi quajtur bashkëqeverisja me njerëzit dhe për të cilën jemi angazhuar shumë fort, për të mundësuar një ndryshim themelor të mënyrës sesi iu shërbehet njerëzve në zyrat e shtetit, ku jemi të vetëdijshëm, ka akoma shumë pengesa, shumë zvarritje të pajustifikuara dhe shumë arsye që njerëzit të mos ndihen të kënaqur.

Kemi ndërtuar një platformë digjitale që mund ta përdorin të gjithë, pa përjashtim. Ata që kanë një smartphone e mund ta kenë platformën si aplikacion, faktikisht e kanë qeverinë në xhep. Mjafton të hapin aplikacionin te ëëë.shqiperiaqeduam.al, të adresojnë problemin konkret, apo hallin konkret me një zyrë të shtetit, – 3 minuta është maksimumi i kohës për ta adresuar problemin – dhe menjëherë të vënë në lëvizje ministrin apo ministren përkatëse të sektorit që lidhet me problemin që kanë. Është një mekanizëm që do të shkojë, jam i bindur, duke zëvendësuar plotësisht rolin e atyre zyrave të pritjes së popullit, apo të zyrave të marrëdhënieve me publikun, ku më shumë ka ecejake dhe radha, letra që mblidhen e që nuk marrin kurrë përgjigje, sesa ka zgjidhje reale.

Brenda 10 ditësh gjithsekush merr përgjigje. Në rast se zgjidhja e problemit kërkon më shumë kohë se 10 ditë, sidoqoftë gjithsekujt informohet se “u vumë në dijeni për problemin tuaj dhe do ta zgjidhim”.

Kemi kaluar 10 mijë raste ankesash dhe kërkesash. E gjithë ajo pjesë e ankesave dhe kërkesave që lidhet drejtpërdrejtë me administratën merr adresimin e menjëhershëm dhe zgjidhet atëherë kur sigurisht i takon individit, apo një familjeje, apo një komuniteti.

Një pjesë e rasteve lidhen me procese gjyqësore dhe aty qeveria nuk ka mundësi të ndërhyjë, sepse administrata nuk është gjykatë. Me të drejtë njerëzit janë shpeshherë të acaruar, sepse proceset gjyqësore zvarriten, shpesh nuk e gjejnë të drejtën dhe kjo është arsyeja, pse ne po vazhdojmë të shtyjmë fort për të bërë Reformën në Drejtësi një realitet, për të pastruar sistemin gjyqësor nga prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar.

Çdo ditë, përpara Komisionit të Rivlerësimit të gjykatësve e prokurorëve dalin individë që kanë pasur, apo kanë një peshë të rëndësishme në sistem, sepse ka filluar nga lart poshtë dhe një pjesë e tyre përjashtohen nga sistemi, sepse nuk arrijnë dot të justifikojnë pasurinë e tyre. Shumëkush mendon se historia mbaron këtu dhe ata që kanë pasuri të pajustifikuara thjesht hiqen nga puna. Por në fakt, është realisht rasti për të kujtuar shprehjen e popullit që “dardha e ka bishtin mbrapa”, sepse sistemi i pastruar i drejtësisë presupozohet se do të merret me të gjithë pa përjashtim, politikanë, gjykatës, prokurorë, biznesmenë, kushdo qoftë, si të barabartë përpara ligjit.

Natyrisht, kjo do të kërkojë kohën e vet. Nuk është diçka që mund të bëhet sa hap e mbyll sytë. Ne trashëguam një peshë shumë të rëndë në këtë aspekt. Padurimi i njerëzve është i mirëkuptueshëm, sepse kanë 20 e ca vjet që presin që të kenë gjykata që iu japin të drejtën, që nuk i vonojnë, që nuk iu kërkojnë para, që nuk ua shkelin me këmbë ato që iu takojnë ditën për diell.

Jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por në të gjitha sistemet e tjera, mjafton të mendosh si do ishim sot, nëse këto reforma që ne kemi nisur, apo që po bëjmë, do ishin bërë 20 e ca vite më parë; Do ishte një Shqipëri tjetër! Por këtë gjë nuk e kemi ne në dorë. Ajo që kemi ne në dorë është që t’i çojmë reformat deri në fund për fëmijët e sotëm të vendit, sepse gjenerata e sotme e 25, 26, 27, 28-vjecarëve pagoi një çmim shumë të rëndë dhe vazhdon ta paguajë për reformat e munguara në shumë vite, që nga arsimi deri tek drejtësia. Prandaj unë dua ta përsëris dhe ne do ta përsërisim sa të mundemi, që në vend se të prisni, në vend se të stresoheni, të ankoheni lart e poshtë e të kërkoni zgjidhje të vjetra në ato rrugët e vjetra tradicionale të mikut, kushëririt, apo bakshishit për të marrë një shërbim, të drejtoheni të gjithë te platforma. Kush nuk e ka një smartphone, apo nuk di të përdorë internetin, sidomos ata që janë më të moshuar, e kanë përsëri të thjeshtë rrugën, sepse në çdo njësi administrative, në çdo zyrë poste është e mundur që pa humbur më shumë se 3 minuta të bëhet ankesa në platformën ëëë.shqiperiaqeduam.al dhe brenda 10 ditësh të merret përgjigja.

