Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Ditën e Europës, simbol i paqes, bashkëpunimit dhe unitetit mes kombeve europiane, Shqipëria riafirmon përkatësinë dhe aspiratën e saj të palëkundur europiane. 

Në një kohë sfidash për vetë kontinentin, 9 Maji vjen si një kujtesë e fuqishme për vlerat mbi të cilat është ndërtuar Europa e bashkuar dhe për rrugën pa kthim që Shqipëria ka zgjedhur drejt Bashkimit Europian. 

Në këtë kuadër, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, nën logon “Open Space”, në kuadër të Javës së Europës, ku theksoi rëndësinë historike dhe politike të projektit europian për Shqipërinë dhe shqiptarët.

* * *

Të dashur miq të pranishëm, përfaqësues të trupit diplomatik dhe bashkërisht të gjithë miq të Europës! 

Ka diçka shëmbëllyese në faktin që Dita e Europës në Shqipëri hapet si një sipar i një jave të gjatë kulturore dhe aspak rastësisht mes njerëzve që e shohin botën, jo vetëm siç është, por edhe siç mund të jetë sepse në fund të fundit vetë Europa ka lindur pikërisht nga një akt i fuqishëm imagjinate dhe aftësie për të besuar se deri edhe pas luftërave më gjakatare e përtej maleve më pak të kapërcyeshme të ngritura me viktima mes kombeve, – mund të ketë, jo thjesht shpresë, por ardhmëri të përbashkët në paqe për armiqtë e përbetuar ndaj njeri-tjetrit. Që të imagjinohej dhe të gjendej aftësia për të ndërtuar mbi detin e gjakut të Luftës së Dytë Botërore, një hapësirë gjeografike pa kufij ndërshtetërore, ku popujt të mos jetonin më kundër njeri-tjetrit por bashkë me njeri-tjetrin lidhur duarsh, jo nga një imponim perandorak, por nga një vizion dhe nga një vullnet i ushqyer prej vlerës së epërme të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, – duhej fuqia e një besimi të jashtëzakonshëm tek vetvetja europiane e paqebërësve, të cilët ishin patriotë të paepur, por dhe europianë të palëkundshëm. 

Ka disa data në histori që janë dritare të hapura prej të cilave, fati i kombeve shihet si një triptik ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja paraqiten me një kthjelltësi magjepsëse. 

9 maji i Europës është pikërisht një prej atyre datave. Një ditë që lindi nga hiri i një zjarri shkatërrimtar dhe u kthye në simbolin më të fuqishëm të guximit politik. 

9 maji nuk kremton krijesën më të jashtëzakonshme të historisë së politikës, e cila është Bbashkimi Europan, por kremton vet Europën si djep kulturash dhe historish të kthyera në burimin e një paqeje shekullore mes të ndryshmësh që bashkëjetojnë, bashkëpunojnë dhe bashkudhëtojnë si të barabartë, duke pranuar si të mirëqenë faktin se liria dhe dinjiteti njerëzor nuk negociohet. 

Natyrisht, që kjo që po jetojmë nuk është një kohë e mirë për Europën, por as për botën, është një kohë e vranët siç është dita sot, ku tundimi për t’u mbyllur brenda mureve të shtëpisë është i fortë, ku frika nga rrebeshet e tkurr optimizmin dhe rrit pasigurinë dhe ku dielli duket sikur të ka ndërmend të rikthehet. 

Por kjo është njëkohësisht koha, kur më shumë sesa asnjëherë, libri i historisë së Europës është aty për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që do të kujtojë në radhë të parë se çfarë nuk duhet bërë. 

Mbyllja brenda mureve, frika dhe pesimizmi, humbja e besimit tek projekti madhështor i Europës së Bashkuar dhe tek vlerat themeltare të tij, ndjellin keq, jo thjesht për Europën për Bashkimin Europian, por ndjellin keq për çdo popull dhe çdo shtet europian nesër. 

Për ne shqiptarët Europa mbetet edhe në këtë kohë të vranët, ajo që ka qenë edhe kur nuk ishte dot e arritshme, përveçse mes atyre valëve të dobëta që antenat ilegale sillnin nga jashtë Shqipërisë në ekranet e vegjël bardhë e zi të televizorëve jo të shumtë. 

