Bashkëqeverisja, dëgjesë e Kryeministrit Edi Rama me qytetarë në Rrëshen:
Përshëndetje të gjithëve!
Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu.
Ne që dje kemi filluar të zhvillojmë një aktivitet intensiv takimesh në Qarkun e Lezhës, me fokus në Bashkinë e Lezhës dhe në shumë pika të tjera. Sipas fushave, anëtarët e kabinetit qeveritar kanë bërë takimet e tyre dhe e mbyllim këtë sesion të muajit, që na çon jashtë zyrave në Tiranë, në një territor të Shqipërisë këtu në Mirditë, me platformën: Shqiperiaqeduam.al.
Shqiperiaqeduam.al. është instrumenti i bashkëqeverisjes sonë me njerëzit dhe një mënyrë e shpejtë dhe shumë efikase për çdokënd, për të trajtuar në kohë reale, drejtpërdrejtë me qeverinë, një problem konkret që lind në marrëdhënie me një zyrë të administratës, apo për të trajtuar ide, nisma individuale apo në grup, që janë me interes për komunitetin apo më gjerë. E pavarësisht se, siç edhe e kemi pritur në fillimet e veta, platforma hasi nënqeshjen kombëtare, si pasojë e një periudhe të gjatë premtimesh dhe zhgënjimesh të kësaj natyre nga ana e njerëzve dhe pavarësisht se edhe ata që nuk nënqeshën, nuk besuan se realisht kjo platformë do të ishte një instrument ndërveprimi dhe pastaj zgjidhjeje për njerëzit, faktet hap pas hapi tregojnë të kundërtën.
Ne kemi marrë 1640 shqetësime të ngritura drejtpërdrejtë nga njerëz në të gjithë territorin dhe prej tyre, 1411 janë probleme të zgjidhura, të të gjitha natyrave. Njerëz, të cilët janë zvarritur për muaj, por dhe për vite të tëra në hipotekë, që kanë thënë po e provoj njëherë këtë shiqperiaqeduam.al dhe mundet që ndoshta të mos e kenë besuar dhe faktikisht kemi marrë mbrapsht edhe reagime falënderuese. Faktikisht kanë zgjidhur problemin e jo vetëm është zgjidhur problemi, por ajo që ndodh zakonisht është që kur një qytetar i drejtohet ministres së Drejtësisë, përveç platformës, për një problem me hipotekën dhe pas verifikimit që bëhet brenda 10 ditësh, rezulton se qytetari ka të drejtë, jo vetëm qytetari merr të drejtën e vet, pra, e merr atë dokument për të cilin mund të ketë pritur edhe me vite, por personat përgjegjës për vonesën shkarkohen nga detyra, largohen nga administrata e hipotekës.
Nga njëra anë do çojmë përpara modernizimin e sistemit të hipotekës, për ta kthyer në një sistem tërësisht të dixhitalizuar. Gjë për të cilën kërkohet gjithë ai pastrimi i madh i llumit në hartat, në mbivendosjet, në vendimet e mbivendosura të vetë gjykatave, në konflikte e kështu me radhë, që hipoteka ta ketë të pastër të gjithë bazën e të dhënave e pastaj sistemi të gjenerojë dokumentin, siç sot arritëm të gjenerojmë certifikatën, pa pasur nevojë për të shkuar as në bashki, as gjëkundi, po direkt nga shtëpia mund ta marrësh certifikatën tënde dhe vula elektronike është një vulë e sigurt dhe e njohur nga institucionet.
Nga ana tjetër na duhet paralelisht që ne të dimë ekzaktësisht kush e pengon padrejtësisht qytetarin në hipotekë dhe këtë nuk mund ta marrim vesh as me kontrollet, as nga auditet, as nga inspektimet, që sigurisht mund të na japin disa të dhëna, por mund ta marrim vesh plotësisht, nëse çdo qytetar midis të vonohet, zvarritet, torturohet, të paguajë bakshish e të mos marrë përgjigje në kohë dhe thjesht një mesazhi përmes platformës së bashkëqeverisjes, duke u regjistruar tek platforma dhe dukë çuar rastin konkret, të zgjedhë këtë të dytën.
