Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit, Edi Rama, në një ceremoni të posaçme falenderimi dhe mirënjohjeje për organizimin e vizitës dhe mikpritjen e Papa Françeskut në Shqipëri: 

 

Përshëndetje të gjithëve.

Është një moment i posaçëm, sepse kërkesa e Kishës dhe e mikut tonë dhe kam nderin të them edhe mikut tim, Rrok Mirditës, për të na shprehur falënderimet lidhur me atë që ne të gjithë bashkë u përpoqëm për të bërë dhe bëmë dhe mirënjohjen për gjithçka u arrit të përjetohej aq bukur atë ditë. Në fakt ka një vlerë të posaçme, sepse na jep mundësinë që të rimblidhemi këtu, jo thjesht mes nesh, por përmes mediave me të gjithë ata që kontribuuan drejtpërdrejtë ose indirekt në suksesin e madh të asaj dite për Shqipërinë dhe të përjetojmë përsëri, atë emocion aq të posaçëm që surprizoi shumëkënd. Sepse shumëkënd e kam parë pas meshës në sheshin “Nënë Tereza”, të më thoshte se nuk e kishte pritur kurrë atë përjetim. Nuk e kishte menduar kurrë, se do ta përjetonte me atë emocion dhe me atë intensitet, gjithçka ndodhi atë ditë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Nënë Tereza”.

Por kanë qenë të panumërta, edhe shprehjet për të njëjtin emocion nga shumë njerëz që nuk i kam takuar drejtpërdrejt, por mendimet e të cilëve kam mundur t’i lexoj nëpërmjet përshtypjeve, qoftë në telefon, qoftë në e-mail, qoftë në rrjetet sociale. Përshtypje shumë të forta, që kanë prekur gjithkënd pa dallim. Pa dallim besimi, pa dallim vendndodhjeje, pa dallim kufijsh.

Ardhja në Shqipëri e një lideri të përbotshëm shpirtëror, e një flamurtari të madh, sot, të përpjekjes së njeriut kundër çdo kufiri, çdo paragjykimi, çdo përjashtimi, çdo dasie mes njerëzish të lindur të barabartë, pavarësisht nga feja, pavarësisht nga ngjyra, pavarësisht nga etnia, pavarësisht nga shtresa sociale dhe pritja e Tij, me gjithë atë dëshirë dhe gjithë atë padurim, materializuar që në orët e natës, në orët e para të mëngjesit, gjatë gjithë ditës, nga të krishterë dhe nga myslimanë, njerëz që jetojnë në Tiranë, njerëz që jetojnë në Shqipëri, njerëz që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë ishte një mrekulli shumë e rrallë për botën shumë të trazuar ku jetojmë, por ishte shumë e rrallë, çuditërisht ose aspak çuditërisht, në radhë të parë, për ne që jetojmë çdo ditë brenda kornizës së kësaj fotografie unikale dhe jemi mësuar deri në pikën që rëndom harrojmë ta çmojmë vendin që Zoti apo, për kë nuk beson në Zot, ka zgjedhur natyra të na lindë dhe të na e përcaktojë fatin.

Lajmi nuk kishte si të mos merrte dhenë kudo dhe si mos bënte përshtypje tek shumë të huaj, për të cilët Shqipëria mund të jetë shumëçka, por kurrë nuk mund të ishte ajo që u pa atë ditë. E që në fakt u pa e zhveshur nga të gjitha paragjykimet dhe nga të gjitha llojet e rrobave që i kanë veshur në sytë e botës, qoftë historia, qoftë episodet e tranzicionit, qoftë edhe perceptimi i mediave ndërkombëtare. U pa një vend që s’ka sherr dhe s’ka dasi fetare edhe pse ka në pak kilometra katrorë, krahasuar me botën e madhe, disa besime, që gjetkë trajtohen si arsye për luftëra barbare dhe për masakra të paimagjinueshme për shekullin ku jetojmë. Të gjithë panë që shqiptarët nuk kanë asnjë konflikt, asnjë luftë fetare apo etnike me të tjerët dhe përmes kësaj mundën të shohin dhe që shqiptarët nuk kanë të tilla as në vendet ku e ndajnë qiellin me të tjera etni dhe për shkak të vendndodhjes së  tyre në vende të ndryshme në këtë rajon, me të tjera besime.