Në këtë mënyrë, ne do të krijojmë një sistem sëbashku, ku zyrat e shtetit që i shërbejnë qytetarit, ku punonjësit e shtetit që janë nëpër zyra dhe që shpeshherë janë të papërgjegjshëm në raport me detyrën, në raport me të drejtën e qytetarit, të jenë nën presion të dyfishtë, ku çdo qytetar të jetë një kërcënim për vendin e punës, nëse e çon problemin më lart te ministri. Ajo që ne bëjmë pasi zgjedhim problemin, është se shkojmë tek kush e ka përgjegjësinë që qytetarit i është vonuar kaq shumë një kërkesë, apo një ankesë. Janë mbi 150 raste punonjësish që janë çuar epër ndjekje penale, që janë larguar nga puna, apo që kanë marrë paralajmërime për pushime nga puna për vonesa të pajustifikuara në kërkesat e qytetarëve.

Ne jemi gjithashtu shumë të vetëdijshëm që papunësia vazhdon të jetë një problem, por jemi në një proces ku vetëm nëpërmjet zyrave të punës po krijojmë kushte për punësim për të gjithë ata që duan punë, sipas kategorive dhe profileve të tyre dhe që nuk e konsiderojnë punë, vetëm punën në shtet. Ky është një problem që nuk e ka vetëm Shqipëria, e kanë të gjitha vendet e rajonit, ku, në shumicë, njerëzit priren të mendojnë se puna është vetëm ajo që të jep shteti dhe kur vjen puna tek puna në privat, kjo është një zgjedhje e padëshiruar. Pastaj fillojnë 1001 justifikime apo arsye, ndër të cilat mund të ketë dhe arsye të drejta, sepse e dimë që duhet të forcojmë cilësinë e kontratave mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, të forcojmë cilësinë në trajtimin e punëmarrësve e kështu me radhë, por e vërteta është që vetëm nga zyrat e punës, pa llogaritur të tjerat, ne kemi krijuar në 3 muajt e fundit më shumë se 10 mijë mundësi që janë pranuar, apo janë shfrytëzuar nga njerëzit dhe sot kemi vetëm  nga zyrat e punës më shumë se 10 mijë të punësuar.

Qëllimi është që deri në fund të vitit të kemi 25 mijë të punësuar. Nganjëherë njerëzit thonë se aty ka vetëm punë me 250 mijë lekë Kjo nuk është e vërtetë, ka punë për të gjitha kategoritë, edhe për inxhinierë, për financierë, për ekonomistë, për auditorë, për inxhinierë elektronikë etj. dhe mundësia është përpara nesh. Ka filluar një kthesë. Ka filluar një ndryshim i ndjeshëm, sepse përndryshe nuk do i kishim këto shifra. Ashtu sikundër, ne besojmë që, edhe në tërësi, shkalla e uljes së papunësisë po merr një kthesë.

Patjetër na duhet të forcojmë më shumë pozitën e punëmarrësve dhe të bëjmë më shumë për të rritur edhe pagat në sektorin privat ku vetëm në kompanitë e mëdha, 41% e punëmarrësve deklarohen sikur kanë pagë 300 mijë lekë, që është një gënjeshtër. Ne kemi bërë shumë për formalizimin e punonjësve, por kur vjen puna te formalizmi i pagës, në kuptimin e përputhjes së asaj që marrin me atë që deklarohet, ka akoma shumë për të bërë, se nuk ka mundësi që njerëz me role ekonomisti dhe financieri në kompani të mëdha të marrin 300 mijë lekë. Kjo bën që edhe i gjithë kalkulimi për mesataren e pagës në vendin tonë të nxjerrë një rezultat që nuk është i vërtetë dhe që në dukje e bën pagën të duket shumë më e ulët seç është. Edhe kjo është një çështje me të cilën ne po merremi dhe po gjejmë rrugë për ta adresuar, në mënyrë që të rrisim formalizimin e pagës reale të shumëkujt, sidomos në kompanitë e mëdha.

Është bërë dhe bëhet edhe një propagandë e madhe që ne kemi rritur taksat. E vërteta është ndryshe. Ne kemi rritur vetëm 2 taksa. Nëse dikush çohet edhe thotë ja ku është dhe e treta, ta diskutojmë, por unë di që ne kemi rritur vetëm dy taksa.

