Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Takimi në Zyrën Operacionale të Situatës në Kryeministri, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, i ministrave dhe drejtuesve të strukturave të shtetit për gjendjen e vendit në ditën e dytë të situatës së krijuar nga kushtet  e rënduara atmosferike:

Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjesi!

Faleminderit që në vazhdimësi keni ndjekur situatën dhe është me rëndësi që në vazhdën e transparencës që kemi bërë dhe për publikun, por edhe në funksion të vazhdimësisë së ndjekjes në proces, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, të bëjmë një pasqyrë të situatës, duke u fokusuar jo thjesht tek nata që kaloi, por dhe tek dita që sapo ka filluar. Kështu që, Drejtori i Emergjencës Civile të marrë fjalën, pastaj me radhë.

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premci: Faleminderit Zoti Kryeministër!

Në ndryshim nga situata e djeshme kemi këto të reja, në raport me situatën e Emergjencave Civile në gjithë Shqipërinë. Janë ulur shkarkimet në kaskadën e Drinit, por janë rritur prurjet në lumin Kir. Për rrjedhojë ka prezencë uji në rajonin e Bërdicës dhe janë marrë masa për evakuimin e disa familjeve. Në Lezhë po punohet me kapacitete të plota nga Bordi i Kullimit dhe forcat e Emergjencave Civile për rehabilitimin e argjinaturës. Kemi pasur problem në rajonin e Fushë-Krujës, për shkak të daljes së lumit Zezë nga shtrati. Në Tiranë ka pasur probleme në rajonin e urës së Limuthit, ku është bllokuar një kolektor dhe janë dëmtuar disa biznese të mëdha e po punohet nga Bordi i Kullimit për zhbllokimin e kolektorit. Atje janë gjithë forcat e Bordit të Kullimit, Emergjencave Civile, të Shërbimit Zjarrfikës dhe të policisë.

Situata pak më ndryshe parashikohet për shkak të reshjeve në rajonin e jugut. Është njoftuar nga shërbimet e shtetit fqinj, Greqisë, se po rriten prurjet e lumit Vjosa. Specialistët e Emergjencave Civile dhe shërbimeve meteorologjike po testojnë prurjet e lumit Vjosa në hyrje të territorit të Shqipërisë, në rajonin e Gjirokastrës dhe në rajonin e Tepelenës dhe është vlerësuar situata. Për këtë janë njoftuar prefektët e gjithë rajoneve, është rritur prezenca e gjithë strukturave. I është kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes shtimi i kapaciteteve njerëzore në terren dhe i kapaciteteve teknike. Jemi mbështetur për të gjithë rajonin në Gjirokastër, në Vlorë e në Fier, me prezencën e 300 forcave ushtarake, të gjitha ekipet të kompletuara për evakuim dhe ndërhyrje e shpëtim.

Janë marrë masat për sensibilizimin e gjithë opinionit publik, sidomos njoftimi derë më derë i të gjithë qytetarëve në rajonin e Fierit dhe të Vlorës, për t’i njoftuar që të reagojnë menjëherë duke u larguar nga shtëpia, nëse do të ketë prezencë të ujit në nivele të larta që shkaktojnë përmbytje.

Gjithashtu në Prefekturën Vlorë janë angazhuar dhe disa kompani private, për të marrë masa për parandalimin e përmbytjeve në rajonin e Bashkisë Selenicë.

Shtabet e Emergjencave bëjnë raportime çdo gjysmë ore dhe përgatitet raporti i përditësuar, me qëllim që të merren masat paraprake për të parandaluar. Është këmbëngulur që t’i kushtohet rëndësi të 4 fazave të emergjencës civile dhe paralajmërimit, me qëllim që të konsumojmë shumë pak forca për sa i përket operacionit dhe rehabilitimit. I është kushtuar rëndësi parapërgatitjes dhe paralajmërimit, sepse situatat e kaluara prej 2 ditëve ka rezultuar se si rezultat i mosbindjes së thirrjes së Emergjencave Civile nga disa banorë janë shkaktuar disa dëme, sidomos në rajonin e Tiranës, kryesisht në Babrru dhe në rajonin e Treshit në Bashkinë e Tiranës, si dhe në rajonin e Bashkisë së Kamzës. Fakti që disa banorë kanë hezituar për t’u larguar, ka vështirësuar operacionet e strukturave të Emergjencave Civile, por kanë shkaktuar dhe shumë dëme, të cilat kërkojnë një investim tërësor për rehabilitimin e tyre. Do të ishte me vend që në këtë këndvështrim të këmbëngulin më shumë njësitë e qeverisjes vendore, për të bindur qytetarët që evakuimi duhet të jetë mëse i detyrueshëm, sidomos pas thirrjes së strukturave të Emergjencave Civile. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit Zoti Drejtor! Besoj që situata në zonën e jugut do të jetë e rënduar, sipas parashikimeve, por ndërkohë kemi parë që punët që kemi bërë dhe masat që kemi marrë, duke bërë pastrime masive të kanaleve, si dhe duke investuar në disa segmente pas përmbytjeve të mëparshme, e kanë relaksuar goxha situatën. Mjafton të themi që, nëse pika e parë e përmbytjes gjithmonë në këto raste ishte Fieri dhe zemra e zonës së përmbytur ishte qyteti i Fierit, kjo gjë, të paktën deri tani, nuk ka rezultuar.