Merre këtë iniciativë dhe pastaj shikoje vetë, zgjidhet apo nuk zgjidhet. Nuk kemi asnjë rast sot që nuk trajtohet në kohë. Të gjithë atyre që regjistrohen në platformë i jepet përgjigje. Sepse çdo ankesë, çdo kërkesë nuk shkon tek hipoteka, nuk shkon tek drejtoritë e ndërmjetme, por shkon drejtpërdrejtë në tavolinën e ministres së Drejtësisë dhe është ministrja e Drejtësisë që ka përgjegjësi t’i japi përgjigje.
Ne kemi një sistem të kompjuterizuar, që të gjitha kërkesat që vijnë nga njerëzit janë në një bazë të dhënash që ndiqen nga Agjencia e Bashkëqeverisjes në Kryeministri dhe çdo ministër ka fushën e vet e këtu unë jam shumë krenar për atë që bëjnë ministrat, e ndjek me përparësi këtë proces, qoftë për qytetarët që ankohen për hipotekën, qoftë për qytetarët që ankohen për ALUIZNI-n. Një emigrant nga Mirdita, – emrin e të cilit nuk e kam parasysh në këtë moment, por është një informacion që më mbeti në mendje nga pasqyra e raportit të bashkëqeverisjes e ditës së enjte, – kishte 3 vjet që kërkonte të merrte legalizimin e shtëpisë dhe kjo u faktua nga verifikimi i dokumentacionit, mori për 10 ditë, jo përgjigjen, por mori legalizimin. E pas kësaj, kush është përgjegjës që ai ka tre vjet që pret, do iki nga puna. Le të jetë socialisti më i flaktë. Flaka e socializmit në trupin e atij që pengon emigrantin tre vjet, duke i djegur atij ëndrrën për të legalizuar shtëpinë, nuk i duhet Partisë Socialiste.
Ne e kishim prej kohësh shqetësimin e marrë nga prindërit, nga mësuesit dhe nga nxënësit, të mbingarkesës së lëndëve dhe të mbingarkesës së çantave. Çantat e nxënësve të shkollës në Shqipëri, me një ngarkesë si ato turrat e druve të grave të Mirditës, dikur, shumë kohë përpara, para se gratë të merrnin pushtetit këtu nëpër kulla. Ngri grupe pune, opozita katër vjet në parlament nuk i shkoi mendja, as ekspertëve të mëdhenj, të marrë këtej e andej. Halli konkret i disa prindërve, një pjesë e tyre edhe mësues, i çoi tek një zgjidhje shumë e thjeshtë, që e propozuan nëpërmjet platformës dhe siç e tha edhe vetë mësuesja që ishte nismëtarja, as nuk e kishte menduar kurrë që, pasi ta shkruante, brenda 10 ditësh do kishte Kryeministrin, ministren e Arsimit përballë, që do t’i thoshin shumë faleminderit dhe kjo do bëhet. Zgjidhja 6 orë – 3 lëndë. Tre libra në çantë, tre tema të ditës, tre detyra e jo 6 detyra për t’u bërë për ditën tjetër. Më shumë kohë në dy orë për të dëgjuar mësuesin, për të marrë shpjegime edhe për t’u përgjigjur. Në 1 shkurt ikën gjithë ajo peshë nga çantat dhe nga lëndët e ditës. Është një revolucion për ata që e jetojnë përditë, se këtyre revolucionarëve që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga krimi, këto ju duken gjëra të vogla. E ndodhi, sepse një grup njerëzish e morën iniciativën, e thanë dhe u bë.