Ne kemi rritur taksën për më të pasurit, si në shtet dhe në privat, pra, qoftë tatimin mbi të ardhurat, qoftë taksën mbi kompanitë më të mëdha. E kemi thënë që ditën e parë se kush merr më shumë, do paguajë më shumë dhe faktikisht, të gjithë ne që jemi në panel përpara jush, si funksione, paguajmë më shumë taksë nga të ardhurat tona personale, sesa paguhej për këto funksione përpara se ne të ndryshonim regjimin e taksave. Po kështu të gjitha kompanitë e mëdha paguajnë më shumë taksë sesa paguanin përpara sesa ne ndryshonim regjimin e taksave.

Ndërkohë që i kemi ulur taksat për 97% të njerëzve që kanë një punë në shtet apo në privat. Këtë mund ta dëshmojë infermierët, mësuesit, mjekët, punonjësit e administratës, si dhe të gjithë ata që punojnë në sektorin privat dhe që sot kanë taksë më të ulët mbi pagën.

Ashtu sikundër kemi ulur taksën e biznesit të vogël. Deri dje, biznesi i vogël paguante 10% taksë dhe faktikisht paguante me shumë se i madhi, sot paguan 0 ose 5%.

Besoj në korrik, përpara sesa të mbyllet parlamenti, ne do kalojmë një masë të re, ku do të ulim taksën edhe për një pjesë tjetër të biznesit, që është biznesi i vogël i deridjeshëm apo i derisotëm që kalon pragun e 80 milionë lekëve xhiro në vit dhe që duke kaluar pragun shkon në 15% taksë, sepse konsiderohet i madh.

Nga 80 milionëshi deri në 140 milionë do bëjmë ulje takse nga 15 në 5%.

Në Shqipëri do të kemi 92% të biznesit që ka vetëm 5% taksë.

Kjo është taksa më e ulët historike në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin tonë.

5% taksë për 92% të biznesit, për bizneset që vetëpunësojnë dhe punësojnë dhe për bizneset që krijojnë vende të tjera.

Ndërkohë që deri në 20 milionë do të jetë 0. Nga 0-20 milionë lekë xhiro, që është ajo shtresa më ulët e të ardhurave nga biznesi i vogël, që praktikisht është një person i vetëpunësuar, do të ketë 0 taksë. Pra, nga 20 deri në 140 milionë lekë xhiro është vetëm 5%.

Taksa tjetër që ne kemi rritur, përveç asaj për të pasurit, është ajo për karburantin. E kemi rritur taksën e karburantit duke konsideruar nevojën që kemi pasur për të marrë para në buxhet në kushtet kur gjetëm një gropë shumë të madhe, të trashëguar nga qeveria e mëparshme dhe ku rrezikonim, siç na e tha dhe FMN, të mos ishim në gjendje të paguanim rrogat e pensionet në nëntorin e dhjetorin e vitit 2013. Kemi preferuar ta rrisim te karburanti, duke pasur parasysh rënien e çmimit të karburantit. Sot, llogaria është shumë e thjeshtë. Krahasuar me çfarë paguanin shqiptarët për karburant përpara rënies së çmimit, që nuk është arsye qeveria, por është faktike, nëse bëjmë llogaritë, çdo vit, shqiptarët kanë paguar 100 milionë dollarë më pak për karburant, me gjithë taksën brenda, sesa paguanin përpara rritjes së çmimit, pra, kur kishin më pak të ardhura dhe kur çmimi ndërkombëtarisht ishte më i lartë.

Natyrisht do ishte kryevepër të ishte edhe më pak, por të mos harrojmë që shteti, nga i cili kërkohet çdo gjë, kërkohet rruga, shkolla, kopshti, spitali etj., funksionon mbi bazën e të ardhurave që merr nga taksat, nuk ka një burim tjetër. Nëse do të shikojmë faktet dhe shifrat, ne jemi një qeveri që kemi ulur taksa si askush tjetër dhe jo vetëm kemi ulur taksa, prej të cilave janë rreth gjysmë miliardë që në vend se t’i merrte shteti në këto vite, kanë mbetur në xhepat e qytetarëve, por paguajmë nga buxheti i shtetit rimbursimin e ilaçeve për 600 mijë njerëz të pasiguruar, të cilët deri dje nuk kishte shans që të kishin një ilaç të rimbursuar e nëse iu binte sëmundja në shtëpi, duhet të shkonin t’i blinin ilaçet, duke qenë pjesa më varfër e shoqërisë. Janë të gjithë të përfshirë në skemën e rimbursimit. Patjetër që ka nevojë për më shumë, por të mos harrojmë që deri dje, 600 mijë njerëz s’kishin shans të merrnin rimbursim. Ne na ka shkuar rimbursimi i ilaçeve nga buxheti i shtetit mbi 100 milionë dollarë, sepse ato ilaçe nuk merren falas, ato blihen dhe shteti i paguan, pavarësisht se qytetarit i rimbursohen.

