Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Janar 2026:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE “REGJISTRI QENDROR I BAZËS SË TË DHËNAVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME (KADASTRA FISKALE)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 2, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij vendimi është:
a) krijimi i bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale)” dhe përcaktimi i autoritetit përgjegjës për administrimin e saj;
b) përcaktimi i të dhënave të nevojshme për administrimin e taksës mbi ndërtesën, si dhe i rregullave për mbledhjen e menaxhimin e tyre.
KREU II
REGJISTRI QENDROR I BAZËS SË TË DHËNAVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME (KADASTRA FISKALE)
Neni 2
Krijimi dhe administrimi i Regjistrit Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale)
1. Për qëllimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe miradministrimit të taksës mbi ndërtesën, krijohet baza e të dhënave shtetërore “Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale)”.
2. Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) krijohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë (në vijim DPTP), në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit përkatës.
3. Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) administrohet nga DPTP-ja.
KREU III
TË DHËNAT QË PËRMBAN REGJISTRI QENDROR I BAZËS SË TË DHËNAVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME (KADASTRA FISKALE)
Neni 3
Të dhënat që përmban Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale)
1. Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) përmban të dhëna për:
a) ndërtesat dhe njësitë e ndërtesave;
b) pronarët, zhvilluesit dhe përdoruesit e njësive të ndërtesave, në funksion të përcaktimit të përgjegjësisë tatimore, detyrimeve tatimore dhe përjashtimeve nga taksa;
c) zonat e vlerave, duke përfshirë kufijtë gjeografikë, identifikuesit unikë dhe çmimet referuese për secilën prej tyre;
ç) kufijtë gjeografikë dhe identifikuesit unikë (numrat) të parcelave;
d) kufijtë gjeografikë dhe identifikuesit unikë (numrat) të zonave dhe blloqeve kadastrale;
dh) kufijtë administrativë, emrat dhe numrat e bashkive dhe njësive administrative brenda tyre;
e) bazën e taksës (vlerën e taksueshme) për njësitë e ndërtesave;
ë) shkallët e zbatueshme të taksës për:
i. njësitë e ndërtesave që përdoren/shfrytëzohen për banim;
ii. njësitë e ndërtesave që përdoren/shfrytëzohen për veprimtari ekonomike;
iii. ndërtesat e papërfunduara.
f) kamatëvonesat dhe gjobat e zbatueshme;
g) detyrimet tatimore, afatet për pagesë dhe pagesat e bëra për përmbushjen e tyre;
gj) rimbursimet e kryera për detyrime tatimore të paguara më tepër;
h) faktorët e prezumuar, që përdoren për përcaktimin e bazës së taksës dhe shkallës së taksës, në rastet kur mungojnë të dhënat e nevojshme;
i) të dhëna të tjera të nevojshme për administrimin e taksës për ndërtesën, si dhe informacionin për përdoruesit e sistemit informatik të Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale).
Neni 4
Të dhënat për ndërtesën dhe njësinë e ndërtesës
1. Të dhënat për ndërtesën përfshijnë:
a) identifikuesin unik teknik që ka ndërtesa në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
b) emrin e bashkisë ku ndodhet ndërtesa;
c) emrin e qytetit dhe emrin/numrin e njësisë administrative ku ndodhet ndërtesa;
ç) identifikuesin unik të zonës kadastrale ku ndodhet ndërtesa;
d) identifikuesin unik të zonës së vlerës ku ndodhet ndërtesa;
dh) identifikuesin unik të parcelës ku ndodhet ndërtesa;
e) kufirin gjeografik të ndërtesës (poligoni i gjurmës) ose koordinatat GPS të ndërtesave, pa kufij të përcaktuar;
ë) adresën e ndërtesës;
f) numrin e përgjithshëm të kateve të ndërtesës (ku specifikohen numri i kateve mbi dhe nën sipërfaqen e tokës);
g) llojin e ndërtesës (ndërtesë me një njësi ndërtese ose me shumë njësi ndërtese);
gj) të dhënat për lejen e ndërtimit dhe për pronën, të parashikuara në sistemin elektronik të lejeve (e-Leje).
2. Të dhënat për njësinë e ndërtesës përfshijnë:
a) identifikuesin unik teknik që ka njësia e ndërtesës në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
b) numrin e pasurisë që ka njësia e ndërtesës në regjistrin kadastral;
c) adresën e njësisë së ndërtesës;
ç) katin ku ndodhet njësia e ndërtesës (e zbatueshme për ndërtesat me shumë njësi);
d) sipërfaqen e njësisë së ndërtesës në metra katrorë;
dh) kategorinë e ndërtesës;
e) kategorinë e vlerës;
ë) shfrytëzimin e njësisë së ndërtesës (informacion më i detajuar, kur është i disponueshëm për mënyrën e përdorimit të njësive të ndërtesave, që janë pjesë e kategorive të gjera të vlerës, të tilla, si kategoria e vlerës, ndërtesa që shërbejnë për tregti dhe shërbime, siç janë hotelet, restorantet, dyqanet);
f) çmimin referues që ka zona e vlerës, ku ndodhet njësia e ndërtesës;
g) statusin e privatizimit, nëse njësia e ndërtesës është banesë (banesë e privatizuar ose banesë e paprivatizuar);
gj) statusin e ndërtimit (ndërtesë e përfunduar ose e ndërtesë e papërfunduar);
h) statusin e dëmtimit të njësisë së ndërtesës (e dëmtuar apo e padëmtuar nga forcë madhore);
i) vlerën e taksueshme (bazën e taksës) të njësisë së ndërtesës;
j) shkallën e zbatueshme të taksës;
k) taksën e llogaritur për njësinë e ndërtesës;
l) vitin tatimor;
ll) të dhëna për detyrime të tjera tatimore (taksa të papaguara nga vitet paraardhëse tatimore, gjoba dhe kamatëvonesa), të lidhura me njësinë e ndërtesës;
m) përjashtimin ose jo nga taksa të njësisë së ndërtesës dhe arsyen e përjashtimit, nëse njësia përjashtohet;
n) lehtësimin/përjashtimin e pjesshëm nga detyrimi për pagimin e taksës, si dhe kohëzgjatjen e tij, në rastet e zbatimit të pikës 5, të nenit 21, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.
Neni 5
Të dhënat për taksapaguesin
1. Të dhënat për taksapaguesin përfshijnë:
a) identifikuesin unik teknik që ka taksapaguesi në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
b) për individët dhe personat fizikë:
i. numrin personal të identifikimit (për individët);
ii. emrin, atësinë dhe mbiemrin (për individët);
iii. gjininë (për individët);
iv. numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS) dhe emrin e personit fizik (nëse për taksapaguesin individ nuk disponohen të dhënat e përcaktuara në nënndarjet “i” dhe “ii”, të kësaj shkronje).
c) për personat juridikë:
i. numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS);
ii. emrin e personit juridik.
