Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Nëntor 2026:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KATEGORIVE TË STRUKTURAVE AKOMODUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 43/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim përcakton kategoritë e strukturave akomoduese, sipas tipologjisë, funksionit, mënyrës së organizimit dhe karakteristikave të shërbimit të akomodimit, si dhe kriteret e projektimit e të ndërtimit për projektet e integruara të kategorisë. Këto kritere verifikohen edhe gjatë procedurës së kategorizimit paraprak, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin.
2. Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Certifikatë paraprake kategorizimi”, dokumenti i lëshuar nga ministria përgjegjëse për turizmin, përpara miratimit të lejes së ndërtimit për strukturën akomoduese, i cili përcakton kategorinë e propozuar dhe vërteton përputhshmërinë e projektit me kriteret e kategorisë përkatëse, pa zëvendësuar lejen e ndërtimit ose aktet e tjera të kërkuara nga legjislacioni në fuqi;
b) “Apart-hotel”, struktura akomoduese e përbërë nga apartamente të destinuara për akomodim turistik, të cilat mund të jenë në pronësi individuale dhe ofrojnë shërbime të përbashkëta në funksion të turizmit, nën të njëjtin administrim e menaxhim, me recepsion ose pritje të përbashkët;
c) “Resort miks”, zhvillimi i integruar, i paraqitur për certifikim paraprak, që përfshin një strukturë akomoduese të kategorisë “resort”, njësi me funksion rezidencial, si dhe ambiente, shërbime dhe infrastrukturë të përbashkët në funksion të zhvillimit;
ç) “Komponent turistik”, tërësia e sipërfaqeve të ndërtimit të strukturës akomoduese të kategorisë “resort” dhe e sipërfaqeve të tjera të destinuara ekskluzivisht për funksione dhe shërbime turistike;
d) “Komponent rezidencial”, tërësia e sipërfaqeve të ndërtimit të objekteve, të njësive ose të pjesëve të objekteve të destinuara për funksion rezidencial;
dh) “Sipërfaqe totale e ndërtimit”, shuma e sipërfaqeve të ndërtimit, që rezultojnë nga dokumentacioni teknik i projektit për komponentin përkatës, të llogaritura sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
e) “Pjesë e objektit”, pjesa funksionalisht e dallueshme e një objekti me përdorim të përzier, sipërfaqja e së cilës, në bazë të dokumentacionit teknik të projektit dhe përdorimit të dokumentuar, i ngarkohet komponentit turistik ose komponentit rezidencial, sipas rastit, në përputhje me dokumentacionin e miratuar sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
3. Strukturat akomoduese kategorizohen, si më poshtë vijon:
a) “Bujtinë” (shtëpi pritëse);
b) “Fjetinë” (hostel);
c) “Kamping”;
ç) “Hotel”;
d) “Motel”;
dh) “Resort”;
e) “Qendër kurative”;
ë) “Fjetje dhe mëngjes” (B&B);
f) “Apart-hotel”;
g) “Strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore”;
gj) “Resort miks”, si nënkategori e kategorisë “resort”, vetëm për qëllime të certifikimit paraprak të zhvillimit të integruar.
4. Për kategoritë e parashikuara në pikën 3 të këtij vendimi, termat e përkufizuar në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, kanë kuptimin e dhënë në këtë ligj. Për kategoritë dhe termat e përkufizuar në pikën 2 të këtij vendimi zbatohen përkufizimet e kësaj pike.
5. Apartamentet, vilat e dhomat brenda zhvillimit “resort miks” trajtohen sipas destinacionit të përcaktuar në dokumentacionin e miratuar të projektit. Kur janë të destinuara për akomodim turistik, ato përfshihen në komponentin turistik dhe në strukturën e kategorisë “resort”, nën administrimin e përbashkët të saj, pa u kategorizuar veçmas. Kur janë të destinuara për funksion rezidencial, për ndryshimin e destinacionit ose përdorimit të tyre, zbatohen pikat 17 e 18 të këtij vendimi.
6. Në projektet e reja, apartamentet, vilat e dhomat, që parashikohen për akomodim turistik, nuk kategorizohen si struktura të veçanta. Ato përfshihen në komponentin turistik të një strukture të kategorisë “resort”, përfshirë zhvillimin “resort miks”, dhe mbulohen nga certifikata e saj. Njësitë e projektuara si banesa, jashtë një strukture të tillë, nuk mund të ofrohen si akomodim turistik pa u përfshirë në një projekt që plotëson kërkesat e kategorisë “resort”, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Hoteli i shpërndarë mund të organizohet brenda kategorisë “resort”, përfshirë komponentin turistik të zhvillimit “resort miks”, kur plotëson njëkohësisht përkufizimin e hotelit të shpërndarë dhe përkufizimin e resortit, sipas pikave 61 e 28, të nenit 4, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar. Njësitë e tij ndodhen në ndërtesa ekzistuese, afër njëra-tjetrës, nën menaxhimin e të njëjtit sipërmarrës turistik, dhe përfshihen në organizimin e administrimin e përbashkët të resortit. Kategorizimi kryhet për resortin në tërësi. Emërtimi “hotel i shpërndarë” nuk zëvendëson plotësimin e kërkesave të kategorisë “resort”. Për strukturat e certifikuara më parë zbatohen përcaktimet e pikës 21 të këtij vendimi.
8. Çdo subjekt zhvillues, përpara miratimit të lejes së ndërtimit për strukturë akomoduese nga organi përgjegjës, pajiset me certifikatë paraprake kategorizimi, në përputhje me pikën 1/1, të nenit 43/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar. Kushtet, kriteret, afatet e procedura e kategorizimit, përfshirë kategorizimin paraprak, përcaktohen në rregulloren e miratuar nga ministri përgjegjës për turizmin, sipas pikës 6, të nenit 43/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
9. Për projektin e kategorisë “resort miks”, komponenti turistik dhe komponenti rezidencial përcaktohen, identifikohen e paraqiten në mënyrë të dallueshme në dokumentacionin e projektit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
10. Në zhvillimin e kategorisë “resort miks”, sipërfaqja totale e ndërtimit e komponentit turistik duhet të jetë jo më e vogël se 60 (gjashtëdhjetë) për qind e shumës së sipërfaqeve totale të ndërtimit të komponentit turistik dhe të komponentit rezidencial. Sipërfaqja totale e ndërtimit e komponentit rezidencial nuk duhet të jetë më e madhe se 40 (dyzet) për qind e kësaj shume.