Këto dhe shumë të tjera janë fakte të një ristrukturimi të marrëdhënieve mes qeverisë dhe qytetarëve, në funksion të lehtësimit të barrës mbi qytetarët.

Këtu jemi në një zonë ku nuk diskutohet që ka tematika specifike, siç është zhvillimi i bujqësisë, apo dhe tematikat e përgjithshme që kanë të bëjnë me infrastrukturën, me shkollat, etj., por për këto na ndihmon bashkëbisedimi, që të flasim më konkretisht.

Jam një qytetare që shumicën e eksperiencave e kam në punësim privat. Ka ardhur momenti për të parë pak politikat e brendshme, se çfarë ofron një biznes privat që punonjësi të ndihet rehat në atë ambient për pune, qoftë për pjesën e pagesës, qoftë te pjesa e orareve, që shumica punojnë me orë të zgjatura.

Kryeministri Rama: Ne jemi të vetëdijshëm për disa problematika që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punëmarrësve me punëdhënësit në sektorin privat. Patjetër që këto kërkojnë një adresim konkret. Nuk është e thjeshtë, por hap as hapi, por ka përmirësime. Po të krahasojmë se si trajtoheshin dhe çfarë kushtesh kishin punonjësit në sektorin e manifakturës p.sh., disa vite më parë, sot është një ndryshim i madh. Por, nëse do ta gjykojmë të sotmen me sytë e të ardhmes, ka probleme serioze që duhen adresuar. Kështu që jam shumë dakord dhe kjo është një sfidë për ne, që të krijojmë një marrëdhënie më cilësore dhe me dinjitoze mes punëdhënësve dhe punëmarrësve. Sigurisht është një panoramë shumë komplekse dhe shumëngjyrëshe. Nuk është kudo njësoj. Ka shumë kompani, sot, në Shqipëri, që kanë shkuar shumë përpara në trajtimin e punonjësve, që kryejnë trajnime, japin bonuse dhe janë kompani cilësore. Por, nëse vijmë tek ajo pjesa pak më poshtë, aty jam shumë dakord me ju, që kemi domosdoshmërinë për të trajtuar disa problematika që ka ardhur koha që të adresohen më ndryshe, për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të punëmarrësve. Jam shumë dakord.

Kam studiuar në degën Informatikë Ekonomike. Kam prej gati 2 vitesh që aplikoj pranë zyrave të shtetit, por ende nuk ndihem e sigurt, do filloj punë, apo jo, me këtë procesin e nxitjes së punësimit.

Kryeministri Rama: Përpara disa ditësh, rastësisht pashë një emision në një televizion italian në Itali, ku ishte e pabesueshme, zhvillohej një konkurs për 5 vende për infermiere dhe merrnin pjesë 3800 persona. Ishte një emision që i kushtohej pikërisht punësimit të të rinjve në sektorët për të cilët ata kishin studiuar. Patjetër që ju keni të drejtë, por në këtë sistem që kemi zgjedhur nuk ekziston, – jo këtu, por nuk ekziston në asnjë vend të botës, – një lidhje direkte, imediate midis: mbarova sot universitetin në këtë degë, nesër fillova punën ekzaktësisht në këtë degë dhe ashtu siç dua unë. Kjo nuk ekziston në asnjë vend të botës. Nëse do shkoni dhe do pyesni njerëz që punojnë kamarier në Londër, në Paris, apo në Neë York, me siguri do të gjeni mes tyre inxhinierë, financierë, artistë, njerëz, të cilët kanë mbaruar shkolla dhe pas disa vitesh, një pjesë e tyre hyjnë në karrierë dhe bëjnë karrierë.

Ajo që dua të them është se ndërkohë që pret punën që aspiron, nuk mund të rrish pa punë. Të ofrohet menaxhere shitjesh? Po, menaxhere shitjesh, patjetër, ndërkohë që pret të të jepet mundësia të shkosh në punën që ti aspiron. Më mirë në shtëpi, duke pritur dhe duke marrë borxh, në kuptimin duke jetuar me të ardhurat e prindërve, apo në punën që është? Kjo është diçka që ndodh kudo. Nëse do të shikoni mesataren e raportit shkollë-punësim në vendet e BE dhe do të shikoni raportet sa njerëz e fillojnë punën aty ku janë të specializuar, në raport me ata që e fillojnë punën me çfarëdo qoftë pune, për të shkuar drejt asaj që duan, do të shikoni që raportet janë komplet befasuese. Për një të ri që të fillojë punë në një vend të BE duhen mesatarisht 120 aplikime dhe mesatarisht 35 intervista.

