Kryeministri Rama prezantoi sot Drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa, në një takim të zgjeruar, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe me pjesëmarrjen e stafit të AKSHI-t, vajza dhe djem të talentuar, të cilët nën drejtimin e ish-drejtores Linda Karçanaj, i kanë dhënë jetë revolucionit digjital që e ka bërë Shqipërinë lider në rajon e shembull pozitiv në çdo klasifikim apo raport ndërkombëtar mbi qeverisjen digjitale.
“Ky ekip është një nga asetet më të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë. Për ne është shumë e rëndësishme që ky institucion të vazhdojë punën, ky institucion të vazhdojë të jetë ai fari që orienton të gjithë lëvizjet e anijeve dhe tregon se ku është porti përsa i përket revolucionit dixhital. Dhe unë dua t’u inkurajoj për këtë gjë.” – iu drejtua kryeministri të pranishmëve.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Faleminderit për këtë moment që ndajmë së bashku! Vendosa të vij vetë këtu për të prezantuar drejtorin e ri të cilin ju e njihni, por në radhë të parë desha të vij vetë për të bërë një falënderim shumë të madh për Linda Karçanaj, e cila ka punuar pranë meje për 2 dekada e më shumë, qysh se kemi qenë në Bashkinë e Tiranës, të cilën e njoh si një nga njerëzit më të përkushtuar ndaj funksionit dhe shërbimit publik në këtë vend, të cilën ju e njihni vetë personalisht edhe besoj ndani me mua, opinionin që Linda ka qenë gjithnjë e para që vinte në punë dhe e fundit që largohej nga puna.
Jam i pikëlluar për gjithçka ajo po kalon, në radhë të parë, për agresionin barbar të portaleve dhe të rrjeteve të dhunës verbale, që e asociojnë me gjëra, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Lindën.
Natyrisht që, si gjithmonë edhe në këtë rast unë nuk hyj në meritën e çështjes në fjalë, nuk kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e atyre kompanive të përfshira në një hetim, por unë kam dijeni për faktin që Linda është një nënë e vetme me dy fëmijë, ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik.
Kam dijeni për faktin se me të gjithë partnerët dhe ju e dini më mirë se unë, që AKSHI ka partnerë të nivelit të lartë sepse janë të mëdhenjtë e teknologjisë; Microsoft, Oracle e me radhë. Unë kam dëgjuar fjalët me entuziaste dhe mbresat më të jashtëzakonshme për ju, për stafin tuaj dhe për Linda Karçanaj.
I them të gjitha këto në respekt të një personi për shkak se ndodhet sot në një kalvar, nga ku unë dua të besoj me gjithë zemër, që do të dalë e pastër, por në të gjitha rastet, nuk më takon mua ta them këtë gjë, i takon drejtësisë. Ama kjo nuk do të thotë që t’i hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe t’i hidhet poshtë revolucioni që ka udhëhequr së bashku me të gjithë ju.
Ky ekip është një nga asetet më të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë dhe unë jam i keqardhur për ata ndër ju, që janë vënë nën presion; jam i keqardhur për ata ndër ju që janë keqtrajtuar, abuzuar dhe përballur me metoda shtrëngimi të pajustifikueshme në një republikë demokratike, por nga ana tjetër dua t’ju them se jetojmë në një fazë të historisë sonë kur po ndodh një tjetër revolucion, si ai revolucioni që ju keni bërë dhe bëni përditë për të transformuar Shqipërinë në një shëmbëlltyrë të botës se re digjitale dhe për ta vënë botën digjitale në shërbim të njerëzve, të sipërmarrjeve, të zhvillimit, por ndodh dhe një tjetër revolucion më i egër, më i dhimbshëm, me më shumë plagë dhe me më shumë brutalitet, por i domosdoshëm; revolucioni i transformimit të sistemit të drejtësisë nga një kalbësirë e gjallë, në një sistem drejtësie të drejtë, të barabartë dhe funksional. Jemi shumë larg prej kësaj të fundit, por rruga është pa kthim dhe për fat të keq, nëse në botën tuaj virtuale eksperimentet bëhen me algoritme dhe nëse në botën tuaj virtuale dështimet janë ngecje, fikje të programit apo të kompjuterit, në këtë botën e revolucionit të drejtësisë, këto bëhen mbi lëkurën e njerëzve dhe nuk është një kompjuter qe fiket, është një jetë njeriu që vendoset në një pozitë aspak të admirueshme dhe aspak për t’u pasur zili, kur është i pafajshëm dhe në këtë revolucion, ne jetojmë në një fazë kur nuk është prezumimi i pafajësisë ai që udhëheq veprimtarinë e të gjithë atyre që duhet ta transformojnë ketë sistem në një sistem të drejtë dhe demokratik, por është prezumimi i fajësisë dhe ky është element dramatik i këtij procesi.