Dua t’i jap fjalën ministrit të Bujqësisë për një përditësim të situatës, bazuar në të dhënat më të fundit dhe sigurisht, edhe për pritshmërinë lidhur me çfarë duhet të dinë në veçanti banorët e pjesës së jugut, kryesisht në luginën e Vjosës.

Ministri Edmond Panariti: Faleminderit Zoti Kryeministër! Të nderuar anëtarë!

Më lejoni fillimisht, para se të kaloj në pjesën e jugut ku shikohet dhe zhvendosja e frontit atmosferik, të bëj një përditësim në situatën në zonën e Mamurrasit, Kurbinit dhe të Lezhës. Hidrovorët janë në punë të pandërprerë. Katër ekskavatorë të fuqishëm po punojnë për normalizimin e situatës. Në Drojë u mbyll argjinatura, në orën 02:00 të mëngjesit, pas një pune të jashtëzakonshme. Duke punuar me ekskavatorë u arrit që të bllokohej e çara në argjinaturë. Në Tale, argjinatura e thyer është mbyllur, po kështu gjatë natës. Ka një bashkëpunim të shkëlqyer mes bashkisë, Bordit të Kullimit dhe ushtrisë, në përballimin e situatës. Një sinkroni që në një farë mënyre ka qenë shumë efektive, sidomos për pastrimin e grykëderdhjes së përrenjve, që janë dhe faktori kryesor i bllokimit. Kjo punë po vazhdon edhe në momentin që po flasim, me ekskavatorë që janë të përqendruar në grykat e përrenjve, për t’i çliruar ato nga inertet. Kemi sipërfaqe të mëdha nën ujë, aktualisht në Xhorë, në Zhej, por me një tendencë të theksuar në ulje, pasi kanalet tërheqin, hidrovorët janë në punë. Në lumin Mat, njoftohemi se përsëri kemi rritje të shkarkimeve të detyruara nga hidrocentralet. Jemi duke monitoruar situatën dhe në gatishmëri për të parë sesi do evoluojë. Po monitorojmë argjinaturën e Daragjatit, e cila mori një goditje nga vërshimet e ujërave. Në lumin Kir ka gërryerje të mëdha të brigjeve dhe po shikohet mundësia e  ndërhyrjes, pasi të kemi një përmirësim të situatës.

Për sa i përket situatës në jug, unë gjatë gjithë natës kam komunikuar me Bordin e Kullimit. Ata janë të gatishmëri. Në Fier dhe Lushnje nuk kemi situatë kritike për momentin. Gjithsesi duhet të jemi të përgatitur, për arsye se situata është në evoluim e sipër. Po monitorohet niveli i Vjosës, i cili ka një tendencë rritjeje e kjo u pa qartazi në Mifol, ku kemi një avancim. Por, ashtu siç tha Kryeministri, ne i kemi dalë përpara kësaj situate, duke investuar në 15 nyje, nga argjinatura, me diga, gjatë gjithë verës. Për rrjedhojë, ekzistojnë të gjitha kushtet për ta parandaluar me sukses një fluks të madh ujërash që do na vijnë nga rrjedha e sipërme e Vjosës, që fillon në Greqi dhe për rrjedhojë do të jemi në gjendje për të përballuar shumë më mirë atë situatë që u krijua dy vite më parë. Kjo është situata për momentin. Sigurisht që jemi në ndjekje të vazhdueshme. Besoj se do vazhdojë kjo situatë, deri në fund të javës.

Kryeministri Edi Rama: Duke falënderuar dhe ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës për ndjekjen në terren, do ishte mirë të kishim një përditësim në lidhje me situatën e akseve rrugore dhe nëse ka ndonjë element që ia vlen të komunikojmë me publikun për pritshmërinë në zonat ku pritet të ketë prurje më të mëdha të ujit, gjatë ditës së sotme.

Ministri i Transporteve, Sokol Dervishi: Faleminderit Zoti Kryeministër! Faktikisht, në lidhje me sa u diskutua dhe për atë që pritet të ndodhë për zhvendosjen e atmosferës meteorologjike dhe përkeqësimit të saj në zonën e jugut, unë dje shkova personalisht, inspektova një pjesë e të zonës së jugut, Tiranë, Fier, Vlorë, duke përfshirë dhe portet. Ajo që vlen të theksohet është gatishmëria e lartë e të gjitha autoriteteve për të paraprirë dhe përballuar çdo situatë. Për të gjitha ato pikat e nxehta, përgjithësisht kur ka situata të rënduara, ka shkarje dherash, apo rrëshqitje të rrugëve, ishin në vend kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve. Kështu që masat paraprake janë marrë, për të përballuar çfarëdolloj situate që do të mund të paraqitet.