Kjo do të thotë edhe diçka tjetër, certifikatat apo trajnimet që ju nuk i garantoni dot, si do t’i garantoni? Ato kompani do t’i kërkojnë ato, do kërkojnë edhe më shumë. Në kompanitë private nuk është çështje klientelizmi dhe çështje miqësie. Ato duan suksesin. Faza historike ku kompanitë ngriheshin nga familjarë, unë, vëllai, motra, nipi, mbesa, ka kaluar dhe është drejt fashitjes. Kompanitë duan suksesin. Atëherë, më mirë menaxhere shitjeje dhe me paratë që fiton, aq sa janë, të paguash trajnimin dhe certifikimin, apo në pritje që të vijë deputeti dhe të të zgjidhë problemin? Aq më tepër pastaj në një sektor si i juaji, ku ka dhe një mundësi tjetër, që është mundësia e krijimit të punës vetë, pa dalë nga shtëpia, në kompjuter, gjë që e bëjnë sot, gjithmonë e më shumë të rinj në Shqipëri. Çfarë nuk ju pjell mendja.

E gjithë sfida jonë është të luftojmë këtë pasivitetin dhe pritjen që “ose do të punoj në shtet, ose duhet të shkoj e të punoj fiks aty ku unë e kam menduar se do të punoj kur kam bërë studimet”. Ajo mund të vijë menjëherë, por mund të vijë dhe pas disa vitesh. Shansi është që normalisht vjen pas disa vitesh. Dikujt mund t’i vijë menjëherë. Kështu që shpresoj që të jetë ashtu siç thatë ju, që ta keni marrë atë garancinë nga deputeti dhe të keni gjetur një rrugë për të shkuar aty ku doni, por çdo punë të mëson. Edhe një punë që nuk ka lidhje fare në momentin e parë, të mëson shumë gjëra që nuk i di për shumë aspekte të të punuarit në një kompani, apo të të punuarit në një biznes të vogël etj.. Të mëson, të forcon kockat, të forcon nervat. Nuk ka mundësi të jetë rri në pritje me lekët e mamit e të babit dhe do ndodhi mrekullia sot apo nesër. Kjo është e vërteta. Ky është sistemi që kemi zgjedhur. U nisa nga ajo që the “më propozoi menaxher shitjesh, por nuk kam lidhje”. Po ajo është një punë. Më mirë atje, apo më mirë në shtëpi, është pyetja.

Jam nga zona e Hallkaj, një zonë që i ishte mohuar çdo gjë nga qeveritë e mëparshme. Ne kemi një problem tjetër, atje ku jetojmë, njerëzit jetojnë me tokë dhe me bagëti. Normalisht që qeveria po jep subvencione për fshatarët dhe për blegtorët. Me sa di unë, në zonën tonë nuk ka marrë asnjë njeri subvencion. Thonë që nuk plotësoni kriteret. Deri sa ai lek që jep qeveria nuk i shkon punëtorëve, unë propozoj diçka tjetër. Mendoj që të rishikohet kjo skemë.

Kryeministri Rama: Nuk janë shpallur akoma rezultatet dhe po të them që është e kundërta. Këtë vit ka pasur 30% më shumë aplikime se vitin e kaluar dhe këtë vit, 90% e aplikantëve do të marrin subvencion më shumë se çdo herë në vitet e tjera. Por nuk kanë dalë akoma rezultatet.

Është pjesa më e madhe e njerëzve që mund të mos kenë aplikuar.

Kryeministri Rama: Ata që nuk kanë aplikuar, nuk kanë si ta fitojnë.

Atëherë janë kriteret që nuk lejojnë të aplikojnë. Duhet rishikuar skema që të përfitojnë të gjithë fermerët që punojnë.

Kryeministri Rama:  Skema jonë e aplikimit është 100 herë më fleksibël se skema e aplikimit të BE-së. Ne kemi 20 e ca milionë nga buxheti i shtetit që janë në dispozicion për aplikime direkte. 100 herë më kollaj sesa 92 milionë që kemi nga BE, që kanë kushte super strikte. Pyetja është, do plotësojmë kushtet, apo do ankohemi që nuk ka mundësi të plotësojmë kushtet. Nëse ne nuk plotësojmë kushtet, nuk marrim asnjë kokërr leku nga ato fonde të Bashkimit Europian që kemi në dispozicion. Është 100 herë më e vështirë nga pikëpamja e kushteve, sesa aplikimet në buxhetin e shtetit që janë shumë më fleksibël. Edhe pa kushte fare nuk është e mundur. Kushtet tona janë minimale. Kushtet e aplikimit për fondin e Komisionit Europian janë 100 herë më të vështira. Si ta bëjmë, do sjellim Bashkimin Europian të bëhet pjesë e Shqipërisë, apo do bëjmë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian? Ata i kanë paratë, nuk i kemi ne. Ata i vënë kushtet, nuk i vëmë ne.