Flasim për turizmin dhe Shqipëria ka një rritje të jashtëzakonshme dhe të përvitshme të numrit të turistëve dhe të kërkesës për turizëm nga vendet europiane. Ajo që po ndodh së fundmi dhe që këtë sezon do të shkojë në një nivel krejt tjetër është turizmi nga vendet skandinave. Janë 20 mijë rezervime nga Suedia në bregdetin shqiptar. Për ta, por edhe logjikisht, sezoni nuk është thjesht dy muaj, apo aq sa jemi mësuar ne e ndërkohë, edhe për brenda nesh, sezoni mund të jetë më i gjatë. Një propozim shumë i thjeshtë, pse duhet të fillojë shkolla në 11 shtator e jo në 15 shtator? Nëse shkolla fillon në 11 shtator, të gjitha familjet që kanë fëmijë që i çojnë në shkollë, as nuk mund ta imagjinojnë të planifikojnë të bëjnë turizëm në 15 ditshin e parë të shtatorit. Nëse shkolla shkon e hapet në 15, atëherë bëhet një fashë e tërë e re, që stimulon industrinë e turizmit dhe rrit sigurisht ekonominë.
Këto janë gjëra të thjeshta dhe jam i bindur që, nëse të tjerë me propozime më komplekse, sipërmarrës, fermerë, në grupe interesi më të strukturuara do marrin iniciativa, regjistrohesh tek Shqiperiaqeduam.al. dhe bën propozimin. Në 10 ditë do kuptosh, kjo është një lojë që bëjmë ne, apo është diçka nga e cila ti mund të përfitosh. Është realisht një vullnet për t’i përfshirë njerëzit në një proces ku së pari kemi një problem të përbashkët, cilësia e shërbimeve. Hipoteka, targë, legalizime e sportele të tjera është një problem i njerëzve që i marrin këto shërbime, por është edhe një problem shumë i madh i imi personalisht, pas të gjithë atyre përpjekjeve që bëra, për të marrë timonin. Tani duhet të bëjmë gjënë e duhur, sepse nuk është një makinë konkrete që mund të bëj unë xhiro vetë, është drejtim dhe në këtë drejtim ka vetëm një aleat për ne, është çdo njeri i zakonshëm, që nuk pranon më lojën e vjetër, që thotë “Jo, unë këtij nuk i jap lekë, e marr dhe e çoj si çështje drejt e në qeveri.”
Kur them që 1411 probleme të zgjidhura nga 1640, se këto të tjerët janë në proces. Ka dhe raste kur kërkesa nuk mund të plotësohet, sepse, p.sh., bëhet fjalë për një vendim gjykate dhe aty s’mund të ndërhyjë dot qeveria, apo bëhet fjalë për një çështje që mund të mos të kesh ti të drejtë, por ama janë 1411 njerëz, familje, që kanë zgjidhur problemin, si një i moshuar që nuk merrte dot pensionin që i takonte, 3 vjet vinte vërdallë. Kishte gjetur nipin 10 vjeç që ia bëri dhe nipi 10 vjeç i dha pensionin gjyshit për 10 ditë. Ose fëmijë me probleme të rënda që kanë nevojë për një asistencë të veçantë, që nuk arrinte dot e ëma t’i gjente rrugën burokracisë që t’i zgjidhte problemin që i takonte me ligj. Nuk dalin të gjithë tek Ardit Gjebrea, pavarësisht se mund të kujtojnë se e vetmja zgjidhje është ajo që u bë për ata të dy që dolën te Ardit Gjebrea. Nga ato zgjidhje ne bëjmë çdo javë. Por nuk mund t’i themi njerëzve hajdeni nga Përmeti, apo nga Kukësi se do ju nxjerrim në televizor. E dyta, nuk bëhet fjalë që të shkojnë mediat në këto lloj rastesh. Çështja është që ne kemi problemin, sa më shumë njerëz të marrin atë që u takon.