ç) adresën e taksapaguesit;
d) statusin juridik të taksapaguesit:
i. pronar;
ii. zhvillues;
iii. përdorues.
dh) pjesën takuese të taksapaguesit (pjesa takuese e njësisë së ndërtesës);
e) të dhënat për organizatat jofitimprurëse, të parashikuara në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse;
ë) të dhënat e aplikantit për leje ndërtimi, si subjekt tregtar, individ, institucion, të parashikuara në sistemin elektronik të lejeve (e-Leje);
f) të dhënat për detyrimet tatimore të taksapaguesit;
g) të dhënat mbi pagesat e bëra për përmbushjen e detyrimeve tatimore;
gj) të dhënat për rimbursimet që i janë bërë taksapaguesit për detyrimet tatimore të paguara më tepër.
Neni 6
Të dhënat parësore dhe të dhënat dytësore
1. Të dhënat parësore përfshijnë:
a) identifikuesin unik teknik që ka ndërtesa në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
b) identifikuesin unik teknik që ka njësia e ndërtesës në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
c) identifikuesin unik teknik që ka taksapaguesi në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
ç) zonat e vlerave, duke përfshirë kufijtë gjeografikë, identifikuesit unikë dhe çmimet referuese për secilën prej tyre;
d) identifikuesin unik të zonës së vlerës ku ndodhet ndërtesa;
dh) bazën e taksës (vlerën e taksueshme) për njësitë e ndërtesave;
e) shkallët e zbatueshme të taksës për:
i. njësitë e ndërtesave që përdoren/shfrytëzohen për banim;
ii. njësitë e ndërtesave që përdoren/shfrytëzohen për veprimtari ekonomike;
iii. ndërtesat e papërfunduara.
ë) vitin tatimor;
f) përjashtimin ose jo nga taksa të njësisë së ndërtesës dhe arsyen e përjashtimit, nëse njësia përjashtohet;
g) lehtësimin/përjashtimin e pjesshëm nga detyrimi për pagimin e taksës, si dhe kohëzgjatjen e tij, në rastet e zbatimit të pikës 5, të nenit 21, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar;
gj) kamatëvonesat dhe gjobat e zbatueshme;
h) detyrimet tatimore, afatet për pagesë dhe pagesat e bëra për përmbushjen e tyre;
i) të dhëna për detyrime të tjera tatimore (taksa të papaguara nga vitet paraardhëse tatimore, gjoba dhe kamatëvonesa), të lidhura me njësinë e ndërtesës;
j) rimbursimet e kryera për detyrime tatimore të paguara më tepër;
k) faktorët e prezumuar, që përdoren për përcaktimin e bazës së taksës dhe shkallës së taksës, në rastet kur mungojnë të dhënat e nevojshme;
l) të dhënat për detyrimet tatimore të taksapaguesit;
ll) të dhënat mbi pagesat e bëra për përmbushjen e detyrimeve tatimore;
m) të dhënat për rimbursimet që i janë bërë taksapaguesit për detyrimet tatimore të paguara më tepër;
n) statusin e dëmtimit të njësisë së ndërtesës (e dëmtuar apo e padëmtuar nga forcë madhore).
2. Të dhënat dytësore janë të dhëna që merren nga një bazë tjetër të dhënash, ku ato janë parësore dhe me të cilat Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) ndërvepron dhe ato janë:
a) ndërtesat dhe njësitë e ndërtesave;
b) pronarët, zhvilluesit dhe përdoruesit e njësive të ndërtesave, në funksion të përcaktimit të përgjegjësisë tatimore, detyrimeve tatimore dhe përjashtimeve nga taksa;
c) kufijtë gjeografikë dhe identifikuesit unikë (numrat) të parcelave;
ç) kufijtë gjeografikë dhe identifikuesit unikë (numrat) të zonave dhe blloqeve kadastrale;
d) kufijtë administrativë, emrat dhe numrat e bashkive dhe njësive administrative brenda tyre;
dh) emrin e bashkisë ku ndodhet ndërtesa;
e) emrin e qytetit dhe emrin/numrin e njësisë administrative ku ndodhet ndërtesa;
ë) kufirin gjeografik të ndërtesës (poligoni i gjurmës) ose koordinatat GPS të ndërtesave, pa kufij të përcaktuar;
f) adresën e ndërtesës dhe të njësisë së ndërtesës;
g) numrin e përgjithshëm të kateve të ndërtesës (ku specifikohen numri i kateve mbi dhe nën sipërfaqen e tokës), si dhe të katit ku ndodhet njësia e ndërtesës (e zbatueshme për ndërtesat me shumë njësi);
gj) llojin e ndërtesës (ndërtesë me një njësi ndërtese ose me shumë njësi ndërtese);
h) numrin e pasurisë që ka njësia e ndërtesës në regjistrin kadastral;
i) sipërfaqen e njësisë së ndërtesës në metra katrorë;
j) kategorinë e ndërtesës;
k) statusin e privatizimit, nëse njësia e ndërtesës është banesë (banesë e privatizuar ose banesë e paprivatizuar);
l) statusin e ndërtimit (ndërtesë e përfunduar ose e ndërtesë e papërfunduar);
ll) të dhënat për lejen e ndërtimit dhe për pronën, të parashikuara në sistemin elektronik të lejeve (e-Leje);
m) për individët dhe personat fizikë:
i. numrin personal të identifikimit (për individët);
ii. emrin, atësinë dhe mbiemrin (për individët);
iii. gjininë (për individët);
iv. numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS) dhe emrin e personit fizik (nëse për taksapaguesin individ nuk disponohen të dhënat e përcaktuara në nënndarjet “i” dhe “ii”, të kësaj shkronje).
n) për personat juridikë:
i. numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS);
ii. emrin e personit juridik.
nj) adresën e taksapaguesit;
o) statusin juridik të taksapaguesit:
i. pronar;
ii. zhvillues;
iii. përdorues.
p) pjesën takuese të taksapaguesit (pjesa takuese e njësisë së ndërtesës);
q) të dhënat për organizatat jofitimprurëse, të parashikuara në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse;
r) të dhënat e aplikantit për leje ndërtimi, si subjekt tregtar, individ, institucion, të parashikuara në sistemin elektronik të lejeve (e-Leje).
KREU IV
AUTORITETET PËRGJEGJËSE PËR MENAXHIMIN E TË DHËNAVE NË REGJISTRIN QENDROR TË BAZËS SË TË DHËNAVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME (KADASTRA FISKALE) DHE PËRGJEGJËSITË PËRKATËSE
Neni 7
Të drejtat dhe përgjegjësitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë për menaxhimin e të dhënave
1. Në ushtrim të detyrave të saj, në funksion të procesit të regjistrimit të të dhënave, DPTP-ja kryen veprimet e mëposhtme:
a) Regjistron dhe përditëson të dhënat për zonat e vlerave;
b) Regjistron dhe përditëson shkallët e zbatueshme të taksës për çdo bashki;
c) Regjistron dhe përditëson faktorët e prezumuar të përdorur për përcaktimin e bazës së taksës (vlerës së taksueshme) dhe shkallës së taksës, në funksion të llogaritjes së taksës mbi ndërtesën;
ç) Regjistron dhe përditëson të dhënat e përdoruesve të sistemit informatik të Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
d) Regjistron dhe përditëson normat e zbatueshme të kamatëvonesës dhe gjobës;
dh) Regjistron dhe përditëson afatet për pagesën e taksës mbi ndërtesën.
