Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në darkën tradicionale të iftarit:

Hirësi,

Shkëlqesi,

Të dashur Miq,

“Në Kuranin e shenjtë gjenden jo më pak se rreth 50 sinonime të fjalës dashuri. Një gjuhë si anglishtja nuk është kaq e pasur nga pikëpamja gjuhësore e nuancave. Ky është një aspekt vazhdimisht i lënë në harresë i fesë islame: Parimi i madh i dashurisë”.

E nisa kështu, me një parafrazim të fjalës së mençur të pasardhësit të Profetit, Mbretit Abdullah II i Jordanisë, mishërim i një princi të paqes dhe urtësisë, mik i shtrenjtë e i vërtetë edhe i yni, shqiptarëve pa dallim besimi.

Ndërsa Princi Ghazi i Jordanisë, të cilin patëm nderin dhe kënaqësinë ta kishim në Tiranë bashkëorganizator të një aktiviteti special në vijimësinë e përpjekjeve kundër ekstremizmit të dhunshëm, në librin e tij, “Drejtësi dhe Dashuri, një bashkëbisedim islamo-kristian” shtjellon dy urdhëresat e qarta të islamit:

“Lexo” dhe “Hiq dorë nga dhuna në Islam”.

E padyshim, këto dy urdhëresa nuk i vlejnë vetëm muslimanëve apo edhe të krishterëve, po kujtdo, kudo, kurdo, ashtu sikundër, sofra e iftarit këtu në Shqipëri, nuk është një hapësirë ekskluzive për vetëm ata që agjërojnë, po e kujtdo, kudo e kurdo që merr një ftesë a bën një ftesë, në emër të parimit të madh të dashurisë.

Prania rreth kësaj sofre të posaçme është e nuancuar këtu në Shqipëri njësoj si fjala dashuri në Kuran, me 50 shfaqjet e saj, paçka se leximi si i tillë i kësaj pranie mund të duket një ushtrim joreal.

Gjithsesi, vëllazëria jonë qindravjeçare fetare është ndoshta bekimi më i madh që historia, pasi na rrahu me vajin e sprovave e me uthullën e zhgënjimeve, na la si melhem për plagët e gjithfarshme të bashkëjetesës jo të lehtë ndërshqiptare.

Modeli francez i laicitetit, thoshte dikur një personalitet i Republikës së tretë, Jules Ferry, “nuk është një prodhim eksporti”.

Ca më pak mund te jete vëllazëria fetare e shqiptarëve një produkt reklame. Megjithatë, një gjë besoj është e sigurtë: pa këtë vëllazëri kyçe në zemrekun e kombësisë sonë, çelësi që hap dyert e kobeve më të tmerrshme, do t’i kishte gjetur me kohë mes nesh duart e mbrapshta.

Partnerëve tanë, sidomos atyre europianë, ndër hapësirat e begata ku ata jetojnë mbi vlera e parime lavdiplota, urrejtja dhe përdhosja e islamit, po u kërcënon ëndrrën e jetësuar të lirisë e të demokracisë, duke zgjeruar radhët ende të ngushta po jo më të padukshme të islamofobëve dritëshkurtër e mendjezbrazur. Ky është një alarm që mbërrin deri këtu, mes nesh, ku islami i së ardhmes paqësore dhe i përputhur me vlerat e të jetuarit së bashku, ekziston si një dhurate që duhet mbrojtur e trashëguar si një amanet i shenjtë. Dhe duhet mbrojtur njëkohësisht, me të njëjtën forcë, nga vandalët e errësirës ku ngjizet fryma shkatërruese e radikalizmit islamik dhe nga vandalizmi i injorancës së shoqërisë së konsumit, dhe i politikës së konsumit. Duhet mbrojtur ashtu siç thonë dy urdhëresat, hiq dorë nga dhuna në Islam dhe lexo!

Çka ISIS u ofronte idhtarëve të tij ishte vuajtje dhe vdekje. ISIS po vdes edhe vetë më në fund, por mbetet i gjallë e i fortë mesazhi i qartësisë së akullt kriminale: Të godasim, në përçmim të plotë të jetës, të jetës si e tillë në vetvete, në çdo vend dhe në çdo kohë. Fryma shkatërruese e asaj mortjeje u tregoi syhapurve, se dhuna në Islam nuk bën dallim mes kishave, xhamive e sinagogave dhe se vetë Islami, po aq sa krishterimi dhe judaizmi, është viktimë e njëjtë, e barabartë e kësaj dhune në islam.

Një fjalë e urtë e botës islame thotë: “Paqja vjen prej mirëkuptimit jo prej marrëveshjeve”. Marrëveshjet mund të kthehen në allishverishe, ndërsa mirëkuptimi kthehet në paqe, si vetë sofra e iftarit që nuk është një bashkim i vjetër i shqiptarëve në marrëveshje, po një mirëkuptim i parreshtur i shqiptarëve në paqe.

