Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në tryezën me temë: “Arsimi profesional, sfida, cilësia”:

Nëse arsimi profesional nuk do të ishte braktisur 25 vjet më parë dhe nëse rruga drejt arsimit profesional nuk do ishte mbyllur, duke u shkrirë e gjitha në korsinë e vetme që iu ofrua të rinjve për të shkuar të gjithë në universitet, sot sigurisht do ishim duke bërë një bisedë tjetër dhe më e sigurta është që në të gjitha ndërmarrjet në të dyja anët e autostradës Tiranë-Durrës, nuk do të kishte kaq shumë vende të lira pune, të cilat nuk mbushen dot, për shkak të mungesës së krahut të kualifikuar të punës në shumë zanate.

Mirëpo, si shumë reforma të tjera që u shtynë pafundësisht, edhe reforma e arsimit profesional nisi shumë vonë, nisi vetëm tre vjet më parë të konceptohet dhe zbatimi i saj është vetëm në fillimet e veta.

Ne trashëguam një situatë, ku, faktikisht kishim disa shkolla fizikisht të arsimit profesional, por nuk kishim arsimin profesional. Mbi të gjitha ato shkolla ishin në Refugium Peccatorum  për njerëz të pashpresë, thjeshtë dhe vetëm të humbur në turmën e madhe që dyndej drejt universiteteve dhe programi i tyre ishte absolutisht pa lidhje me tregun, pa asnjë ndërveprim me ndërmarrjet dhe pa asnjë të ardhme për ata që i frekuentonin këto shkolla.

Faktikisht, jemi këtu sot në një mjedis që flet vetë për eksperiencën e shkëlqyer të një shkolle të arsimit profesional, e cila është shndërruar në një destinacion për më të mirët,  duke thyer mitin e ndërtuar në shumë vite, se arsimi profesional është një lëmoshë për të humburit dhe jo një mundësi për më të mirët; arsimi profesional është për të rinjtë qytetarë të dorës së tretë dhe jo një instrument për të bërë sukses në jetë; arsimi profesional është thjesht një paradhomë e skllavërisë, si punëtor në një fabrikë dhe jo një urë që lidh njeriun me suksesin në punë, në biznes, me suksesin në jetë.

Shembulli rrezatues i Gjermanisë që, ndër shumë arsye të tjera, është sot e gjithë ditën një vend që i ka rezistuar në mënyrën më spektakolare krizave të kohës dhe që vazhdon të ketë një stabilitet mbresëlënës përsa i përket papunësisë, flet qartësisht për vlerën e jashtëzakonshme që ka arsimi profesional dhe sistemi dual gjerman që lidh shkollën me ndërmarrjen. Pikërisht duke u mbështetur mbi modelin gjerman, – me vetëdijen që ne gjermanë nuk bëhemi kurrë, që të mos ngatërrohet ndonjëri nga iluzioni se unë e kam këtë optimizëm, – ne kemi arritur që të realizojmë një kthesë shumë të rëndësishme në një rrugë që mbetet shumë e gjatë.

Ambasadorja përmendi disa statistika, që flasin që është vetëm fillimi i një rrugë të gjatë. Por është një fillim shumë i mbarë për faktin se rezultatet janë të prekshme dhe në këndvështrimin tim modest, më të shpejta sesa ç’mund t’i prisnim në një proces që mbi të gjitha ka kundër historinë, ka kundër gjithë ngrehinën e mendësisë së krijuar në gjithë këto vite që gjithkush këtu në këtë vend duhet të këtë një diplomë dhe mundësisht duhet të jetë jurist; në këtë vend ku kemi dendësinë më të madhe të juristëve për kilometër katror në botë dhe kuptohet kemi sistemin e drejtësisë më skandaloz në botë.

