Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nisi sot punimet në Tiranë, Sesioni hapës i Kongresit Botëror të Ligjit, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në vendin tonë.

Ky event institucional i nivelit të lartë është organizim i Shoqatës Botërore të Juristëve (SHBJ) në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë, gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve kryesore ligjore dhe akademike në botë, mes të cilëve; Presidenti i SHBJ-së, Javier Cremades;  ish-Komisionerja Evropiane për Drejtësinë, të Drejtat Themelore dhe Shtetësinë Viviane Reding; si dhe ekspertë globalë të fushës së drejtësisë.

Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në event, iu adresua të pranishmëve me një fjalë, ku ndër të tjera theksoi se Shqipëria u bë epiqendra e një aktiviteti me prestigj botëror në fushën e sundimit të ligjit për çfarë ajo ka bërë në 10 vitet e fundit, në raport me një sfidë historike dhe të pamundur për shumë e shumë dekada për popullin shqiptar për të ndërtuar, kushtet e një vendi të qeverisur nga ligji dhe jo nga forca.

* * *

Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama në Sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit: I nderuar ministër i Drejtësisë i Republikës së Francës, zoti Darmanin, mirë se erdhët në Tiranë!

Ju jemi thellësisht mirënjohës për ndihmën tuaj në rrugëtimin tonë të vështirë!

Dhe në shprehje të mirënjohjes për gjithçka ju, qeveria juaj, Presidenti, po bëni për të mbështetur procesin e reformimit dhe të zbatimit të Reformës në Drejtësi, ne patëm dje kënaqësinë që të mbështesim fitoren e Paris Saint-Germain, gjë që së bashku e pritëm me shumë padurim. Kështu që nëse doni të fitoni dhe finalen hajdeni prapë në Tiranë në 30 maj.

I dashur Javier, mirëserdhët në Tiranë! Është një nder dhe një kënaqësi t’iu kemi këtu!

Këto ishin fjalët e mia në gjuhë të huaj, tani dua të them disa fjalë lidhur me këtë moment kaq prekës, do thosha për Shqipërinë që bëhet epiqendra e një aktiviteti me prestigj botëror në fushën e sundimit të ligjit.

Një botë e qeverisur nga ligji, jo nga forca është motoja që ka udhëhequr që nga viti i lindjes së saj në 1963, Shoqatën Botërore të Juristëve, e krijuar aso kohe mes tensionesh të thella gjeopolitike dhe e rritur si një platformë besimi tek ligji dhe besueshmërie e njerëzve të ligjit.

Sot Kongresi Botëror i Ligjit është një institucion i mirënjohur botërisht i cili nën kujdesin e Mbretit të Spanjës, Felipe II dhe me punën e palodhur të shoqatës çon nëpër botë mesazhin e pikërisht atij motivi që e lindi shoqatën, mesazhin e një bote të qeverisur nga ligji, jo nga forca dhe nuk besoj se do kishte këtu në këtë sallë apo jashtë kësaj salle një shqiptar të vetëm që do ngrite dorën nëse unë do pyesja, a do ta kishe imagjinuar vetëm disa vite më parë që Kongresi Botëror i Ligjit do të bëhej në Tiranë në vitin 2027? Natyrisht që askush nuk do ta kishte imagjinuar që Tirana, Shqipëria do të përzgjidhej nga kjo platformë prestigjioze si një vend mikpritës i këtij Kongresi, jo për pozicionin e saj gjeografik, jo për klimën apo për mikpritjen e saj, po për çka Shqipëria ka bërë në dekadën e fundit në raport me një sfidë historike dhe të pamundur, për shumë e shumë dekada për popullin shqiptar për të ndërtuar këtu në këtë vend pikërisht kushtet e një vendi të qeverisur nga ligji, jo nga forca.