Pra, nëse mbi AKSHI-n ka një hetim, në një botë të drejtë ë gjithë duhen të prezumoheshin të pafajshëm ndërkohë që të gjithë prezumohen të fajshëm dhe të gjithëve iu kërkohet të tregojnë. Ky është një moment i vështirë.
Disa prej jush këtu janë “UFO”, janë njerëz që jetojnë me ekranin e kompjuterit dhe jam i bindur qe mund edhe të harrojnë të hanë për disa ditë dhe sigurisht që kur duhet të përballen me këtë brutalitet të jetës reale, me të drejtë mund të ndihen të çorientuar dhe të destabilizuar në proceset e tyre të punës, por unë dua t’ju them një gjë, në fund e drejta del. Ka një kosto patjetër. Kostoja në këto kushte mund të jetë dhe më e lartë, por del dhe për më tepër, për ne është shumë e rëndësishme që ky institucion të vazhdojë punën. Ky institucion të vazhdojë të jetë ai fari që orienton të gjithë lëvizjet e anijeve dhe tregon se ku është porti, për sa i përket revolucionit digjital.
Dhe unë dua t’ju inkurajoj për këtë gjë. E di që nuk është ky thelbi, por së bashku me ministren kemi vendosur të ndërhyjmë në legjislacion dhe të bëjmë një rritje domethënëse të pagave tuaja për t’ju thënë që ne ju kemi shumë të çmuar. Ne ju kemi shumë të shtrenjtë dhe nuk duam që ju ta braktisni shërbimin publik.
Ne nuk duam që ju talentin tuaj ta vini në dispozicion të sektorit privat, por ne duam që të besoni që ky është vendi, kjo është shtëpia juaj, këtu jeni ju zot shtëpie dhe nga kjo shtëpi, ju i shërbeni kaq shumë njerëzve, ju lehtësoni jetën e kaq shumë njerëzve, ju bëni që kaq shumë njerëz të shërbehen me një shpejtësi që askush s’do ta kishte imagjinuar dot, deri disa vite më parë dhe ky është një moment për të qenë solidar me njeri-tjetrin, për të ndarë me thikë atë që është një çështje që me të cilën do të merret drejtësia për t’u lutur së bashku që drejtësia të jetë sa më e drejtë.
Në ndërkohë që, nga ana tjetër për të qenë një skuadër që shkon në të njëjtin drejtim dhe që projekton të njëjtat qëllime dhe që i gëzohet të njëjtave suksese.
Ne duam që ky të bëhet një vend ku të tjerët të vijnë siç kanë ardhur gjatë gjithë këtyre viteve dhe jo të ikin. Unë pikëllohem kur dëgjoj histori njerëzish që kalojnë trauma. Unë pikëllohem kur dëgjoj që një nënë me fëmijë dy muajsh pasi ka luftuar me kancerin për vite e vite të tëra dhe ka dashur të jetojë sepse ka dashur të bëhet nënë vendoset përpara dhëmbëve të një fytyre të verbër që nuk është verbëria e drejtësisë që gjykon drejt, por është verbëria e brutalitetit që humb gjykimin, por duhet të më besoni që nuk ka një rrugë tjetër. Po të kishte një rrugë tjetër të jeni të sigurt që unë i pari do ta kisha marrë, por nuk ka një rrugë tjetër për ta bërë këtë vend një vend ku pas 10 vitesh, 15 vitesh drejtësia të jetë ajo që është në të gjitha vendet e BE ku ne duam të bëhemi pjesë e pandarë. Patjetër do të kërkojë vite! Sa vite ka kërkuar ky transformim që keni bërë ju? Nuk është bërë menjëherë. Linda e ka hapur derën e AKSHI-t.
AKSHI kishte një emër që nuk i thoshte asgjë askujt dhe kishte një grusht shërbimesh jo domethënëse dhe kishte një numër përdoruesish që ishin disa mijëra.