Europa për ne mbetet një ëndërr, një tokë e premtuar, një amanet i patjetërsueshëm kombëtar dhe një mision i pandryshueshëm politik, jo sepse ne jemi naiv, as sepse ne kemi iluzione, por sepse ne e dimë fort mirë dhe më lejoni ta them ne e dimë më mirë sesa kushdo tjetër në këtë kontinent se çfarë do të thotë të jetosh i izoluar dhe i rrethuar me mure për t’u mbrojtur nga Europa. 

Askund tjetër në Europën e sotme, nuk mund të ndodh që një parti politike të dali në fushatë me flamurin e BE të kërkojë vota me premtimin e bashkimit me Europën dhe të fitojë një shumicë të cilësuar për të zbatuar pa humbje kohe të gjitha detyrat që dalin nga negociatat për anëtarësim me BE. 

Kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri dhe e përsëris, jo sepse ne jemi naiv apo se kemi iluzione, por sepse ne e ndjejmë deri në palcë vlerën e paçmuar të Europës, të të qenit europian dhe nga ana tjetër të të pasurit mundësinë e të jetuarit në BE. 

Dje, ne patëm një ngjarje të shënuar për Shqipërinë e cila do ishte e paimagjinueshme deri pak vite më parë preludin e Kongresit Botëror të Ligjit që do të mbahet vitin e ardhshëm pikërisht në Shqipëri. Një platformë që buron nga një histori jashtëzakonisht e bukur dhe kuptimplotë, e shkruar nga njerëzit e ligjit, të cilët janë bërë bashkë dhe japin përmes kësaj platforme zë nevojës themelore për sundimin e ligjit. 

Kongresi Botëror i Ligjit vjen në Shqipëri pikërisht sepse Shqipëria është bërë një pikë referimi në bazë të shprehjes së një vullneti të hekurt për t’u vetvendosur nën sundimin e ligjit, duke bërë një reformë në drejtësi, e cila nuk ka të dytë në rajonin tonë dhe e cila është shprehja më kuptimplotë e angazhimit tonë për ta bërë Shqipërinë, jo një vend që të shkojë në BE, por një vend ku BE të bëhet pjesë e pandarë dhe do të ishte absolutisht e pamundur që ne ta ndërmerrnim, jo më pastaj ta çonim përpara dhe ta zbatonim hap pas hapi me të gjitha vështirësitë e kuptueshme një reformë të tillë, nëse ne nuk do të kishim Europën si ëndërr dhe si tokë të premtuar, si amanet të patjetërsueshëm dhe si mision të pazëvendësueshëm dhe nga ana tjetër, nëse nuk do të kishim BE si partner të pandarë në këtë rrugë ku dija e BE, e transferuar drejt nesh për mënyrën se si një vend mund të kthehet në një arkitekturë institucionesh dhe se si mund të ngrejë një pushtet të pavarur drejtësie, është diçka që as nuk  mund të blihet, as nuk mund të zëvendësohet dhe as nuk mund të imagjinohet jashtë perimetrit të Europës.

Kështu që nëse ne sot jemi besimplotë për ecurinë e këtij procesi dhe nëse sot shqiptarët kanë një arsye themelore për të besuar se ky proces është i pakthyeshëm, kjo lidhet me pikërisht ecjen dorë për dore me Bashkimin Europian. Bashkimi Europian dhe të qënit pjesë e tij, është njëkohësisht një garanci e tij.

Shumëkush e pikturon BE si një pengesë, e pikturon BE si një barrë, e pikturon BE si një perimetër që nuk të lejon të marrësh frymë lirisht, por nuk ka gjë më larg të vërtetës dhe nuk ka gjë më të gabuar, sepse në fakt Bashkimi Europian garanton perimetrin e shtetit të së drejtës dhe shteti i së drejtës nuk mund të negociohet, por vetëm të respektohet kur e ke dhe të ndërtohet kur nuk e ke.

Kështu që në këtë Ditë të Europës, në këtë ditë që kremton jo thjesht BE, por Europën si djep kulturash dhe vullnetesh, unë dua ta nënvizoj me forcë që shqiptarët janë në ditën e tyre më të mirë, por njëkohësisht janë sot në një kohë kur bekimi i të qenit pranë Europës së bashkuar, është njëkohësisht një garanci e të qenit ne një rrugë pa kthim. 