Dhe duke hedhur disa mendime për këtë fjalë që e pashë të udhës ta ndaj si një moment reflektimi me ju, m’u kujtua kur ne bëmë një anketim publik për vetting-un në kohën kur konceptonim dhe çonim përpara Reformën në Drejtësi dhe dihet botërisht që vetting-u ishte një pikë kyçe, një pikë kyçe tek e cila ishim ne që besuam të parët dhe pastaj bëmë të gjitha përpjekjet që ata të cilët sot e përshëndesin vetting-un si një moment kthese në historinë e drejtësisë shqiptare ta besonin siç e besonim ne dhe këtu e kam fjalën për të gjithë partnerët tanë të çmuar në këtë rrugë ku mbështetja e tyre ka qenë pa asnjë diskutim me një rëndësi të dorës së parë. Dhe në atë anketim publik që bëmë aso kohe për të matur pulsin e opinionit publik shqiptar, morëm dy të dhëna shumë domethënëse, në dukje kontradiktore, por në përmbajtjen e tyre tërësisht komplementare.

90 e kusur përqind e shqiptarëve mbështesnin fuqimisht vetting-un e gjykatësve dhe të prokurorëve dhe ju e dini shumë mirë, të paktën shqiptarët që janë në këtë sallë e dinë shumë mirë që të bësh bashkë 90% të shqiptarëve për një çështje është diçka jashtëzakonisht e rrallë. Edhe për orën që po zhvillohet takimi sot, unë jam i bindur që po të kishim një votim të fshehtë këtu mes shqiptarëve do kishim mosdakordësi nëse është mëngjes apo është mbasdite.

Dhe tjetra ishte përgjigjja mbi a besoni ju që në jetën tuaj në Shqipëri do të shikoni fundin e pandëshkueshmërisë dhe barazinë e njerëzve para ligjit? Mbi 80% ishin mosbesues. Pra mbi 90% e shqiptarëve donin që të bëhej vetting-u dhe e mbështesnin fuqimisht Reformën në Drejtësi, sepse ishin të rraskapitur nga një drejtësi tërësisht e pabarabartë në raport me ligjin dhe me ta, por mbi 80% e tyre nuk kishin besim se do shikonin në të gjallë të tyre një spostim të pushtetit të drejtësisë drejt barazisë para ligjit dhe për hir të vërtetës askush nuk mund t’i vëri faj të gjithë atyre që ishin aq mosbesues, pasi nuk ishte thjeshtë e përditshmja e tyre që prej vitesh iu provonte që drejtësia ishte një iluzion në Shqipëri, por ishte historia e shtetit shqiptar qysh nga viti 1912, që provonte vetëm se pushteti i drejtësisë ishte në duart e më të furishmëve të politikës.

Demokraci, monarki, diktaturë, pastaj përsëri liri me nuanca demokracie, një gjë ishte e pandryshuar, shpata e zonjës së drejtësisë, që është e pandarë në çdo statujë të vogël apo të madhe që simbolizon drejtësinë, ishte e palëvizur në zyrën e të parit te qeverisë dhe në vitin 2013, ne bëmë atë që s’kishte guxuar ta bënte askush më parë, madje- madje, as nuk i kishte hyrë me imagjinatë atij deti që ne vendosëm t’i hyjmë në këmbë, duke vendosur diçka dramatike për njerëz që përfaqësojnë një pushtet politik dhe një pushtet politik në shumicë. Të dorëzojmë shpatën tek një forcë tjetër dhe të krijojmë kushtet që në këtë hapësirë të bashkëjetesës mes nesh, të krijohet një pushtet tjetër real dhe realisht i pavarur nga pushteti politik.

Në një libër që ka bërë bujë edhe që studiohet vijimësisht i cili është bashkëautorësuar nga një çmim Nobel, Daron Açemoglu; i cili titullohet ‘’Pse bien vendet’’ apo ‘’Why nations fail’’, sillet një shembull ndër të tjerë, i një vendi të ndarë në mes nga kufiri mes SHBA dhe Meksikës, njësoj si të ndahej në mes një qytet mes Shqipërisë dhe një fqinji. Të njëjtët njerëz, e njëjta traditë, të njëjtat zakone dhe dy realitete totalisht të ndryshme. Në njërën anë të kufirit, gjithçka funksionon, në anën tjetër të kufirit asgjë nuk funksionon. Në njërën anë të kufirit kopshte, shkolla, shërbim shëndetësor dhe përgjithësisht qetësi publike, në anën tjetër të kufirit krim, drogë e të gjitha të tjerat me radhë. Pse? Të njëjtët njerëz! Sepse në njërën anë të kufirit sundon ligji i cili garantohet nga institucionet, nga ana tjetër e kufirit sundon forca dhe ekuilibrat garantohen nga forcat mbi ligjin në territor.