11. Për llogaritjen e raportit të përcaktuar në pikën 10 të këtij vendimi:
a) në komponentin turistik përfshihen sipërfaqet totale të ndërtimit të strukturës akomoduese të kategorisë “resort” dhe sipërfaqet e tjera të destinuara ekskluzivisht për funksione dhe shërbime turistike;
b) në komponentin rezidencial përfshihen sipërfaqet totale të ndërtimit të objekteve, të njësive ose të pjesëve të objekteve të destinuara për funksion rezidencial;
c) sipërfaqet e ambienteve, shërbimeve dhe infrastrukturës së përbashkët, që u shërbejnë njëkohësisht komponentit turistik dhe komponentit rezidencial dhe nuk mund të ndahen objektivisht sipas përdorimit, u shpërndahen të dy komponentëve në përpjesëtim me sipërfaqet e identifikuara drejtpërdrejt për secilin komponent;
ç) sipërfaqet që, pavarësisht emërtimit në projekt, i shërbejnë kryesisht njërit komponent ose përdorimi i të cilave mund të ndahet në mënyrë objektive, i ngarkohen komponentit përkatës ose ndahen ndërmjet komponentëve në përpjesëtim me përdorimin e dokumentuar. Asnjë sipërfaqe ndërtimi e zhvillimit nuk përjashtohet nga llogaritja e raportit.
12. Dokumentacioni i projektit “resort miks” përmban tabelën e sipërfaqeve për çdo objekt, kat e funksion, identifikimin e sipërfaqeve të komponentit turistik, të komponentit rezidencial dhe të sipërfaqeve të përbashkëta, mënyrën e shpërndarjes së këtyre të fundit, si dhe përllogaritjen e raportit, sipas pikave 10 e 11 të këtij vendimi. Tabela dhe përllogaritja nënshkruhen nga projektuesi përgjegjës dhe nga subjekti zhvillues.
13. Raporti i përcaktuar në pikën 10 të këtij vendimi llogaritet vetëm mbi sipërfaqen totale të ndërtimit.
14. Përcaktimet e pikave 9 – 13 të këtij vendimi zbatohen pa cenuar përdorimin e lejuar të tokës, intensitetin e ndërtimit, koeficientin e shfrytëzimit të tokës për ndërtim, lartësinë, distancat dhe treguesit e tjerë të zhvillimit, të përcaktuar në dokumentet e planifikimit apo në rregulloret e veçanta të miratuara nga KKTU-ja.
15. Certifikata paraprake e kategorizimit vlerëson përputhshmërinë e projektit me kategorinë turistike të propozuar. Ajo nuk krijon të drejtë ndërtimi, nuk zëvendëson lejen e ndërtimit dhe nuk kufizon kompetencat e autoritetit përgjegjës për zhvillimin e territorit.
16. Çdo ndryshim i projektit, i aplikuar pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përpara ose gjatë ndërtimit të strukturës, që prek kategorinë e propozuar, ndarjen funksionale të komponentëve ose raportin e përcaktuar në pikën 10 të këtij vendimi, u nënshtrohet paraprakisht ndryshimit të certifikatës paraprake të kategorizimit dhe, sipas rastit, procedurave për ndryshimin e lejes së ndërtimit, sipas legjislacionit në fuqi.
17. Pas përfundimit të ndërtimit të zhvillimit “resort miks”, procedurës së kategorizimit dhe të klasifikimit si strukturë akomoduese i nënshtrohet vetëm komponenti turistik i kategorisë “resort”, duke përfshirë apartamentet, vilat dhe dhomat e destinuara për akomodim turistik, si dhe hotelin e shpërndarë, të organizuar sipas pikës 7 të këtij vendimi. Njësitë e komponentit rezidencial nuk kategorizohen e nuk klasifikohen si pjesë e strukturës akomoduese, përveçse kur përdoren për akomodim turistik dhe plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi për turizmin.
18. Ndryshimi i destinacionit ose i përdorimit të njësive të komponentit rezidencial për qëllime akomodimi turistik kryhet vetëm pas përmbushjes së kërkesave të legjislacionit për turizmin dhe të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Pas miratimit të ndryshimit, njësitë përfshihen në komponentin turistik dhe në administrimin e strukturës së kategorisë “resort”, pa u kategorizuar veçmas si “akomodim turistik në banesa”, dhe ndryshimi reflektohet në dokumentacionin e projektit dhe në përllogaritjen e raportit sipas pikave 10 e 11 të këtij vendimi.
19. Për strukturat akomoduese, për të cilat është lëshuar dokumenti i lejes së ndërtimit nga autoriteti kompetent përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.83/2026, nuk kërkohet certifikatë paraprake kategorizimi. Këto struktura u nënshtrohen kategorizimit dhe, kur zbatohet, klasifikimit, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë.
20. Strukturat akomoduese, për të cilat nuk është lëshuar ende dokumenti i lejes së ndërtimit nga autoriteti përgjegjës përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.83/2026, i nënshtrohen kategorizimit për marrjen e certifikatës paraprake.
21. Certifikatat e kategorizimit të lëshuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përfshirë certifikatat për kategoritë “apartament”, “vilë”, “dhomë”, “bllok apartamentesh” dhe “hotel i shpërndarë” ruajnë vlefshmërinë e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për turizmin. Njësitë e akomodimit turistik të pajisura me këto certifikata vijojnë ushtrimin e veprimtarisë sipas kategorisë së certifikuar, duke përmbushur detyrimet e parashikuara në legjislacionin në fuqi për ushtrimin e veprimtarisë së akomodimit turistik.
22. Kërkesat e reja për kategorizim shqyrtohen sipas kategorive të përcaktuara në këtë vendim. Kur projekti parashikon apartamente, vila, dhoma ose bllok apartamentesh për akomodim turistik, ato identifikohen në komponentin turistik të strukturës së kategorisë “resort”, përfshirë “resort miks”, dhe nuk kategorizohen veçmas. Kushtet, kriteret, afatet e procedurat e kategorizimit përcaktohen në rregulloren e miratuar nga ministri përgjegjës për turizmin, në zbatim të pikës 6, të nenit 43/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
23. Ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KLASIFIKIMIT TË PRODUKTEVE TË KONSUMIT INDIVIDUAL SIPAS QËLLIMIT (COICOP 2018)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e klasifikimit të produkteve të konsumit individual sipas qëllimit (COICOP 2018), i miratuar paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Klasifikimi i produkteve të konsumit individual sipas qëllimit (COICOP 2018) përdoret për mbledhjen, përpunimin, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore zyrtare.