Para pak kohësh, në Bashkinë e Lushnje, që e kontrollon shteti, ka gjetur mbi 30% të administratës së punësuar pa arsim. Nuk është e lejueshme dhe as e kuptueshme që në Bashkinë e Lushnjës të ketë të punësuar njerëz që janë të paarsimuar. Në territor, përgjegjësit që ka vendosur qeveria i kemi ashtu si i thoni ju, njerëz që nuk kanë shokë shkollë, nuk kanë shokë klase, por kanë shokë deputetë. Në lidhje me tatimet, është e vërtetë që qeveria hoqi atë 10% që i merrte bizneseve të vogla, por që ja dorëzonte përsëri pushtetit lokal për të bërë investimet. Unë nuk besoj që nuk do kemi tatimet, por tatimet është e mira që të mblidhen dhe të rikthehen në formën e investimit në Bashkinë Lushnje. Po atë vit, unë pashë që te Bashkia Lushnjë u hoq tatimi 10%, por u rritën të gjitha tatimet e tjera, ndriçimi, gjelbërimi, tabela e të gjitha të tjerat. Unë do doja që këto tatime, se nuk jam nga ata njerëz që besojnë se mund të ngrihet një shtet e mund të qeveriset pa tatime, por dua që këto tatime që mblidhen, të mos shkojnë ku e di unë se ku dhe borxhi i bashkisë sime të rritet, por të kthehen në investime për komunitetin. U raportua nga qeveria dhe erdhi vërtetë një flotë e mrekullueshme për pastrimin e kanaleve. U bënë disa kanale, por, për fat të keq, në çdo 500 metër ka një urë dhe ato urat janë të papastruara.

Kryeministri Rama: Të dëgjova me vëmendje, por mos ngatërro taksat me tarifat bashkiake. Taksat kombëtare janë komplet tjetër, tarifat bashkiake janë komplet tjetër. Nuk kanë lidhje fare me njëra-tjetrën. Ajo që thua ti është komplet e pavërtetë. Taksa 10% ishte taksë e sheshtë, njësoj për të gjithë, që në fakt ishte më e rëndë për të vegjlit dhe më e lehtë për të mëdhenjtë dhe atë ne e ulëm. Tarifat bashkiake janë tarifa shërbimesh. Paguan shërbimin, nuk është kontribut në ajër. Taksa është kontribut për buxhetin e shtetit, që shteti e merr dhe pastaj e ndan në rrugë, në investime, shërbime etj.. Ndërkohë që ti, kur e paguan një tarifë bashkiake paguan shërbimin; shërbimin e pastrimit, shërbimin e ndriçimit, zënien e hapësirës publike dhe kështu me radhë. Tarifat bashkiake në Shqipëri janë më të ulëtat në të gjithë rajonin, më të ulëta se në Maqedoni, p.sh, në Lushnje janë më të ulëta se në Kumanovë dhe nuk më rezulton që Kumanova të jetë me standarde jetese më të larta. Janë më të ulëta se në çdo cep të rajonit. Siç është edhe uji, më i liri në gjithë rajonin.

Sa për borxhin, nuk e di si i ke bërë llogaritë, por, nëse bashkia ka borxh, kjo tregon që shpenzon më shumë sesa ka. Borxhi nga kjo krijohet. Që do të thotë që sot, ato që numëron ti nuk mjaftojnë dhe prandaj rritet borxhi, – nëse është e vërtetë, – por nuk më rezulton as kjo që të jetë e vërtetë. Megjithatë edhe sikur të jetë e vërtetë, nuk është ndonjë çudi se borxhet janë të mbartura etj.. Kështu që në këtë aspekt, besoj që duhet të jemi shumë të qartë. Sot, ngarkesa fiskale është minimale. Nuk ekziston dot më pak. Ka më pak se 0? Vetëm të ndodhi e kundërta, shteti të japi lekë, në vend që të mbledhim taksa.

Është 5%, ishte 10%. Bizneset me deri në 140 milionë xhiro në vit do të paguajnë vetëm 5%. Kjo do të thotë që qeveria do heqë një pjesë të parave që  merr nga ato biznese dhe do jua lerë në xhep. Kjo është domethënia e uljes së taksave. Në momentin që ul një taksë thua, këto para nuk do i marr në arkën e shtetit, por do ia lë në xhep njerëzve. Ka më pak se 5% tatim-fitimi vjetor? Nuk ka.

Të mos harrojmë dhe një gjë tjetër, që të gjitha bizneset, pa përjashtim – e pranojnë dhe vetë që të gjithë, – që deklarojnë 80 milionë xhiro, gënjejnë. Nuk e kanë 80 milionë. Ata që deklarojnë 50 milionë, nuk e kanë 50 milionë. Të gjithë fshehin, për të shmangur kapërcimin e pragut ku rritet taksa dhe prandaj ne do ua çojmë pragun 140 milionë dhe u themi, tani tregoni të vërtetën.