Është e vërtetë që ka një tendencë për t’u përkeqësuar situata në jug të vendit. Një thirrje që ne i bëmë qytetarëve dje, në mënyrë mediatike, është që të shmangin sa më shumë udhëtimet për arsye jo të qenësishme. Nëse është e panevojshme për të lëvizur, është mirë të shmangen këto lëvizje, për të parandaluar çfarëdolloj të papriture.

Në raport me situatën e përgjithshme më lejoni të them që veçanërisht e përkeqësuar ka qënë gjatë ditës së djeshme situata në veri. Ka pasur bllokime të rrugëve, për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, rrëshqitjeve të dherave dhe gurëve dhe bllokimit të disa segmenteve, ku është punuar intensivisht nga gjithë strukturat për pastrimin e tyre. Përgjithësisht nuk ka asnjë rrugë të bllokuar, me gjithë problematikën. Mund të ketë rrugë që janë të kalueshme me një kalim, disa prej tyre për mjete të vogla, për të shmangur fluksin e mjeteve të rënda. Përgjithësisht situata, me gjithë vështirësitë, është në menaxhim.

Dëme të mëdha janë shkaktuar në një pjesë të rrugëve, të cilat kanë qenë gjithmonë problematike dhe që duhet të vlerësohet më pas, për të parë mënyrën e rekuperimit të tyre. Veçanërisht në zonën e veriut, lumenjtë kanë gërryer shtretërit e rrugëve dhe kanë kryer dëme jo të vogla, për të cilat, ne duhet të marrim masa të menjëhershme më pas.

Ajo që duhet të theksoj përveç situatës në infrastrukturën rrugore, është situata në ujësjellës, e cila është e stabilizuar. Ka pasur shumë pak probleme, vetëm atje ku ka pasur mungesë të energjisë elektrike për shkaqe natyrore. Përgjithësisht është situatë e administruar dhe nën administrim.

Situata e porteve duket optimale. Unë dje bisedova dhe në Portin e Vlorës dhe Portin e Durrësit. Porti i Vlorës është pak më problematik, se është port i hapur. Nuk ka pasur ndonjë problem. Dje në darkë janë nisur tragetet e udhëtarëve. Në Durrës gjithashtu situata është normale, pa asnjë problem deri tani.

Në sektorin e hekurudhave nuk kemi pasur ndonjë problem. Kanë funksionuar, për aq sa funksionojnë hekurudhat shqiptare, por nuk ka pasur ndonjë shqetësim të jashtëzakonshëm.

Në situatën e transportit ajror mund të them që ka pasur vetëm një vonesë avioni, për 15 minuta.

Situatat është përgjithësisht e qetë dhe pa ndonjë problem të madh. Ajo që dua të evidentoj dhe të rikërkoj nëpërmjet këtij komunikimi është që qytetarët duhet të jenë shumë të vëmendshëm, veçanërisht kur njoftohet për reshje shiu intensive, në segmente të shkurtra kohore, sepse ky është momenti kur kryhen dëmet më të mëdha dhe problematika e menaxhimit është më e madhe. Besoj se me këtë mënyrë komunikimi dhe bashkëpunimi që kemi funksionuar, do të jemi në gjendje që ta përballojmë sa më mirë. Është një situatë e vështire, padyshim, por mënyra sesi po funksionojmë, po e lehtëson. Ka një ballafaqim dhe menaxhim më të mirë se herë të tjera.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit ministër! Një përgjithësim i shkurtër nga ana e ministrit të Energjisë.

Damian Gjiknuri: Faleminderit Zoti Kryeministër! Të nderuar kolegë!

Po ju jap një informacion të fundit, që është i orës 08:00 të mëngjesit të ditës së sotme. Në Fierzë, kuota ka arritur 290.58 metër. Prurjet janë rreth 2000 metër kub. Në Koman, kuota është rreth 171.61 metra dhe në Vaun e Dejës ka arritur 74.84 metra. Çka do të thotë se kuota që përcakton Rregullorja për Fierzën po fillon po kalohet. Nga Fierza nuk kemi bërë asnjë shkarkim, për të ruajtur nivelin e rezervës energjetike. Njëkohësisht, të gjitha agregatet kanë qenë në punë për të prodhuar energji. Pikërisht për të trajtuar këtë situatë, sot do të mblidhen Komisioni i posaçëm i Flotave, pasi Fierza ka një hapësirë deri në 296 metra si kuotë maksimale, për të marrë një vendim, nëse mund të lejojmë të mbajmë një nivel diçka më të lartë brenda normës së lejueshme, në mënyrë që të pengojmë rrjedhjet, apo shkarkimet e tepërta në basenin e Komanit, gjë që do të përbënte më shumë problem për mungesën e aftësisë së shkarkimit të pjesës së Komanit dhe të Vaut të Dejës më vonë. Pra, nisur nga kjo situatë, sepse në total, prurjet natyrale janë mbi 3000 metër kub në sekondë dhe shkarkimi deri tani është te kuota 1700-1800 metër kub në sekondë, Komisioni do të marrë një vendim dhe ky vendim do t’i njoftohet publikut se çfarë hapësirë do të lëmë, nëse liqeni i Fierzës do të grumbullojë sasi më të mëdha uji.