2. Përveç sa është parashikuar në pikën 1, të këtij neni, DPTP-ja kryen edhe përgjegjësitë e mëposhtme:
a) Udhëheq, asiston e monitoron bashkitë në procesin e regjistrimit, përditësimit dhe korrigjimit të të dhënave në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
b) Pajis përdoruesit e sistemit informatik të Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) me kode hyrjeje dhe u vë në dispozicion kredencialet e përdoruesve (aksesit).
3. DTPT-ja është dhënësja e vetme e të dhënave që përmban Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale).
Neni 8
Të drejtat dhe përgjegjësitë e bashkisë për menaxhimin e të dhënave
Në ushtrim të detyrave të saj, në funksion të procesit të regjistrimit të të dhënave për administrimin e taksave mbi njësitë e ndërtesave brenda territorit të saj, bashkia:
a) regjistron të dhënat e regjistruara në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
b) korrigjon, në përputhje me vendimet administrative ose vendimet gjyqësore të formës së prerë, të dhënat përkatëse në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale);
c) korrigjon, në përputhje me rekomandimin e DPTP-së apo me iniciativën e saj, të dhënat përkatëse, pas konstatimit të pasaktësive.
KREU V
NDËRVEPRIMI ME BAZAT E TJERA TË TË DHËNAVE DHE BASHKËPUNIMI ME DHËNËSIT E INFORMACIONIT
Neni 9
Ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave
1. Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) ndërvepron nëpërmjet platformës së ndërveprimit me bazat e mëposhtme të të dhënave:
a) Regjistrin e pasurive të paluajtshme, në administrim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës;
b) Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile;
c) Regjistrin Kombëtar të Adresave, në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme e Gjendjes Civile;
ç) Regjistrin Tregtar, në administrim të Qendrës Kombëtare të Biznesit;
d) Gjeoportalin Kombëtar, në administrim të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor;
dh) Regjistrin Elektronik Kombëtar të Ndihmës Ekonomike, në administrim të Shërbimit Social Shtetëror;
e) Regjistrin e Sigurimeve Shoqërore dhe Pensioneve, në administrim të Institutit të Sigurimeve Shoqërore;
ë) Regjistrin e klientëve, në administrimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike;
f) Sistemin elektronik të tatimeve (E-TAX), në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve;
g) Sistemin elektronik të lejeve (e-Leje), në administrim të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit;
gj) Regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse, në administrim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
KREU VI
NIVELI I AKSESIMIT TË REGJISTRIT QENDROR TË BAZËS SË TË DHËNAVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME (KADASTRA FISKALE)
Neni 10
Niveli i aksesimit të Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë
1. DPTP-ja, në cilësinë e institucionit administrues, ka të drejtë leximi dhe kontrolli mbi të gjitha të dhënat e regjistruara në Regjistrin Qendror të Bazës së Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale), si dhe të drejta hedhjeje ose modifikimi mbi të dhënat e përcaktuara në pikën 1, të nenit 7, të kreut IV, të këtij vendimi.
2. DPTP-ja ka të drejtën e hedhjes dhe modifikimit edhe mbi të dhënat e përcaktuara në nenin 11, të këtij kreu, me kusht që këto të drejta të ushtrohen në bazë të një kërkese dhe autorizimi paraprak nga bashkia përkatëse e të dokumentohen në mënyrë të rregullt. DPTP-ja ushtron të drejtën për të hedhur dhe për të modifikuar të dhënat e përcaktuara në nenin 11, të këtij kreu, në kuadër të rolit të saj mbështetës/asistues dhe vetëm në ato raste, kur bashkia, për arsye problemesh teknike, të dokumentuara saktësisht, nuk mund të bëjë hedhjen ose modifikimin e të dhënave të përcaktuara në nenin 11, të këtij kreu, në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale).
Neni 11
Niveli i aksesimit të Regjistrit Qendror të Bazës së Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) nga bashkia
Bashkia ka të drejta leximi, hedhjeje ose modifikimi vetëm mbi të dhënat e regjistruara në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) për pasuritë e paluajtshme që ndodhen në territorin e saj, taksapaguesit, detyrimet përkatëse tatimore dhe të dhëna të tjera të ndërlidhura, përveç atyre të përcaktuara në pikën 1, të nenit 7, të kreut IV, të këtij vendimi, për të cilat bashkia ushtron të drejtën e leximit dhe jo të drejtën e hedhjes ose modifikimit për të dhënat e veta.
Neni 12
Niveli i aksesimit të Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) nga autoritetet publike
Autoritetet publike të përmendura në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, kanë të drejta leximi dhe përdorimi mbi të dhënat e regjistruara në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale), si përdoruese të këtij regjistri e të konsultojnë të dhënat e këtij regjistri, si dhe të printojnë ekstrakte.
Neni 13
Gjurma e auditit për veprimet e përdoruesve në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale)
Të gjitha veprimet e përdoruesve në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) regjistrohen si gjurmë auditi për të siguruar se të dhënat lexohen vetëm për qëllime të përmbushjes së detyrave funksionale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT DHE SHFUQIZIME
Neni 14
Dispozita të fundit
1. Bashkitë kanë detyrimin të administrojnë taksën mbi ndërtesën në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale), duke filluar nga data 10 shkurt 2026.
2. Vendimi nr.273, datë 16.5.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave për Llogaritjen e Taksës Vendore të Pasurisë së Paluajtshme “ndërtesë” (Kadastra fiskale)”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, bashkitë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Qendra Kombëtare e Biznesit, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe institucionet e përcaktuara në shtojcën nr.1 për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e buxhetit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për vitin 2026, sipas shtojcave nr.1, nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet financiare duke filluar nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 3204, FSHATI RRAKULL, NJËSIA ADMINISTRATIVE SYNEJ, BASHKIA KAVAJË, QARKU TIRANË, NGA SHOQËRIA “SELECT ENERGY”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në zonën kadastrale 3204, fshati Rrakull, njësia administrative Synej, Bashkia Kavajë, Qarku Tiranë, nga shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M22415014G;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 95 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në zonën kadastrale 3204, fshati Rrakull, njësia administrative Synej, Bashkia Kavajë, Qarku Tiranë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj), pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “SELECT ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Genti Gazheli emërohet zëvendësministër i Mjedisit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË DOGANAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Genti Gazheli, drejtor i Përgjithshëm i Doganave, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Besmir Beja emërohet drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.2, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, MALIT TË ZI DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN IPA TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR MALI I ZI – SHQIPËRI 2021-2027, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9/2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.2, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021-2027, ratifikuar me ligjin nr.9/2024, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.19, DATË 17.1.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE DURRËS – TERMINALI I TRANSPORTIT PUBLIK TIRANË (PPT) DHE LIDHJA ME AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS (TIA)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.19, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – terminali i transportit publik Tiranë (PPT) dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA)”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “vreshtë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 377 326 511.55 (treqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e treqind e njëzet e gjashtë mijë e pesëqind e njëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e pesë) lekësh.”.
2. Në pikën 4, togfjalëshi “… prej 280 445 392.25 (dyqind e tetëdhjetë milionë e katërqind e dyzet e pesë mijë e treqind e nëntëdhjetë e dy pikë njëzet e pesë) lekësh …” zëvendësohet me “… prej 377 326 511.55 (treqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e treqind e njëzet e gjashtë mijë e pesëqind e njëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e pesë) lekësh …”.
