Parku i Liqenit të Paskuqanit po shndërrohet në një nga hapësirat më të rëndësishme publike dhe rekreative të zonës metropolitane Tiranë–Kamëz. Me një sipërfaqe prej 84 hektarësh, ky park përfaqëson një investim të qëndrueshëm në shërbim të komunitetit, mjedisit dhe zhvillimit urban, duke u kthyer në një pikë referimi për cilësinë e jetës së banorëve.
Gjatë vizitës në Parkun e Liqenit të Paskuqanit, Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Kamzës, z. Rakip Suli, panë nga afër investimet e realizuara dhe ecurinë e transformimit të kësaj hapësire të gjelbër.
Infrastruktura e parkut përfshin një pedonale rrethore prej 5.2 kilometrash, amfiteatrin veror, molin mbi liqen, kënde lojërash për fëmijë, korsi biçikletash si dhe ambiente sportive për volejboll, basketboll, tenis dhe futboll. Parku frekuentohet çdo ditë nga mijëra qytetarë, veçanërisht gjatë ditëve me mot të mirë, duke shërbyer si një hapësirë çlodhjeje, aktiviteti fizik dhe socializimi.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, z. Rakip Suli, u shpreh se Parku i Liqenit të Paskuqanit është ndërtuar nga e para dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm për të gjithë zonën. “E gjithë kjo sipërfaqe është 84 hektar dhe vetëm pasqyra e ujit e liqenit që është rreth 18 hektar dhe këtu e kemi mbushur me pemë, ku shikojmë rreth 80 mijë pemë. Ambientet sportive që sheh këtu, Kryeministër, janë e njëjta dhe nga pjesa Paskuqanit sepse parku kufizohet me Bathoren dhe Paskuqanin që rrethon rreth 152 mijë banorë, që i shërben ky park dhe i njëjti ambient me fusha volejbolli, basketbolli, tenisi, me kalçeto”, – tha kryebashkiaku i Kamzës.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Dritan Agolli, theksoi se investimi është konceptuar për t’u shërbyer veçanërisht të rinjve dhe për të nxitur aktivitete rekreative dhe sportive.
Sipas Kryetarit të Bashkisë së Kamzës, investimi ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e vlerës së pronave përreth. “Vlera e pronës, Kryeministër këtu ka vajtur, se imagjinon njeri, me minimumi 4-5 fish. Pjesën lart pjesën private, e kemi menduar vetëm dy dhe tre kate ndërtim, kjo zonë këtu. Dhe kemi pasur goxha kërkesa”, – u shpreh kryetari i Bashkisë, Suli.
Gjatë vizitës në park, Kryeministri z. Edi Rama vlerësoi transformimin e realizuar dhe e cilësoi Parkun e Liqenit të Paskuqanit si një model për administrimin racional të aseteve natyrore. Ai theksoi rëndësinë e promovimit të sporteve ujore, veçanërisht kanosë, duke sugjeruar krijimin e një baze të posaçme për këtë aktivitet.
“Vazhdon puna intensive për një transformim që nuk ndalet edhe ky park është duke nisur të marrë një formë që mjafton të imagjinosh se si do të rritet kurora e pemëve në disa vite që vijnë për të kuptuar që falë kryetarit të bashkisë, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një aset i gjelbër i pa çmueshëm do t’i jepet kryeqytetit nga Kamza dhe kur sheh këtë transformim, të vjen keq se si u goditën dhe u çvlerësuan në të kaluarën, asete po kaq të vlefshme si liqeni i Farkës apo liqeni i Thatë, përpara se sa ato territore mund të futeshin në një administrim racional. Gjithsesi mësojmë nga Kamza Dhe ecim në shembullin e Kamzës”, – u shpreh kryeministri Rama.
Transformimi i Parkut të Liqenit të Paskuqanit është pjesë e një vizioni afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm urban, duke e kthyer Kamzën në një shembull pozitiv për mënyrën se si hapësirat publike mund të rigjenerohen në dobi të komunitetit dhe brezave të ardhshëm.