Është një betejë me mendësinë, me historinë, me një mënyrë të caktuar të të menduarit të suksesit në jetë që duhet transformuar rrënjësisht, në radhë të parë për t’iu ngulitur fort në mendje të gjithë atyre që marrin rrugën e arsimin profesional se nuk është një rrugë që ka një fund të njohur, fundin e thjesht një punësimi në një ndërmarrje, por është një rrugë që ka mundësi të pafundme për tu vetëpunësuar, për të hapur një biznes të vogël, për të krijuar një sipërmarrje të mesme, për të krijuar një sipërmarrje të madhe. Po të shikosh thjesht statistikat e Gjermanisë dhe të shikosh variacionin e perspektivës së atyre që kalojnë përmes arsimit profesional e kupton shumë qartë që rruga e arsimit profesional është rruga e fitimit të ndershëm dhe pa limit. Nuk ka limit. Sigurisht që shumëkush bëhet elektricist dhe mbetet elektricist, por ndër ata që bëhen elektricistë shumë të tjerë kthehen në sipërmarrës.

Kemi arritur që falë edhe një mbështetje që, unë dua ta nënvizoj sa herë ma jep mundësi të flas për arsimin profesional, të Business Albania-s, që ka qenë në fakt aleati ynë i parë në momentin, kur ky dukej një mision krejt i pamundur dhe përfshirë pastaj të shumë kompanive në këtë proces, të ndërtojmë një model ku 60% e kohës kalohet në klasë dhe 40% e kohës kalohet në ndërmarrje, si premisa e suksesit të arsimit profesional.

Padyshim që ky është një model që i ul kostot e rekrutimit të ndërmarrjeve, mbulon një pjesë të konsiderueshme të kostove të trajnimit që ndërmarrjet janë gjithmonë e më të vetëdijshme se është një proces i pandashëm i të qenit të tyre në treg dhe përbën një garanci për ata që e ndërmarrin këtë rrugë.

Po të shohim sot statistikat, është impresionuese që ata që bëjnë arsimin profesional janë më të preferuar në treg, kanë më shumë akses në treg se ata që bëjnë universitet. Nuk diskutohet që të krahasohen me ata që bëjnë shkollën e mesme të përgjithshme. Prania e biznesit në bordet drejtuese të shkollave e ka rritur në mënyrë eksponenciale jo vetëm mundësinë për punësim të atyre që mbarojnë shkollën profesionale, por kapacitetin për të menduar të bordit të shkollës.

Deri dje, ato fantazmat që kishim trashëguar nga e kaluara dhe që konsideroheshin shkolla profesionale kishin nëpër borde njerëz që shënon emrin për të marrë pagesën, borde absurde që nuk mblidheshin kurrë dhe që ndërtoheshin mbi baza partiake, ose tarafi, thjesht për të marrë një pagesë në fund të muajit që i shtohej rrogës. Ndërkohë që sot këto borde, janë baza e të menduarit dhe të zhvilluarit të gjithë procesit të arsimit profesional. Nga ana tjetër, unë kam qënë vazhdimisht i informuar nga ministri, për gatishmërinë e të gjithë atyre që këtu janë të ulur si miq, si partnerë, si donatorë, si bashkudhëtarë, si kujdestarë të procesit tonë të përafrimit me familjen europiane, të cilët kanë luajtur një rol kyç dhe unë dua t’i falënderoj me gjithë zemër për binjakëzimet e gjithmonë e më shumë shkollave me partnere europiane që bënë që të diplomuarit në këto shkolla të mos jenë vetëm të diplomuar për Shqipërinë, por të jenë të diplomuar për të gjithë hapësirën europiane.

Ky është një hap jashtëzakonisht inkurajues për prindërit dhe nxënësit që marrin vendimin që të investojnë në drejtim të arsimit profesional.

Gjithë qëllimi ynë që arsimin profesional ta bëjnë zgjedhje, jo të jetë një opsion i dytë.

Regjistrimet e këtij viti janë kuptimplota për faktin se numri i të rinjve që regjistrohen në arsimin profesional po rritet.

Unë shpresoj shumë që ajo që ndodhi këtë vit, si mesazh i parë për ata që hyjnë në shkollën e mesme, se universiteti nuk është tezga e qofteve te daja, por për të hyrë në universitet duhen plotësuar disa kërkesa, do të bëjë që diversifikimi i zgjedhjeve midis universiteteve dhe arsimit profesional të bëhet ende më i natyrshëm.