Nëse barazia e dhuntive apo e kamjes nuk janë të kësaj bote, barazia në paqe përmes lirive e të drejtave, është një mundësi e kësaj bote. Islami nuk është larg kësaj të vërtete. Vetë Profeti Muhamed, gjatë haxhit të mbramë në Mekë, la amanet mbrojtjen e të drejtave të gjithsecilit. Të drejtës së jetës, të drejtës së pronës, të drejtës së nderit.

Është shkruar në Kuran se “Zoti pëlqen drejtësinë dhe mirësinë. Bekuar qofshin paqebërësit.”

Përpara disa javësh u çel në Tiranë, në kuadrin e Vitit të Skënderbeut, ekspozita e rrallë dhe për shumë kohë e vështirë për tu përsëritur, e dorëshkrimeve më të moçme të traditave shpirtërore dhe filozofike të ruajtura në arkivin tonë qendror të Shtetit. Tek hynin në ish-shtëpinë e diktatorit, si për të marre aromën prej një honi të zi kujtese që ai e la pas, askush prej vizitorëve në fakt nuk e priste të dilte i ndriçuar nga mrekullia e qetë dhe ngadhënjyese e këtyre dorëshkrimeve.

Mbi 20.000 vizitorë në pak ditë panë me sytë e tyre se sa pa bujë dhe me sa shumë dashuri, shqiptarët kanë krijuar dhe kanë ruajtur perla të etikës dhe estetikës shpirtërore të asaj që duke parafrazuar Lorencin e Arabisë do të mund ta cilësonim si shuma e 7 kolonave e urtësisë: katër konfesionet monoteiste krahas artit, kulturës dhe shkencës.

Nuk gjendej midis këtyre dorëshkrimeve të arkivit, një fletore modeste, shkruar në shqipen e veçantë tiranase nga Ramazan Berhemi i cili mblidhte verbatim diktimin e një personazhi që nuk dinte të shkruante e të lexonte. Fletorja ka në kapakun e saj një medaljon të Skënderbeut. Një dokument që ruhet në arkivin e shtetit, shumë mallëngjyes sepse i thurur me një sinqeritet që veç dashuria e një besimtari, në këtë rast mysliman, mund ta përcillte në kohëra krejt të pasigurta.

Në vitin 1900, Sheh Adem Rada, qehaja i Mazhar bej Toptanit dhe diktues i këtyre kujtimeve ligjëronte: “ishjem tridhjet vjeç, nji njeri i thjesht, i ramë në kontakt me njerzit të ditur, me njerzë nacionalista shqiptar qi hyjshin e dilshin, pash se jeta nuk duhesh kaluar si ma parë, diçma një gjallmi se si njeri, si shqiptar pritesh edhe prej meje. Prandaj nuk vonova t’i lutem Mazhar beut se kërkojshe edhe unë të punojshe për këto qëllime te shejta”.

Besimi islam nuk e pengoi Sheh Adem Radën edhe kur fanatizmi haxhiqamilist  shpërtheu vrullshëm nga errësira ku e njëjta frymë e shkatërrimit vazhdon komploton kundër ardhmërisë në paqe mes njerëzve, duke e futur Shqipërinë në një qerthull të kobshëm, që të refuzonte paktin me të keqen në kurriz të vendit. Përkundrazi madje. Në poemën që përmbyll kujtimet e tij, shkruhet: “Zotni vet nga je?/ Un i thaç qi vatanin tem e kam në Shqipëri, por jam prej sektit Rrufai”.

Në shekullin XXI, askush nuk mund të fshihet prapa pretekstit të mosleximit, për të përqafuar tërë kollajllëk ekstremizmat dhe thjeshtëzimet më vrastare që i shohim në errësirën e thellë prej nga vjen flaka e shkatërrimit në emër të islamit në dhunë dhe në dritën e skenave prej nga shfaqet, politikanë dhe mendimtarë që tek islamofobia shikojnë krejt gabimisht shpëtimin e Europës së vjetër.

Nëse zemra është e pastër dhe urtësia është një hap përpara, nëse dashuria për vendin dhe vlerat që ai mbart janë në fokus të përhershëm, asnjë shqiptar, mysliman apo i krishterë, çfarëdo qoftë, nuk duhet të mbetet prapa amanetit poetik por mirëfilli politik që shfaq poema e Sheh Adem Radës:

“O Shqipni lulja xhenetit

Për Krishtit e Muhametit

As keni mendu ju a të mjerë

Ky yll kjo drit se do të vij ndonjëherë?

Unë i mjeri shumë sa hoqa e u përpoqa

Mal më mal e shkrep më shkrep

Kjo ka qënë nafak prej Zotit

Por rroft e qoft kjo Shqipnija

Rroft e qoft me gjithë flamur

Për ty bëj be për syt e ballit

Zemra e jeme s’prishet kurrë!”

I bardhë Ramazani të gjithëve!

Faleminderit me shumë respekt të gjithëve ju miq që vini nga të gjitha rrugët e jetës e të besimeve, të bëhemi bashkë në sofrën tradicionale të paqes jo në marrëveshje por në mirëkuptim.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.