Universiteti “Universiteti Aleksandër Moisiu” në Durrës zhvilloi ceremoninë solemne të dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për filantropët dhe mendimtarët me rrënjë shqiptare, vëllezërit Nicolas Berggruen dhe Olivier Berggruen, nipër të aktorit të madh të teatrit evropian Aleksandër Moisiu, emrin e të cilit mban universiteti. Në ceremoninë e zhvilluar në Durrës morën pjesë përfaqësues të komunitetit akademik, autoritete vendore dhe studentë.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij vlerësoi figurën e Aleksandër Moisiut si një ikonë të teatrit evropian që arriti të kapërcejë kufijtë e origjinës pa e braktisur atë, duke mbetur i lidhur me vendin e tij.
Titulli “Doctor Honoris Causa” iu akordua Nicolas Berggruen për kontributet e tij të spikatura në mendimin filozofik, politik dhe shoqëror, si dhe për rolin e tij në promovimin e dialogut global përmes Berggruen Institute. Ndërkohë, Olivier Berggruen u nderua për kontributin e tij të rëndësishëm në historinë dhe kurimin e artit modern, përmes studimeve dhe ekspozitave kushtuar figurave të mëdha të artit.
Ceremonia shënon një moment të rëndësishëm që bashkon trashëgiminë kulturore me mendimin bashkëkohor dhe rolin e universiteteve në formësimin e brezave të ardhshëm.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Së pari u detyrohem të gjithëve ju, t’ju kërkoj ndjesë, jo vetëm që kam ardhur me vonesë, por edhe që më keni pritur dhe jam i sigurt, që jo të gjithë keni qenë të kënaqur të më prisni. Është normale në fakt sepse ky qytet ka një komunitet të gjallë me shumw mendime. Pra, ju kërkoj ndjesë të gjithëve, por ndërkohë ndihem vërtetë i nderuar që jam këtu, jo thjesht sepse duhet t’i them këto fjalë, po sepse këtu jemi dhe kemi ardhur për te festuar trashëgiminë e një personi shumë të veçantë, shumë special, prandaj i nderuar Rektor, e dashur kryetare e bashkisë, të nderuar anëtarë të komunitetit akademik, të dashur studentë, të dashur Nikolas dhe Olivier.
I dashur, Piter,
të dashur miq, anëtarë të familjes tw të ftuarve tanë kaq të veçantë.
Me lejoni që ta filloj fjalën time me, nuk di si ta quaj, por do të thosha një paradoks të vogël të fëmijërisë sime ose ndoshta një rastësi të fëmijërisë sime; Olivieri një herë është shprehur që kur ishin fëmijë ai dhe vëllai i tij Nikolasi, nuk lejoheshin që të vizitonin galerinë e babait të tyre. Kjo për arsye sepse babai i tyre ishte i mendimit që galeria nuk ishte një vend lojërash për fëmijët.
Por e dini se çfarë? Fëmijëria ime në një farë mënyrë ka qenë shumë e ngjashme sepse babai im besonte se atelieja e tij, nuk ishte kënd lojërash për fëmijët. Kështu që, më lejohej që të hyja në atelienë e babait tim, në studion e babai tim shumë rrallë, shumë pak herë, kur ftohej dhe nëna ime që të shihte një skulpturë të përfunduar.
Dhe pikërisht aty, në një nga këto raste të pakta, kur unë kam qenë vërtetë fëmijë i vogël, aty pikërisht u përballa për herë të parë me fytyrën e të madhit, e gjyshit tuaj të madh, e gjyshit të këtyre dy zotërinjve të nderuar, vetë Aleksandër Moisiut. As unë e askush tjetër, nga brezi ynë, nuk e kemi takuar ndonjëherë për së gjalli Aleksandër Moisiu, por ajo që unë pashë si fillim, ishte një statujë, një skulpturë prej balte të cilën babai im po e punonte me shumë përkushtim, me durimin për të kapur një personalitet më të madh se vetë jeta dhe se vetë materiali, i cili kishte lindur në Shqipëri, por që lulëzoi në Vjenë.