Për mua, gjëja më e jashtëzakonshme e vizitës, jo në vetvete, por si rezultat i saj, ishte të dëgjoja nga goja e Papa Françeskut, në rrugën e tij në kthim, të thoshte se Shqipëria është një vend europian që nuk ka harmoni fetare, por ka vëllazëri fetare mes të krishterësh dhe myslimanësh. Kur u ndamë në aeroport, më tha: Të falenderoj jo thjesht që më ftove, por që më binde të vij duke më krijuar mundësinë të përjetoj një ditë që unë nuk e kisha imagjinuar. Sepse në fund të kësaj dite kam parë dhe përjetuar drejtpërdrejtë, diçka që se kam pritur ta përjetoj, vëllazërinë fetare.

Nuk dua të bëhem patetik, por do të kisha shumë dëshirë që të ishin këtu, bashkë me ne sot,  për t’ia dedikuar simbolin e mirënjohjes së Selisë së Shenjtë për pritjen, atyre që jetojnë në fshatin Malbardhë. Nuk e di nëse e keni dëgjuar këtë fshat me shumicë të madhe myslimane, ku ka një minoritet shumë të vogël katolik, po ku myslimanët, pasi ndërtuan tempullin e tyre, nuk i lanë bashkëfshatarët katolikë pa tempull, po ishin iniciatorët e ndërtimit edhe të kishës, bashkë me ta. Në cilin vend të botës, sot, kjo fabul nuk do të dukej si një përrallë utopike? Në cilin vend të botës, sot mund të gjendej një fabul e tillë në jetën reale të njerëzve, që e jetojnë besimin si pjesë të të kuptuarit dhe të bashkëjetuarit me të ndryshmin dhe jo si arsye për ta përjashtuar apo masakruar të ndryshmin? Askund!

Ajo çka e bën fantastike fabulën e atij fshati është se, megjithatë, kjo nuk është historia e vetme e këtij vendi. Sepse, kur në këtë vend Krishti u ringjall, në kuptimin më të vërtetë të fjalës, pas futjes përmes trupit të Shqipërisë në të 9 rrathët e ferrit komunist, u ringjall në varrezat katolike të Shkodrës përmes predikimit të Dom Simon Jubanit, ku ishin të pranishëm të reja dhe të rinj,  të krishterë e myslimanë. Të nesërmen, po të krishterë e myslimanë shkuan të çelin dyert e xhamisë, të kthyer në një magazinë të Ushtrisë Popullore, në mos gabohem.

E, fakti që shqiptarët janë myslimanë e të krishterë që besojnë fort tek e ardhmja e përbashkët europiane dhe që Shqipëria nuk është një vend mysliman siç e kërkon stereotipi i krijuar përmes shumë e shumë historish të treguara në mënyrë të shtrembër, apo shumë e shumë raportimesh të bërë në mënyrë të paragjykuar nga mediat perëndimore, i bën myslimanët shqiptarë një aset të paçmueshëm për Europën dhe për botën demokratike ku ne bëjmë pjesë. Ashtu sikundër e bën Shqipërinë të nevojshme më shumë se asnjëherë më parë për Europën, jo thjesht si Shqipëri gjeografike, por si vendburimi i kësaj bashkëjetese, që shtrihet ndër shqiptarët në të gjithë rajonin. Shqiptarët kanë sot të drejtën e Zotit dhe të drejtën e kombit të tyre që ta ngrenë kokën lart dhe ta shohin me krenari, cilindo që nga majat e mirëqenies së Europës i ka parë me paragjykim, edhe me përçmim nganjëherë dhe jo rrallë nuk ka mundur ta fshehë që i konsideron si qytetarë të dorës së dytë.

E pra, ajo çka e bëri Shqipërinë të ishte aq e rëndësishme në rrugëtimin e Papa Françeskut, për të predikuar paqen, tolerancën, solidaritetin me më të dobëtit, nuk ishte varfëria, por ishte vëllazëria fetare, si një shembull rrezatues për Europën e pasur nga një periferi e saj, e mbetur padrejtësisht, ende, jashtë Europës së Bashkuar, për shkak të një historie shumë pak bujare me Shqipërinë dhe me gjithë rajonin dhe që sot i jep Europës, i jep botës së qytetëruar, quajeni si të doni, atë fotografi që nuk e gjen askund. Shpinën e krerëve të të gjitha besimeve duke ndjekur meshën e Atit të Shenjtë të ardhur nga Roma, në radhën e parë.