3. Institucionet dhe organizatat, pjesë përbërëse të Sistemit Kombëtar Statistikor, ku përfshihen Instituti i Statistikave, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si dhe të gjitha institucionet furnizuese me të dhëna administrative marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij klasifikimi dhe kryejnë përditësimin e informacionit statistikor zyrtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
4. Kodet statistikore të klasifikimit të produkteve të konsumit individual sipas qëllimit, të përdorura deri para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zëvendësohen me kodet e parashikuara në klasifikimin e ri (COICOP 2018), që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Vendimi nr.515, datë 20.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e klasifikimit të produkteve të konsumit sipas qëllimit (COICOP)”, shfuqizohet.
6. Ngarkohen Instituti i Statistikave, Banka e Shqipërisë dhe institucionet sipas pikës 3, të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MASËS SË MBËSHTETJES FINANCIARE PËR KUJDESIN ALTERNATIV NË FAMILJE, SI DHE TË PAGESËS PËR KUJDESIN ALTERNATIV PROFESIONAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 31, të ligjit nr.92/2025, “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbështetja financiare për familjen kujdestare dhe për fëmijët e vendosur në kujdes alternativ në familje përfshin:
a) mbështetje financiare mujore për çdo fëmijë të vendosur në kujdes alternativ në familje për përmbushjen e nevojave të jetesës së përditshme të fëmijës, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
b) mbështetje financiare vjetore për çdo fëmijë të vendosur në kujdes alternativ në familje, për përballimin e shpenzimeve të tjera sipas nevojave, në masën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në vit;
c) mbështetje financiare mujore për familjen që ofron kujdes alternativ profesional, të njëjtë dhe të barasvlefshme me nivelin e pagës minimale të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Mbështetja financiare mujore e përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, jepet një herë në muaj, pavarësisht numrit të fëmijëve në kujdes alternativ, për aq kohë sa familja kujdestare profesionale është e regjistruar si ofruese e shërbimit dhe ka në kujdes alternativ në familje të paktën një fëmijë, sipas vendimit përkatës, me përjashtim të familjeve kujdestare profesionale të emergjencës, të cilat e përfitojnë pagesën sipas pikës 7, të këtij vendimi.
3. Prindi aplikues i familjes kujdestare profesionale punësohet për ofrimin e shërbimit të kujdesit alternativ në familje pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, ku ka vendbanimin e përhershëm dhe lidh kontratë pune me këtë njësi.
4. Marrëdhëniet e punës ndërmjet njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe prindit aplikues të familjes kujdestare profesionale rregullohen në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë.
5. Me marrjen e vendimit gjyqësor për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje, përfitimi i mbështetjes financiare, sipas pikës 1, të këtij vendimi, fillon pas lidhjes së kontratës së punës ndërmjet prindit aplikues të familjes kujdestare profesionale dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore. Mbështetja financiare ndërpritet me përfundimin e ofrimit të shërbimit të kujdesit alternativ në familje.
6. Pagesa mujore përfitohet edhe në rastet kur prindi aplikues është i punësuar, i vetëpunësuar ose ushtron një veprimtari tjetër profesionale. Në çdo rast, prindi duhet të sigurojë organizimin e kohës dhe të veprimtarisë në mënyrë të tillë që të mos cenohen në asnjë rast nevojat, siguria, mirëqenia dhe interesi më i lartë i fëmijës.
7. Në rastin e familjeve kujdestare profesionale të emergjencës, përfitimi i pagesës fillon në momentin e lidhjes së kontratës së punës ndërmjet prindit aplikues të familjes kujdestare profesionale të emergjencës me njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe ndërpritet me përfundimin e marrëdhënies së punës/humbjen e statusit të familjes kujdestare profesionale të emergjencës, sipas legjislacionit në fuqi.
8. Njësitë e vetëqeverisjes vendore informojnë Shërbimin Social Shtetëror, nëpërmjet strukturave rajonale të varësisë, për fillimin dhe përfundimin e ofrimit të shërbimit nga familjet kujdestare profesionale dhe fëmijët e vendosur në kujdes alternativ, që përfitojnë mbështetje financiare sipas këtij vendimi.
9. Mbështetja financiare e parashikuar në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, indeksohet çdo vit në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit, nga Shërbimi Social Shtetëror.
10. Fondet për mbështetjen financiare për fëmijët e vendosur në kujdes alternativ në familje mbulohen nga buxheti i shtetit, të cilat u transferohen njësive të vetëqeverisjes vendore.
11. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KUSHTET E TJERA DHE PROCEDURAT PËR MIRATIMIN E TRUPAVE TË KONTROLLIT DHE NJOFTIMIN E AKTIVITETIT NGA TRUPAT E KONTROLLIT, QË VEPROJNË NË SHQIPËRI SIPAS STANDARDEVE TË TJERA PËR PRODHIMIN ORGANIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 45, të ligjit nr.104/2024, “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi
Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë kushtet e tjera, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 45, të ligjit nr.104/2024, “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre” (në vijim, ligji), procedurat për miratimin e trupave të kontrollit që veprojnë sipas ligjit dhe njoftimin e aktivitetit nga trupat e kontrollit që veprojnë në Republikën e Shqipërisë, sipas standardeve të tjera për prodhimin organik.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky vendim zbatohet për:
a) trupat e kontrollit, që kërkojnë miratim, ndryshim të fushës së miratimit ose rinovim të miratimit, për të vepruar sipas ligjit, për certifikimin e operatorëve ose grupit të operatorëve organikë në Republikën e Shqipërisë;
b) trupat e kontrollit, që kërkojnë njoftimin e aktivitetit, për të vepruar sipas standardeve të tjera për prodhimin organik, për certifikimin e operatorit ose grupit të operatorëve organikë, të njohura për të vepruar në Republikën e Shqipërisë nga autoritetet kompetente të vendeve përkatëse ose nga Komisioni Evropian, kur veprojnë sipas standardit evropian.
2. Ky vendim përcakton:
a) kushtet e tjera për miratimin, ndryshimin e fushës së miratimit dhe rinovimin e miratimit të trupave të kontrollit, që veprojnë sipas ligjit;
b) procedurat për miratimin, ndryshimin e fushës së miratimit dhe rinovimin e miratimit të trupave të kontrollit, që veprojnë sipas ligjit;
c) procedurat për njoftimin e aktivitetit të trupave të kontrollit, që veprojnë sipas standardeve të tjera për prodhimin organik, të njohura nga autoritetet kompetente të vendeve përkatëse, ose nga Komisioni Evropian, kur veprojnë sipas standardit evropian për të vepruar në Republikën e Shqipërisë.
