Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

U finalizua sot, me nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme bashkëpunimi, një tjetër hap strategjik për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes.

Shoqëria “Kayo” sh.a, e cila operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, me produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë italiane Fincantieri, aktualisht ndërtuesi më i madh i anijeve tregtare dhe ushtarake në Evropë. Ky partneritet i hap rrugë prodhimit në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, Presidentin e “Fincantieri-t”, Pierroberto Folgiero, si dhe përfaqësues të lartë të industrisë.

Ministri i Mbrojtjes Nufi, theksoi se ky bashkëpunim sjell vlera të shumta strategjike për vendin. “Nga ky bashkëpunim ka disa vlera strategjike që arrihen. Shqipëria bëhet një bazë e re europiane e “Fincantieri- t” për anijet e vogla dhe të mesme.  Fincanteri zgjeron kapacitetin prodhues në Shqipëri dhe “Kayo” pozicionohet si një partner i besueshëm industrial me një arkitekturë ndërkombëtare. Modeli i biznesit është që mbi 90% e klientëve janë ndërkombëtarë, klientë ekzistues të “Fincantieri-t” – u shpreh Ministri Nufi.

Projekti parashikon krijimin e një kantieri të ri në Pashaliman, ku pritet të punësohen rreth 400 persona. Ky investim konsiderohet një gur themeli për zhvillimin industrial të vendit, duke nxitur njëkohësisht punësimin e të rinjve dhe rritjen e kapaciteteve vendase në teknologji të avancuar.

“Rreth 400 persona do punësohen në këtë kantier të ri, i cili është një gur themeli, jo vetëm për prodhimin industrial por edhe për punësimin e të rinjve dhe të rejave për një teknologji të fjalës së fundit që do zhvillohet në Vlorë dhe që do të përfshijë, jo vetëm prodhimin e mjeteve lundruese, por patjetër edhe rritjen e kapaciteteve vendase si industriale dhe prodhuese, por dhe humane që është një element i shtuar dhe shumë i rëndësishëm.” – tha ndër të tjera Ministri i Mbrojtjes Nufi. 

Nga ana e tij, Kryeministri Rama e cilësoi marrëveshjen si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë dhe ekonomisë së vendit, teksa theksoi se kjo nismë do të krijojë një ekselencë të përbashkët italo-shqiptare në industrinë e kantiereve detare, duke sjellë inovacion dhe teknologji të përparuar në vend.

 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Të nderuar miq dhe të ftuar! Sot kemi nderin të kemi këtu me ne, përfaqësuesit më të lartë të një prej kompanive më të mëdha të ekselencës në Europë, kompania Fincantieri dhe personalisht presidentin e saj zotin Pierroberto Folgiero dhe nga ana tjetër, po sot dhe po këtu kemi edhe një përfaqësi të lartë të një tjetër kompanie të ekselencës europiane, kompanisë “Leonardo” dhe presidentin Pontecorvo.

Kështu që, besoj se do jemi mirëkuptuar që në nderim të këtyre miqve dhe partnerëve kaq të rëndësishëm, të cilët përfaqësojnë edhe vullnetin e palëkundur të qeverisë italiane për të forcuar partneritetin tonë strategjik, unë fjalët e mia t’i them në gjuhën e dytë të gjyshes time.

Sot, me përfaqësues të lartë të kompanive të Fincantieri dhe të Leonardos kemi arritur, sigurisht një pikë shumë të rëndësishme për të ardhmen, jo vetëm të aparatit të sigurisë së Shqipërisë dhe të forcave tona të armatosura, por edhe të vetë ekonomisë dhe të ardhmes së të rinjve shqiptarë.

Është një marrëveshje me Fincantieri-n për të krijuar një shoqëri të re nga “Fincantieri Albania”, së bashku me agjencinë tonë shtetërore të “Kayos” për të prodhuar po në Shqipëri, në kantierin e Pashalimanit anije lundruese që janë në dobi të ushtrisë shqiptare, por edhe për ushtritë e tjera të vendeve aleate.

Ajo që e bën këtë marrëveshje, një marrëveshje të veçantë është edhe ajo që tha drejtuesi i lartë i Fincantierit, duke nënvizuar, duke theksuar se bota e kantiereve po ndryshon dhe kjo marrëveshje kërkon që të përcaktojë pikërisht një vullnet dhe një vizion për të shoqëruar këtë ndryshim me diçka të re, diçka të veçantë, diçka speciale, e cila sigurisht do të krijojë një ekselencë italo-shqiptare këtu në territorin tonë dhe që do të shërbejë dhe në përgjithësi për botën e re të kantiereve për inovacionin e saj dhe për atë që ajo sjell.