Natyrisht që kjo rrugë ka të përpjeta, ka të tatëpjeta, ka momente më të mira, ka momente më të vështira, por kjo është një rrugë pa kthim dhe për këtë unë dua të nderoj sot të gjithë ata që e imagjinuan dhe pastaj i dhanë jetë projektit të BE dhe dua të nderoj po ashtu, të gjithë ata që këtu në Shqipëri punojnë çdo ditë për të sjellë Shqipërinë më afër ëndrrës e cila tanimë nuk është më një horizont i largët, por është një majë që shihet me sy dhe ne jemi në hapat e fundit të një historie që zgjat me shekuj për tu “ankoruar” përfundimisht aty ku kemi vendin dhe aty ku e kanë ëndërruar Shqipërinë rilindasit tanë, të cilët na kanë lënë devizën “dielli për ne lind andej nga perëndon”.

Shumë faleminderit dhe dua ta mbyll duke sjellë këtu në vëmendje që e nisëm sot ditën e Europës me një shfaqje kuptimplotë të një grupi fëmijësh dhe të rinjsh, shumë të rinj, krahasimisht me Silvion dhe me mua dhe do ta mbyllim sonte me tingujt e një europiani të madh, Ennio Morricone që do të vijë në sheshin  ‘’Nënë Tereza’’ përmës orkestrës së Radio Televizionit dhe nën drejtimin  e djalit të tij. Kështu që të gjithë jeni të ftuar, pa frikë nga moti dhe me garancinë që do të jetë një mbrëmje absolutisht e paharrueshme jo thjesht për ata që kuptojnë më thellë nga muzika, por edhe për këdo tjetër që dashuron Europën.

Shumë faleminderit!

* * *

– Zoti Kryeministër, ju e përmendet edhe gjatë  fjalës tuaj që qytetarët shqiptarë iu besuan në fushatë elektorale me premtimin për t’u bërë pjesë e BE ndaj cilat janë garancitë që jep sot maxhoranca socilaliste lidhur me këtë proces? Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen dhe faleminderit edhe ambasadorit për shpjegimin, të cilin unë dua t’i bashkohem, sepse ju e dini që unë përgjithësisht jam mosbesues ndaj përkthyesve, po kjo është diçka fiziologjike që nuk i bën përkthyesit me faj dhe dua ta përsëris. Sot në Bruksel nuk negocion Shqipëria me Bashkimin Europian, por diskuton Komisioni Europian me shtetet anëtare. Shqipëria negocion me Komisionin, nuk negocion me shtetet. Komisioni përfaqëson shtetet në negociatat me Shqipërinë dhe pastaj fazë pas faze kur komisioni i konsideron të kryera detyrat e një faze, shkon tek shtetet për të paraqitur raportin e vetë. Nuk e di kuptohem, që do të thotë që Komisioni Europian i konsideron të përmbushura detyrat e Shqipërisë për këtë fazë dhe për të ashtuquajturat piketa të ndërmjet dhe tani është Komisioni që po diskuton me shtetet anëtare dhe të thuash këtu u bllokua nga X-i apo nga Y-i është të shesësh ajër dhe kush beson se ajri blihet, e blen. Por ky proces ka një nevojë të veçantë për ju, njerëzit që jeni mes këtij procesi dhe opinionit publik, për ta kuptuar si funksionon dhe për ta transmetuar tek opinioni publik sepse është një proces që kërkon vërtetë studim për mënyrën si funksionon.

“Garancitë” është njësoj si të thuash kur shkon në një luftë çfarë garancish ke që do ta fitosh luftën? Lufta fitohet duke luftuar, një ndeshje fitohet, duke u stërvitur dhe duke bërë të gjitha detyrat gjatë 90 minutave, një përpjekje çfarëdo fitohet duke u përpjekur. 

Nuk ka një garanci të shkruar që unë do ja dal që në pesë vjet të marr diplomën e universitetit pavarësisht se sa unë do përpiqem për ta marrë. Jo, ti e ke aty mundësinë, por duhet të përpiqesh! 

Dhe ne e kemi të shkruar, nuk është diçka e imagjinuar, por është e shkruar dhe nuk është e shkruar nga ne, por është e shkruar nga Komisioni Europian dhe e diskutuar bashkarisht, një kalendar shumë ambicioz për të mbyllur negociatat dhe përsëris, për ne është e rëndësishme në radhë të parë çfarë thotë Komisioni Europian, sepse Komisioni Europian shikon procesin në mënyrë teknike dhe objektive. Nuk e shikon në mënyrë politike dhe subjektive. 