Ne sot jemi në debatin më qesharak që një shoqëri mund të bëjë:

“A duhet, apo nuk duhet që një ngelës të bëhet jurist!”

“Një ngelës në shkollë të mesme, të marrë diplomë!”

“A duhet apo nuk duhet që në universitete të ketë një minimum kriteresh për të hyrë!”

Sot është një fuqi e tërë e ngritur, në emër të të drejtave të njeriut, në emër të mosstresimit psikologjik të të rinjve që kërkon që universitetet të jenë me 7 kanate të hapura dhe të gjithë të shkojnë në universitet

E shkuara e të gjithëve në universitet është një katastrofë shumëplanëshe, siç e kemi provuar dhe siç e kemi parë. Një katastrofë që një nga pamjet e ka në derën e çdo ndërmarrjeje të madhe shqiptare. Nuk ka një ndërmarrje të madhe sot në Shqipëri që nuk ka vende të lira pune.Nuk ka një ndërmarrje sot në Shqipëri që thotë: “Ne nuk kemi nevojë për punonjës”

Madje numra variojnë nga 5 në 50 e në 70, e në 80. Pse këto vende mbeten të lira?

Sepse krahu i punës nuk është mjaftueshmërisht i kualifikuar.

Sfida jonë është kjo.

Siç është padyshim kjo një nga arsyet themelore që duhet trajtuar për të rritur edhe investimet e huaja më shumë në këtë vend.

Nuk po hyj tek çfarë kemi bërë ne për buxhetin, për investimet në laborator, në kushte, etj.

Nuk po bëj krahasime sa kemi shpenzuar apo sa nuk kemi shpenzuar, se në fund të ditës, pavarësisht se kemi bërë shumë më tepër sesa c‘bëhej 3 vjet më parë, ajo që mbetet për t’u bërë është shumë herë më tepër sesa kjo që kemi bërë.

Dua ta mbyll me reformën. Është një reformë themelore, e cila është në proces, sepse janë disa ligje që duhet të miratohen dhe duhet të fillojnë të zbatohen.

Bëmë shumë mirë me ligjin e zejtarisë, por na duhet patjetër ligji i punëkërkuesit të papunë.

Ne nuk mund të mbajmë në kurriz të njerëzve ata, të cilët refuzojnë punën që iu jepet. Çdo njeri ka lirinë ta refuzojë punën që i jepet, por askush s’ka të drejtë që si refuzues i punës që i ofrohet të vazhdojë të marrë ndihmë ekonomike dhe asistenca e indulgjenca.

Kjo nuk është solidaritet. Kjo quhet parazitizëm.

Ne duhet që ta çojmë përpara këtë proces përmes një plani veprimi për të riintegruar të gjithë përfituesit e ndihmës ekonomike, duke i vendosur përpara një zgjedhjeje shumë të qartë: Ja ku është mundësia për punë! Edhe me mbështetjen përkatëse për trajnim. Nuk e pranon punën, je i lirë, por mos kërko ndihmë ekonomike.

Po ashtu, edhe projektligji për arsimin dhe formimin profesional, si kuadër i plotë rregullator dhe modernizues, për t’u përafruar me legjislacionin e Bashkimit Europian, sëbashku me kornizën shqiptare të kualifikimeve, do të krijojnë një mekanizëm më të plotë dhe po ashtu do të vendosin bazën për të certifikuar akreditimet dhe për të garantuar cilësinë e formimit profesional.

Një shifër besoj është domethënëse: Për vitin 2015, në sistemin e arsimit e formimit profesional që ishte një vit boom, ishin 17728 nxënës që ndoqën shkollat profesionale.

Këtë vit kemi 27 mijë e disa qindra që janë regjistruar në shkollat profesionale. Nga një vit në tjetrin, është një shtesë spektakolare, por nuk mjafton. Duhet të vazhdojmë sepse kjo është e vetmja rrugë për të adresuar në mënyrë strukturale problemin e papunësisë tek të rinjtë dhe për të rritur punësimin mes të rinjve.