Dhe pikërisht këtu është madhështia, por edhe vështirësia e sfidës sonë. Me ketë reformë që sot është e shkruar e zeza mbi të bardhë në letër dhe që ka filluar të japë rezultate të prekshme, ndërkohë që duhet të garantohet në jetëgjatësinë e vet jo nga njerëzit, po nga institucionet. Ndërtimi i institucioneve të projektuara në atë reformë, nuk është një proces që mund të përmbushet as në një dekadë dhe as në dy dekada. Një dekadë tanimë ka kaluar, një dekadë tjetër ka nisur dhe procesi vazhdon, por në ndërkohë ajo çka duhet të garantohet në mënyrë të palëkundur, është që procesi të mbështetet me çdo kusht nga forcat që kanë kapacitet ta ndryshojnë rrjedhën e tij, që do të thotë nga pushteti politik.

Natyrisht që nëse i afrohemi një afresku të madh, e kemi të pamundur të perceptojmë të gjithë kompleksitetin e tij dhe nëse shkojmë shumë afër murit, ka shumë gjëra të cilat duket sikur nuk shkojnë.

Prandaj është gjithmonë e domosdoshme edhe pse më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, që të mbajmë distancë për të parë në kompleks një afresk i cili po pikturohet ditë pas dite nga një numër shumë i madh forcash në hapësirën që ka krijuar Reforma në Drejtësi.

Arsyeja pse sfida është kaq e jashtëzakonshme dhe kaq madhështore në historinë e vendit tonë, është pikërisht sepse ndërtimi  i institucioneve është diçka krejt tjetër nga përpjekjet e politikës, të vendimmarrjes, të përfaqësuesve, të grupeve të interesit për të konceptuar dhe për të realizuar hartën e veprimeve. Në fund të ditës, ka një të vërtetë shumë të thjeshtë; njerëzit nuk korruptojnë dot një sistem, ndërsa sistemet nëse nuk janë të ndërtuara mbi bazën e institucioneve që garantojnë sundimin e ligjit, korruptojnë këdo.

Unë e kam sjellë dikur një shembull dhe po e risjell këtu, kur diskutohej vendosja e rripit të sigurimit në Shqipëri. Vendosja e rripit të sigurimit në trafik ishte diçka jashtëzakonisht e vështirë për t’u perceptuar nga shqiptarët dhe ishte një fakt që e dallonte shqiptarin këtu me shqiptarin në Gjermani. Asnjë shqiptar në Gjermani nuk e konceptonte dot që të ndizte makinë pa vënë rripin, por shumë pak shqiptarë e konceptonin që të vinin nga Gjermania këtu dhe të mbanin rrip. Dhe një ditë, një ambasador i Gjermanisë me thotë: “Çudi e madhe, ju shqiptarët as këtë gjë nuk e mësoni shpejt’’.

I thashë: “dëgjo, ty do të të vijë keq po unë kam parë punonjës të ambasadës gjermane pa rrip sigurie në Shqipëri’’. Dhe kjo është e vërtetë sepse nuk është njeriu, nuk është kombësia e tij, nuk është historia prej nga një popull vjen që përcakton sjelljen e individit në raport me ligjin. Është sistemi.

Gjermanët në Shqipëri, bile i gëzoheshin mosvënies së rripit të sigurisë. Shqiptarët në Gjermani as nuk e imagjinonin që të mos vinin rrip sigurie dhe ky është hendeku që ne duhet të mbushim me Reformën në Drejtësi dhe me ndërtimin e institucioneve në tërësi. Krijimi i një sistemi që e bën pastaj të pamundur arbitraritetin i cili edhe sot që flasim, është i kudondodhur në sistemin tonë shtetëror përfshirë edhe sistemin e drejtësisë dhe e bën të pamundur krijimin e niveleve të ndryshme në raport me kërkesën e ligjit.