Prodhimi i energjisë vazhdon krejt normalisht. Së fundi, gjatë natës u negociua edhe me KEK, në mënyrë që ata të fikin një agregat dhe të marrin energji nga ne, që të kemi mundësi të depozitojmë dhe një pjesë të energjisë në Kosovë, për ta përdorur në një periudhë të mëvonshme. Nga pikëpamja e prodhimit, gjithçka po shkon siç duhet dhe ndërkohë janë futur në efektivitet gjitha operacionet tregtare për shitjen e energjisë, tepricave, depozitimin. Nga pikëpamja ekonomike nuk ka pasur ndonjë problem për Korporatën.

Sistemi i Transmetimit, pra, i tensionit të lartë është i gjithi funksional. Nuk ka pasur asnjë problem, asnjë defekt as gjatë natës. Vazhdon puna krejt normalisht.

Sa i përket problemeve të shpërndarjes, në përgjithësi shkëputjet e energjisë kanë ndodhur për shkaqe të erërave të forta dhe të nevojës për të siguruar nga ana teknike rrjetin dhe njëkohësisht për të evituar pasojat që mund të vijnë nga funksionimi normal i rrjetit energjetik. Kryesisht vihen re në zonën e jugut, sepse, siç u tha këtu dhe siç konfirmohet nga terreni, zhvendosja e motit të keq është më shumë në zonën e jugut. Problemet më të mëdha janë hasur në zonën e Vlorës, ku ka ndërprerje të energjisë, në Novoselë, në Radhimë në Himarë, pra, është gjithë zona e lumit të Vlorës dhe një pjesë e zonës së Orikumit, ka ndërprerje dhe pjesa e Novoselës, për shkak të përkeqësimit të madh të motit. Kryesisht janë zona rurale, kurse qendrat urbane nuk kanë pasur ndonjë problem serioz. Në zonat rurale dihet gjendja e rrjetit energjetik. Është krejt normale që sa herë ka përkeqësim të tillë të motit do ketë ndërprerje. Grupet po punojnë në terren. Situata do të normalizohet sapo moti të ketë një përmirësim të dukshëm, besoj në orët në vijim, ose gjatë fundit të ditës. Nga informacionet, gjatë gjithë ditës do të ketë shira dhe furtunë në gjithë pjesën e jugut.

Njëkohësisht po punohet dhe me ndërprerjen që ka ndodhur në Institutin Bujqësor të Kamzës. Po punohet edhe me dron, sepse është e pamundur, për shkak të shkatërrimit të urës atje, për të kaluar linjat, kabllot, për t’i instaluar në mënyrë të tillë fizike që sigurojnë nga pikëpamja e sigurisë teknike, mund të operojnë normalisht dhe të rikthehet energjia. Shpresojmë brenda ditës së sotme të rikthehet energjia në atë zonë.

Kjo është situata e përgjithshme. Por duhet edhe njëherë, meqenëse ka pasur dhe panik apo dezinformacion, të siguroj popullatën që gjithçka që mund të ndodhë edhe me kaskadën dhe siç e thashë, me këto prurje siç janë dhe në bazën e vendimit që do të marrë komisioni i flotave, jam i bindur që nuk do të kemi prurje të tilla që mund të shkaktojnë përmbytje për shkak të rrjedhjeve nga kaskada, nëse janë këto kuota. Nuk mund të parashikojmë çfarë reshjesh mund të vijnë, por me çfarë duket, këto kuota të prurjes do të jenë. Siç e tha dhe drejtori i Emergjencave Civile, përmbytjet në Shkodër, ato pak përmbytje që kanë ndodhur, kanë ardhur për shkak të fryrjes së lumit Kir, nuk ka të bëjë me shkarkimin e kaskadës, sepse në kuotat 1700 metër kub nuk mund të ketë përmbytje. Ato duhet të jenë mbi 3000, 4000, 5000. Atëherë ndodhin përmbytjet e mëdha, që jemi mësuar të shohim vite më parë.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Në fund, një përgjithësim nga OSHEE-ja lidhur me furnizimin me energji të abonentëve.