Sot AKSHI ka përdorues të gjithë shqiptarët, në Shqipëri dhe në të gjithë botën, përmes e-Albania.
Është një fatkeqësi shumë e madhe që emri i AKSHI-t të njolloset, por nga ana tjetër nuk mund të themi që për shkak të gjithë këtij transformimi dhe për shkak të gjithë kësaj barre që ju mbani, AKSHI është i pa hetueshëm ose më saktë që një veprimtari e caktuar lidhur ne AKSHI-n është e pa hetueshne. Këtë s’mund ta pretendojmë dot. Ama, ashtu siç suksesi juaj ka kërkuar kohë dhe sot ne flasim për inteligjencën artificiale, sot ne flasim për një model. Dje kemi qenë bashkë me Enion, me ministren dhe me drejtorin e ri në një Zoom me Nvidia dhe Nvidia është e gatshme të bëhet partnere për Diellën. Të bëhet partnere me ne Nvidia për Diellën. Çfarë është Diella? Diella është një produkt i Enios, i Lindës dhe i të tjerëve këtu që punojnë me ta dhe që më falni se unë po njoha një qeros, me qerosin lidhem dhe të tjerët nuk më bëjnë përshtypje. Është e paimagjinueshme.
Është një histori prekëse me vërtetë, që një grusht të rejash dhe të rinjsh këtu në Shqipëri prodhojnë diçka për të cilën ka folur e gjithë bota dhe sot ne jemi në kushtet kur së shpejti ju do të shikoni, do të vijnë këtu ekipi Nvidias për të filluar punën për ta çuar Diellën në një nivel krejt tjetër. Si është e mundur kjo? Kjo është e mundur sepse e bëtë ju, prandaj ju jeni shumë të çmuar.
Nëse për një moment do të mendonin që të fikeshin dritat e kësaj shtëpie, Shqipëria do të kthehej në epokën e gurit në kuptimin e gjithçkaje që ishte përpara se ju ta transformonit këtë vend në vendin e mbi 1000 shërbimeve publike online dhe në vendin ku s’ka radha. Tani i kemi dhe disa sfida të tjera. Kush do t’i bëjë? Ju do t’i bëni me gjithë mbështetjen dhe gjithë dashamirësinë dhe përkujdesjen tonë. Ju do t’i bëni. Sfidën e prokurimeve publike me inteligjencën artificiale, që do ta transformojë totalisht qasjen e një administrate shtetërore ndaj prokurimeve publike dhe që do bëhet një model dhe për të tjerët. Edhe aty do punojmë me Nvidian siç po punojmë me Microsoft. Aleanca jonë me Microsoft është e jashtëzakonshme. Admirimi i skuadrës së Microsoft për ju është i jashtëzakonshëm. Unë së bashku me Linden kemi takuar një ndër drejtuesit e lartë të Microsoft dhe më ka shprehur konsideratat më të larta për AKSHI-n dhe për Shqipërinë digjitale.
Nuk duhet të dorëzoheni, nuk duhet të ligështoheni dhe duhet të jeni solidar dhe duhet të kuptoni që në fund të ditës çfarë nuk të vret, vetëm të forcon. Kjo është jeta, ka sfida që i zgjedhim vetë. Duam të bëjmë inteligjencën artificiale një forcë të re të këtij vendi. Kjo është një sfidë që e zgjedhim ne, por ndërkohë që ne duam të bëjmë këtë, ka një sfidë që ka zgjedh ne, që është sfida që të përballemi me një çështje të drejtësisë. Në këtë rast me një çështje që prek AKSHI-n, prek reputacionin, krijon mjegull, dhe në mjegull ju e dini se sa hiena, ujq, dhelpra, minj e gjithfarëlloj dykëmbësh me katër këmbë ka Shqipëria, por kjo nuk do të thotë aspak që ne të mos shohim që e nesërmja është përsëri e jona dhe nesër dielli do lindë përsëri.