Ndërkohë që subjektiviteti i shteteve anëtare është i padiskutueshëm dhe i pavënshëm në pikëpyetje, sepse është në të drejtën e çdo shteti anëtar që të ketë subjektivitetin e vet dhe të kërkojë të bëjë pyetje. Kështu që, ne e kemi me Komisionin. Kur Komisioni thotë “Shqipëria i ka plotësuar” për ne detyra është kryer dhe presim të kalojmë në fazën tjetër dhe ndërkohë natyrisht ne vazhdojmë punën në të gjitha drejtimet, sepse kjo nuk është thjesht çështje e këtyre detyrave, kjo është një çështje e zbatimit të ligjit, kjo është një çështje e çdo aspekti të jetës së vendit, kjo është një çështje e reformave dhe e mënyrës se si ato implementohen. 

Kjo është një çështje e raportit me mediat dhe më erdhi shumë, shumë mirë që mundëm të vëmë në dispozicion të miqve të Shqipërisë dhe të njerëzve të interesuar një raport faktesh për si është në të vërtetë si situata e lirisë së mediave në marrëdhëniet me qeverinë, pa i hequr asnjë presje atyre shqetësimeve të ngritura, të cilat po përpiqen t’i adresojmë edhe këtu me ndihmën e Komisionit në ligjin për mediat, çështjet e pronësisë, çështjet e sigurisë së gazetarëve në aspektin e punës dhe në aspektin financiar, jo në aspektin fizik, se ka shumë e shumë vite që s’ka gazetarë në Shqipëri të lënduar fatmirësisht, për arsye politike dhe nuk ka se si të ketë dhe të gjithë e patë dhe e panë dhe kam marrë shumë mesazhe nga miq të huaj të cilët ishin të shokuar, që në Shqipëri 60% të kohës televizive e merr opozita dhe që në Shqipëri thuajse 60% të medias online e dominon fryma kundër qeverisë dhe nëse këto të dyja janë qartësisht kohë opozitare dhe frymë opozitare kundër qeverisë, pjesa tjetër nuk është pro qeverisë. 

Pjesa më e madhe e pjesës tjetër është neutrale sipas fakteve dhe kjo është pjesë e gjësë që ne jemi dhe që duam të jemi, shumë thjeshtë. Pra, garancia është tek fakti që ne duhet të përpiqemi përditë përditë, përditë dhe pastaj është komisioni që na gjykon.

 

– Shqipëria po vijon një proces të gjerë reformash ku ndër reformat që pritet të miratohen dhe janë në proces është reforma territoriale dhe reforma zgjedhore për të cilat edhe Bashkimi Europian ka kërkuar konsensus politik. Nga ana tjetër Partia Demokratike propozon deri më tani për sa i përket Reformës Zgjedhore një sistem proporcional kombëtar. A ka konsensus nga mazhoranca për miratimin e kësaj reforme ndoshta dhe të këtij propozimi dhe nga ana tjetër për zotin ambasador, sa real është mbyllja e të gjithë kapitujve negociues deri në vitin 2027 dhe integrimin e plotë deri në vitin 2030? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Tani unë do thoja që për sa i përket reformës zgjedhore duhet të kontaktoni me drejtuesit e këtij procesi nga ana jonë që është Damian Gjiknuri, i cili mund t’ju japë një panoramë të plotë të qasjes sonë lidhur më këtë reformë. Unë personalisht e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris, ne jemi të hapur të dëgjojmë me durim këdo që ulet në tryezë për të folur dhe për të dëgjuar. Imponime dhe ultimatume dhe qëndrime të paracaktuara besoj që është mjaftueshëm kohë e gjatë për të kuptuar që me mua dhe me ne nuk funksionojnë. 

Dhe një gjë mund t’ju them, që ne jemi shumë të interesuar për të ulur numrin e deputeteve të parlamentit dhe uroj që të ketë konsensus në këtë drejtim për të racionalizuar këtë gjë dhe pastaj nga këtu çdo diskutim tjetër është i hapur. Ndërkohë që, për sa i përket reformës administrative territoriale, procesi është zhvilluar në mënyrë shumë gjithëpërfshirëse në territor. Janë bërë dëgjesa, janë bërë diskutime dhe aty procesin e drejton dikush që unë besoj që është njeriu që ka gjithë kompetencën për të folur për këtë subjekt, i cili është shumë i përgatitur dhe i cili është patjetër një pikë referimi nëse ju doni gjëra më të detajuara po themi.