Nga ana tjetër, kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për të rinjtë, për vajzat e djemtë e shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të jenë të parët, të cilët do të kontaktohen dhe do të ftohen për të marrë pjesë në një rrugëtim formimi të përshtatur për të qenë nesër dhe jo në një të ardhme të largët, por në një të ardhme shumë të afërt pjesëmarrës, të kësaj shoqërie të re ekselence në territorin e tyre, pra në qytetin e tyre të lindjes dhe ata sigurisht do të jenë të shoqëruar në rrugën e tyre të formimit nga profesionistët e Fincantieri-t dhe do të arsimohen si në Itali, pikërisht aty ku Fincantieri ka dhe shpirtin e saj, bazën e saj, por edhe në Shqipëri, në Pashaliman ku ky shpirti i dytë themi do të marri jetë së shpejti.

Dhe nga ana tjetër, kjo marrëveshje hap rrugën dhe për një diskutim të ri të natyrës ekonomike si për Fincantieri-n ashtu edhe për Kayo-n, për Shqipërinë sepse siç thashë sigurisht do të jemi të parët që do të përfitojmë nga produktet e shoqërisë në mënyrë konkrete nga dy anijet e para që do të ndërtohen për Forcat tona të Armatosura dhe që do të çojnë në shtatë numrin total të flotës tonë, e cila në termat e përcaktuara nga statusi jonë madhor, po sigurisht dhe me NATO-n është një numër optimal, përsa i përket peshës dhe përgjegjësisë së Shqipërisë në Mesdhe dhe më pas sigurisht prodhimi do të vazhdojë më tej për të eksportuar këto anije, aty ku sigurisht është e qartë që teknologjia e re dhe inovacioni që do të shoqërojë këtë rrugëtim, do të implementohet.

Është diçka fantastike, pa ekzagjeruar fare sepse kemi arritur pikërisht në këtë pikë. Po flisja më parë dhe me shokët tanë të Fincantieri-t. Një nga vizitat e para jashtë Shqipërisë si kryeministër i ri është në vendin Fincantieri-t, pra në bazën e Fincantieri-t në selinë e tyre dhe aty kam vendosur, para atij grupi drejtues të asaj periudhe pikërisht kantierin e Pashalimanit, duke thënë se ndoshta do të ishte interesante të shikonim pikërisht në këtë kantier, mundësinë për të hapur një filial për kërkimin dhe inovacion për Fincantieri-n, por sigurisht ishin kohë paqeje, periudhë komforti, pra ishim periudhë mbrojtje, ndërkohë që Europa flinte.

Sot, kohët janë të ndryshme dhe kanë diktuar pikërisht këtë hap të Fincantieri-t drejt bregdetit tonë dhe drejt kësaj marrëveshjeje që është me të vërtetë një ëndërr për Shqipërinë dhe për Forcat e Armatosura të Shqipërisë si dhe për ekonominë industriale të Shqipërisë.

Dhe ndërkohë doja të përfitoja dhe për të falënderuar nga zemra presidentin e “Leonardo”, përfaqësuesit e  Leonardo-s që na kanë qenë afër dhe e kanë vendosur të zezën në të bardhë, marrëveshjen për të përforcuar në mënyrë shumë të kompletuar, mbrojtjen tone, si nga ana detare, por dhe nga ana tokësore, me sistemin kundër raketave dhe sistemin e mbrojtjes në det.

Është vetëm fillimi.

Shpresoj që bota të përmirësohet dhe që luftërat të përfundojnë, por ndërkohë Shqipëria është shumë e vogël për të vendosur të ardhmen e botës dhe fatin e lojës së shahut gjeopolitike, por duhet të përshtatemi. Duhet të përshtatemi sigurisht në të voglën tonë për të pasur një mbrojtje dinjitoze dhe për të pasur gjithçka që nevojitet për të qenë në lartësinë e një vendi të vogël, por krenar në aleancën Transatlantike, ku ne bëjmë pjesë.

Faleminderit nga zemra dhe qershia mbi tortë sigurisht është prezenca e ambasadorit të Italisë në këtë ceremoni, një partner me vullnet të lartë, por dhe me një disponueshmëri të lartë që na ka ndihmuar shumë për të mos humbur në përkthim, por megjithëse flasim shumë mirë italishten, nuk flasim shumë mirë gjuhën e teknologjisë, të mbrojtjes dhe të raketave dhe të kundërraketave dhe çdo gjë tjetër dhe pikërisht për këtë ambasadori ka qenë i jashtëzakonshëm, por nuk do ta përcaktoj si një zotëri vetëm për mbrojtje, por dhe për “sulmin”, sepse “sulmojmë” së bashku në 9 maj me muzikën  e Ennio Morricone, duke ftuar të gjitha vendet anëtare si të ftuar të Shqipërisë dhe të Italisë që përfaqësojnë shpirtin e Europës në këtë vend. Pjesa tjetër përfaqëson trurin, muskujt, por shpirtin shpirti sigurisht është Shqipëria dhe Italia.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.