Drejtor i OSHEE, Ardian Çela: Gjatë orëve të mbrëmjes ka pasur një përkeqësim të situatës. Nga ora 01:00 deri në orën 04:00 ka pasur veç reshjeve, edhe erëra të forta në 5 qarqe: Tiranë, Durrës, Vlorë, Berat dhe Fier. Ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës në Elbasan, Korçë, Shkodër, Kukës, Burrel. Në gjithë këto zona situata është mëse normale. Ndërsa në Tiranë kemi rreth 25 fidera pa energji; në Durrës 22, në Vlorë 17, në Fier 14 dhe në Berat 14. Vlen të theksohet që 35% e këtyre fiderave, për arsye teknike, sigurie, janë ndërprerë një pjesë sepse është duke u punuar për t’iu rikthyer pjesës tjetër dhe nuk mund të garantohet jeta e punonjësve gjatë procesit të riparimit. Në 90% të rasteve këto janë fidera ruralë, pra, furnizojnë zona të thella ose terren i thyer, ku janë linja 6 KV, janë linja ajrore tepër të amortizuara, të vjetra, të cilat ne i kemi në projektet tona për t’i riparuar. Janë rreth 148 mijë abonentë pa energji, nga të cilët, 14 mijë janë në zonat urbane në gjithë Shqipërinë dhe 134 mijë janë në zonat rurale. Nuk po i ripërmend ato fshatra, pak a shumë janë ato që përmendi dhe zoti ministër. Vlen të theksohet që të gjithë nënstacionet, linjat e tensionit të lartë dhe hidrovorët furnizohen me energji. Kemi pasur vetëm një problem me spitalin e Fierit në orët e mbrëmjes, rreth orës 03:00, ku pati një defekt, i cili u riparua në orën 07:00 të mëngjesit. Pjesa tjetër është në monitorim të vazhdueshëm. Grupet janë në terren. Jam i bindur që, nëse situata do të vazhdojë të jetë e tillë, nëse s’do ketë përkeqësime, do të kemi një përmirësim akoma më të ndjeshëm se ditën e djeshme.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për këtë pasqyrë! Të vazhdojmë intensivisht të ndjekim situatën në terren dhe pastaj të bëjmë një përgjithësim në orët e vona të pasdites.

***

Kryeministri Rama: Mirëmbrëma! Sikur e përcaktuam sot paradite, ky është takimi i pasdites vonë për të bërë një përditësim të situatës për të vazhduar të mbajmë të informuar qytetarët lidhur me pritshmërinë e motit, por edhe me gjithë veprimin operacional të koordinuar në terren.

Drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Premçi: Faleminderit zoti kryeministër! Të nderuar pjesëmarrës! Nga të dhënat e shërbimit meteorologjik dhe vëzhguesit tanë në terren rezulton se situata është drejt përmirësimit. Intensiteti i reshjeve në rajonin e Greqisë që pritej të ishte problematike, ka vazhduar deri në orën 12:00 dhe në orën 14:00 është shënuar niveli maksimal i prurjeve të lumit Vjosa, ku lartësia e ujit ka arritur në 6.75 metra, pra 25 cm më poshtë se niveli maksimal.

Ky nivel, rreth orës 18:00 ka ardhur në ulje, dhe në Memaliaj aktualisht është shënuar 6  metra, pra 75 cm më pak. Ne presim që pas 3-5 orëve kjo situatë të reflektohet në Ultësirën Perëndimore të lumit Vjosa, kryesisht në urën e Mifolit. Edhe sipas shërbimeve meteorologjike shqiptare dhe në terren do kemi një qëndrim të Vjosës brenda kontureve të argjinaturave në nivelin 25 cm pa kaluar cakun që quhet piku i rrezikut për të shpërthyer uji e për të shkuar në arat e parcelat e mbjella. Ky është një lajm i mirë për të cilin ne ngritëm alarmin që mbrëmë dhe u dislokuan me qindra forca të Ministrisë së Mbrojtjes, të Emergjencave Civile, zjarrfikëseve dhe Policisë për të monitoruar gjatë gjithë 24-orëshit. Problematike ngelet situata në Shkodër pasi qëndron në të njëjtin nivel prurjet e Drinit dhe lumit Kir, po gjithsesi është e monitoruar dhe nuk përbën rrezik për Ultësirën Perëndimore të Shkodrës për përmbytje. Situata e lumit Mat është drejt përmirësimit kjo edhe pas minimizimit të shkarkimeve nga HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit. Më problem ngelet shkatërrimi i argjinaturës në unazën e qytetit të Rrëshenit që është seriozisht problematike dhe është ndërprerë qarkullimi për momentin. Në qarkun Dibër situata vazhdon të jetë problematike në rajonin njësisë administrative Gjoricë, pasi rrezikohej dëmtimi i argjinaturës duke vënë në rrezik 80 familje, por me ndërhyrjen që u bë nga mjetet e rënda është mbajtur argjinatura dhe vazhdon punohet me intensitet të lartë edhe në fshatin Katund i Ri, komuna Luzni, Dibër.

Në Mat ka dëmtime të dy urave në segmentin e rrugës nacionale që lidh Rrëshenin me Burrelin. Aty është devijuar rrugëkalimi e nuk ka rrezik për jetën e njerëzve.

Situata në Fushë Krujë, në lumin Zezë vazhdon të jetë kërcënuese sepse niveli i ujit nuk ka rënë. Ky fenomen ka ndodhur edhe në Shijak, ku në orët e pasdites ka patur dalje të lumit Erzen nga shtrati. Kjo pasi nuk janë pastruar shtretërit e lumenjve, për shkak se këta lumenj kanë edhe një rrjedhje shumë të ngadaltë e bimësia aty nuk ndihmon në rrjedhjen e lumit. Është evidentuar rritja e nivelit të Erzenit dhe të lumit Zezë, por strukturat operacionale janë prezente për parandalimin e situatave të jashtëzakonshme.

