“Vlora, një ish perlë e fshehur e një vendi, që tashmë po shndërrohet në pikën më të nxehtë të verës në Europë”. E përshkruan kështu, qytetin bregdetar të Shqipërisë, një prej artikujve të portalit “Traveloffpath”, i cili sugjeron destinacione turistike në mbarë botën, tërheqëse, jo vetëm për natyrën mahnitëse, por edhe për shumë aspekte të tjera, përfshi këtu infrastrukturën dhe çmime të konkurrueshme.
“Vlora është një qytet me atmosferë të qetë dhe relaksuese – vijon më tej “Traveloffpath” – me një qendër historike të rikonstruktuar së fundmi që rikthen në jetë trashëgiminë e pasur osmane të Shqipërisë, bregu i të cilës po zhvillohet me ritme të shpejta, i mbushur me ndërtesa të larta moderne, bare plazhi plot gjallëri dhe taverna mikpritëse që shërbejnë ushqime deti të freskëta gjatë gjithë ditës.”
Teksa e cilëson Vlorën si “i riu i lagjes” në Mesdhe, në artikull theksohet se së shpejti Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të hapet për fluturime brenda Europës.
Ndër të tjera, “Traveloffpath” rendit disa vende të mirënjohura turistike në Europë, ku vit pas viti situata po ndryshon për shkak të çmimeve të larta, të cilat shpesh i bëjnë turistët të hezitojnë.
Ndërsa tek i referohet Vlorës, artikulli cilëson se “ekzistojnë katër qytete të vjetra me bukuri të rrallë që shpesh anashkalohen, por që ofrojnë akomodim dhe ushqim shumë më të lirë.”
Link artikulli i plotë: https://www.traveloffpath.com/4-of-the-cheapest-european-cities-youll-actually-want-to-visit-this-summer/