3. Në tabelën bashkëlidhur vendimit bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Vlerat e shpronësimit të pasurive të paraqitura në nënndarjet me numrat rendorë 9, 11, 12, 15, 17, 18, 40, 41, 42, 43, 55, 57, 65, 73 dhe 74 zëvendësohen me vlerat e shpronësimit në nënndarjet përkatëse, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Pas nënndarjes me numër rendor 84 shtohen pasuritë që shpronësohen, të paraqitura në nënndarjet me numra rendorë nga 85 në 115, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga shoqëria “Hekurudha Shqiptare”, sh.a.
III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria “Hekurudha Shqiptare”, sh.a., drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Kamzë Vorë, Tiranë Rurale 2 dhe Krujë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.422, DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Fjalët “Znj. Elsa Dhuli …” zëvendësohen me “Znj. Lantona Sado …”;
b) Fjalët “Z. Arbjan Mazniku …” zëvendësohen me “Z. Ervin Demo …”;
c) Fjalët “Znj. Mimoza Kaçi …” zëvendësohen me “Znj. Adela Xhemali …”;
ç) Nënndarja “- Z. Sofjan Jaupaj, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, negociator për kapitullin 27;” zëvendësohet me “- Z. Sofjan Jaupaj, ministër i Mjedisit, negociator përgjegjës për kapitullin 27;”;
d) Nënndarja “- Znj. Orjana Osmani, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, negociator për kapitullin 26;” zëvendësohet me “Znj. Orjana Osmani, zëvendësministër i Arsimit, negociator përgjegjës për kapitullin 26;”;
dh) Nënndarja “- Znj. Denada Seferi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 19 dhe 28;” zëvendësohet me “- Znj. Denada Seferi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 19 dhe 28;”;
e) Nënndarja “- Znj. Olta Manjani, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitujt 2 dhe 3, si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 19;” zëvendësohet me “- Znj. Olta Manjani, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitujt 2 dhe 3, si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 19;”;
ë) Nënndarja “- Znj. Blerta Rama, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitullin 6 dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 4;” zëvendësohet me “- Znj. Blerta Rama, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitullin 6 dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 4;”;
f) Nënndarja “- Z. Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm dhe negociator përgjegjës për kapitullin 24” zëvendësohet me “- Znj. Silva Caka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe negociator përgjegjës për kapitullin 24;”;
g) Nënndarja “- Znj. Ana Kapaj, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, negociator përgjegjës për kapitullin 25” zëvendësohet me “- Znj. Armela Baka, zëvendësministër i Arsimit, negociator përgjegjës për kapitullin 25;”;
gj) Nënndarja “- Z. Sokol Duma, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitujt 7 e 20;” zëvendësohet me “- Z. Martin Kajo, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitujt 7 e 20;”;
h) Nënndarja “- Z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 30;” shfuqizohet;
i) Në fund të nënndarjes “- Znj. Megi Fino, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, negociator përgjegjës për kapitullin 31 …” shtohen fjalët “… dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 30;”;
j) Nënndarja “- Z. Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitullin 1 dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 28 e 30;” zëvendësohet me “- Z. Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitullin 1 dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 28 dhe 30;”;
k) Nënndarja “- Znj. Erjona Çela, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitullin 33;” shfuqizohet.
l) Në fund të nënndarjes “- Z. Andi Memeti, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kapitullin 32 …” shtohen fjalët “… dhe kapitullin 33;”;
ll) Nënndarja “- Z. Florian Semani, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kapitujt 16 dhe 29;” zëvendësohet me “- Z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriterin ekonomik, kapitujt 16 dhe 29;”;
m) Nënndarja “- Z. Arian Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, negociator për kapitujt 11 dhe 12;” zëvendësohet me “- Z. Arian Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, negociator përgjegjës për kapitullin 12;”;
n) Nënndarja “- Z. Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, negociator për kapitullin 13;” zëvendësohet me “- Z. Fatmir Guri, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, negociator përgjegjës për kapitujt 11 dhe 13;”.
2. Ngarkohen grupi negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet, sipas pikës 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.649, DATË 16.10.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.649, datë 16.10.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit””, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 3, emërtesa “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për turizmin”;
2. Në tekstin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Emërtesa “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për turizmin”;
b) Fjalët “detit/liqenit” zëvendësohen me “detit/liqenit/lumit”;
c) Pas shkronjës “d”, të pikës 2, të nenit 2, shtohet shkronja “d/1”, me këtë përmbajtje:
“d/1) Plazh publik i tarifuar nga NJVV-ja”, zona e plazheve të lejuara në dispozicion të pushuesve, të administruara dhe të tarifuara nga NJVV-ja ose ente të krijuara prej tyre, që ofrojnë kërkesa minimale për sigurinë dhe higjienën. Në këtë tipologji plazhi ndalohet kontraktimi apo delegimi i stacionit të plazhit nga NJVV-ja te subjektet private.”.
ç) Në nenin 4 bëhen shtesat dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:
i. Pas shkronjës “ç”, të pikës 1, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) hapësirat e plazhit publik të tarifuar nga NJVV-ja;”.
ii. Në fund të pikës 2 shtohen fjalët “… , si dhe me agjencitë rajonale të bregdetit.”;
iii. Në pikën 3, pas fjalëve “… privat/publik …” shtohen fjalët “… /publik i tarifuar nga NJVV-ja …”.
d) Në nenin 5 bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë:
i. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik (në vijim, KMST) kryesohet nga ministri përgjegjës për turizmin dhe në përbërje të tij ka përfaqësues të nivelit të lartë nga:
a) ministria përgjegjëse për shëndetësinë;
b) ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë;
c) ministria përgjegjëse për mbrojtjen;
ç) ministria përgjegjëse për punët e brendshme;
d) ministria përgjegjëse për ekonominë;
dh) ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural;
e) ministri përgjegjës për pushtetin vendor
dhe asistohet nga Task-Forca Ndërinstitucionale e Sezonit Turistik, e ngritur me urdhër të Kryeministrit.”.
ii. Në shkronjën “a”, të pikës 4, fjalët “… si dhe plazheve publike …” zëvendësohen me “… plazheve publike, si dhe plazheve publike të tarifuara nga NJVV-ja …”.
dh) Në nenin 6 bëhen shtesat e mëposhtme:
i. Në fund të shkronjës “a”, të pikës 1, shtohen fjalët “…, si dhe të plazheve publike të tarifuara nga NJVV-ja;…”;
ii. Në fund të shkronjës “dh”, të pikës 1, shtohen fjalët “… dhe të agjencive rajonale të bregdetit.”;
iii. Në fjalinë e parë, të pikës 2, pas togfjalëshit “… plazhe publike …” shtohen fjalët “… , si dhe plazhe publike të tarifuara nga NJVV-ja …”.
e) Pas nenit 6 shtohet neni 6/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 6/1
1. Këshilli bashkiak, përpara fillimit të çdo sezoni turistik, mund të miratojë me vendim çmimet maksimale për secilën zonë bregdetare në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore, të cilat shërbejnë si kufi maksimal për negociimin dhe zbatimin e çmimeve nga subjektet private.
Në mungesë të këtij vendimi, çmimi maksimal përcaktohet ndërmjet bashkisë dhe subjektit privat, në përputhje me parimet e konkurrencës, proporcionalitetit dhe interesit publik.