Në Tiranë situate është drejt përmirësimit. Ka patur një problem në Urën e Limuthit. Është ndërhyre me mjete të rënda të Ministrisë së Mbrojtjes, të ARRSH-së dhe Bordit të Kullimit dhe është drejt zhbllokimit në këto momente, edhe pse janë dëmtuar disa biznese të mëdha të cilave u kemi kërkuar angazhim.

Në lagjen Babrru, në bashkinë Kamëz, ka patur një rrëshqitje masive të tokës. Është kërkuar ndihma e ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes, forcat e xhenios dhe aktualisht janë prezente në terren.

Pas ngopjes së tokës me reshje ka filluar të shfaqet masivisht rrëshqitje të tokës, kryesisht në Tiranë, Tepelenë, Gjirokastër, Mat, Kukës, Pukë, Has dhe Mirditë. Kërkohet vëmendje nga kompanitë me detyrime kontraktore me ARRSH-në për rrëshqitjet e shfaqura në shpatet e rrugëve nacionale, pasi rrezikojnë jetën e udhëtarëve dhe njëkohësisht bëhen pengesë për qarkullimin.  Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, sot e në vazhdim të situatës edhe më parë ka patur kontakt të vazhdueshëm me qendrën e monitorimit të përmbytjeve të Europës për Shqipërinë, si dhe me qendrën e Emergjencave Civile të Greqisë lidhur me parashikimet e reshjeve, të cilët na kanë njoftuar orë pas ore e janë reflektuar te strukturat operacionale në terren. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar koordinimit me strukturat e emergjencave civile të Malit të Zi për shkak të efekteve që japin prurjet e lumit Kir dhe Drin në lumin Buna e cila jep efekte, në territorin e Malit të Zi. Në këtë kuadër themi se tani jemi drejt përfundimit të fazës së rrezikut të përmbytjeve dhe sipas parashikimit të motit të orëve të fundit nga Shërbimi Meteorologjik Shqiptar strukturat operacionale dhe të Emergjencave Civile duhet të fillojnë menaxhimin për ndërhyrjet në infrastrukturë, vendimtare për kthimin në normalitet. Gjithashtu vazhdon trajtimi i 200 familjeve kryesisht në qarkun e Tiranës dhe bashkinë Kamzë me gjitha nevojat për jetesë të sistemuar në ambientet e shkollave të mesme dhe 9-vjecare.

Ministri i Energjisë Damian GJiknuri: Bazuar në të dhënat e fundit të operatorit 6, për sa i përket sistemit tonë të gjenerimit dhe pas mbledhjes së komisionit të flotave ku morëm disa vendime, dua tu informoj mbi situatën e fundit, sepse ky është komision i cili administron menaxhimin e digave sipas rregullores. U mor vendimi që agregatet disponibël të HEC-it në Fierzë të ngarkohen maksimalisht me punë, pra të prodhojnë energji, ndërkohë mos ketë shkarkime nga portat e këtij HEC-i. Shfrytëzimi I HEC- it Koman të administrohet, duke synuar uljen e nivelit të liqenit të Komanit, pra në kuotën 170 metër mbi nivelin e detit dhe shkarkimet totale në HEC-in e Vaut të Dejës të ruhen në volumin aktual, jo më shumë sesa prurjet natyrale të vetë kaskadës së Drinit.

Gjithashtu po monitorohet rrjedha e poshtme deri në zonën e Dajçit për të parë efektet që kanë këto shkarkime e deri tani nuk vërehet asnjë lloj problemi që vjen për shkak të shkarkimeve të kontrolluara të HEC-eve në kaskadën e Drinit. Aktualisht kuota në Fierzë është 291.44 metra; në Koman 170.85; kuota në vaun e Dejës 74.52 metër. Ndërkohë kemi aktivizuar marrëveshjet me Kosovën dhe operatorët privatë, dhe ka vazhduar procesi i shitjes së energjisë në mënyrë që gjithë kaskada të operojë normalisht me prodhimin, pra dhe uji të derdhet dhe energjia të mos shkojë kot.

Sistemi i tensionit të lartë nuk ka asnjë shqetësim. Çdo gjë ka funksionuar në rregull. I gjithë rrjeti energjetik i tensionit të lartë në Shqipëri është plotësisht funksional. Sistemi i shpërndarjes, nga të dhënat që kemi, situata ka ardhur duke u përmirësuar në mënyrë maksimale. Në orët e vona, numri maksimal i abonentëve pa energji nuk është më shumë se 40 mijë, ndërkohë që në mëngjes ky numër ishte 60-70% më i lartë, për shkak të motit të keq, kryesisht në zonat e jugut. Puna për riparimin e lidhjes së ndërprerë të energjisë në Institutin e Kamzës, pas ndërhyrjeve të shumta  po vihet në funksionim e besoj brenda disa orëve do e kemi në funksionim.