Neni 3
Përkufizime
Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me përkufizimet e përcaktuara në nenin 3 të ligjit.
Neni 4
Trupat e kontrollit, që veprojnë sipas ligjit dhe standardeve të tjera
Trupa e kontrollit, e cila kërkon të ushtrojë veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë, njëkohësisht sipas ligjit dhe standardeve të tjera për prodhimin organik, duhet të ndjekë procedura të ndara, duke paraqitur aplikime të veçanta për miratim dhe njoftim, në përputhje me nenet 7 – 12, të këtij vendimi.
Neni 5
Publikimi i listës së trupave të kontrollit
Ministria përgjegjëse për bujqësinë publikon e përditëson në faqen zyrtare:
a) listën e trupave të kontrollit të miratuara për fushën e ligjit, me të dhënat përkatëse lidhur me emrat, adresat, adresat e faqes zyrtare, kodin, fushën dhe kategoritë e produkteve të miratuara dhe afatin e vlefshmërisë së miratimit;
b) listën me të dhënat lidhur me emrat, adresat e faqes zyrtare, kodin, kategoritë e produkteve dhe të dhëna të tjera të mundshme për trupat e kontrollit, që veprojnë në Republikën e Shqipërisë sipas standardit evropian ose standardeve të tjera dhe që kanë njoftuar aktivitetin në ministri.
Publikimi dhe përditësimi kryhet brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga miratimi ose njoftimi i aktivitetit të tyre.
Neni 6
Kushtet e tjera për miratimin, ndryshimin e fushës së miratimit
dhe rinovimin e miratimit të trupave të kontrollit, që veprojnë sipas fushës së ligjit
Trupa e kontrollit, që kërkon miratim, ndryshim të fushës së miratimit ose rinovim të miratimit, për certifikimin e operatorit ose të grupit të operatorëve organikë, sipas ligjit, përveç kushteve të përcaktuara në pikën 3, të nenit 45, të ligjit, dhe në legjislacionin në fuqi për kontrollin zyrtar, plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Ka një zyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të pajisur me mjetet e përshtatshme për ushtrimin e veprimtarisë dhe me personel të përhershëm. Personeli, që kryen veprimtarinë e inspektimit, komunikon në gjuhën shqipe dhe gjithë dokumentacioni, që lidhet me procesin e inspektimit e të certifikimit të operatorit ose grupit të operatorit organik sipas fushës së ligjit, hartohet, plotësohet, mbahet dhe raportohet në gjuhën shqipe;
b) Zotëron ekspertizën, pajisjet dhe infrastrukturën e duhur për të kryer detyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prodhimin organik;
c) Ka personel të mjaftueshëm, me kualifikime, kompetencë dhe përvojën profesionale të duhur për të kryer detyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prodhimin organik;
ç) Është e paanshme dhe nuk ka konflikt interesi për të ushtruar detyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prodhimin organik;
d) Ka organizimin e duhur të brendshëm për të kryer detyrat e përcaktuara në pikën 1, të nenit 45, të ligjit, me detyra e përgjegjësi të ndara të inspektorit dhe certifikuesit, për të siguruar paanshmëri dhe shmangie të konfliktit të interesit;
dh) Ka në zbatim procedura, që sigurojnë koordinim efikas dhe efektiv, ndërmjet saj dhe ministrisë, autoriteteve kompetente të kontrollit zyrtar dhe trupave të tjera të kontrollit;
e) Ka paguar tarifën, në përputhje me pikën 11, të nenit 45, të ligjit.
Neni 7
Procedura e miratimit të trupave të kontrollit, që veprojnë sipas ligjit dhe ankimimi
1. Aplikimi për miratimin e trupës së kontrollit, siç përcaktohet në pikën 2, të nenit 45, të ligjit, kryhet on-line në portalin qeveritar “e-Albania”.
2. Aplikimi sipas pikës 1, të këtij neni, shoqërohet me:
a) dokumentacionin për procedurën e vlerësimit të riskut, që përcakton bazën për intensitetin dhe shpeshtësinë e verifikimit të përputhshmërisë së operatorit dhe grupit të operatorëve;
b) dokumentacionin për procedurën standarde të kontrollit dhe certifikimit, që përmban një përshkrim të detajuar të masave të kontrollit dhe vendimit të certifikimit, që ndërmerr trupa e kontrollit ndaj operatorit e grupit të operatorëve nën kontrollin e saj;
c) dokumentacionin që përshkruan masat, të cilat merren në përputhje me katalogun e përbashkët të masave, të përcaktuar në pikën 3, të nenit 51, të ligjit, për operatorin e grupin e operatorëve, në rastet e mospërputhjeve të dyshuara ose të vërtetuara;
ç) dokumentacionin për procedurën e monitorimit efektiv të detyrave të caktuara për inspektimin, certifikimin dhe aktivitete të tjera të kontrollit zyrtar, që kryen trupa e kontrollit në lidhje me operatorin e grupin e operatorëve dhe raportimin për kryerjen e tyre;
d) certifikatën e vlefshme të akreditimit dhe raportin e fundit të akreditimit për fushën e ligjit, në përputhje me standardet e harmonizuara për akreditimin;
dh) kontratat me laboratorë të akredituar për analizimin e mostrave dhe dokumentacionin për procedurat standarde të marrjes së mostrave;
e) dokumentacionin për strukturën organizative të punonjësve, kualifikimet profesionale e përvojën e tyre;
ë) procedurat e brendshme dhe deklaratat e personelit për të siguruar në çdo rast paanshmëri dhe shmangie të konfliktit të interesit në ushtrimin e detyrave të personelit;
f) tarifat që aplikohen për inspektimin dhe certifikimin e operatorit ose grupit të operatorëve dhe metodologjinë e llogaritjes së këtyre tarifave;
g) dokumentacionin për procedurat e brendshme të komunikimit me ministrinë, autoritetet kompetente të kontrollit zyrtar dhe trupat e tjera të kontrollit;
gj) adresa dhe të dhënat e kontaktit të zyrës lokale, ku ushtron veprimtarinë trupa e kontrollit, si dhe të drejtuesit të saj, së bashku me dokumentacionin që vërteton se zyra disponon kapacitetet, mjetet e burimet njerëzore të nevojshme për ushtrimin efektiv të veprimtarisë;
h) mandatin e pagesës së tarifës, sipas pikës 11, të nenit 45, të ligjit.