2. Çmimet maksimale përcaktohen në mënyrë të diferencuar sipas zonave, duke marrë në konsideratë nivelin e zhvillimit turistik, aksesueshmërinë, intensitetin e kërkesës, standardin e shërbimit dhe interesin publik.
3. Çmimet maksimale të dakordësuara bëhen pjesë përbërëse dhe detyruese e kontratës së nënshkruar ndërmjet njësisë së vetëqeverisjes vendore, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe subjektit privat e nuk mund të tejkalohen gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së kontratës.
4. Tejkalimi i çmimeve maksimale përbën shkelje kontraktore dhe shkak për vendosjen e masave administrative dhe/ose zgjidhjen e kontratës.”.
ë) Në nenin 7 bëhen shtesat dhe ndryshimi, si më poshtë:
i. Në fund të pikës 2 shtohen fjalët dhe fjalia “… dhe ka përparësi mbi kontratat e plazhit të lidhura në atë zonë. Në çdo rast, gëzimi i përdorimit të bregut të detit si stacion plazhi nga investitori strategjik fillon pas vënies në funksion të strukturës akomoduese turistike.”;
ii. Në pikën 4, pas shkurtesës “… GTSHA-ja …” shtohen fjalët “… që kryesohet nga titullari i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit …”;
iii. Në pikën 9, togfjalëshi “… brenda datës 31 mars, …” hiqet;
f) Kudo në nenin 9, pas togfjalëshit “… plazhe publike …” shtohen fjalët “… si dhe plazhe publike të tarifuara nga NJVV-ja …”, sipas kuptimit të fjalisë;
g) Në pikën 4, të nenit 11, pas togfjalëshit “… plazhit publik …” shtohen fjalët “… , si dhe plazheve publike të tarifuara nga NJVV-ja …”;
gj) Neni 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Respektimi i kushtit për nivelin e lejuar të zhurmave
1. Çdo stacion plazhi është i detyruar të respektojë nivelin kufi të zhurmave të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për zhurmat, si dhe/ose në planet vendore të miratuara nga organet e vetëqeverisjes vendore.
2. Njësia e vetëqeverisjes vendore, para fillimit të sezonit turistik veror, publikon planin e detajuar vendor mbi nivelin e zhurmave për secilin plazh, i detyruar për zbatim për secilin subjekt në zonën bregujore.
3. Agjencia Kombëtare e Bregdetit, si dhe agjencitë rajonale të bregdetit raportojnë çdo ankesë/raportim të paraqitur pranë saj në Policinë e Shtetit, në Policinë Bashkiake, në NJVV-në, në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, si dhe në çdo institucion tjetër kompetent për monitorimin e nivelit të zhurmave.”.
h) Në nenin 14 bëhen ndryshimet dhe shtesa, si më poshtë:
i. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Përjashtimisht, për Bashkinë Fier, Bashkinë Divjakë, Bashkinë Pogradec, për plazhin Zvërnec, Plazhi i Vjetër, Bashkia Vlorë, plazhet Spille, Vilë-Bashtovë, Bashkia Rrogozhinë, plazhet Shetaj, plazhi i Gjirit të Lalzit, plazhi Hamallaj, plazhi i Katundit të Ri, plazhi Porto-Romano 1, plazhi Currila 1, plazhi Currila 2, plazhi Currila 3, plazhi Currila 4, plazhi Currila 5, Bashkia Durrës, plazhet Borsh, Llaman, plazhi Lukovë 2, plazhi Maraçi, Bashkia Himarë, plazhi i Rrjollit, Bashkia Shkodër, në stacionet e plazhit, që nuk ka struktura akomoduese pranë apo në afërsi të hapësirës së plazhit, nuk zbatohet kriteri i parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 7, dhe subjekti, përveç kritereve të parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 7, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë i regjistruar si person fizik apo juridik për ushtrimin e veprimtarisë, si strukturë shërbimi;
b) Të disponojë një strukturë shërbimi dhe të ketë hapësirë plazhi pranë strukturës së shërbimit.
4. Subjektet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, paraqesin kërkesën për aplikim pranë portalit “e-Albania”, së bashku me dokumentacionin, që vërteton plotësimin e kritereve të parashikuara në këtë rregullore. GTSHA-ja është përgjegjëse për sigurimin e ekstraktit të regjistrimit, sipas shkronjës “a”, të pikës 3, të këtij neni. Numri maksimal i çadrave, që vendosen në stacionin e plazhit pranë strukturës së shërbimit, është 50 (pesëdhjetë).”.
ii. Pas pikës 6 shtohen pikat 7 dhe 8, me këtë përmbajtje:
“7. Subjekti që disponon një strukturë akomoduese të marrë me qira, në rast zgjidhjeje të saj, ka detyrimin për njoftimin e menjëhershëm të AKB-së dhe përbën shkak për zgjidhjen e kontratës.
8. Për kontratat e lidhura me subjektet private për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazhit, njësia e vetëqeverisjes vendore mund të negociojë me subjektin privat çmimet maksimale, që do të aplikohen për shërbimin e çadrave dhe të shezlongëve, në përputhje me karakteristikat specifike të zonës bregujore përkatëse.”.
i) Në nenin 3, të shtojcës I, “Kontrata model për përdorimin e hapësirës së plazhit”, që i bashkëlidhet rregullores, bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
i. Titulli i nenit ndryshohet dhe bëhet “Kohëzgjatja dhe çmimi maksimal”;
ii. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Çmimi maksimal i dakordësuar është ______. Ky çmim nuk mund të tejkalohet gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së kësaj kontrate.”.
II. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e turizmit, Drejtoria e Përgjithshme Detare, strukturat përgjegjëse për kufirin në Policinë e Shtetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË “INNOVATION4ALBANIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 9/1, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton organizimin dhe funksionimin e agjencisë “Innovation4Albania”, në vijim Agjencia, si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për inovacionin, me seli në Tiranë.
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme. Buxheti i Agjencisë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për inovacionin.
3. Agjencia ka si mision të kontribuojë, të nxisë dhe të promovojë inovacionin dhe angazhimin në administratën publike të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë në implementimin e teknologjive të përparuara, përmes hartimit dhe zbatimit të politikave në bashkëpunim me ministritë e linjës në fushat dhe sektorët përkatës lidhur me inovacionin, si dhe të sigurojë mirëfunksionimin e ekosistemit të startup-eve në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet mbështetjes dhe zhvillimit të tij.
4. Agjencia për realizimin e misionit të saj bashkëpunon me organizma vendas dhe ndërkombëtarë me fushë të ngjashme veprimtarie me qëllim përthithjen e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e zhvillimit të inovacionit dhe startup-eve.
5. Agjencia organizon dhe koordinon iniciativa, programe dhe aktivitete në nivel sektorial, kombëtar apo rajonal, që mundësojnë realizimin e misionit të saj, si dhe nxit bashkëpunimin midis të gjithë aktorëve të ekosistemit për zhvillimin e aktiviteteve të inovacionit dhe përdorimin e teknologjisë.