Edhe këtë ceremoni, që është ceremoni me praninë e gjithë besimeve dhe gjithë përfaqësuesve të këtyre besimeve, që sot kanë barrën epokale për të udhëhequr komunitetet pa e humbur drejtpeshimin, në një rrugë që për botën bëhet gjithmonë e më e vështirë dhe për të mos lejuar influencimin e asnjërit prej komuniteteve nga energjitë negative që shpërndahen në emër të fesë, por që me fenë nuk kanë asgjë të përbashkët.

I thashë Atit të Shenjtë, atë çka ai nuk kishte mundur të ndiqte, ndërkohë që rrugëtonte nga një stacion në tjetrin në kryeqytet dhe pastaj, jashtë kryeqytetit, ndër të tjera i tregova prononcimin që më bëri jashtëzakonisht shumë përshtypje dhe e komentuam bashkë me Lindën duke parë në televizor, të një përfaqësuesi të Komunitetit Mysliman i cili tha: Bashkëjetesën fetare dhe respektin që komuniteti ynë sot shpreh për Papën e Romës, unë e kam frymëzim nga Kurani, i cili mëson në radhë të parë, respektin për tjetrin dhe më ndalon dhe na ndalon që tjetrin ta shohim nga lart poshtë, pse është i ndryshëm. E tha shumë më bukur se unë dhe ju siguroj se Atit të Shenjtë ia thashë ekzaktësisht siç e tha ai, sepse e kisha shumë të freskët.

Por zor të parafytyrohet dot, në botën e sotme, një realitet tjetër multifetar ku të ndodhë kjo që ndodhi me Papën e Romës në Shqipëri. Zor të parafytyrohet, por është përgjegjësia jonë karshi fëmijëve tanë, përgjegjësia e të gjithëve ne, besimtarë në Zot, ose besimtarë në vlera dhe parime të pacenueshme të lirisë, barra që kemi për ta ruajtur këtë thesar. Barra që kemi për të mos lejuar që epidemia vrastare që nuk njeh kufij, nuk njeh konvencione, nuk njeh rregulla eksperiencash të mëparshme dhe që vjen në formën e një lufte fetare nga zona të globit që duket sikur janë larg, por në fakt janë shumë afër, të mos e prekë shqiptarinë dhe të mos e cenojë këtë pasuri të madhe të shqiptarëve.

Shqipëria do të marri pjesë si shumë apo të gjitha vendet e tjera në Ekspo-n e Milanos. Jemi një vend i vogël, jemi një vend i varfër dhe nuk kemi mundësi të marrim në dispozicion hapësira të mëdha, sepse janë të shtrenjta, nuk kemi mundësi të financojmë projekte të mëdha, sepse kushtojnë shumë dhe tema e Ekspo-s është: Vendi ynë, ushqimi ynë. Apo ushqimi ynë, vendi ynë.

Orientimet e organizatorëve për vendet janë që të promovojnë ushqimet, duke promovuar karakteristikat, traditat, natyrën e me radhë. Ne e ndërruam krejtësisht konceptin e Ekspo-s mbas vizitës së Papës dhe e përmbysëm tërësisht projektin dhe kemi filluar nga e para. Sepse ne besojmë që në ato 60 metra katrorë, mes milionave metra katrorë të Ekspo-s, ku njerëzit do të vizitojnë Shqipërinë ka një ushqim që nuk do e gjejnë në asnjë hapësirë tjetër, në asnjë metër katror jashtë atyre 60 metrave katrorë, që është ushqimi i vëllazërisë fetare. Nga e thëna në të bërë është një det i tërë dhe në shprehjen artistike, estetike, vizuale nuk ka rëndësi parësore çfarë do të thuash, por si e thua, megjithatë unë besoj që ne do t’ia dalim ta përcjellim këtë mesazh që është mesazhi që e bëri të kumbojë brenda nesh, vizita e Papës.

E, nga ana tjetër, unë jam shumë i lumtur që në ndërkohë, falë bashkëpunimit mes gjithë përfaqësuesve të komuniteteve fetare ndodhi edhe diçka tjetër, shumë më minore, shumë më e vogël, shumë më në cep të bulevardit, që ishte ekspozita e titulluar “Besim”. Dhe i tregova Atit të Shenjtë, detajin e fotografisë së meshës së parë në Kishën e Madhe, pasi u çlirua nga koshat e basketbollit, ku në qendër të fotografisë, i ulur si njeriu i nderit, ishte Hafiz Sabri Koçi. Një meshë ku merr pjesë në qendër të vendit, kreu i Komunitetit Mysliman.

