Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

NJOFTIM PËR APLIKIM

PËR

FUNKSIONIN E ANËTARIT
TË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK

Në mbështetje të neneve 25 dhe 26, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, dhe të pikave 2, 3 dhe 6, të vendimit nr.46, datë 26.1.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të detajuara për procedurën përzgjedhëse të kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik”, shpallim njoftimin për aplikim për 3 (tre) vende vakante në funksionin e anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik.

Inkurajojmë të gjithë të interesuarit, të cilët përmbushin kriteret, të aplikojnë!

1. Aplikanti për funksionin e anëtarit duhet të plotësojë këto kritere
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë arsim të lartë në drejtësi. Ky kriter duhet të plotësohet nga të paktën 3 anëtarë. Vetëm një prej anëtarëve mund të zgjidhet me arsim të lartë në shkenca ekonomike ose shkenca inxhinierike.
ç) Të ketë mbi 8 (tetë) vjet përvojë pune, nga të cilat të paktën 3 (tre) vite në fushën e prokurimeve;
d) Të mos jetë i/e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore ose të mos ketë ndonjë masë disiplinore në fuqi;
e) Të mos jetë nën procedim penal për kryerjen e një vepre penale.

⦁ Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:

a) Kërkesë për aplikim;
b) Jetëshkrim (curriculum vitae) i kandidatit (secila faqe, e firmosur);
c) Diplomë e arsimit të lartë (e noterizuar);
ç) Librezë pune ose dokument i ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
d) Vërtetim ose vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna ose shërbimi civil me masë disiplinore ose që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
dh) Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të
ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen,
emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
e) Formular të aplikimit (të plotësuar e të firmosur) për informim për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
ë) Vërtetim nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm ku ka vendbanimin si dhe nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se nuk është nën procedim penal për kryerjen e një vepre penale;
f) Çdo dokument tjetër shtesë që provon përmbushjen e kritereve të përzgjedhjes, sipas përcaktimit të nenit 26, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, dhe të pikës 11.1, të vendimit nr.46, datë 26.1.2022, të Këshillit të Ministrave.

(Deklarimi i rremë sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme e konkurrimit dhe përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi)

⦁ Vlerësimi:

Komisioni ad-hoc, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së aplikimeve, bën vlerësimin sipas parashikimit të vendimit nr.46, datë 26.1.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të detajuara për procedurën përzgjedhëse të kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik”.

Pas vlerësimit të jetëshkrimit, kandidatët mund t’i nënshtrohen intervistës së strukturuar me gojë, për të cilën do të njoftohen për datat përkatëse të zhvillimit të saj.

Me qëllim vijimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik, Këshilli i Ministrave dërgon në Kuvend listën e kandidatëve të kualifikuar sipas renditjes dhe listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar.

Afati i dorëzimit të aplikimit: Deri 28 Maj 2026

Adresa:    Kryeministria
                Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nr. 1. 1001
                Tiranë, Shqipëri 
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.