II. FUNKSIONIMI I AGJENCISË
1. Agjencia ka këto përgjegjësi funksionale:
a) Në bashkëpunim me ministritë e linjës, agjenci apo ente publike, zhvillon dhe implementon iniciativa, programe, projekte dhe politika në fushën e inovacionit;
b) Identifikon koncepte novatore, procese dhe teknika të reja për inovimin e shërbimeve publike dhe të administratës publike;
c) Asiston ministritë, agjencitë apo entet publike me njohuri të veçanta dhe ekspertizë për identifikimin e problematikave komplekse dhe propozimin e zgjidhjeve sistematike e inovatore;
ç) Merr pjesë në përgatitjen e akteve rregullatore, ligjore e nënligjore, për zhvillimin e fushave të inovacionit, si dhe jep mendim të detyrueshëm për institucionet publike për hapjen dhe funksionimin e entiteteve që operojnë në fushën e inovacionit, me qëllim zbatimin efektiv të politikave, projekteve dhe iniciativave në këto fusha;
d) Përmes iniciativave të ndryshme nxit dhe u propozon ministrive të linjës, agjencive apo enteve publike modernizimin e shërbimeve të administratës publike dhe përfshirjen e ekspertëve më të mirë në administratën publike;
dh) Menaxhon dhe monitoron realizimin e masave mbështetëse financiare nëpërmjet fondeve publike ose të tretëve për nismat në ekosistemin e startup-eve në Republikën e Shqipërisë;
e) Vetë, ose, kur është rasti, në bashkëpunim me institucione të tjera publike ofron shërbimin startup one stop-shop për mbështetjen e startup-eve dhe lehtësuesve;
ë) Organizon punën për promovimin në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të nismave në ekosistemin e startup-eve të Republikës së Shqipërisë;
f) Organizon punën në cilësinë e organit mbështetës për startup-et dhe lehtësuesit, duke bashkëpunuar me palët e treta, me synim tërheqjen dhe mbështetjen e financimeve nga donatorë të huaj për ekosistemin e startup-eve në Shqipëri.
2. Agjencia, në përputhje me përgjegjësitë e veta, kryen këto detyra:
a) Promovon inovacionin, proceset dhe teknikat e reja për inovimin e shërbimeve publike dhe të administratës publike;
b) Harton plane veprimi për zbatimin e politikave në fushën e inovacionit dhe mbështetjes së ekosistemit të startup-eve;
c) Mbështet dhe bashkërendon punën për projektet dhe iniciativat e institucioneve në nivel kombëtar në fushën e inovacionit dhe startup-eve;
ç) Lidh marrëveshje dhe bashkëpunon me institucione, organizata dhe organizma të tjerë, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim realizimin e misionit të saj;
d) Administron “Regjistrin e startup-eve dhe lehtësuesve” dhe në bashkëpunim me AKSHI-n;
dh) Ndjek mirëfunksionimin e aplikimeve për pasaportat e startup-eve dhe lehtësuesve;
e) Asiston subjektet e interesuara përgjatë procesit të aplikimit për pasaportën e startup-it;
ë) Informon subjektet për mundësitë e mbështetjes qeveritare apo për skemat e mbështetjes në ekosistemin e startup-eve;
f) Administron dhe përditëson portalin elektronik zyrtar startupalbania.gov.al;
g) Si sekretariat teknik asiston dhe informon Këshillin e Startup-eve me kërkesë të kryetarit të Këshillit për tematika të nevojshme dhe në kuadër të hartimit të dokumenteve strategjike;
gj) Shërben si sekretariat teknik për komisionet që ngrihen në funksion të vlerësimit të kërkesave dhe ankesave për masat mbështetëse për nismat në ekosistemin e startup-eve;
h) Lidh marrëveshje dhe monitoron zbatimin e tyre me përfituesit e granteve financiare, programeve dhe masave mbështetëse sipas legjislacionit në fuqi;
i) Shqyrton dhe vlerëson dokumentacionin justifikues dhe financiar, në funksion të ecurisë së zbatimit të masave mbështetëse;
j) Kryen disbursimin e fondit për realizimin e projekteve sipas legjislacionit përkatës;
k) Në raste abuzimi ose mospërmbushjeje detyrimesh të parashikuara në marrëveshje, ndërmerr veprimet ligjore për rikthimin e fondit të disbursuar;
l) Angazhohet në hartimin dhe përgatitjen e aplikimeve, si dhe përthithjen e fondeve me qëllim zhvillimin e inovacionit dhe ekosistemit vendas të startup-eve;
ll) Organizon dhe promovon evente ose forume specifike, të fokusuara te shkëmbimi i eksperiencave, këshillimi, mentorimi dhe rrjetëzimi për zhvillimin e inovacionit dhe ekosistemit të startup-eve;
m) Favorizon bashkëpunimin e aktorëve të ekosistemit të inovacionit dhe të startup-eve me organet publike, përfaqësuesit e biznesit dhe botën akademike, si dhe palë të treta të tjera, me qëllim krijimin e një kuadri rregullator dhe institucional të favorshëm për zhvillimin e inovacionit dhe krijimin e një tregu funksional për startup-et;
n) Mbledh, përpunon dhe analizon informacionin për kushtet, nevojat, kapacitetet e startup- eve dhe lehtësuesve, si dhe dinamikat e tendencat e tregut e të ekosistemit të startup-eve;
nj) I propozon ministrit përgjegjës për inovacionin nevojat për masat mbështetëse për ekosistemin e startup-eve, në kuadër të planifikimit për vitin pasardhës;
o) Përgatit dhe publikon raportin vjetor për ecurinë e funksionimit të “Regjistrit të startup-eve dhe lehtësuesve”;
p) Përgatit dhe publikon raportin vjetor mbi gjendjen dhe ecurinë e ekosistemit shqiptar të startup-eve, si në nivel kombëtar ashtu edhe në krahasim me tregjet dhe ekosistemet ndërkombëtare;
q) Përgatit raporte dhe informacion përmbledhës mbi çështjet e inovacionit, në varësi të problematikave të evidentuara, si dhe raporte të tjera periodike, sipas kërkesës, mbi ecurinë e ekosistemit vendas të startup-eve;
r) Raporton çdo 6 muaj para Këshillit të Ministrave mbi ecurinë e punës dhe rezultatet e ciklit të inovacionit të hapur, të parashikuar në pikën 4, të këtij kreu, duke paraqitur problematikat e evidentuara, zgjidhjet e mundshme dhe rekomandimet për vendimmarrjen e mëtejshme;
rr) Kryen çdo detyrë tjetër në fushën e inovacionit apo startup-eve, të caktuar nga ministri përgjegjës për inovacionin, Këshilli i Ministrave apo legjislacioni në fuqi.
3. Pjesë e Agjencisë janë edhe “Njësitë e inovacionit”, në funksion të ministrive të linjës dhe institucioneve qendrore, të cilat kanë objekt kryesor të veprimtarisë së tyre:
a) identifikimin e koncepteve, proceseve novatore dhe teknikave të reja, në përputhje me politikat e ministrisë apo institucionit qendror;
b) kryerjen e studimeve dhe analizave krahasuese mbi politikat në nivel rajonal e ndërkombëtar;
c) analizimin e të dhënave në kuadër të hartimit apo zbatimit të politikave të ndërmarra nga ministria apo institucioni qendror, me qëllim zhvillimin e analizave strategjike për të zbuluar mundësi të reja inovacioni;
ç) propozimin dhe menaxhimin e projekteve apo iniciativave zhvillimore në fushat përkatëse;
d) kontribuimin me njohuri dhe ekspertizë të posaçme të nevojshme për një periudhë të caktuar kohore në fushën që mbulon institucioni dhe për të cilën mungojnë kapacitetet e nevojshme në institucion.