3. Aplikimi i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, pranohet nga sektori përgjegjës për prodhimin organik në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, i cili shërben si sekretariat teknik i komisionit për prodhimin organik (KPO) dhe verifikon paraprakisht plotësimin e aplikimit dhe të dokumentacionit shoqërues të kërkuar, brenda 5 (pesë) ditëve punë. Në rast të mangësive të vërejtura në plotësimin e formularit të aplikimit ose dokumentacionit shoqërues, sektori njofton vetëm një herë aplikantin për plotësimin e mangësive brenda afatit 7 (shtatë) ditë pune, nëpërmjet portalit “e-Albania”. Në rast se aplikanti nuk plotëson mangësitë brenda afatit, aplikimi i përcillet KPO-së për vijimin e procedurave për vlerësimin e aplikimit.
4. Kur aplikimi është plotësuar në përputhje me pikat 1 dhe 2, të këtij neni, sekretariati teknik ia paraqet për shqyrtim KPO-së dosjen e plotë të aplikimit.
5. KPO-ja mblidhet e shqyrton aplikimin për miratim të trupës së kontrollit brenda 20 (njëzet) ditëve punë nga depozitimi i aplikimit nga sekretariati teknik.
6. Në rast se aplikimi përmbush kërkesat e përcaktuara në ligj dhe këtë vendim, KPO-ja i propozon ministrit miratimin e trupës së kontrollit dhe pajisjen me certifikatë regjistrimi brenda 5 (pesë) ditëve punë. Në këtë rast, sekretariati kryen menjëherë njoftimin për miratimin e aplikimit nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, në të cilin ngarkohet urdhri i ministrit dhe certifikata e regjistrimit.
7. Afati i vlefshmërisë së certifikatës së regjistrimit, sipas pikës 6, të këtij neni, është 5 (pesë) vjet nga data e miratimit nga ministri, me të drejtë rinovimi për aq kohë sa trupa e kontrollit vazhdon të përmbushë kushtet e miratimit dhe të ruajë vlefshmërinë e akreditimit.
8. Kur aplikimi nuk plotëson tërësisht kërkesat e përcaktuara në ligj dhe në këtë vendim, KPO-ja i propozon ministrit refuzimin e aplikimit dhe sekretariati njofton menjëherë për vendimin e arsyet e refuzimit, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, në të cilin ngarkohet urdhri i ministrit.
9. Kundër vendimit për refuzimin e kërkesës, aplikuesi ka të drejtën e ankimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë nga data e marrjes së njoftimit, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
Neni 8
Ndryshimi i fushës së miratimit të trupës së kontrollit, që vepron sipas ligjit
1. Aplikimi për ndryshimin e fushës së miratimit të trupës së kontrollit kryhet on-line në portalin qeveritar “e-Albania”.
2. Aplikimi i parashikuar në pikën 1, të këtij neni, përmban kërkesën për zgjerim ose reduktim të fushës së miratimit, për sa i përket fushës së veprimtarisë për certifikim të operatorit ose grupit të operatorëve organikë dhe kategorisë së produkteve, të përcaktuara në pikën 7, të nenit 37, të ligjit.
3. Në rast të ndryshimit të fushës së akreditimit, trupa e kontrollit aplikon menjëherë për ndryshim të fushës së miratimit.
4. Në rast të kërkesës për zgjerim të fushës së miratimit, aplikimi konsiderohet si aplikim i ri për miratim dhe zbatohet procedura sipas nenit 7, të këtij vendimi.
5. Në rast të miratimit të kërkesës për zgjerim, afati i vlefshmërisë së certifikatës së regjistrimit është 5 (pesë) vjet nga data e miratimit nga ministri të aplikimit për zgjerim të fushës së miratimit, me të drejtë rinovimi.
6. Kur aplikimi për zgjerim të fushës së miratimit nuk miratohet, certifikata e mëparshme e miratimit mbetet e pandryshuar, për sa i përket fushës së miratimit dhe afatit të vlefshmërisë.
7. Në rast të kërkesës për reduktim të fushës së miratimit, aplikimi nuk shoqërohet me dokumentacion, por vetëm me një përshkrim të arsyes së kërkesës.
8. KPO-ja vlerëson aplikimin brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga depozitimi i aplikimit nga sekretariati teknik dhe i propozon ministrit miratimin e reduktimit të fushës së miratimit të trupës së kontrollit dhe pajisjen me certifikatë regjistrimi brenda 5 (pesë) ditëve punë. Në këtë rast, sekretariati njofton menjëherë për miratimin e aplikimit, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, në të cilin ngarkohet urdhri i ministrit dhe certifikata e re e regjistrimit. Certifikata e re e regjistrimit përmban fushën aktuale të miratimit të veprimtarisë, për certifikim të operatorit ose grupit të operatorëve organikë dhe kategoritë aktuale të produkteve dhe zëvendëson certifikatën e mëparshme të miratimit të trupës së kontrollit.
9. Afati i vlefshmërisë së certifikatës së regjistrimit të përcaktuar në pikën 8, të këtij neni, mbetet i pandryshuar nga miratimi fillestar.
Neni 9
Rinovimi i miratimit të trupës së kontrollit, që vepron sipas ligjit
1. Aplikimi për rinovimin e miratimit paraqitet nga trupa e kontrollit 3 (tre) muaj përpara përfundimit të vlefshmërisë së miratimit, në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 7, të këtij vendimi.
2. Trupa e kontrollit, së cilës i ka kaluar afati i vlefshmërisë së miratimit, nuk duhet të kryejë aktivitet sipas ligjit.
3. Vlerësimi i aplikimit për rinovim bazohet edhe në rezultatet e mbikëqyrjes së aktivitetit të trupës së kontrollit, të kryer të paktën një herë në vit, në përputhje me nenin 47, të ligjit.
Neni 10
Certifikata dhe kodi i regjistrimit të trupës së kontrollit
1. Certifikata e regjistrimit të trupës së kontrollit lëshohet sipas formatit në aneksin I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, dhe përmban:
a) kodin unik identifikues të trupës së kontrollit;
b) fushën e veprimtarisë dhe kategoritë e produkteve, për të cilat miratohet trupa e kontrollit, sipas përcaktimit në pikën 7, të nenit 37, të ligjit;
c) datën e fillimit e të përfundimit të vlefshmërisë së certifikatës.
