Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Parku Olimpik, një kompleks i jashtëzakonshëm sportiv dhe kulturor po merr jetë në periferi të qytetit të Korçës. Projekti është fryt i një konceptimi modern, që bashkon në një hapësirë kompleksin sportiv dhe Qyteza e Fëmijëve, një investim mbi 9 miliardë lekë. Projekti i ri shfrytëzon strukturën ekzistuese në formë harku, të braktisur prej kohësh, e cila është e ndarë në dy pjesë, duke strehuar brenda saj Pallatin e Sportit dhe Qytetin e Fëmijëve. Ndërtimi i Parkut po shoqërohet edhe me rikualifikimin urban të zonës përreth tij, një hapësirë prej 150 mijë metra2, e lënë deri para këtij projekti djerrë. Tetë fusha sportive, futbolli, basketbolli, volejbolli, pista e vrapimit dhe perspektiva e ndërtimit të fushave të tjera, infrastrukturë e re përgjatë gjithë perimetrit të Parkut po shndërrojnë atë në një prej komplekseve më të mëdha sportive jo vetëm në vend.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe kryetari i bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, u rikthye sërish në këtë kantier të Rilindjes Urbane, për të inspektuar ecurinë e punimeve. Aktualisht ka avancuar ndërtimi i Pallatit të Sportit dhe Qytezës së Fëmijëve, është duke u shtruar tapeti i barit në fushën e futbollit dhe janë në përfundim edhe fushat e tjera.

“Kjo është zona sportive e qytetit të Korçës, një i investim prej 3 miliardë e 700 milionë lekë. Pjesë e investimeve është kjo fushë futbolli në përmasa standarde ndërkombëtare, është pista e Atletikës me 9 korsi. Janë 8 fusha, basketbolli, volejbolli dhe tenis. Ka dhe një rrugë perimetrale dhe 300 vende parkimi. Pjesë e investimit është dhe gjelbërimi. Janë mbjellë mbi 500 pemë, si dhe ndriçimi led i të gjithë zonës. E gjithë zona, rreth 150 mijë metër katrorë është transformuar rrënjësisht,” – shpjegon projektin Kryetari i Bashkisë Filo.

Risi është Qyteza e Fëmijëve, një hapësirë sa sportive, edhe argëtuese e edukative për ta, e para e këtij lloji në vendin tonë. “Qendra e fëmijëve, e para qendër që  do të investohet në Shqipëri në qytetin e Korçës, – thotë kryebashkiaku Filo. – Investim shumë i madh, 5 miliard e 400 milion lekë. Është një qendër multifuksionale për fëmijët. Gjysma e kësaj qendre do të jetë një ambient sportiv, pjesa tjetër është ambient me funksion argëtimi, edukimi.”

Kryeministri Rama thekson edhe një tjetër element që e bën këtë investim të rëndësishëm, është edhe tërheqja e madhe për turistët familjarë, vendas apo të huaj, të cilët gjejnë më shumë arsye për të kaluar disa ditë më tepër në Korçë. “Nuk është vetëm pjesa që ka të bëjë me qytetin dhe me fëmijët dhe me sportistët e qytetit, as pjesa që ka të bëjë me sportistët që mund të vijnë të grumbullohen, të ekipeve kombëtare dhe skuadrave të tjera të Shqipërisë ose të vendeve përreth Greqi, Maqedoni. Kjo për turizmin është fantastike, sepse i jep minimalisht një ditë më shumë familjeve që kanë fëmijë, që ta kalojnë në Korçë një vizitë afatshkurtër dhe për ata që vijnë për më shumë se një fundjavë, është një arsye që të thonë, fëmijët kemi ku i çojmë, se është një vend fantastik i vërtetë.”

* * *

Qyteti i Korçës brenda këtij viti do të ketë një qendër polifunksionale, ku do të vendoset godina e re e bashkisë, teatri, Galeria e Arteve dhe Biblioteka. Kjo qendër, një investim 400 milionë lekë, bën bashkë institucionet e shërbimit ndaj qytetarëve dhe ato të jetës kulturore e artistike të qytetit. Bashkia  e re përbën një risi në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, duke sjellë konceptin e “Open Hall”, ku qytetari mund t’i marrë të gjitha shërbimet direkt, pa iu dashur të trokasë në zyra. Godina e re e bashkisë, shpjegon kryebashkiaku Sotiraq Filo, ndërthur elemente të arkitekturës së vjetët me teknologjinë moderne, duke formuar një objekt simbol për qytetin.

“Është një projekt madhor në fakt, ka qëllim të ndërtojë një bashki të re. Implementimi i këtij projekti bëri të nevojshme ndërtimin e një biblioteke te re dhe galerie arti. Pallati i Kulturës, së bashku me ish bibliotekën do të përbëjnë bashkinë e re. Do të jetë një kompleks i vetëm. Do të ofrohen shërbimet me një koncept të ri, pra, jo me barriera. Punonjësit nuk do të jenë në zyra, por do të jenë Open Hall, ku qytetarët do të kenë mundësi të shkojnë drejtpërsëdrejti dhe të marrin shërbimet e tyre,” – shprehet Kryetari i Bashkisë Filo.

Në institucionin e ri lokal do të vendosen administrata e bashkisë, salla e Këshillit Bashkiak, zyrat e Gjendjes Civile dhe e Regjistrimit të Bizneseve. Komponenti i dytë i qendrës polifunksionale është teatri, Galeria e Arteve, Biblioteka e re dhe Qendra Kreative në shërbim të promovimit të talenteve të reja.

Sipas Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, në shpërndarjen e investimeve në Korçë, është pasur kujdes të ruhet edhe trashëgimia kulturore, duke sjellë një rast ku ndërhyrja e Ministrisë së Kulturës shpëtoi një objekt monument kulture.  “E prishën pronarët se donin të bënin pallat. E denoncoi bashkia. Ministria e Kulturës bëri shpronësimin. Është rasti i parë që shteti shpronëson një objekt, një monument kulture që shembet nga pronari, për ta rikthyer, rindërtuar në formën që ka pasur.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.