Edhe vendosja e TVSH-së nuk është rritje takse. Kur u rrit TVSH-ja, na thanë do rriten çmimet. Por nuk ka asnjë rritje çmimi, asgjëkund. Por reagimi ndaj TVSH-së është tjetër. Sepse ajo të formalizon, të nxjerr në pah se kush je. Nuk mund të jesh i madh dhe të bësh si i vogël, apo të jesh i vogël dhe të punosh për llogari të të madhit, që të të shkarkojë ai mall, pa nxjerrë faturën. Kështu që në këtë aspekt, unë besoj që me këtë masë të fundit që do marrim, do garantojmë uljen më të madhe ndonjëherë të mundshme. Nuk ka më shumë, përndryshe shteti nuk kryen dot funksionet e veta.

Do vëmë 6% TVSH-në për agroturizmin; 5% Tatim mbi fitimin kush bën agroturizëm. Këtu është një zonë ku mundësitë për agroturizëm janë fantastike, sepse një pjesë kanë mundësi që të jenë pjesë e gjithë zinxhirit të bujqësisë intensive, të jenë pjesë e organizimeve për eksport, por ka zona dhe pika ku kjo nuk është e mundur. Aty është agroturizmi përgjigja. Me agroturizëm, një familje, që sot e konsideron veten pa perspektivë dhe që prodhon 5 kg domate dhe 5 kg qepë dhe del në rrugë për të mbijetuar, mund të bëjë para reale dhe nuk ka nevojë të nxjerrë qepët në rrugë, se vijnë nga rruga njerëzit për të ndenjur aty, për të ngrënë, për të pirë, për të fjetur, duke e transformuar shtëpinë në një bujtinë dhe duke e vënë në dispozicion atë fermën e vogël të kësaj bujtine. Çelja e zinxhirit të agroturizmit në Shqipëri do jetë ndryshim i madh i ekonomisë rurale dhe kombëtare. Shikoni shembullin më konkret, Italinë. E ka disafishuar nga fundi i vitit ’80-të dhe sot, agroturizmi është një nga motorët e ekonomisë në Itali.

SHBB-të, sot ka një masë që ndihmon bashkimin, sepse aty ku ka bashkim ka sukses në bujqësi. Nuk mundet që secili të prodhojë vetë çfarë të dojë dhe të dalë të shesë vetë, sepse je i vogël dhe nuk ia del dot, por duke u bashkuar, duke krijuar volum dhe duke shitur bashkë, është garanci për sukses. Tek SHBB-të kemi hequr TVSH-në, zero. Nëse deri sot, fermerët ruheshin që po të kalojnë pragun 50 milionë futeshin në sistem tjetër dhe ka familje që kanë nga 5 NIPT-e në shtëpi, mjafton të bashkohen dhe e kanë zero.

Kështu që këto janë masat që mund të marrim për të nxitur, për të ndihmuar por duhet edhe iniciativë nga njerëzit. Nuk mund t’i bëjë shteti punët që duhet të bëjë individi. Shteti duhet të garantojë që individi të ketë mundësi që të shkojë përpara e të mos e ketë rrugën plot me gropa e me pengesa, që lidhen me mosprezencën e shtetit, por nuk mund të vrapojë shteti për individin, se ky është sistemi që kemi zgjedhur.

Sa i përket asaj që “30% janë pa shkollë”, këto nuk i di si janë, por nuk besoj që të jenë kështu. Sepse ka standarde në marrjen e njerëzve në punë. Tjetër çështje pastaj sa cilësore mund të jenë diplomat, por kjo është histori e vjetër.

Prej 33 vitesh jam specialist optike. Më bën përshtypje një gjë. Në fillim fare dhe kudo në botë, optika varet nga Ministria e Shëndetësisë. Këtu tek ne, kam menduar ose injorancë, ose shejtanllëk dhe kam komunikuar me këto që janë institucione që populli investon kot, siç është Urdhri i Farmacisë, Urdhri i Mjekut dhe shumë të tjera. Kam komunikuar me telefon edhe një herë me ju. Ngarkuat ministren për t’u takuar, nuk u bë ai takim, por nuk e gjykoj. Kam kontaktuar edhe me ministrin e asaj kohe për këtë punë. Okulistët kanë hapur optika në kundërshtim me çdo lloj ligji në botë, që nuk e dinë se çfarë është syzja.

Kryeministri Rama: Nuk të jap dot përgjigje, sepse nuk e di këtë gjë, por do interesohem dhe do ta shikojmë këtë çështje.