2. Pas miratimit, trupës së kontrollit i caktohet një kod identifikimi, i cili është unik për çdo trupë kontrolli dhe duhet:
a) të fillojë me akronimin ALB, që identifikon Shqipërinë;
b) të përmbajë termin “BIO”, i cili tregon metodën e prodhimit organik;
c) të përmbajë një numër identifikues progresiv, që përcaktohet nga komisioni për prodhimin organik, i cili përmban 3 shifra, duke filluar nga numri 001.
Neni 11
Detyrimet e tjera të trupës së kontrollit, që vepron sipas ligjit
1. Trupa e kontrollit të miratuar sipas këtij vendimi, përveç detyrimit për paraqitjen e informacioneve sipas nenit 50, të ligjit, plotëson edhe detyrimet e përcaktuara në këtë nen.
2. Në rast të shfuqizimit të miratimit, sipas nenit 49, të ligjit, trupa e kontrollit informon operatorët në sistemin e vet të kontrollit, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit për shfuqizimin e miratimit, në mënyrë që operatorët të zgjedhin dhe të transferojnë dosjen e kontrollit te një trupë tjetër kontrolli, brenda 30 (tridhjetë) ditëve.
3. Në rast të ndërprerjes së aktivitetit nga vetë trupa e kontrollit, ajo njofton menjëherë ministrinë përgjegjëse për bujqësinë në lidhje me arsyet dhe afatin e parashikuar të ndërprerjes, si dhe njofton operatorët në sistemin e saj të kontrollit, në mënyrë që të zgjedhin një trupë tjetër kontrolli.
4. Informacioni në lidhje me shfuqizimin e miratimit të trupës së kontrollit, sipas nenit 49, të ligjit, ose ndërprerjen e aktivitetit, sipas pikës 4, të këtij neni, përditësohet e publikohet sipas nenit 5, të këtij vendimi.
Neni 12
Procedura e njoftimit të aktivitetit nga trupat e kontrollit që veprojnë sipas standardeve të tjera për prodhimin organik
1. Aplikimi për njoftimin e aktivitetit nga trupa e kontrollit që vepron në Republikën e Shqipërisë, sipas standardeve të tjera për prodhimin organik, siç përcaktohet në pikën 2, të nenit 45, të ligjit, kryhet on-line në portalin qeveritar “e-Albania”.
2. Aplikimi për njoftimin e aktivitetit të trupës së kontrollit shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm, i cili paraqitet në shqip ose në gjuhë të huaj (i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar):
a) Kontratën dhe të dhënat e personit të kontaktit për komunikimin me ministrinë dhe autoritetet kompetente për kontrollin zyrtar, si dhe:
i. kopje të certifikatës së regjistrimit në regjistrin tregtar të Republikës së Shqipërisë, nëse trupa e kontrollit është e regjistruar në Republikën e Shqipërisë;
ii. të dhënat e zyrës lokale në Shqipëri, nëse trupa e kontrollit ka një zyrë të tillë.
b) Kopjen e certifikatës së akreditimit bashkë me programin e akreditimit, në të cilin duhet të përfshihet aktiviteti i trupës së kontrollit në Republikën e Shqipërisë dhe raporti i fundit nga organi akreditues;
c) Dokumentin e njohjes nga Komisioni Evropian për të vepruar në Republikën e Shqipërisë, kur vepron sipas standardit evropian;
ç) Dokumentin e njohjes nga autoriteti kompetent përkatës, për të vepruar në Shqipëri, kur vepron sipas një standardi tjetër nga ai evropian;
d) Raportin e fundit të auditimit nga Komisioni Evropian, kur trupa e kontrollit vepron sipas standardit evropian, dhe/ose raportin e fundit të auditimit nga autoriteti kompetent përkatës, kur trupa e kontrollit vepron sipas një standardi tjetër, nëse raporti përkatës është i disponueshëm;
dh) Listën e operatorëve në sistemin e tyre të kontrollit në momentin e paraqitjes së kërkesës, nëse ka;
e) Llojin e aktivitetit dhe kategoritë e produkteve, që janë objekt i sistemit të tyre të kontrollit dhe certifikimit;
ë) Dokumentin e pagesës së tarifës, në përputhje me pikën 11, të nenit 45, të ligjit.
3. Aplikimi pranohet nga sektori përgjegjës për prodhimin organik në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, i cili verifikon paraprakisht plotësimin e aplikimit për njoftim të aktivitetit dhe dokumentacionin e kërkuar, brenda 5 (pesë) ditëve punë. Në rast të mangësive të vërejtura në plotësimin e formularit të aplikimit ose të dokumentacionit shoqërues, sektori njofton vetëm një herë aplikantin për plotësimin e mangësive, brenda afatit 7 (shtatë) ditë pune, nëpërmjet portalit “e-Albania”. Në rast se aplikanti nuk plotëson mangësitë brenda afatit, aplikimi i përcillet KPO-së për vijimin e procedurave.
4. Kur aplikimi është plotësuar në përputhje me pikat 1 e 2, të këtij neni, sekretariati teknik ia paraqet KPO-së dosjen e plotë të aplikimit për shqyrtim.
5. KPO-ja, brenda 20 (njëzet) ditëve punë nga depozitimi i aplikimit nga sekretariati teknik, mblidhet e shqyrton aplikimin për njoftim.
6. Në rast se aplikimi përmbush kërkesat e përcaktuara në ligj dhe në këtë vendim, KPO-ja i propozon ministrit miratimin e njoftimit të trupës së kontrollit.
7. Kur aplikimi nuk plotëson tërësisht kërkesat e përcaktuara në këtë vendim, KPO-ja i propozon ministrit refuzimin e aplikimit të njoftimit. Në këtë rast, sekretariati njofton menjëherë për refuzimin e aplikimit për njoftim, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, në të cilin ngarkohet urdhri i ministrit.
8. Kundër vendimit për refuzimin e kërkesës, aplikuesi ka të drejtën e ankimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë nga marrja e njoftimit, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
9. Në rast të ndërprerjes së aktivitetit në Republikën e Shqipërisë nga vetë trupa e kontrollit ose heqjes së njohjes ose pezullimit të pjesshëm ose të plotë nga Komisioni Evropian ose autoriteti përkatës për standardet e tjera, ajo njofton menjëherë ministrinë përgjegjëse për bujqësinë në lidhje me arsyet dhe afatin e parashikuar të ndërprerjes, si dhe njofton operatorët në sistemin e saj të kontrollit, në mënyrë që të zgjedhin një trupë tjetër kontrolli.