Ka dhe një aspekt tjetër. Sigurisht që pjesa e shpëtimit nga tmerri i zyrave ka të bëjë dhe me uljen e nevojës për të shkuar në zyra. Në një zyrë shteti të çon nevoja për një dokument. Sa më shumë dokumente të kërkojë shteti, aq më shumë herë do shkosh. Atëherë, ne kemi bërë një proces, – së shpejti do japim dhe konkluzionet e procesit, – për reduktimin drastik të tyre. 66% të dokumenteve që kërkonte Ministria e Arsimit për procesin mësimor do shkurtohen. Kështu do shkurtohen në të gjithë linjën horizontale të qeverisjes për biznesin, për qytetarët, si dokumente për marrjen e paaftësisë, ose aftësisë së kufizuar, dokumente për të gjitha proceset. Shkurtimi i dokumenteve, shkurtimi i licencave, shkurtimi i autorizimeve bën që të shkurtohen ndërveprimet dhe nevoja për të shkuar në zyra bën që të ulet numri i kontakteve me zyrat, të ulet edhe masa e parave që duhen paguar mbi dhe nën dorë për këto dokumente.
Certifikata që ishte shembulli i parë që sot shoqërohet dhe nga shembuj të tjerë të dokumenteve që janë të nevojshme të kalojnë online. Kalimin online, duke garantuar që shteti të mos thotë sillni edhe këto 3-4 dokumente nga këto 3-4 zyra të tjera shteti, por shteti t’i marrë vetë këto dokumente për atë që ka nevojë për një shërbim. Ndërkohë që të gjitha janë gjymtyrët e shtetit. Këtë, ne po e bëjmë, por do kohën e vet. E di që pritshmëria ka qenë dhe mbetet shumë e lartë, por nuk duhet menduar që përmbysja ndodh kaq shpejt dhe nuk duhet menduar që kjo është çështje “kur do ikin ata të LSI-së”, se e dëgjoj shumë shpesh këtë gjë. Çështja është kur do ndahemi nga të PS-së, LSI-së, të PD-së, të Ballit, të hallit, të hallës dhe të xhajës dhe përfundimisht, zyrat e shtetit do jenë zyra shteti. Në zyrat e shtetit do t’u shërbehet të gjithëve njësoj. Ky është nderi më i madh që PS mund t’i bëjë këtij populli, këtij vendi dhe vetes së vet.
Nuk është çështje njerëzish vetëm. Sigurisht që ne po bëjmë përpjekje që edhe njerëzit t’i zgjedhim ashtu siç duhet. Kemi bërë konkurse shumë të vështira, edhe kemi anuluar, edhe kemi përsëritur konkurse, por, sidoqoftë, në të gjitha drejtoritë e rëndësishme të gjithë janë në provë. Askush nuk do qëndrojë dot në detyrë, në rast se nuk i përgjigjet si duhet ambicies për t’ua kthyer shtetin njerëzve dhe sot nuk jemi në fushatë. Kemi disa vite përpara për të qeverisur. Kështu që këto nuk janë fjalë fushate. Këto janë fjalët e qeverisjes çdo ditë. Me këto fjalë e fillojmë punën në kabinetin qeveritar, me këto fjalë e mbarojmë ditën e punës, për të garantuar çdo ditë që ne të bëjmë një hap në këtë rrugë që është e gjatë, për t’iu dhënë njerëzve shërbimet që vërtetë ata presin nga të gjitha strukturat. Ne bëjmë mbledhje qeverie çdo javë dhe çdo mbledhje qeverie ka një pjesë të dedikuar për raportin e bashkëqeverisjes. Raporti i bashkëqeverisjes vjen nga portali dhe për çdo ministri, për çdo ministër ekspozohen të gjitha rastet, janë kaq kërkesa, kaq janë plotësuar, kaq janë në proces. Vëmendja është maksimale. Çdo qytetar lidhet drejtpërdrejtë me qeverinë, siç e kemi premtuar dhe s’ka nevojë të gjesh mik. Mik më të fortë se qeveria nuk ka. Futu në portal dhe direkt e ke emrin tënd në tavolinën e qeverisë për zgjidhje.
Më datë 11/11/2013 me një shkresë zyrtare ju jam drejtuar personalisht juve pasi kam trokitur në dyert e të gjitha institucioneve, prokurorive, gjykatave, ku s’kam trokitur, në dyert e gazetarëve, mediave e nuk kam gjetur derman. Përgjigja që më ka ardhur nga Kryeministria: Nuk përmban precedent kriminal.
