Ka nisur zbatimi i projektit Smart City, një nga investimet më të rëndësishme në fushën e sigurisë publike, i cili përmes Inteligjencës Artificiale dhe një sistemi të integruar monitorimi synon të transformojë mënyrën e parandalimit dhe menaxhimit të rreziqeve në Shqipëri.
Faza e parë e projektit përfshin 20 shkolla në Tiranë, të përzgjedhura bazuar në numrin e nxënësve, dendësinë e popullsisë dhe intensitetin e aktivitetit në zonat përreth. Ky investim krijon një model të ri sigurie për nxënësit, mësuesit, prindërit dhe komunitetin, duke e zhvendosur fokusin nga reagimi pas ngjarjes tek parandalimi në kohë reale.
Sistemi i ri përdor Inteligjencën Artificiale për të analizuar në kohë reale situatat me potencial rreziku dhe për të njoftuar menjëherë qendrat operative të monitorimit. Teknologjia do të mundësojë identifikimin e objekteve të rrezikshme, gjurmimin e automjeteve të përfshira në veprimtari kriminale, lokalizimin e personave në kërkim, si edhe monitorimin inteligjent të shkeljeve të ndryshme, duke rritur ndjeshëm efektivitetin e reagimit të Policisë së Shtetit.
I pranishëm në prezantimin e projektit, Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një përgjigje sistemike të shtetit ndaj sfidave të sigurisë, duke theksuar se projekti lindi si reflektim dhe angazhim konkret pas ngjarjes tragjike të ndodhur në shkollën “Fan Noli”.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!
Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të Shkollës “Fan Noli”, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë konvulsive psikologjike, me versionet e ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Në ndërkohë që Policia e Shtetit dhe natyrisht, përmes Policisë së Shtetit, Ministria e Arsimit, qeveria, u vunë në shënjestër të gjithfarë lloj spekulimesh, akuzash, sajesash dhe fabrikimesh, të cilat zgjatën jo pak dhe torturuan jo pak familjarët, por edhe gjithë opinionin publik.
Unë nuk e kam harruar, siç e kanë harruar të gjithë ata që e përdorën, keqpërdoren, abuzuan deri në fund atë tragjedi, sepse e kujtoj përditë, duke ndjekur pikërisht këtë projekt, që është përgjigja ime dhe përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie.
Një shtet nuk matet dot me çdo gjë që ndodh, sepse edhe në shtetet më të zhvilluara, me traditat më të konsoliduara institucionale, me sistemet më të sofistikuara administrative, me historitë më të gjata të formimit të kulturës shtetërore, ka raste që ndodhin gjëra të cilat trondisin mbarë opinionin publik; por një shtet, ama, matet me se reagon ndaj çdo gjëje që ndodh dhe reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemik, i cili edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme dhe të panevojshme, do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët mund të jenë potencialisht një ditë të rrezikuar, të mos kenë asnjë pasojë, pikërisht sepse ky reagim sistemik do të lëri pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik, që do të harmonizojë të gjithë përpjekjen e njerëzve të institucioneve me aftësitë e pakonkurrueshme të inteligjencës artificiale dhe kësisoj do të mundësojë që parandalimi të ngrihet në një nivel tjetër.
Sot ne kemi nisur pikërisht me zemrën e projektit, që është siguria në shkolla. Me 20 shkolla të parat që janë përzgjedhur për nga dendësia e numrit të nxënësve, për nga dendësia e popullsisë përreth, pwr nga intensiteti i veprimtarive rreth e rrotull dhe patjetër, edhe për nga domosdoshmëria që, duke e testuar modelin pikërisht në këto 20 shkolla, ne të nxjerrim të gjitha konkluzionet e nevojshme për të vazhduar me fazat e tjera.
Besoj që sot të gjithë prindërit që kanë fëmijët në shkolla duhet të ndjehen mirë, duhet të ndjehen të lehtësuar për faktin që qeveria, ndryshe nga si përshkruhet në të përditshmen e jetës së kanaleve sociale dhe në të përditshmen e jetës pa një minutë gjumë të algoritmit, është një trupë e cila thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Natyrisht, çdo gjë kërkon kohën e vet.
Ministri foli edhe për pengesat që ka pasur projekti. Nuk ka projekt që të mos ndesh pengesa, qoftë të parashikueshme, qoftë të paparashikueshme, por sot jemi në një moment kur projekti merr jetë dhe tani nuk ndalet më me shtrirjen e tij në të gjithë territorin, duke shënuar një fazë të re historike të përpjekjes së shtetit për të ngritur në një nivel tjetër menaxhimin e sigurisë publike dhe duke garantuar kështu që shumëçka që ne e kemi deri më sot, ndjekur si problem thjesht dhe vetëm me sytë dhe me forcat njerëzore, të ndiqet edhe me mbështetjen e inteligjencës artificiale, jo vetëm në shkolla, por në të gjitha rrugët e vendit, jo vetëm në të gjitha rrugët e vendit, por dhe në komunitete.
I gjithë projekti është i ndërtuar në mënyrë që sistemi të informojë në kohë reale për rrezikun. Jo, siç e tha ministrja, thjesht të ruaj një informacion që pastaj duhet marrë duke hapur sistemin e duke nxjerrë informacionin kur fakti ka ndodhur.