Ne jemi në këtë sfidë plotësisht të vendosur që të mos lejojmë që të ketë kthim mbrapa. Jemi në këtë sfidë plotësisht të vendosur që ta bëjmë të pa kthyeshëm këtë proces dhe në këtë pikë ka diçka që është garanci shumë e madhe për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Dy fjalë, Bashkim Europan.

Nëse Bashkimi Europian s’do të ishte aty, nëse shqiptarët nuk do ta dëshironin aq shumë Bashkimin Europian, ne nuk do arrinim kurrë të ndërtonim një sistem të pavarur drejtësie dhe të vendosnim barazinë para ligjit ose do të arrinim po aq sa kanë arritur afganët apo irakianët pas bombave dhe pas përpjekjeve utopike të Perëndimit dhe të NATO-s për të çuar demokraci në ato vende dhe ndryshimi mes nesh dhe atyre është që ne kemi Bashkimin Europian, ata nuk e kanë Bashkimin Europian.

Bashkimi Europian është burimi më i madh dhe i vetëm në botë për të mësuar si ndërtohen institucionet dhe i gjithë procesi i integrimit, i negociatave është një proces transferimi i dijes nga Brukseli këtu në Tiranë dhe ky transferim dije është një bekim sepse atë dije nuk e krijon dot një vend me forcat e veta kur paguan çmimin e një historie pa shtet dhe pa institucione deri shumë vonë e më pastaj edhe kusurin e një historie ku shteti dhe institucionet nuk ishin kurrë të pozicionuara në funksion të krijimit të barazisë para ligjit.

Prandaj unë jam besim plotë që ky proces do të shkojë përpara ashtu siç duhet me të gjitha dhimbjet dhe me të gjitha kostot e veta, ashtu sikundër jam më i vendosur se asnjëherë së bashku me shumicën qeverisëse që të mos lejojmë që të cenohet ajo çka është projektuar dhe të mos lejojmë të lëkundet ajo çka është ndërtuar, në aspektin e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie.

Nuk është vendi këtu për të folur për kompleksitetin e kësaj sfide, por është vendi këtu për të përfunduar këtë reflektim me besimin që Kongresi Botëror i Ligjit vitin e ardhshëm është një stacion tek i cili ne duhet të shkojmë me një synim dhe me një program përgjatë gjithë harkut të këtij viti, për të siguruar që në atë Kongres, Shqipëria nuk merr vetëm një vlerësim të jashtëzakonshëm për çfarë ka bërë deri tani, por edhe shfrytëzon praninë e një numri të pazakonshëm njerëzish që përfaqësojnë botën e shtetit të së drejtës, për të dalë me një angazhim të ripërtërirë në raport me të nesërmen.

Në ndërkohë, uroj shumë që të gjithë miqtë e ardhur këtu në Tiranë, ndër të cilët takova disa dhe vijnë për herë të parë, të shfrytëzojnë rastin për të shijuar Tiranën, për të shijuar Shqipërinë dhe nga ana tjetër i siguroj që ne do të shkëlqejmë në organizimin e Kongresit dhe do të bëjmë gjithçka duhet që vitin e ardhshëm të kemi gjëra të reja për të thënë dhe progres të mëtejshëm të realizuar në raport me këtë sfidë madhështore dhe të jashtëzakonshëm në vështirësinë e vet. E njëkohësisht dua që me këtë rast t’ju shpreh respektin dhe falënderimet të gjithë përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë këtu në këtë sallë, duke i siguruar që kjo shumicë qeverisëse do të jetë gjithmonë një mbështetje e sigurtë për ta, duke i siguruar që ata nuk do ndihen kurrë vetëm në këtë përpjekje, por përkundrazi dhe nuk do ndihen jo e jo të vendosur nën asnjë lloj presioni tjetër përveç nën presionin e kërkesës legjitime të publikut për ta zbatuar Reformën në frymë dhe në germë në mënyrë që të arrijmë më shpejt aty ku me siguri do të arrijmë të gjithë së bashku.

Shumë faleminderit, shumë respekte!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.