Shqipëria turistike po bëhet gjithnjë e më prezente në median ndërkombëtare, duke u cilësuar në të shumtën e herëve si një perlë e natyrës, e cila befason me harmoninë e ofruar të bukurive të rralla, infrastrukturës së modernizuar dhe çmimeve të përballueshme, krahasuar me vendet përreth.
Në një artikull të fundit, media prestigjioze në gjuhën angleze RTL Today, pjesë e grupit mediatik RTL në Luksemburg, vlerëson Shqipërinë si një prej destinacioneve më tërheqëse dhe të paprekura në Europë, Rivierën e së cilës e krahason me Maldivet, ndërsa nga Alpet në veri e deri në bregdetin Jon, Shqipëria prezantohet si një “perlë autentike” që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë ndërkombëtarë.
Në veri të vendit, përmendet zona e Thethit dhe Valbonës, të rrethuara nga Alpet Shqiptare, të cilat media i cilëson si një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe aventurës.
“Në veri Alpet Shqiptare të njohura si “Bjeshkët e Namuna”, Rajoni i Valbonës dhe Thethit ofrojnë shtigje spektakolare nëpër male thuajse të paprekura, ku “fshatra me shtëpi guri, lumenj të kthjellët dhe pamje panoramike” krijojnë një parajsë për ata që kërkojnë qetësi”, – citohet në artikull.
Ndërkohë, lumi Vjosa – tashmë i mbrojtur si parku i parë “lumor i egër” në Europë – vlerësohet si një thesar natyror me mbi 1,100 specie të ndryshme dhe një model i suksesshëm i menaxhimit të qëndrueshëm.
Për adhuruesit e detit, sugjerohet se Riviera Shqiptare përgjatë bregdetit Jon, një nga rajonet më të bukura, duke veçuar zonat e Ksamilit, Dhërmiut dhe Himarës, ku ujërat e kthjellëta, bukuria e plazheve dhe zhvillimi i moderuar i infrastrukturës turistike i japin Rivierës Shqiptare një avantazh të veçantë, teksa theksohet rëndësia e tunelit të ri të Llogarasë, i cili shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Tirana në jug dhe pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të zonës.
“Që nga vera e vitit 2024, bregdeti është bërë më i aksesueshëm falë Tunelit të Llogarasë”, që ka reduktuar kohën e udhëtimit nga 30 në 7 minuta” – citohet në artikull, i cili përfundon me një mesazh për të gjithë ata që kërkojnë destinacione të pazbuluara: Shqipëria është aty – me natyrën e saj të egër, kulturën autentike dhe mikpritjen e ngrohtë – duke pritur të zbulohet.
Link artikulli i plotë: https://today.rtl.lu/life/travel