Neni 13
Detyrimet e trupës së kontrollit që vepron sipas standardeve të tjera, që ka njoftuar aktivitetin
1. Trupa e kontrollit që ka njoftuar aktivitetin sipas nenit 12, të këtij vendimi, njofton menjëherë ministrinë përgjegjëse për bujqësinë për të gjitha ndryshimet në fushën e veprimtarisë për certifikim të operatorit ose grupit të operatorëve organikë në Republikën e Shqipërisë dhe kategoritë e produkteve, të përcaktuara në pikën 7, të nenit 37, të ligjit.
2. Trupa e kontrollit që ka njoftuar aktivitetin, sipas nenit 12, të këtij vendimi, informon ministrinë përgjegjëse për bujqësinë lidhur me:
a) mospërputhshmëritë, që cenojnë integritetin e produkteve organike, menjëherë sapo konstatohen tek operatorët në sistemin e saj të kontrollit;
b) listën e operatorëve organikë që prodhojnë në Republikën e Shqipërisë, në sistemin e saj të kontrollit, brenda datës 31 janar të çdo viti, për vitin paraardhës;
c) të gjithë informacionin statistikor në lidhje me operatorët ose grupin e operatorëve organikë që prodhojnë në Republikën e Shqipërisë, nën kontrollin e saj, brenda datës 1 mars të çdo viti dhe sa herë i kërkohet nga ministria ose autoritetet kompetente të kontrollit zyrtar.
3. Në rast të refuzimit të aplikimit sipas pikës 7, të nenit 12, të këtij vendimi, dhe kur trupa e kontrollit nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, ministria njofton menjëherë operatorët në sistemin e saj të kontrollit dhe Komisionin Evropian, kur vepron sipas standardit evropian, ose autoritetet kompetente përkatëse, nëse vepron sipas standardeve të tjera.
Neni 14
Shfuqizime
1. Vendimi nr.639, datë 14.5.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për strukturën, funksionimin dhe përcaktimin e kritereve të pranimit e të vlerësimit të dokumentacionit të nevojshëm e të detyrimeve të organizmave certifikues”, dhe neni 12, i vendimit nr.830, datë 18.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të hollësishme për grumbullimin, ambalazhimin, transportin, ruajtjen, etiketimin, njoftimin e aktivitetit dhe kontrollin e produkteve biologjike”, shfuqizohen.
2. Në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian shfuqizohen nenet 5, 6 dhe 10, të këtij vendimi.
Neni 15
Institucionet që ngarkohen
Ngarkohen ministria përgjegjëse për bujqësinë, institucioni përgjegjës për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve dhe trupat e kontrollit për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 16
Dispozita kalimtare
1. Trupat e kontrollit që veprojnë sipas fushës së ligjit, të cilave u ka përfunduar vlefshmëria e miratimit, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.104/2024, “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”, paraqesin kërkesën për rinovimin e miratimit, në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Shërbimet elektronike të parashikuara në këtë vendim fillojnë të zbatohen pas realizimit dhe vënies në funksion të zhvillimeve teknike të nevojshme në portalin qeveritar “e-Albania”.
3. Deri në momentin e vënies në funksion të zhvillimeve teknike, sipas pikës 2, të këtij neni, aplikimet vijojnë në formë shkresore.
Neni 17
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E VENDIMIT NR.4/2024 TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE, “PËR PARANDALIMIN E BLLOKIMIT GJEOGRAFIK TË PAJUSTIFIKUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e vendimit nr.4/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për parandalimin e bllokimit gjeografik të pajustifikuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.78, DATË 7.2.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MASËN, KRITERET DHE PROCEDURAT E PËRFITIMIT TË NJË PAKETE TË VEÇANTË HIGJIENO-SANITARE, PËR INVALIDËT PARAPLEGJIKË DHE TETRAPLEGJIKË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.78, datë 7.2.2007, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… 20 480 (njëzet mijë e katërqind e tetëdhjetë) lekë në muaj …” zëvendësohen me “… 21 074 (njëzet e një mijë e shtatëdhjetë e katër) lekë në muaj …”.
2. Ngarkohen Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2027.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.730, DATË 13.12.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME E ZONAVE ARKEOLOGJIKE “A” DHE “B” TË QYTETIT TË SARANDËS, “KALASË SË LËKURËSIT” E “MANASTIRIT TË 40 SHENJTORËVE” DHE MIRATIMIN E ZONIMIT E TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” e “ç”, të pikës 3, të nenit 9, dhe të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, pikës 3, të nenit 53, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.730, datë 13.12.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës, “Kalasë së Lëkurësit” e “Manastirit të 40 Shenjtorëve” dhe miratimin e zonimit e të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre””, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Harta e zonimit dhe koordinatat përkatëse të zonës arkeologjike “B” të qytetit të Sarandës, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me hartën e zonimit dhe koordinatat përkatëse në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
b) Koordinatat përkatëse të zonës arkeologjike “A” të qytetit të Sarandës, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me koordinatat përkatëse në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kadastrën.
3. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e zonës arkeologjike “B” të qytetit të Sarandës në Gjeoportalin Kombëtar.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Sarandë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.805, DATË 28.12.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E STATUSIT, MËNYRAVE TË PJESËMARRJES DHE MASËS SË DIETËS DITORE PËR VËSHTIRËSI SHËRBIMI TË PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MISIONIN E KOMBEVE TË BASHKUARA NË ABYEI (UNISFA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të nenit 3, të aktit normativ nr.4, datë 20.6.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Abyei (UNISFA)”, miratuar me ligjin nr.59/2023, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.805, datë 28.12.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e statusit, mënyrave të pjesëmarrjes dhe masës së dietës ditore për vështirësi shërbimi të personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Abyei (UNISFA)”, togfjalëshi “… prej 3 (tre) vjetësh …” zëvendësohet me “… deri më 28.12.2029 …”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.278, DATË 29.4.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “SISTEMIM RRUGËSH, BLLOKU “PËRROI I ÇAPRAZIT”, POGRADEC””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.278, datë 29.4.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Sistemim rrugësh, blloku “Përroi i Çaprazit”, Pogradec””, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 23 003 616 (njëzet e tre milionë e tre mijë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh …” zëvendësohet me “… 27 514 746 (njëzet e shtatë milionë e pesëqind e katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e gjashtë) lekësh …”;
b) Të dhënat për shpronësim të numrit rendor 7 të tabelës, bashkëlidhur vendimit nr.278, datë 29.4.2022, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Bashkisë Pogradec.