4. Agjencia nëpërmjet “Njësive të inovacionit”, të përcaktuara në pikën 3, të këtij kreu, zbaton ciklin e “Inovacionit të hapur”, i cili përfshin:
a) identifikimin dhe përcaktimin e problemeve e të sfidave të propozuara nga ministritë e linjës dhe institucionet qendrore, si dhe përcaktimin e zgjidhjeve të mundshme;
b) hartimin, zhvillimin dhe administrimin e sfidave të tipit GovTech, ekspozimin e tyre ndaj aktorëve të ndryshëm publikë dhe privatë, si dhe konsolidimin e koncepteve të testuara në dokumente zyrtare, të shoqëruara me treguesit përkatës të performancës (KPI);
c) organizimin dhe zbatimin e projekteve pilot ose të aktiviteteve testuese, përmes mekanizmave si akseleratorë, sandbox-e apo forma të tjera të ngjashme të bashkëpunimit me aktorët e ekosistemit, me qëllim verifikimin dhe testimin e zgjidhjeve të propozuara;
ç) mbledhjen e të dhënave, analizimin e rezultateve dhe përgatitjen e dokumentit përfundimtar me rekomandimet përkatëse për zgjidhje me karakter inovativ.
5. Pranë Agjencisë ngrihet Këshilli i Inovacionit, si forum këshillimor dhe bashkërendues, me qëllim mbledhjen, dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ekosistemit të inovacionit, përfshirë institucionet publike, lehtësuesit e ekosistemit, institucionet akademike, sektorin privat, donatorët dhe aktorë të tjerë relevantë. Këshilli ka natyrë këshillimore dhe bashkërenduese, pa të drejtë shpërblimi dhe pa mbështetje buxhetore. Agjencia shërben si sekretariat teknik i Këshillit dhe kujdeset për organizimin e mbledhjeve. Rregullat e hollësishme për përbërjen e Këshillit, kriteret, procedurën e përzgjedhjes, kompetencat dhe organizimin e funksionimin përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për inovacionin.
6. Agjencia ndihmon ministrin përgjegjës për inovacionin në ushtrimin e detyrave.
III. ORGANIZIMI I AGJENCISË
1. Agjencia e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para ministrit përgjegjës për inovacionin dhe përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra nga ministri përgjegjës për inovacionin.
4. Drejtori i Përgjithshëm organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e Agjencisë. Ai ngre grupe pune me ekspertë për kryerjen e detyrave specifike, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Drejtori i Përgjithshëm mbështetet nga një zëvendësdrejtor.
5. Drejtori i Përgjithshëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar apo i huaj, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për të huajt;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike”, ose të barasvlershme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë në shkenca sociale, inxhinierike, juridike, ekonomike apo të tjera, të lidhura me inovacionin dhe ekosistemin e startup-eve;
ç) Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet në pozicione drejtuese;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.
6. Drejtori i Përgjithshëm lirohet nga detyra kur:
a) plotëson kushtet për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
c) ristrukturohet apo mbyllet institucioni;
ç) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
d) jep dorëheqjen nga detyra.
7. Drejtori i Përgjithshëm shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit;
ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës.
8. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe punonjësve të Agjencisë rregullohen në bazë të Kodit të Punës.
9. Struktura dhe organika e Agjencisë hartohen në përputhje me përgjegjësitë funksionale të parashikuara në këtë vendim dhe miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
10. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për punësim në Agjenci realizohet nëpërmjet procedurave konkurruese me shpallje publike, në përputhje me kriteret e përcaktuara në përshkrimet e punës.
11. Agjencitë dhe institucionet kërkimore në varësi të ministrive të linjës, si dhe institucionet e tjera të administratës shtetërore koordinojnë aktivitetin e tyre me Agjencinë sa i përket çështjeve që lidhen me inovacionin.
12. Institucionet e tjera që mbështesin me masa mbështetëse inovacionin, teknologjinë e informacionit dhe digjitalizimin, sipas kërkesës, i përcjellin informacion Agjencisë për subjektet e mbështetura në funksion të koordinimit në tërësi.
13. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e saj përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, “Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit”, Agjencia “Innovation4Albania”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
14. Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
2. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës dhe Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
3. Numri i punonjësve, asetet dhe fondet e dedikuara për inovacionin dhe monitorimin në Agjencinë e Inovacionit dhe Ekselencës dhe numri i punonjësve, asetet dhe fondet e dedikuara për Agjencinë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve kalojnë pranë agjencisë “Innovation4Albania”, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin buxhetor. Shpenzimet për këto çështje kryhen nga institucionet në të cilat ndodhen aktualisht.
4. Punonjësit aktualë të Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës dhe punonjësit e Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve transferohen pranë agjencisë “Innovation4Albania” dhe trajtohen në bazë të legjislacionit në fuqi për ristrukturimin e institucionit.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion dhe fillojnë nga momenti i emërimit të punonjësve në detyrë.
6. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.467, datë 26.7.2023, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve”, dhe nr.620, datë 1.11.2023, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës”, të ndryshuar, shfuqizohen.
7. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave, Agjencia “Innovation4Albania”, Departamenti i Administratës Publike, si dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë vendim për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE DETYRAT E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.51/2025, “Për rezervat materiale të shtetit”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit (në vijim, DPRMSH) si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për rezervat materiale të shtetit, me seli në Tiranë.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit financohet nga buxheti i shtetit, nga donacione të ndryshme, si dhe nga burime të tjera të ligjshme.
Buxheti i DPRMSH-së përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për rezervat materiale të shtetit.
3. DPRMSH-ja ka si mision ndërhyrjen në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë dhe të ekonomisë në situata të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësisë natyrore e fatkeqësive të tjera, veprimeve terroriste, çrregullimit të tregut, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, shëndetin e popullatës, të gjësë së gjallë, pasurinë, trashëgiminë kulturore, mjedisin, si dhe dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT
1. DPRMSH-ja e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo organizohet në dy nivele:
a) në nivel qendror, si drejtori e përgjithshme;
b) në nivel rajonal, nëpërmjet drejtorive rajonale.
2. DPRMSH-ja përgjigjet për drejtimin dhe kontrollin e veprimtarisë administrative të drejtorive rajonale.
3. DPRMSH-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për rezervat materiale të shtetit. Drejtori i Përgjithshëm përfaqëson DPRMSH-në në marrëdhëniet me të tretët.
4. Drejtoritë rajonale janë struktura në varësi të DPRMSH-së, nën drejtimin e drejtorit rajonal dhe zbatojnë detyrat e ngarkuara për mundësimin e ndërhyrjes operacionale në nivel vendor e rajonal, që mbulon drejtoria rajonale, apo dhe kombëtar, në raste të shpalljes së gjendjes së luftës, të sulmeve terroriste, të gjendjes së jashtëzakonshme dhe të fatkeqësive natyrore.
