Qeveria ka miratuar ndryshime në tre ligje që lidhen me sistemin financiar, me synim modernizimin e kuadrit ligjor dhe përafrimin e mëtejshëm të tij me standardet e Bashkimit Evropian.
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi projektligjet, të cilat përfshijnë ndryshime në ligjin për sistemin e pagesave, ligjin për shërbimet e pagesave dhe ligjin për bankat.
Sipas tij, këto ndërhyrje jo vetëm modernizojnë sistemin financiar shqiptar, por shërbejnë edhe për përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor me direktivat e Bashkimit Evropian, duke kontribuar njëkohësisht në procesin e negociatave për Kapitullin 4, që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit.
Ministri Malaj theksoi se ndryshimet sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, përmes uljes së kostove të transaksioneve financiare, forcimit të mbrojtjes së konsumatorëve, rritjes së sigurisë në sistemin financiar, si dhe nxitjes së konkurrencës dhe efikasitetit në treg, masa që sipas tij pritet të përmirësojnë funksionimin e sistemit financiar dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.