Unë erdha këtu për t’iu thënë të gjithëve ju që sinqerisht dhe realisht ju jeni një nga gurët më të pazëvendësueshëm të mozaikut të shtetit shqiptar dhe për këtë arsye duhet të ndjeni shumë krenar, po duhet të ndjeni edhe një përgjegjësi që shkon përtej individit. Unë jam i bindur që këtu ka njerëz që sot mund ta lënë punën dhe të shkojnë menjëherë të marrin një punë në sektorin privat dhe të keni pagë edhe më të lartë. Po ne do ta bëjmë AKSHI-n që të ketë pagat më të larta në Shqipëri dhe mos ketë asnjë ndërmarrje private kapacitet ta konkurrojë. Ky është qëllimi dhe këtë do të bëjmë, sepse AKSHI është një është një stacion ku çdokush që merret me teknologjinë e lartë duhet të ëndërrojë të vijë të punojë dhe ne do ta bëjmë këtë, ne do ta bëjmë këtë.
Kjo vështirësi që po kaloni ju dhe të jeni të sigurt që unë jam me ju në këtë vështirësi, sepse më dhëmb po aq shumë sa ju, çdo goditje e pa denjë dhe e pa drejtë që i bëhet këtij institucioni dhe këtij emri për shkak të një çështje që ka rrugën e vet. Është absolutisht e pajustifikueshme dhe e papranueshme që një talent, siç ka plot këtu në këtë fushë, ku bota, talentet si tuaja i përkëdhel gjithë kohës.
Tani nuk dua të zgjatem për Iglin, unë jam i bindur që ju e dini se kush është. Igli është një tjetër rekrut i Shqipërisë dixhitale, i cili ka lënë misione dhe punë të tjera në vende të tjera, po ashtu jo vetëm në Shqipëri dhe ka ardhur të shërbejë në një moment shumë dramatik, kur ne u sulmuam nga terrori kibernetik. Kapaciteti i tij drejtues, por jo drejtues në kuptimin e dikujt që thjesht menaxhon, por e dikujt që është pjesë e juaja, sepse bën të njëjtën gjë, kupton gjuhën tuaj, kupton sfidat tuaja, na bëri së bashku me ministren që t’i kërkojmë të s’postohet brenda të njëjtës godinë dhe unë jam shumë i kënaqur që Igli e mori këtë propozim si një detyrë, jo si një ftesë për të shkuar në një festë, sepse nuk është e lehtë kjo detyrë në këtë moment, po e mori si një detyrë për të mos lejuar që gjithë kjo skuadër të ndjehet e pa drejtuar edhe pse Romina me mundësitë dhe kapacitetin e saj bëri më të mirën në gjithë këtë periudhë, por duke qenë pjesë, e të njëjtës hapësirë traume, unë ia mirëkuptoj edhe vështirësitë që pati, por Romina do të jetë përsëri në pozicionin që ishte bashkë me Iglin, do të punojnë së bashku edhe besoj që gjërat do të shkojnë ashtu siç duhet.
Mund të flisja edhe më gjatë, por më ha mendja që nëse ju ka marrë malli të dëgjoni fjalime të gjata nga unë, mund t’i gjeni shumë kollaj ose prisni ndonjë orë sa të dalë diku tjetër edhe. Por realisht mund të flisja më gjatë, sepse e kam realisht nevojshme t’ju them se sa shumë respekt kam për ju, edhe sa shumë e vlerësoj atë që bëni ju, dhe se sa shumë të rëndësishëm jeni ju për këtë vend. Është njësia më speciale e Republikës së Shqipërisë, së bashku me njësinë e mbrojtjes kibernetike.
Kështu që detyra juaj tani është të shtrëngoni radhët dhe të fokusoni tek punët e mëdha që kemi planifikuar, tek produktet e reja që kemi ëndërruar dhe për të cilat po punoni dhe detyra ime dhe e Delinës është që një orë e më parë t’ju sjellim në bordero paga më të larta. Për të çuar deri në fund atë që unë e kam kërkuar që në fillim nga ministrat e financave, që AKSHI duhet të jetë jashtë sistemit normal të pagave, për shkak se konkurrenca në këtë fushë është shumë e fortë dhe për shkak se sektori privat ka paga shumë të larta dhe ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që në këtë institucion mos të kemi më të mirët, pasi këtu janë të gjitha të dhënat, këtu janë të gjithë planet e së ardhmes, këtu janë të gjitha pikat e ndjeshme të organizimit të vendit, këtu dhe te AKCESKU. Kështu që kjo është një domosdoshmëri.
Këto kisha unë, tani po ia kaloj fjalën drejtorit të ri.