Duke e marrë rrugëtimin mbrapsht, nga varrezat katolike që nuk do më hiqen kurrë nga mendja, përveç të tjerave për shenjat e plumbave të Ushtrisë Popullore që bënte stërvitje mbi trupat e engjëjve dhe të Shën Mërisë që ishin vendosur mbi varre, pastaj tek xhamia, pastaj me radhë tek gjithë ecuria e vështirë jashtëzakonisht, e klerit katolik, ortodoks, mysliman, bektashian për të rimarrë pronat, për të rimarrë në zotërim çka iu mor forcërisht nga komunistët dhe çka mbeti pasi komunistët shkatërruan jo pak, po mijëra e mijëra tempuj nga më të vegjlit deri tek më të mëdhenjtë, me dinamit, pasi dogjën nëpër rrugë, jo pak, por mbi 300 mijë libra dhe vepra arti fetare, sesa e vështirë ka qenë kjo rrugë.

Jam shumë i lumtur që sot, ne jemi në gjendje që të përfytyrojmë jo si një utopi, por si një diçka që do ta jetojmë sëbashku shumë shpejt, hedhjen e themeleve të xhamisë së re tek Namazgjaja. Ku jam i bindur do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Kishës Katolike, Ortodokse, bektashinjtë. Ashtu sikundër jam i bindur që të gjithë sëbashku do të jemi të pranishëm në përfundimin e një pune titanike, për një njeri të vetëm, pa asnjë mbështetje shtetërore, që për vite me radhë e ëndërroi para se të kishte mundësi të fillonte të ushtronte aktivitetin e tij fetar, pastaj e dizenjoi, pastaj doli rrugë më rrugë për të mbledhur qindarkat dhe filloi ta ndërtonte, Teqen e Madhe të bektashinjve, të ndjerit Baba Reshatin. Një njeri të shenjtë që kam pasur fatin ta njoh dhe që e kujtoj gjithmonë, me shumë respekt, për atë besimin e madh që është besimi i një njeriu që edhe 100 vjeç po të shkojë, mbetet fëmijë.

Në mbyllje dua t’i falënderoj nga zemra që të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për këtë sukses të madh shqiptar, pa përjashtim. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që e mbështetën përpjekjen tonë, po edhe ata që punuan ditë e natë dhe të gjithë dhanë diçka nga vetja. Askush nuk na tha nuk u mbjellim dot edhe këto pemë, sepse mbaruan paratë, nuk i shtojmë dot edhe këto dritat, sepse mbaruan paratë, nuk e bëjmë dot edhe këtë apo atë, sepse mbaruan paratë. Të gjithë dhanë diçka nga vetja. Dhe mbi të gjithë dhanë nga vetja ata që ishin atë ditë prezent, për ata që s’mundën të vijnë dhe që çuan mesazhet e tyre.

Prandaj, kjo mirënjohje që ne marrim përmes fjalëve të përfaqësuesit më të lartë të Kishës Katolike këtu në Shqipëri, sinqerisht dhe jo për formalitet, është e tepërt në drejtim të dy personave, qofshin këta edhe Kryeministri dhe Ministrja, sepse i takon absolutisht që të gjithëve. I takon që të gjithëve dhe jam i bindur që po t’i pyesim të gjithë do thonë nuk i takon asnjërit nga ne, i takon Papa Françeskut.

Shumë faleminderit.

 

***

Me kërkesë të autoriteteve katolike në Shqipëri, në Sallën e Hartave në Kryeministri u zhvillua sot, një ceremoni e posaçme falenderimi dhe mirënjohjeje për organizimin e vizitës dhe mikpritjen e Papa Françeskut në Shqipëri.

Një falënderim i veçantë u shpreh për Kryeministrin Edi Rama,  si iniciues i kësaj vizite, e njohur edhe me Medaljen e Mirënjohjes dhënë nga Selia e Shenjtë, Kryeministrit dhe Ministres së Kulturës si kryetare e Komitetit Shtetëror për organizimin e vizitës, në momentin kur Papa Françesku  mbërriti në Tiranë.

Kjo mirënjohje u bashkënda me drejtues të institucioneve, klerikë të të gjitha besime,  punonjës, gazetarë dhe donatorë, kontributorë në këtë sukses shqiptar. Dhe nga kjo Sallë, falënderimi e mirënjohja iu dedikua të gjithë shqiptarëve, që edhe një herë dëshmuan mikpritje dhe vëllazëri, si vlerat më përfaqësuese të tyre.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.