Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në bujqësi, banesa apo për nevoja të tjera, të lindura si pasojë e situatës së zjarreve në vend, ndërkohë që masat e marra dhe mobilizimi i strukturave përkatëse për menaxhimin e situatës dhe vlerësimi i dëmeve – ishin tema e një takimi koordinues, në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, i bashkëdrejtuar nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj  dhe Drejtuesi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri një raportim të situatës së deritanishme, teksa theksoi se qarqet më të prekura janë Vlora, Dibra, Tirana dhe Berati.

“Deri në fund të muajit korrik, kemi pasur 59 zjarre masive. Në metodologjinë e emergjencave civile, zjarr masiv quhet një zjarr që tejkalon sipërfaqen një hektar. Sikundër kemi pasur edhe një mori zjarresh më të vogla, qofshin këto në zonat banuara apo zonat rurale. Në total mbi 29 mijë hektarë sipërfaqe djerrë, që padyshim duhet vendosur në kontekstin disa vjeçarë të këtyre fenomeneve. Por, nga të dhënat satelitore nga raportimet në terren, na rezulton se qarqet më të prekura janë Vlora me 17 mijë e 500 hektarë, pasuar nga Dibra, 4500 hektarë, Tiranë, 2400 hektarë dhe Berati, 1500 hektarë. Dhe në këtë mënyrë vijojmë në zbritje me qarqet e tjera.

Pavarësisht se në të kaluarën mund të kemi pasur vite me më shumë sipërfaqe të djegura, rekordi historik në vendin tonë është në 2007-ën me, 127 mijë hektarë të djegur. Deri në vitin 2024, sezonet verore kishin mesatarisht 6 zjarre në javë, ndërkohë që këtë vit kemi pasur 13 zjarre në javë, një rritje e shpeshtësisë, një rritje masive e misioneve zjarrfikëse dhe padyshim edhe një element që shpjegohet edhe nga faktori njerëzor.” – informoi Ministri Vengu, ndërsa nënvizoi se me shumë rëndësi mbetet vlerësimi i dëmeve, konstatimi, inventarizimi i tyre dhe përgjigjja që duhet t’u jepet banorëve të prekur veçanërisht në sektorin e blegtorisë.

“Është shumë e rëndësishme që bashkitë të vijojnë sa më shpejt, me vlerësimin e dëmeve në çdo fshat, sa rrënjë ullinjsh, sa kullota, sa objekte të dëmtuara, zonat e mbrojtura, etj, të cilët kanë qenë po ashtu të angazhuara, qoftë edhe në aspektin operacional me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe Agjencinë Përkatëse por edhe tani duhet të evidentojnë edhe ato dëmet përkatëse. Pra, duhet që të inventarizojmë çdo gjë. Po ashtu, duhet të vijohet siç ka ndodhur faktikisht në disa bashki, rikthimin e shërbimeve dhe rehabilitimin e infrastrukturës përkatëse, është për t’u vlerësuar kthimin në kohë rekord të furnizimit me ujë dhe energji në zonën e Delvinës. Ne duhet ta kemi parasysh si mësim të nxjerrë nga gjithë operacionet e korrikut. Dhe padyshim, prefektët dhe kryetarët do vijojnë të jenë prezent në zonat e prekura për të finalizuar këtë proces evidentimi dhe rehabilitimi.” – u shpreh Ministri Vengu.

Ndërsa sa i përket masave të marra për furnizimin me bazë ushqimore në zonat e prekura, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj tha se është realizuar në kohë rekord.

Ne jemi ende duke vlerësuar nevojën për ushqim në të gjithë zonën e jugut, por jo vetëm. Në zonën verilindore, aktualisht është mundësuar që furnizimi me bazë ushqimore të realizohet në një kohë rekord dhe dua të falënderoj të gjithë punonjësit që kanë mundësuar këtë furnizim, sepse që prej ditës martë në Delvinë për bazën ushqimore për bagëtitë janë shpërndarë 20 ton dhe kemi sigurisht një kapacitet të ruajtur prej gati 100 ton që jemi në dispozicion për ta shpërndarë edhe në zonat e tjera të prekura. Prandaj do të kërkoja strukturave të Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimës, të bëjnë evidentimin e plotë të këtyre nevojave për bazë ushqimore, jo vetëm në zonën e jugut, por edhe në zonat e tjera të prekura në verilindje të Shqipërisë.

Ministrja Denaj informoi ndër të tjera se është duke u hartuar një paketë mbështetëse për të rivitalizuar zonën e dëmtuar me të mbjella.

Jemi duke përgatitur një paketë mbështetëse për të realizuar këtë rivitalizim me të mbjella në rastin e dëmeve të evidentuara. Kështu që edhe një herë ju falënderoj për gjithë mbështetjen, por do të kërkoja që strukturat e veterinarisë, por dhe strukturat e bujqësisë, të vijojnë me evidentimin e dëmeve në çdo zonë të Shqipërisë. Dhe aty ku nuk ka pasur dëme në bagëti, por në të mbjella, të vihet e plotë për informacion në mënyrë që paketa mbështetëse dhe për rivitalizimin e tokave.”u shpreh Ministrja Denaj.

Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se falë mobilizimit të forcave të rendit, nuk është shënuar asnjë humbje jete

“Deri sot, vendi është përballur me 59 zjarre, sikurse edhe Ministri i Mbrojtjes e tha, me 961 zjarre të vogla, përfshirë zjarre në banesa biznese apo sipërfaqe të tjera të kufizuara. Përballë kësaj situate, reagimi ynë ka qenë i menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës. Ky mobilizim i jashtëzakonshëm ka dhënë rezultate, ç’ka më kryesore është lajmi që ne nuk kemi asnjë humbje jete, ku janë shpëtuar dhjetëra banesa dhe është parandaluar përhapja e zjarrit në infrastrukturën kritike. Policia e shtetit ka qenë vendimtare në evakuimin e përkohshëm dhe rikthimin e menjëhershëm në banesat e tyre të qytetarëve tanë. Megjithatë dhe në mes të gjithë kësaj lufte, 2 punonjës policie janë lënduar në një akt që të gjithë ne e konsiderojmë heroik.” – nënvizoi Ministri Hoxha.

“Edhe një herë, ruajmë vigjilencën gjatë gushtit, vazhdojmë të njëjtin koordinim vendor dhe qendror përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe e mbajmë të njëjtin nivel gatishmërie.” – përfundoi takimin Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ndërsa falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për gatishmërinë dhe bashkëpunimin.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.