Në lagjen time, bashkia ka bërë një punë të  shkëlqyer, mirëpo ai i firmës e ka kaluar rrugën tonë dhe na ka lënë vetëm 3 pallate të pakënaqur. Unë në atë komunitet jetoj dhe kam folur dhe me njerëzit aty. Ne kemi takuar dhe atë të firmës, por ai nuk e pranon. Për tre pallate e la ai rrugën? Mua më ka bërë shumë përshtypje se është i pakënaqur komuniteti.

Kryeministri Rama: Aty është bërë gjysma e projektit, do bëhet edhe gjysma tjetër, ma ha mendja. Gjithmonë ka një pikë projekti ku mbetet dhe një pallat jashtë, po e them teorikisht, kështu që duhet të vazhdojë projekti në një fazë tjetër. U bë, por ka gjithmonë një kufi, ku njëri mbetet atje. Kjo është çështje e bashkisë, nuk është çështje e qeverisë, por besoj që është bërë një projekt dhe do bëhet një projekt tjetër. Ka fazë të dytë projekti. Do zgjasë, por sa ke pritur, nuk do presësh, besoj.

Rruga e Karbunarës, deri ku është dhe ku ka ngelur në çfarë sirtari? Dje, do ta nxjerrim, tha zoti Gramoz, bashkë me zotin Bujar, thanë nuk do e lëmë më në dosje, do t’ia sjellim Karbunarës. E dyta, uji, është ndarë në dy pjesë. E treta, gjithë sistemi kullues dhe mënyra sesi është kulluar, të gjithë ato emisarët kanë marrë kashtën dhe e kanë nxjerrë në rrugë. Të shkosh të shërbesh në parcelë, nuk shërben dot se do investim tjetër.

Kryeministri Edi Rama: Nga këto që më the, gjëja që më takon mua është të mbaj fjalën e Gramozit, rrugën. Këto të tjerat pastaj i ke me bashkinë. Por rrugën, nëse e ka thënë Gramozi, ka marrë fund, do bëhet.

Kam dy probleme. E para, qeveria në Lushnje ka bërë investime. Është domosdoshmëri për Bashkinë e Lushnjës, por dhe të Divjakës bashkë, për grupin ekonomik të parashikojë rritje të investimeve sidomos në bujqësi. Sepse Lushnja është një territor me zonë bujqësore dhe duhen rritur investimet. E dyta, është problemi i tokave. Në hipotekën e Lushnjës gjatë gjithë këtyre 5 viteve kanë qenë 5 drejtorë të LSI-së, 3 kanë përfunduar në burg, dy janë pushuar. Në këtë pikëpamje, tokat në Lushnje janë aktualisht të pacertifikuara. Por unë kam një gjë konkrete. E kam për zyrën e menaxhimit të tokave në bashki. Sugjerimi im është që administrata të funksionojë me kontroll të drejtuesve të bashkisë.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, dua të them që një pjesë e madhe e problemeve të ngritura këtu janë probleme të lidhura me bashkinë dhe i takon kryetarit të bashkisë që të bëjë dëgjesa me ju, rregullisht, t’i marri këto shqetësime dhe t’i trajtojë. Përsa i përket çështjes së certifikimit të tokave, kjo është mëse e drejtë. Ne po bëjmë çmos dhe sistematikisht që ta çojmë përpara këtë proces. Ka shumë vështirësi, ka shumë ngërçe të trashëguara, por është e domosdoshme që ne të ecim përpara me certifikimin e tokave bujqësore, bazuar në ligjin 7501 dhe të ndajmë certifikatat e pronave. Por këtu duhet një bashkëpunim i ngushtë me bashkitë, të cilat duhet të bëjnë një punë të posaçme në bashkëpunim me zyrat e hipotekave. Kjo është çka po përpiqemi dhe kjo është çka do bëjmë. Besoj që në këtë mandat do të kemi goxha progres në këtë drejtim.

Sa i përket investimeve, janë bërë shumë, duhet më shumë, është fjalia më e sigurt që jemi në një mendje. Është bërë shumë, duhet më shumë edhe në bujqësi, edhe në infrastrukturë, edhe në arsim, edhe në shëndetësi. Kështu që unë dua t’ju falënderoj. Fushata e llogaridhënies do të vazhdojë në çdo njësi dhe aty ku ka probleme konkrete për të trajtuar me pushtetin vendor, kryetarët e bashkive janë prezent, deputetët janë prezent, mos hezitoni t’i trajtoni. Një pjesë e konsiderueshme e problemeve adresohen dhe zgjidhen. Një pjesë tjetër duan kohën e tyre për t’u zgjidhur, por e rëndësishme është që ne të vazhdojmë të mbajmë këtë komunikim, për të qenë në kohë reale të informuar për çdo gjë që ndodh në territor.

Shumë faleminderit dhe një herë për praninë tuaj dhe do shikohemi patjetër së shpejti!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.