Unë kam qenë shumë i vogël, shumë i vogël për të mbajtur mend shumë gjëra, por ama mund t’ju them që me një pothuajse fotografi bardhë e zi mund të shihni një fëmijë të vogël, i cili u trondit, u prek, u frikësua, por edhe u mrekullua nga kjo statujë, nga fytyra e këtij personit të cilin babai im e donte aq shumë dhe me të cilën merrej shumë shpesh dhe aq shpesh, sa në fakt, e ktheu edhe në portret, në baltë, në bronz, me dru, gjithashtu me mermer.
Ishte në fakt fytyra që ai preferonte më shumë dhe e kuptoj edhe përse, sepse është një fytyrë shumë ekspresive. Kështu që, kjo fytyrë e formësuar nga babai im në atë skulpturë u bë edhe formati im për më pas, pra mendimin që do të kisha unë më pas, se si duhet të dukej një aktor. Dhe prandaj zakonisht, për shembull, nuk më pëlqenin aktorët e realizmit socialistë, pasi ata nuk kishin këtë peshë tragjike, fytyrën e Aleksandër Moisiut dhe kur ndokush i përafrohej asaj fytyrë, pra fytyrës së tij, mua më pëlqente.
Më pas erdhi zëri i tij, zëri i tij në një mënyrë të vjetër, një zë i mrekullueshëm. Dhe ky ishte për ne, Aleksandër Moisiu, statuja, fytyra, zëri, por më shumë sesa aq, ai ishte edhe përfaqësuesi më i mrekullueshëm dhe mbresëlënës i një njeriu që e tejkaloi origjinën e tij, por pa e braktisur atë, e kapërceu pra origjinën e tij, pa e braktisur atë.
E një njeriu që u bë ikonë europiane e teatrit, duke mbetur i lidhur me vendin prej nga vinte dhe sot ne jemi mbledhur në këtë universitet, i cili me krenari mban emrin e tij. Për të mirëpritur dy individë, të cilët janë këtu sot me ne, por të cilët janë pasardhësit e tij dhe në mënyrën e vet secili prej tyre vazhdojnë në të njëjtën rrugëtim, pra janë diku ndërkohë që edhe i përkasin dikuje tjetër.
Nicolasi dhe meqë ra fjala, do më duhet t’jua them këtë gjë, por dëgjova për herë të parë një tip miti, që në fakt, përmes një miti që nuk ishte mit i bazuar në lajme të rreme, por në realitet, sepse Nicolasin ma prezantuan si emër, si një miliarder pa shtëpi. Pra, ishte miliarder, por nuk kishte shtëpi, flinte nga njëri hotel në tjetrin, një gjë të cilën e kam bërë edhe unë derisa u martova, kur u martova një herë e mirë. Sepse ideja ime fillestare ishte që unë jam shtëpia ime, unë mund të shkoj ku të dua me veten time, unë po të kem shtëpi, jam pothuajse i burgosur në atë vend. Nuk e di nëse Nicolas i dashur tashmë ke shtëpi, por dëgjova pra mitin e Nicolasit dhe dëgjova për shumë e shumë gjëra për të, për këtë njeri dhe gjërat të cilat ne i njohim këtu sot, si të tuat, jo vetëm për mbiemrin, që për emrin e dytë më falni që ai ka, por edhe për atë që ai përfaqëson.
Një nga gjërat që dëshiroj të kujtoj këtu me ju sot është një gjë që ai ka thënë, “ç’të bën ty unik, përvojat e tua, transformimi yt, origjina jote, mos i harro ato kurrë”.
Është një fjali që mund të ishte thënë lehtësisht edhe nga vetë gjyshi i tyre, sepse të kujtosh origjinën tënde nuk është akt nostalgjie. Madje, unë besoj që nuk është as edhe një akt kur ti në mënyrë formale shpreh identitetin tënd. Por mbi të gjitha, është edhe një torturë e vet shpirtit, ndërkohë që formësohet së bashku dhe gërshetohet së bashku me identitetin tënd, me pikëpyetjet që ti ke – “nga vij”, “kush jam unë” dhe siç e tha vetë Nicolas, formësohet edhe nga kultura. Idetë, dija, arti dhe ndërtimi i komuniteteve krijuan qytetërimin njerëzor, kulturat tona janë vargu ynë i dytë i ADN-së. Pra duke qëndruar sot këtu me privilegjin që kam për të thënë pak fjalë për të dhe të jem përballë vetë atij dhe të vëllait, pra në këtë universitet, i cili mban emrin e gjyshit të tyre, mund të them që fjalët e tij, marrin pothuajse një kuptim poetik.