Në mbledhjen e parë të qeverisë Rama 1 keni miratuar një fond prej 26 milionë eurosh për familjet në nevojë, amnisti, drita dhe ujë. Kam shkuar te OSHEE-ja, më kanë thënë, nuk na kanë ardhur, i presim nga Ministria e Mirëqenies Sociale të asaj kohe, në prill 2014 që t’ua kompensojmë. Fatkeqësisht ne nuk e kemi marrë këtë.
Kryeministri Edi Rama: Janë 16 milionë dollarë, jo 26 milionë euro, që çdo vit nga buxheti i dedikohen të gjitha familjeve në nevojë. Për familjet në nevojë ka status të përcaktuar. Nuk është familje në nevojë ai që thotë unë jam familje në nevojë, por ai që ka statusin e familjes në nevojë. Sidoqoftë për këtë çështje, është çështje tipike që mund të drejtohesh te platforma.
Ajo që i referohesh, letra në Kryeministri në 2013-ën është pjesë e një mekanizmi që ka qenë aty në Kryeministri që nga 1946-ta deri në 2017-ën dhe pikërisht për këtë e kemi ndryshuar. Pra, mekanizmi i Kryeministrisë ka qenë: njerëzit shkruanin, Kryeministria letrat ia çonte ministrive apo kujt i takon dhe kthente një përgjigje formale në të shumtën e herës. Ndërsa tani nuk është kështu. Platforma e çon çështjen drejtpërdrejtë te ministri. Ministri i Energjisë merret me këtë problem dhe për 10 ditë ju merrni përgjigje. Nëse ju takon, sigurisht do merrni përgjigje që ju takon. Nëse nuk ju takon, do merrni përgjigjen që nuk ju takon.
Pikë së pari dua të falënderoj njerëzit e Platformës. Për rastin tim kanë qenë shumë ndihmues. Unë kam pas 2-3 çështje dhe për njërën kam marrë përgjigje përfundimtare shumë pozitive, sipas ankesave që kam bërë. Kam dhe 2 të tjera që janë në proces. E para ka qenë në lidhje me një mbifaturim të elektrikut. Ata ma kanë dhënë zgjidhjen brenda 10 ditësh. Kam pasur dhe një problem me doganën. Edhe aty kam bërë ankesën. Kam ngarkuar të gjitha dokumentet që kërkon platforma. Edhe aty është në proces zgjidhjeje gati 90%. Është dhe një problem tjetër në lidhje me Bashkinë e Lezhës, në seksionin e Urbanistikës që ata e kanë bërë monopol. Unë jam inxhinier projektimesh dhe ata po na zvarrisin vetëm se duan mik, që unë nuk do e pranoj kurrsesi. Prandaj kam besim tek ju dhe besoj që të gjithë njerëzit këtu duhet të ndjekin rrugën e ankimit e mos shkojnë te miku, por të ndihmojnë veten dhe qeverinë.