Sigurojmë dhe njëherë qytetarët që çdo ndërprerje e energjisë bëhet në funksion të ruajtjes së sistemit energjetik dhe të ruajtjes së jetës së qytetarëve dhe punonjësve të OSHEE, sepse me mot të vështirë është e vështirë të ndërhyhet. Kur lagështia ose ujërat depërtojnë në fidera apo në infrastrukturë të tillë energjetike, është më mirë që ato të stakohen sesa të ketë energji, pasi rreziku do të jetë katastrofal, e kjo është një zbatim normal i çdo rregulloreje teknike për sa i përket rrjetit energjetik. Këto janë në vija të përgjithshme. Situata është plotësisht e menaxhueshme.

Kryeministri Rama: Drejtori i OSHEE

Drejtori i OSHEE Ardian Çela: Zoti kryeministër, siç deklaruam dhe në mbledhjen e mëngjesit, që thamë se në orët e pasdites situata do të jetë shumë herë më e përmirësuar se në ditën e djeshme. Nga raportimi i fundit në orën 18:00, në gjithë vendin janë pa energji vetëm 16 fidera. Numri i abonentëve është 23.000, pra jemi drejt një rrjedhe normale, nga të cilat 5 janë në qytetin e Tiranës, ku dy fidera i përkasin riparimit që jemi duke bërë në zonën e Kamzës dhe ndoshta në ajo zonë riparimi përfundon para përfundimit të mbledhjes tonë, sepse është duke bërë prova. Një fider është dëmtuar në qarkun e Kasharit, nga një firmë private, “Megatek”, kemi bërë denoncimin në polici dhe në prokurori, sepse ka lënë pa energji edhe ato biznese të asaj zone. Kemi tre fidera në zonën e Gjirokastrës, ku është për arsye sigurie, sepse fryrja e lumit Vjosë i ka kaluar limitet dhe e kemi stakuar. Për pjesën tjetër, janë 5 në qytetin e Beratit dhe pjesa tjetër është krejtësisht në rrjedhë normale. Mund të jenë defekte, me tension të ulët, që janë gjëra të herëpashershme dhe ne i kemi nën kontroll.

Vlen të përmendet që gjithë nënstacionet dhe ajo linja që sot në mëngjes e gjatë gjithë natës ishte jashtë në zonën e Hasit, është futur në funksion të plotë, e gjithçka është në rrjedhë normale. Nuk ka asnjë lloj shqetësimi.

Kryeministri Rama: Faleminderit! Ndërkohë që ministri i transportit ka qenë në terren dhe para pak kohe në rrugën e kombit, kështu që një përditësim lidhur me infrastrukturën.

Zëvendësministri i Transportit Bahri Shaqiri: Faleminderit zoti Kryeministër, në segmentin rrugor Tiranë – Durrës, në rrugën që shkon për tek nënkalimi i “City Park”, rruga është e bllokuar pasi ka një ulje të madhe. Autostrada funksionon në rregull, janë marrë gjithë masat me plotësim sinjalistikë dhe për pastrimin e nënkalimit dhe zhbllokimin e tij.

Në zonën e Fushë Krujës ka prani të madhe të ujit në rrugë, si pasojë  e daljes së përrenjve dhe reshjeve. Në segmentin Ndoj – Qafë Shtamë ka rrëshqitje masive të inerteve në rrugë, po punohet me firmat kontraktuese për normalizimin e gjendjes. Rrugët e Dajtit janë të hapura, në kilometrin 1, në Lanabregas, Uzina Traktori uji është larguar nga rruga. Në zonën e Shkëmbit të Kavajës është barë pastrimi i aksit dhe largimi i ujit nga kompania kontraktore me anë të pompave. Nga inspektimi që iu bë urës së Shkumbinit, në Peqin, rezulton se nuk ka probleme nga gërryerjet te këmbët e saj. Janë pastruar dhe aluvionet.

Në drejtim të Librazhdit, aksi Elbasan – Librazhd në vendin e quajtur Murash dhe në Dragosturë ka patur rrëshqitje dherash dhe aluvionesh. Vazhdojnë punimet për pastrimin e aksit nga dherat dhe qarkullimi aty është pa problem. Gjithashtu dhe në dalje të Librazhdit, në drejtim të Elbasanit ka rënie dherash, gurësh, aluvionesh, rruga është njëkalimshe dhe vazhdon të punohet për normalizimin e gjendjes.

Në Kukës ka prani të materialeve në rrugë, firmat kontraktore po punojnë me mjete dhe fuqi punëtore për pastrimin e akseve. Në aksin Kukës – Qafë Mal, ku ka pasur një shembje të rrugës, kalimit bëhet vetëm me mjete të vogla e furgona. Po punohet për mbajtjen nën kontroll të situatës. Në disa akse të këtij qarku ka prani të materialeve dhe ujit në rrugë, por pa problem për qarkullimin e mjeteve. Në Shkodër, në aksin Bajram Curri – Valbonë, prurjet e shumta kanë gërryer një pjesë të rrugës, në vend ka  prani të mjeteve dhe fuqi punëtore, të cilët  po bëjnë pastrimin e aksit nga rënia e herë pas hershme e gurëve dhe dherave. Është vendosur sinjalistikë përkatëse që tregon ngushtimin e rrugës dhe rruga është e hapur me një kalim. Situata në ujësjellësa është nën kontroll, vetëm në ujësjellësin e Përmetit për momentin janë turbulluar burimet e ujit por grupet e punës janë duke punuar e duke ndjekur situatën në terren. Gjithashtu dhe në ujësjellësin e Malësisë së Madhe gjendja është e mirë, nuk ka probleme, janë dëmtuar vetëm 3 tubacione të fshatrave që po riparohen dhe grupet e punës janë në gatishmëri në terren duke monitoruar situatën orë pas ore. Për sa i përket situatës në porte është e qetë, nuk ka probleme, ka funksionuar normalisht.