Ndërsa për sa i përket çështjes së 2027-s dua ta përsëris që 2027-a është një objektiv i vendosur bashkërisht, por është lënë dhe një hapësirë që gjëja për një arsye apo një tjetër mund të ketë një zgjatje deri nga mesi i 2028-s. Kështu që, jemi pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale dhe për këtë arsye 2030 është vendosur si një objektiv po themi madhor sepse pas negociatave është procesi i ratifikimeve, është procesi miratimit nga shtetet kështu që ai kërkon një kohë, por 2027 është e bëshme dhe është aty e vendosur bashkërisht.

 

– Do doja të dija nëse programi në këtë javë të kulturës europiane, do të sjellë më shumë përvoja artistike nga të huajt apo artistët shqiptarë, duke marrë në konsideratë javët kulturore ndërkombëtare, përgjatë këtyre katër viteve kemi pasur artistë të huaj që kanë mbërritur në Shqipëri në skenat shqiptare, por nga ana tjetër të paktë kanë qenë shtetet, të cilët kanë mbështetur artistët shqiptar. Në këtë program që keni planifikuar, cilat janë përzgjedhjet tuaja dhe çfarë do kemi?

Kryeministri Edi Rama: Është një temë interesante. Javët kulturore të vendeve të tjera nuk janë për të promovuar artistët shqiptarë, janë për të promovuar kulturën e vendeve të tjera dhe qëllimi është që sa më shumë artistë dhe sa më shumë protagonistë të kulturës së vendeve të tjera të jenë të pranishëm në Shqipëri sepse kultura dhe arti nuk kanë kufij dhe ato i shërbejnë çdo publiku dhe sidomos publikut shqiptar, i cili ka qenë i privuar nga kultura dhe arti jashtë kufijve dhe jashtë perimetrit të realizimit socialist për gjysmë shekulli.

Nga ana tjetër, për sa i përket artisteve shqiptarë po të shihni pjesën që ka të bëjë me mbështetjen që japim ne si qeveri për artistët shqiptarë, ajo vjen në rritje dhe numri i aktiviteteve, numri i projekteve është shumë i madh. Dhe këtu ne jemi të lumtur që dhe BE përmes Komisionit celebron ditët e Europës me projektet e artistëve shqiptarë.

Dhe e fundit që kam është diçka që lidhet me këtë temë dhe me arkitekturën. Dje kam pasur një diskutim me një nga arkitektët më të mëdhenj të botës, i cili është kinez dhe punon në SHBA, punon në Kanada, punon në Kinë, punon në Europë dhe më ka thënë ekzaktësisht të njëjtën gjë që kam dëgjuar në mjedisin tonë.  Në fillim kur Kina u hap ndaj arkitektëve ndërkombëtarë, pati një debat shumë të madh që po arkitektët lokalë ç’do bëjnë tani? Në ndërkohë që, falë asaj hapje Kina sot ka një numër arkitektësh që janë ndërkombëtarë dhe që janë ndërkombëtarisht të vlerësuar dhe të kërkuar, që do të thotë që me arkitektët ndërkombëtarë në Shqipëri ne kemi krijuar praktikisht shkollën më të madhe të arkitekturës në qiell të hapur në Europë. Nuk ka asnjë vend tjetër europian ku të mund t’i gjesh arkitektët që punojnë në Shqipëri në të njëjtin vend duke punuar në të njëjtën kohë dhe të gjithë ata arkitektë punojnë me studio lokale. Dhe të gjitha ato studio lokale që punojnë me ata arkitektë praktikisht marrin një dije dhe një eksperiencë të paçmuar që s’do e merrnin kurrë duke paguar për të shkuar në leksionet e tyre nëpër universitete të famshme të botës dhe duke qenë atje një nga 200 a 300 njerëzit që dëgjojnë një leksion, ndërkohë që janë në ndërveprim të vazhdueshëm me ta dhe unë di të them këtë, që nuk do të jetë e largët dita kur arkitektë shqiptarë do të hyjnë në konstelacionin e yjeve të arkitekturës botërore dhe vetëm e vetëm falë këtij ndërveprimi dhe falë këtij miksimi. Kështu që ne duhet ta shohim mundësinë për të sjellë kultura të vendeve të tjera, për të sjellë eksperienca të vendeve të tjera si një mundësi të artë për t’u zhvilluar ne vetë, sepse jetojmë në një botë pa kufij. Nuk jetojmë më në bunkerin e shokut Enver. Shumë faleminderit! 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.