Kryeministri Edi Rama: Shkruani ankesën siç e ka bërë zotëria dhe e ka marrë zgjidhjen. Në fakt janë 1411 raste të tilla, të ndryshme, por që kanë bërë ankesën dhe kanë marrë zgjidhje. Ankesa për historira që mund të kenë pasur edhe 5 vjet zvarritje. Unë iu them të gjithëve, përpara sesa të talleni, provojeni! Përpara se të shani, provojeni! Përpara sesa t’ju shkojë mendja ku të gjeni mik, provojeni! Përpara sesa të fusni dorën në xhep për të paguar për diçka që nuk duhet të paguani, provojeni! Pasi ta keni provuar, atëherë shikojeni vetë, nëse është vërtet kështu siç them unë, apo është ndryshe. Por është kështu si po ju them unë. Kjo është sfidë e madhe e jona. Kjo është një mundësi që na e jep epoka e re e teknologjisë. Çdo të mërkurë kur qeveria mblidhet, është një pjesë me ekran që dalin të gjitha ankesat, sipas fushave, në është zgjidhur, apo është në proces. Kur ka shkelje afati, se ndodh që ka dhe kalim afati, ka sqarim konkret pse ka kaluar afati. Për këto nuk është përgjegjës zyra “x”, por është personalisht çdo ministër. Problemi ynë është si do bëjmë, nëse këto do bëhen nga 1 mijë, 100 mijë. Por unë kam shumë besim, që këto bëjnë edhe efektin tjetër, sepse në hipoteka e kanë marrë vesh. Po të çoi një qytetar ankesën për rastin që ti e pengon, je i djegur, sepse qytetari do e marrë të drejtën dhe ti do ikësh nga puna. Janë pushuar deri tani, vetëm për këto raste që janë zbuluar në pengim të proceseve, 35 tepsixhinj. Kanë ikur nga puna vetëm nga platforma. Jo me parti, pavarësisht se na dalin që shumica janë të atyre partive të tepsisë, por rasti është kështu. Çuditërisht nuk e di si ndodh, por dalin të këtyre, të kësaj partisë së këpucëve. Por faktikisht është kështu, dalin vetë, nuk shkojmë ne t’i shohim nga këpucët. 35, që do të thotë se mesazhi ka shkuar tek të gjithë dhe aty nuk bëhen dallime. Thashë se shumica dërrmuese janë ata, por një pjesë nuk janë ata. Edhe tek inspektimet e tatimeve, dhunën mbi biznesin. Ka biznese që preferojnë akoma të paguajnë, por ata që e kanë provuar, e kanë parë, iu është dhënë e drejta dhe inspektorët kanë ikur nga puna menjëherë. Edhe ata, çuditërisht, përsëri, shumica, dyqani i këpucëve. Megjithatë, mesazhi është shpërndarë gjithandej. Tani në hipotekë e dinë që, nëse e pengon një qytetar, të gjen belaja nëse qytetari të denoncon. Qytetarët thjesht thonë, mua nuk po më zgjidhet ky problem, nuk thonë kush nuk po ma zgjidh. Menjëherë shkon kontrolli i ministres së Drejtësisë dhe merr informacion se kush e kishte dosjen përkatëse. Ti zgjidh punën tënde, por na ndihmon edhe neve të zgjidhim punën tonë dhe punën e të tjerëve që do vijnë pas teje, që mos pësojnë të njëjtin fat që ke pësuar ti. Po kështu me mbifaturimet. Janë disa raste të mbifaturimeve që janë zgjidhur, mjafton të çohet dokumentacioni në platformë.
Jam nga fshati Klos, komuna Fan. Kam respekt shumë për ty. Faleminderit shumë që ke qenë në shtëpinë time. Nuk ta kanë kallëzuar rrugën me ardh. Unë kam ardh vetëm me të përshëndet për mirënjohjen, për respektin që ke pas për ngjarjen që më ka ndodhur. Sot e kësaj dite, unë nuk kam asnjë shpresë. Jam në qiell të hapur prej 12 muajsh. S’kam lënë letër pa shkruar.
Kryeministri Edi Rama: Meqë ke ardhur për mua sot, unë do vij te shtëpia atje. Do shkojmë bashkë tani dhe do ndalojmë rrëshqitjen atje. Brenda një kohe shumë të shkurtër, unë do vij bashkë me kryetarin e bashkisë.
Jam mësuese në gjimnazin e Rrëshenit. E për këtë arsye dua ta nis me një falënderim të madh për investimin shumë serioz që është bërë në godinën e gjimnazit, me standarde të larta. Por sot jam në këtë dëgjesë, si qytetare për një problemin tim personal. Ka rreth një vit që jam paciente në spitalin onkologjik. Jam diagnostikuar me kancer të gjirit dhe gjatë kësaj periudhe kam kaluar në disa faza në pavijonin e kirurgjisë, kimioterapisë, radiologjisë, me ç’rast falënderoj gjithë stafin e mjekeve dhe të infermierëve për punën dhe përkushtimin e tyre. Dua të ndaj sot me ju një shqetësim. Vazhdoj kurën me një ilaç që quhet herceptinë. Nga fundi i gushtit deri tani duhet të kisha bërë 8 seanca. Kam bërë vetëm 3. Kjo sepse medikamenti mungon. Kam shkuar nga gushti dhe deri dje ishte hera e fundit për t’u takuar me drejtorin e QSUT dhe nuk kam arritur kurrsesi ta takoj. Një burokraci e paparë. Ju siguroj se ky realitet i imi është e vërteta e vetme.