Për të thënë një nga detajet, nëse një thikë del nga xhepi në cilindo vend publik, jo vetëm në shkolla, por dhe në rrugë, sistemi jep menjëherë informacion në qendrën e monitorimit. Mund të jetë krejtësisht, e parrezikshme, por mund të jetë dhe e rrezikshme.
Nëse një person në kërkim sot është një person që ka shumë mundësi të fshihet gjatë procesit të kërkimit, sistemi e bën pothuajse të pamundur që në momentin e reagimit, Policia të mos dijë se nga të drejtohet.
Historia e makinave që kryejnë akte kriminale dhe pastaj gjenden të djegura në një pozicion disa kilometra nga vendngjarja, nuk mund të ndodhi më, për shkak se sistemi e sheh makinën përpara se sa makina të ndalet dhe informon se ku gjendet makina.
Po kështu historia e dhimbshme, sado që ne e kemi përmirësuar procesin, por procesi vazhdon të ketë dhimbjet e veta, e ndalimit të automjeteve në rrugë për kontrolle që pastaj shoqërohen edhe me shkëmbime indulgjencash mes policit dhe drejtuesit të automjetit, nuk ndodh më, për shkak se sistemi informon menjëherë qendrën kur një makinë që nuk ka paguar detyrimet del nga parkimi dhe futet në rrugë dhe thotë: “e ke në filan vend”.
Pra, kjo e kombinuar edhe me një element tjetër që tani po punohet për t’u plotësuar, që kamerat e trupit do të jenë të lidhura me qendrën dhe do të jetë krejtësisht e pamundur që me kamerat e trupit të bëhen lodra, të tipit: “isha deri këtu”, “shkova deri aty”, do të bëjë që edhe i problemi tjetër i raportit etik mes punonjësit të policisë dhe një qytetari në automjet apo në rrugë të adresohet në mënyrë sistemike. Jo se nuk do të ndodhi më asgjë, se kjo gjë nuk është realizuar askund që të mos ndodhi më asgjë, por niveli i parandalimit do të rritet në mënyrë eksponenciale, niveli i rreziqeve do të ulet në mënyrë eksponenciale dhe zbulueshmëria e shkeljeve do të rritet po ashtu në mënyrë eksponenciale.
Në mbyllje, dua ta rimarr aty ku e nisa. Kemi pasur një vëmendje të shtuar edhe falë angazhimit të punonjësve të sigurisë në shkolla, edhe falë angazhimit të Policisë së Shtetit edhe falë angazhimit të drejtuesve të shkollave edhe falë angazhimit të këshillave të prindërve, që, për hir të vërtetës, nga trupa amorfe dikur janë bërë gjithmonë e më të rëndësishme, sepse vëmendja e prindërve është gjithmonë e më e shtuar, por ka qenë një punë e stërmundueshme për të mos lejuar, për të parandaluar, për të pamundësuar ngjarje ekstreme dhe për fat të mirë, kemi pasur vetëm një ngjarje tjetër që ka ndodhur, dhe ajo jashtë oborrit të shkollës, por stërmundimi është i atillë që rezultatin, sidoqoftë, nuk e bën plotësisht të kënaqshëm, sado që mundohesh.
Kështu që, për më tepër sot, kur jemi në kohën e armikut të fëmijëve, e rrugaçit më të rrezikshëm të lagjes, që është algoritmi në xhepat apo në çantat e adoleshentëve apo dhe të të miturve, ky sistem do të na japi krah dhe ky sistem do të jetë i fokusuar shumë edhe tek ndërveprimi me prindërit.
Ministrja e Arsimit do të ndërtojë një protokoll të posaçëm për të informuar prindërit përmes sistemit të tyre të këshillave, ka dhe një këshill të përgjithshëm. Shoh këtu dhe një nga qytetarët më të angazhuar që unë kam njohur në detyrë dhe që drejton Këshillin e Prindërve, për t’i mbajtur prindërit të informuar, jo në mënyrë specifike për fëmijën e tyre, por për mënyrën se si sistemi po ecën dhe për të marrë prej prindërve reagime, apo këshilla, apo kërkesa, për ta përmirësuar apo për ta rritur edhe më shumë vigjilencën e sistemit. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë. Prindërit duhet të ndjehen shumë të qetë dhe për këtë, duhet të jenë vazhdimisht të informuar.
Dua të falënderoj edhe unë të gjithë ata që e mundësuan ardhjen deri këtu të këtij procesi dhe me ndihmën e Zotit dhe falë punës së palodhur të atyre që po e bëjnë këtë projekt realitet, shpresojmë që në 12 muajt e ardhshme e gjithë Shqipëria të jetë live, në sensin e monitorimit të territorit, në funksion të një menaxhimi super inteligjent të sigurisë publike, të rendit dhe të qetësisë publike dhe për t’i dhënë qytetarëve një armë të jashtëzakonshme që deri sot nuk e kanë pasur, pasi do të punojmë edhe për të ndërthur atë që dikur ishte Komisariati Dixhital, me sistemin. Pra, do punojmë që qytetarët të kenë një inboks të tyre në sistem dhe sistemi të bëjë verifikimin në kohë reale të shqetësimeve të tyre; për një parkim të paligjshëm, për një ndërhyrje të paligjshme e të tjerë, e të tjerë. Sigurisht, në akset kryesore, në zonat strategjike komunitare dhe kudo ku interesi publik do të jetë aq i lartë sa ne të vendosim sistemin në shërbim të tij.
Shumë faleminderit të gjithëve!