Ai thotë kultura udhëton përmes brezave, ndonjëherë përmes librave, ndonjëherë përmes institucioneve, ndonjëherë përmes kujtesës dhe ndonjëherë përmes personave që mbajnë trashëgiminë e heshtur të kureshtjes dhe të imagjinatës.
Titulli “Doctor Honoris Causa” i jepet Nicolas Berggruen, në shenjë njohjeje për kontributet e tij të jashtëzakonshme ndërkombëtare, për mendimin filozofik, politik dhe shoqëror, si edhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në promovimin e dialogut global, udhëheqjes etike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Përmes Institutit Berggruen, të cilin ai e ka themeluar dhe e drejton, Nicolas ka krijuar një forum të gjallë idesh me qendra nga Los Angeles dhe Pekini, apo Venecia. Pra, erdhi deri në Venecia, po nuk kaloi detin atë që kanë bërë të tjerë që kanë ardhur këtu për të gjetur frymëzim, por ndoshta do të vijë.
Shpresoj, shpresoj që do të vijë dhe natyrisht, sigurisht që në kampusin e ri, ne do të kemi një vend të mrekullueshëm për institutin tuaj, thjesht ejani, sepse ky institut është i mrekullueshëm. Ai ka bërë bash disa nga mendjet më me ndikim të kohës sonë për të reflektuar mbi transformimet e thella që po formësojnë gjendjen njerëzore, si ato sfida me të cilat ne përballemi, ndryshimin klimatik, revolucione teknologjike apo edhe kriza e qeverisjes demokratike.
Gjithashtu, titulli “Doctor Honoris Causa” i jepet Olivier Berggruen në njohje të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në fushën e artit, e historisë së artit, e rolit të tij në lidhjen e trashëgimisë së artit klasik me frymën e botës bashkëkohore. Një historian në art i arsimuar në Paris dhe në Londër, Olivieri, ia ka kushtuar jetën e tij studimit dhe kurimit të revolucioneve artistike që formësuan modernitetin nga Pablo Picaso tek Francis Bacon, përmes ekspozitave, shkrimeve të tij, punës së tij si kurator në institucione të mëdha nga Frankfurti në Romë, nga Parisi në Uashington e të tjerë, Oliveri ka eksploruar se si artistët në fillim të shekullit të XX arritën diçka të jashtëzakonshme.
Ata krijuan një gjuhë të re të artit në dukje, duke refuzuar traditat që i paraprijnë ato, por që në fakt thjesht i përthithën ato, atë ADN të traditës, siç ndoshta mund të thoshte Nicolas-i.
Pra, është shumë domethënëse që ceremonia e sotme lidh në fakt breza të tërë me anën e një filli të padukshëm, por të fuqishëm, një gjysh që u bë një nga aktorët më të mëdhenj të Evropës, dy nipër të cilët në fusha të ndryshme vazhdojnë të eksplorojnë pikëpyetjet më të thella të krijimtarisë dhe të përgjegjësisë njerëzore dhe një universitet i cili mban emrin e gjyshit të tyre, atij gjyshi, pra, ndërsa formëson mendjet e brezave të ardhshëm dhe përqafon dy nipërit e tij. A nuk është kjo e bukur?
Urime!
Urime për këtë nder dhe vërtetë faleminderit që na kujtoni se trashëgimia më e fuqishme që mund të marrim, si edhe trashëgimia më e vlefshme që mund të përcjellim, nuk është as pasuria e as pushteti, por është kapaciteti i vazhdueshëm për të ndër vepruar me të tjerët.
Është kapaciteti për të ndërtuar ura ndërmjet popujve dhe kulturave, është kapaciteti për të lejuar që idetë të kalojnë, të ecin përpara duke e bërë këtë të mundur dhe mbi të gjitha për të festuar për vetë njerëzimin për këtë kohë të përkohshme që na është dhënë ne, si fat për ta kaluar në këtë botë.
Faleminderit shumë të dyve!