5. Drejtoritë rajonale drejtohen, mbikëqyren dhe përfaqësohen nga drejtori i institucionit, i cili i raporton drejtorit të Përgjithshëm të DPRMSH-së për realizimin e objektivave të përcaktuar dhe të detyrave të ngarkuara.
6. Drejtori i drejtorisë rajonale emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra, sipas legjislacionit për shërbimin civil.
7. DPRMSH-ja ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare.
8. Stema e DPRMSH-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, ministria përgjegjëse për rezervat materiale të shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
9. Drejtoritë rajonale kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare.
10. Stema e drejtorive rajonale përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, ministria përgjegjëse për rezervat materiale të shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, Drejtoria Rajonale e Rezervave Materiale të Shtetit (emri i degës territoriale)”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
11. Vula e DPRMSH-së dhe vulat e drejtorive rajonale kanë formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
III. DETYRAT E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT DHE TË DREJTORIVE RAJONALE
1. DPRMSH-ja, në përputhje me përgjegjësitë e veta, kryen këto detyra:
a) Identifikon e vlerëson nevojën për hartimin ose ndryshimin e legjislacionit lidhur me mirëmenaxhimin e rezervës materiale të shtetit;
b) Harton projektbuxhetin për realizimin e detyrave të DPRMSH-së, bën detajimin e buxhetit, si dhe monitoron përdorimin e fondeve përkundrejt planifikimit;
c) Bashkëpunon e koordinon me institucionet dhe strukturat përkatëse qendrore e vendore për lehtësimin e procedurave doganore dhe të kalimit të kufirit, në rastet e marrjes e të dhënies së ndihmave humanitare;
ç) Organizon trajnime të personelit, që do të ngarkohet me ngritjen e strukturave akomoduese të DPRMSH-së në vendet e përcaktuara për akomodim të kategorisë së popullsisë në nevojë;
d) Bashkëpunon me institucionet dhe strukturat në nivel qendror e vendor apo me institucionet e specializuara lidhur me hartimin e planeve operacionale, me qëllim përfshirjen dhe mirëpërcaktimin e detyrimeve të rezervës materiale të shtetit;
dh) Bashkëpunon me institucionet drejtuese të strukturave të posaçme apo të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për menaxhimin e situatave të gjendjes së luftës, të akteve terroriste, të gjendjes së jashtëzakonshme, të fatkeqësive natyrore, të fatkeqësive të tjera, emergjencave civile, si pasojë e këtyre të dyjave, si dhe të çrregullimit të tregut, me qëllim garantimin e operacionalitetit të rezervës materiale të shtetit, në rast pamundësie teknike apo problemesh të tjera të mundshme, që mund të dalin gjatë ndërhyrjeve operacionale;
e) Bashkëpunon me institucionet e nivelit qendror apo dhe të tjera të përcaktuara me ligj në funksione koordinuese, për të garantuar dhënien e ndihmës humanitare vendeve të huaja, sipas legjislacionit përkatës dhe normave të së drejtës ndërkombëtare;
ë) Planifikon, organizon e shpërndan mallrat rezervë shteti për mbrojtjen e popullsisë dhe të ekonomisë, të pasurisë, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit në situata të gjendjes së luftës, të gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësisë natyrore e fatkeqësive të tjera, të veprimeve terroriste, të çrregullimit të tregut, të cilat sjellin pasoja dhe dëme të mëdha për njerëzit, gjënë e gjallë dhe mjedisin;
f) Mban në gatishmëri dhe miradministron mallrat rezervë shteti;
g) Përdor kapacitetet operacionale, në mbështetje të operacioneve luftarake dhe joluftarake, të emergjencave civile në nivel vendor, rajonal e kombëtar, si dhe në mbështetje të ekonomisë, në rastet e çrregullimit të tregut;
gj) Jep ndihmë humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare, si dhe të planeve strategjike të institucionit;
h) Menaxhon e administron rezervat materiale të shtetit, në përputhje me planin strategjik afatmesëm dhe atë vjetor;
i) Planifikon plotësimin e rezervave materiale të shtetit, sipas nevojave dhe risqeve të parashikuara për ndërhyrjen operative në mbrojtje të popullsisë dhe të ekonomisë, gjatë situatave të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësisë natyrore e fatkeqësive të tjera, veprimeve terroriste, çrregullimit të tregut, gjësë së gjallë, pasurisë, trashëgimisë kulturore, mjedisit, si dhe dhënien e ndihmave humanitare;
j) Organizon punën për garantimin në kohë të ndërhyrjeve operacionale të rezervës materiale të shtetit në situatat e gjendjes së luftës, të akteve terroriste, të gjendjes së jashtëzakonshme, të fatkeqësive natyrore, fatkeqësive të tjera, emergjencave civile, si dhe të çrregullimit të tregut;
k) Bashkëvepron me strukturat menaxhuese, planifikuese apo koordinuese të situatave të gjendjes së luftës, akteve terroriste, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësive natyrore, fatkeqësive të tjera, emergjencave civile, si dhe të çrregullimit të tregut, në zbatim të vendimeve së tyre;
l) Garanton menaxhimin e mirëfunksionimin e rezervës materiale të shtetit, në çdo situatë, nëpërmjet zëvendësimit, freskimit, mirëmbajtjes, këmbimit, dhurimit e shitjes së rezervave materiale të shtetit.
2. Drejtoritë rajonale të rezervave materiale të shtetit kryejnë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Zbatojnë drejtimet strategjike dhe objektivat e përcaktuar nga DPRMSH-ja lidhur me zëvendësimin, freskimin, mirëmbajtjen, këmbimin, dhurimin dhe shitjen e rezervave materiale të shtetit;
b) Menaxhojnë dhe administrojnë rezervat materiale të shtetit në përgjegjësi të tyre, në përputhje me planin strategjik afatmesëm dhe atë vjetor;
c) Planifikojnë nevojat e tyre për plotësim me mallra rezervë materiale të shtetit, për të siguruar gatishmërinë operative në mbrojtje të popullsisë dhe ekonomisë, gjatë situatave të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësisë natyrore e fatkeqësive të tjera, veprimeve terroriste, çrregullimit të tregut, gjësë së gjallë, pasurisë, trashëgimisë kulturore, mjedisit, si dhe dhënien e ndihmave humanitare;
ç) Zbatojnë drejtimet strategjike lidhur me garantimin në kohë të ndërhyrjeve operacionale të rezervës materiale të shtetit në situatat e gjendjes së luftës, të akteve terroriste, të gjendjes së jashtëzakonshme, të fatkeqësive natyrore, të fatkeqësive të tjera, të emergjencave civile, si dhe të çrregullimit të tregut;
d) Koordinojnë veprimtarinë në nivel vendor e rajonal me drejtuesit e pushtetit vendor menaxhues të situatave të emergjencave civile vendore e rajonale për ofrimin e ndërhyrjes operacionale të rezervës materiale të shtetit, sipas detyrave të ngarkuara nga DPRMSH-ja.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në momentin e miratimit të strukturës dhe të organikës të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, DPRMSH-ja vijon funksionimin e saj sipas strukturës dhe organikës aktuale në fuqi.
2. Ngarkohen ministri përgjegjës për rezervat materiale të shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA