Përditësim mbi situatën e reshjeve nga aksi Bulqizë-Klos nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:
Ndodhemi në aksin Bulqizë Klos. Që nga dita e djeshme, madje duke nisur nga paraditja e ditës së premte kemi pasur reshje në të gjithë Shqipërinë, reshje me intensitet të lartë që kanë qenë të shoqëruara gjithashtu edhe me stuhi në disa qytete e rajone të Shqipërisë ka pasur erë të fuqishme që ka krijuar problematika duke shkulur edhe sinjalistikat rrugore dhe duke krijuar probleme të tjera me pemë e me gurra të rënë.
Sigurisht situata është paraqitur më e vështirë në ato zona ku prurjet e lumenjeve ndikojnë si është Vlora, siç është Durrësi apo siç është Shqipëria e mesme, në pjesën e Elbasanit. Por duhet thënë që gjithmonë situata më e rënduar është në veri edhe për shkak të relievit gjeografik dhe përrenjve të cilat edhe kur janë kushte normale, prapë sjellin inerte që dalin në akse rrugore.
Duhet të kemi parasysh që intensiteti ka qenë shumë i lartë. Kjo provohet dhe nga prurjet që kemi në Koman dhe në Vaun e Dejës ku kemi arritur deri në 2000 metra kub për sekondë. Dhe sigurisht Valbona dhe Shala kanw qenë ato që kanë sjellë problematikën më të madh.
Ndërkohë që në zonën e Fierzë, që me thënë të vërtetën ne prisnim që të kishim reshje më të mëdha, pra në zonën e Drinit reshjet kanë qenë me intensitet mesatar për të mos thënë dhe i ulët në disa prej tyre. Akset rrugore janë të hapura. Të gjitha skuadrat e mirëmbajtjes janë në këto momente në terren.
Ultësira perëndimor ka qenë nën stuhi, kemi pasur komplikime sot edhe në zonën e aeroportit të Rinasit pasi ka pasur një aks i cili nuk kishte thjeshtë reshje të dendura shiu por kishte rrufe të vazhdueshme dhe gjithë pjesa e ultësirës perëndimore duke nisur nga e premtja nën mesditë ka qenë nën një ndikim të motit me stuhi dhe erë përveçse reshjeve të shiut.
Kurse zona veriore ka pasur shi me intensitet të lartë ose me intensitet të mesëm siç është pjesa e Basenit të Fierzës.
Duhet thënë gjithashtu që në aeroportin e Rinasit ka pasur disa devijime pikërisht për të ruajtur avionët dhe pasagjerët nga rrufetë dhe jo për shkak të shiut, kemi patur disa devijime dhe disa prej fluturimeve nuk janë ulur në zonën e Rinasit dhe janë kthyer në destinacione të tjera si në Brindisi apo në aeroporte të tjerë ka ka patur mot të qëndrueshëm. Megjithatë tashmë janë konsoliduar fluturimet dhe gjithçka po shkon siç duhet.
Përsa i përket akseve rrugore, përmende jugun dhe është diçka që duhet thënë, në gjithë ato zona me reliev të thyer ku kemi skarpatin, sigurisht reshjet me intensitet sjellin inertet që dalin në shtrat të rrugës. Megjithatë e rëndësishme është që të gjitha skuadrat e mirëmbajtjes kanë qenë në terren. Duhet të përmendim një fakt që mirëmbajtja dimërore nis në 15 nëntor. Ne kemi bërë përmes këtij momenti një provë gjeneralë për të parë sesi funksionon sot që flasim e gjithë grupi, të gjitha skuadrat që kujdesen për mirëmbajtjen e rajoneve dhe ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer. Ashtu siç thamë që kemi borën e parë në Theth, megjithatë nga viti i kaluar ne kemi arritur përmes automjeteve tashmë moderne të cilët largojnë borën duke e shtyrë nga pjesa e rrugës, por duke e kthyer në pluhur dhe duke e hedhur në anët e greminës, ne kemi arritur ta mbajmë Thethin të hapur kështu që tashmë e kemi një eksperiencë të mirë dhe do vazhdojmë të mbajmë Thethin.
Parashikohet që të ketë një përmirësim të motit gjatë pasdites së sotme dhe të ketë një ndalim të eventeve të shiut për tu rikthyer të mërkurën pasdite. Megjithatë sikurse ju e dini, përsa i përket energjisë ne na duhen shira sidomos në basenin e Fierzes. Shumë faleminderit për informacionet sot dhe duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm pasi pavarësisht të gjithë parashikimeve të motit, faktet kanë treguar që muajt e fundit ndryshojnë nga ora në orë dhe as të dhënat satelitore tashmë nuk po mbulojnë në të vërtetë parashikimi. Kështu që ne do jemi në gatishmëri të plotë. Temperaturat kanë patur një rënie të rëndësishme dy ditët e fundit dhe nga c’duket tashmë po fillon dimri. Shpresojmë të ketë reshje të konsiderueshme përsa i përket pjesës veriore, aty ku kemi të përqendruara dhe hidrocentralet më të rëndësishme për prodhimin e energjisë. Ndërkohë që infrastruktura është në kohën e mirëmbajtjes dimërore dhe ne jemi të gatshëm për të vazhduar me gjithçka.
Mbi të gjitha duhen respektuar të gjitha shenjat e sigurisë rrugore, nuk janë të vendosura kot. Ka një arsye pse çdo rrugë ka limitet e shpejtësisë të cilat janë vendosur në bazë të një analize nga ekspertët, ka një arsye pse janë ato shenjat e sigurisë rrugore të cilat duhen respektuar maksimalisht, gjithmonë por sidomos kur kemi kushte atmosferike të vështira.
Ne do jemi në krye të detyrës dhe do t’ju informojmë për çdo situatë tjetër që do të kemi në orët në vazhdim.