Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria ka miratuar në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë, duke e çuar në 17 numrin e përgjithshëm të marrëveshjeve të nënshkruara me shtete të tjera për njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore.

Projektvendimi u bë i ditur nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në deklaratën për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Ajo sqaroi se, me miratimin në parim të kësaj marrëveshjeje, numri i marrëveshjeve të firmosura me vendet e Bashkimit Evropian arrin në 11, përfshirë edhe atë me Slloveninë.

Sipas saj, këto marrëveshje u mundësojnë qytetarëve që kanë punuar në Shqipëri dhe jashtë vendit të njohin periudhat e kontributeve dhe të përfitojnë të drejtat e sigurimeve shoqërore.

Ministrja veçoi si një nga marrëveshjet më të rëndësishme atë me Italinë, e ratifikuar vitin e kaluar, nga e cila kanë përfituar rreth 20 mijë shtetas shqiptarë përmes njohjes së viteve të punës dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Sa i takon vijimit të këtij procesi, ministrja Ibrahimaj bëri me dije se zgjerimi i rrjetit të marrëveshjeve do të vijojë, ndërsa aktualisht janë katër marrëveshje të tjera në proces negociimi, të cilat pritet t’i paraqiten së shpejti për shqyrtim Këshillit të Ministrave.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.