Kryeministri Edi Rama: Së pari dua t’u them se e njoh shumë mirë situatën. Këtë situatë për këtë kurë e kam shumë të qartë, sepse kam marrë disa ankesa. Nuk është çështje e drejtorit të spitalit. Sigurisht ai ka për detyrë të takojë njerëzit që i kërkojnë takim, por nuk është çështje takimi. Mund ta kishit takuar drejtorin e spitalit, por ai nuk ka asgjë në dorë, në këtë drejtim. Kjo është një çështje e fondit dhe sigurisht që mundësitë tona nuk janë të pakufizuara. Bëhet fjalë për kura shumë të shtrenjta. Ky nuk është justifikim, por është për t’ju thënë që në këtë aspekt është bërë shumë. Ju keni një kohë realisht të shkurtër që ju ka çuar halli në atë derë, por gjithë ai pavijon që, siç ju vet e dëshmuat, ju ka shërbyer me dinjitet në një periudhë të caktuar kohe, është i gjithi një realitet i ri, pasi deri përpara tre vitesh aty ishte një katastrofë. Nuk bëhej fjalë fare për këto lloj debatesh. Aty bëhej fjalë për çarçafë dhe për xhama. Fondi i ri i këtij viti është rritur goxha për të mbuluar më shumë nevoja. Duhet të keni parasysh një gjë. Këtu nuk është çështja se nuk është bërë një parashikim. Është bërë një parashikim që ka ardhur në rritje çdo vit, por rritja e rasteve dhe rritja e fluksit të këtyre rasteve në atë pavijon është po ashtu e madhe. Sepse më parë njerëzit aty shkonin në dëshpërimin më të madh dhe në fakt merrnin vetëm shërbimin e mjekëve, por nga pikëpamja e gjithë atyre instrumenteve të rinj që janë vënë atje, edhe e fondit që është shtuar me ilaçe, s’mund të bëhej fjalë. Kështu që ministria bën planifikimet bazuar në disa statistika dhe brenda mundësive, por mbulimi i plotë i rasteve është ende jo i mundur. Kjo është e vërteta. Me fondin e ri, ne do të rrisim financimin edhe për këto kurat shumë të shtrenjta. Është edhe një gjë tjetër për mekanizmin që ne do të shtojmë tani, që ka të bëjë me hapësirën kohore të parashikimit dhe të pagesës së ilaçeve. Do ta shtrijmë më shumë se një vit. Sepse nuk mund të planifikohet dhe nuk mund të financohet njësoj si të tjerat, si librat e shkollës, p.sh, sepse ka një mall që ka siç e thatë edhe ju vlerën e jetës së njeriut brenda dhe nuk mund t’i nënshtrohen periudhës së prokurimeve dhe të mbylljes së vitit, e kështu me radhë. Kështu që po bëhet plani i ri i ministrisë për tre vjet. E kështu, ne do të kemi mundësi që të mos themi më, “tani mbaruan kuotat e këtij viti në gusht dhe ju do prisni të fillojë janari”, sepse për ju faktikisht do të filloje tani me vitin që jemi, por ne harkun e tre viteve këto do të jenë të garantuara. E planifikimi të bëhet për trevjeçarin tjetër. Kështu që të kemi më shumë stabilitet, në këtë aspekt. Shembulli juaj është shembulli tipik për të thënë që nëse kthejmë kokën pas, jemi në kushte që mund të themi se kemi bërë shumë, por nëse shohim përpara, themi që ajo që duhet bërë ashtë akoma shumë. Kështu që me ndjesën për këtë shqetësim të madh që ju është krijuar, por dhe me shpresën që ju të mirëkuptoni pozicionin tonë, unë di t’ju them që këtë vit, nga njëra anë kurimi do të rifillojë dhe nga ana tjetër me planifikimin e ri do të kemi më shumë stabilitet në financimin edhe të këtyre kurave që janë të shtrenjta. Ky është rasti i 4 apo i 5 që unë dëgjoj për të njëjtën gjë.