Edhe njëherë, jo për formalizëm, – sepse të gjithë ata që janë këtu, miq dhe partnerë të Shqipërisë, e dinë që unë nuk jam një diplomat i mirë, kurrë nuk do të isha bërë dot një ambasador i suksesshëm, – por për hir të së vërtetës, të gjithë ata që janë këtu në tryezë si miq, donatorë, partnerë të Shqipërisë meritojnë një falënderim shumë të ndjerë, sepse kanë qënë – madje ndonjëherë çuditërisht, më thënë të drejtën, që tani të tregoj dhe me fakte që s’jam diplomat i mirë, – shumë të angazhuar dhe shumë jo burokratik në këtë proces.

Ka programe dhe projekte të tjera që mund të jenë po kaq të rëndësishme, por këta të nxijnë jetën nuk dihet se kur përkthehen ajo që shkruhet, në atë që bëhet. Ndërkohë që tek arsimi profesional vërtet kemi gjetur një koalicion njerëzish shumë të interesuar dhe forcash shumë të angazhuara, duke filluar nga Komisioni Europian që nuk është se shkëlqen në çdo përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë, por posaçërisht në këtë përpjekje është një forcë shumë tërheqëse dhe shumë e angazhuar. Jam i gëzuar që mu dha rasti që ta falënderoj edhe njëherë me gjithë zemër Komisionin Europian!

Shumë faleminderit!

 

***

“Arsimi profesional, sfida, cilësia”, ishte tryeza e cila mblodhi sot sëbashku në një diskutim të gjerë mbi arsimin profesional, miq dhe partnerë të Shqipërisë – që mbështesin mes programeve arsimin profesional në vendin tonë, – të përfaqësuar nga ambasadorja e BE, Romana Vlahutin dhe ambasadorë të vendeve të partnere, si dhe me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, si dhe mësues dhe drejtues të shkollave profesionale.

Bazuar mbi një analizë të mbështetur në shifra dhe fakte, fuqizimi i arsimit profesional është tashmë një realitet, shumë larg prej atij të vetëm tre viteve më parë, kur ky arsim ishte plotësisht i papërfilluar në zgjedhjet e  nxënësve.  Konkretisht, numri i nxënësve që ndjekin sot arsimin profesional në saj të politikave të mirëorientuara të qeverisë, si dhe të mbështetjes konkrete buxhetore për këtë arsim, është rritur me një mesatare prej 2.42 herë. Nga 13.200 nxënës të regjistruar në arsimin profesional në vitin shkollor 2014-2015, në shtator të vitit 2016 janë regjistruar 27.300 nxënës.

Ministri Klosi vuri në dukje se qeveria ia doli që të kthejë në shinat e duhura trenin e arsimit profesional që ashtu si çdo gjë tjetër ndodhej në stacionin e gabuar dhe në drejtimin e gabuar. “Arsimin profesional e gjetëm të shndërruar në mundësinë e fundit të nxënësve të dobët që për arsye nga më të ndryshmet, nuk dyndeshin dot në gjimnazet me turne. Ajo që Partia Demokratike në pushtet bëri me arsimin profesional, ishte kriminale,” tha ndër të tjera ministri Klosi, duke shtuar se sot arsimi profesional nuk është vetëm një lloj edukimi alternativ, por është instrumenti dhe mekanizmi ekonomik për orientimin drejt tregut të punës.

Ndërsa ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, u shpreh ndër të tjera se investimi tek arsimi konkurrues në treg është investimi i duhur për të ardhmen e Shqipërisë. “Ne besojmë fort që Strategjia Kombëtare për Punësimin dhe Aftësive për periudhën 2014-2020 do të ndihmojë në përmirësimin e kësaj lidhjeje që ekziston mes arsimit profesional dhe tregut të punës,” nënvizoi Vlahutin. Fuqizimi i këtij arsimi ka ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e papunësisë gjatë këtyre viteve. Konkretisht numri i të papunëve të regjistruar në fund të vitit 2015 ishte 151,923 ndërsa në shtator 2016 kjo shifër ka zbritur në 105.000 të papunë të regjistruar.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.