Probleme kemi pasur në aeroportin civil, si pasojë e reshjeve dhe ujërave që vijnë nga jashtë aeroportit. Gjatë natës janë mbyllur dy taxiway dhe janë hapur dy taxiway të tjera. Nuk ka pengesa në fluturime dhe  janë njoftuar gjithë kompanitë ajrore.

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit zoti zv/ministër. Gjeneral, një përshkrim sa më të  shkurtër të operacionit të sotëm.

Gjeneralmajor Jeronim Bazo: Ju faleminderit! Zoti Kryeministër, zonja e zotërinj ministra, nëse do ta përmblidhnim shkurt, Forcat e Armatosura janë një pasqyrë e denjë e veprimtarisë të gjithë institucioneve të përfshira në menaxhimin e gjithë kësaj emergjence. Me gjithë gatishmërinë tonë të  lartë e duke i paraprirë situatës, sot vërehet përmirësimi që sapo u raportua, vërehet një pjesëmarrje në rënie e Forcave të Armatosura. Ne jemi të pranishëm në të gjithë zonat e prekura, por më tepër për ti paraprirë e për t’i qenë sa më afër ndonjë devijimi të mundshëm ose ndonjë gjendjeje më alarmante. Jemi në zonën e Fierit, jemi në zonën e Vlorës në gatishmëri, por situata meteorologjike duke se po shkon drejt përmirësimit. Në këtë aspekt, kjo është veprimtaria e Forcave të Armatosura. Nga ana e situatës meteorologjike, sikundër u përmend nga parafolësit, do të jetë një situatë sërish me shira, me vranësira, por me intensitet më të ulët se të këtyre ditëve dhe me tendencë që në lartësitë mbi 1000m të kthehet në reshje dëbore, çka do ta përmirësojë situatën e do ta uli ritmin e emergjencës. Doja të ndaja me ju dhe një informacion tjetër të fundit, që nga forcat e Sigurisë së Kosovës, u kontaktua me ne dhe shprehin solidaritetin dhe gatishmërinë për të qenë pranë nesh në rast se do të precipitojë situata. Unë ju premtova që do ta ndaja këtë informacion me juve, zoti kryeministër e me të pranishmit. Ju faleminderit!

Kryeministri Rama: Faleminderit Gjeneral! Nuk dua të zgjatem më tutje, thjesht në konkluzion do doja që dhe një herë t’ju falënderoja të gjithëve, të falënderoja të gjithë strukturat operacionale në terren, posaçërisht ministrat e angazhuar drejtpërdrejtë në këtë operacion, por dhe të tjerët që edhe sot kanë vazhduar të jenë pranë njerëzve në pikat delikate. Ajo që është më e rëndësishmja, është që nga pikëpamja e punës së bërë prej strukturave të shtetit dhe po ashtu në koordinim me strukturat e pushtetit vendor, është arritur që çfarë ka të bëjë me kontributin njerëzor, të bëhet, besoj me një cilësi si asnjëherë më parë, pavarësisht se e mira s’ka fund, dhe edhe nga ky proces kemi gjëra për të mësuar. Sipas gjasave, moti shkon drejt përmirësimit. Nesër situata mendohet të jetë më e qetë, megjithatë gatishmëria do të jetë maksimale, pasi këto janë parashikime. Deri tani kanë dalë të sakta, por sidoqoftë nuk mund të mbetemi vetëm tek parashikimet, por duhet të jemi në terren në të gjitha pikat ku është e domosdoshme të ketë forca dhe të ndërhyhet në rast nevoje.

Po ashtu edhe nga pikëpamja e asistencës dhe solidaritetit që është treguar përmes kësaj asistence familjeve në nevojë nga ana e drejtorisë së emergjencave civile, besoj që shërbimi ka qenë korrekt. Dhe s’na mbetet tjetër veçse të vazhdojmë të ndjekim situatën hap pas hapi. Falënderoj edhe ekipin e Zyrës Operacionale të Situatës këtu në Kryeministri që në këtë sprovë të parë reale dhe jo të simuluar të një gjendjeje emergjence, i është përgjigjur atyre objektivave që ka kjo zyrë. Edhe pse edhe zyra operacionale ka gjëra për të përmirësuar, në mënyrë që të rrisim kapacitetin e veprimit tonë në terren e mbi të gjitha disiplinën koordinimin kur vjen puna për të bashkuar bashkë kaq shumë struktura e kaq shumë forca.

Shumë faleminderit dhe nesër paradite do të kemi dhe një takim tjetër, sipas orës së parashikuar, në 09:00 për të dhënë informacionet në vijim.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.