Kam një problem me energjinë elektrike. Jemi 50 banorë që kemi hyrë në një pallat të ri. Nuk kemi kontratë me OSHEE. Në fakt nuk ka detyrim shteti se nuk më ka thënë shteti futu me zor, por unë kam shkuar dhe kam blerë shtëpinë aty. Personi, të cilit i ka dhënë leje shteti, nuk na jep llogari neve 50 familjeve. Kemi probleme me linjën, pasi nuk mban dhe vazhdimisht nuk kemi drita. Nëse na lidhet kontrata e dritave, kemi vendosur që të blejmë një transformator me lekët tona.
Kryeministri Edi Rama: Së bashku do ta gjejmë një zgjidhje. Se si, nuk mund ta them tani, por edhe që ta lëmë varur këtë punë, nuk bën. Do ulemi të flasim dhe do të gjejmë një zgjidhje. Ne kemi nxjerrë një ligj për të gjitha rastet e pallateve, sepse nuk janë të vetëm këta. Çudia është që ka ndodhur këtu në Mirditë, po në Tiranë raste të tilla ka plot, që i kanë lënë ndërtuesit në baltë. Në fakt i jepen të gjitha lekët ndërtuesit përpara se ta marrë në dorëzim shtëpinë, pa kontrata që të mund ta çosh në gjyq. Por kjo është histori tjetër. I kemi dhënë zgjidhje situatave që kanë të bëjnë me lejen e shfrytëzimit dhe pastaj me hipotekimit. Nëse i referohemi ligjit, ju mund ta jepni lejen e shfrytëzimit e të bëni hipotekimin e pallatit në rast se pallati nuk ka rrezik shembjeje.
Unë vij nga Lura. Kam vajtur në Lurë në vitin 2009 ku jap mësim. Gjatë kësaj kohe jam munduar të formësoj dhe një fermë peshku dhe unë dua t’ju pyes ju, a mund të qëndroj në Lurë, pasi atje nuk kam rrugë. Nëse ju do të më premtoni që ky komunitet do të ketë një rrugë prej 35 kilometrash, unë do t’ju falënderoja e do t’ju ftoja, pasi në Lurë, që nga viti ’68 nuk ka qenë asnjë kryeministër tjetër.
Kryeministri Rama: Kemi diskutuar për këtë rrugën e Lurës dhe jo më larg se mbrëmë me kryetarin e bashkisë. Eshët diçka që po e vlerësojmë, jo rëndësinë, sepse rëndësinë e dimë të gjithë. Ka një interes të madh, jo thjesht për Mirditën, por për ekonominë kombëtare, sepse është një zonë me një potencial të madh turistik dhe me siguri që nuk do prisni sa keni pritur. Kjo është e sigurt. Realisht është një investim serioz dhe ne ndërkohë po bëjmë shumë të tjera dhe kemi këtë vit një program investimesh, realisht më të madhin ndonjëherë për infrastrukturën rrugore në harkun e një viti, qoftë me buxhetin, qoftë me programin “1 miliardë për rindërtim”, qoftë me financime të tjera të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në mbështetje nga Banka Botërore, apo nga Bashkimi Europian, kështu që besoj do ta fillojmë edhe atë kantier, por jo në pjesën e parë të mandatit, por brenda mandatit me siguri do ta fillojmë atë kantier.
Unë jam një specialist i minierave i viteve ’60-’90-të dhe na kanë nxjerrë me raport e ne nuk marrim asnjë lek.
Kryeministri Rama: Nëse ke të gjithë dokumentacionin që provon këto që thua, kjo është një gjë që zgjidhet në bazë të statusit. Na e përcillni rastin tek ministri i Ekonomisë dhe ta zgjidhim.