3. Bashkëpronarët e pasurisë të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në numrin rendor 7 të tabelës, bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
4. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e bashkëpronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, Bashkia Pogradec dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E ORGANIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË TRAJTIMIT TË KONCESIONEVE DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT, PËRCAKTIMIN E SHPËRBLIMIT TË VEÇANTË PËR PUNONJËSIT QË HARTOJNË STUDIME FIZIBILITETI, SI DHE PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE PËR NIVELIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET E OFRUARA PREJ SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 13, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KAPITULLI I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij vendimi është:
a) miratimi i organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat (në tekstin në vijim agjencia);
b) përcaktimi i shpërblimit të veçantë për punonjësit e agjencisë që hartojnë studime fizibiliteti;
c) miratimi i procedurave për përcaktimin e tarifave për shërbimet që do të ofrohen nga agjencia.
Neni 2
Statusi, selia dhe buxheti i ATRAKO-s
Agjencia është një institucion publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për ekonominë. Buxheti i agjencisë financohet nga buxheti i shtetit si dhe nga të ardhurat që sigurohen nga shërbimet që ofron dhe miratohet si zë më vete në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
Neni 3
Misioni i agjencisë
Misioni i agjencisë është të kontribuojë në zhvillimin e koncesioneve dhe partneriteteve publike private, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane, nëpërmjet rregullimit dhe mbikëqyrjes së praktikave përkatëse, ofrimit të mbështetjes teknike dhe asistencës për autoritetet/entet kontraktuese, si dhe ushtrimit të kompetencave, të përcaktuara në ligjin nr.88/2025.
KAPITULLI II
PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË SË TRAJTIMIT TË KONCESIONEVE DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Neni 4
Përgjegjësitë funksionale
1. Në zbatim të kompetencave të përcaktuara në nenin 13 dhe të marrëdhënieve me autoritetet/entet kontraktuese, të parashikuara në nenin 14, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, agjencia organizon punën për:
a) ofrimin e mbështetjes teknike dhe asistencës për autoritetet/entet kontraktuese për identifikimin e projekteve të mundshme të koncesionit/partneritetit publik privat, si dhe mbështetje metodologjike, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në ligjin nr.88/2025;
b) hartimin, zhvillimin dhe përditësimin e dokumenteve standarde të koncesionit/partneritetit publik privat;
c) analizimin e praktikave në fushën e koncesioneve/partneritetit publik privat dhe përgatitjen e propozimeve për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe metodologjik, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në ligjin nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat ”.
2. Për organizimin e ushtrimit të kompetencave të përcaktuara në ligjin nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, agjencia kryen veprimtaritë e mëposhtme:
a) Harton studimet e fizibilitetit për projektet e institucioneve qendrore dhe enteve në varësi të tyre;
b) Harton studimet e fizibilitetit për projektet e institucioneve të vetëqeverisjes vendore dhe enteve të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.88/2025, kundrejt pagesës së një tarife të posaçme dhe në varësi të disponueshmërisë;
c) Mbikëqyr veprimtarinë e njësisë së zbatimit të kontratës, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë me detyrimet e përcaktuara në nenin 60, të ligjit nr.88/2025 dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij;
ç) Monitoron përputhshmërinë me standardet dhe procedurat e miratuara për koncesionet/PPP-të dhe rekomandon masa për përmirësimin e tyre;
d) Ofron trajnime dhe asistencë teknike për autoritetet kontraktuese, me qëllim rritjen e kapaciteteve institucionale në këtë fushë;
dh)Mbledh, përpunon dhe analizon të dhënat dhe informacionin mbi koncesionet/partneritetet publike private që i raportohen, në përputhje me ligjin nr.88/2025 dhe aktet nënligjore në zbatim të tij;
e) Bashkëpunon me institucionet kombëtare e ndërkombëtare dhe organizatat financiare për të siguruar standardizimin me praktikat më të mira evropiane, shkëmbimin e eksperiencës dhe zhvillimin e kapaciteteve;
ë) Bashkëpunon me Agjencinë e Prokurimit Publik për publikimin e dokumenteve standarde të tenderit;
f) Krijon dhe mban Regjistrin e Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private, në përputhje me nenin 17, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
3. Përcaktimet e shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij neni, zbatohen pa cenuar rastet e parashikuara në pikën 3, të nenit 20, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, kur studimi i fizibilitetit përgatitet nga vetë autoriteti ose enti kontraktues. Në këto raste, agjencia ushtron funksionet e saj të ekspertizës së specializuar dhe/ose oponencës në përputhje me kërkesat e ligjit.
4. Në ushtrimin e funksioneve që lidhen me identifikimin e projekteve të mundshme të koncesionit/partneritetit publik privat dhe përgatitjen e studimeve të fizibilitetit, agjencia vepron, në përputhje me pikat 4–6, të nenit 23, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”. Për projektet që shoqërohen me investime, të cilat mund të kërkojnë angazhimin e fondeve të buxhetit të shtetit, drejtpërdrejt ose tërthorazi, aktualisht ose në të ardhmen, dhe kur vlera e plotë e investimit është mbi vlerat kufi të miratuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat, identifikimi dhe vlerësimi i nevojës për projekt kryhen në përputhje me procedurat e menaxhimit të investimeve publike, pa paragjykuar formën e financimit apo mënyrën e zbatimit të projektit. Për projektet nën kufijtë financiarë të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat ndiqen procedurat sipas ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat ”.
KAPITULLI III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË SË TRAJTIMIT TË KONCESIONEVE DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Neni 5
Shtrirja e aktivitetit dhe struktura organizative
1. Agjencia e shtrin aktivitetin e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Struktura dhe organika e agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
Neni 6
Fusha e veprimtarisë
Agjencia ushtron veprimtarinë dhe kryen detyrat e saj në fushën e koncesioneve dhe partneritetit publik privat, në përputhje me ligjin nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe legjislacionin tjetër në fuqi.
Neni 7
Bashkëpunimi dhe detyrimi për dorëzimin e dokumentacionit
1. Agjencia bashkëpunon me autoritetet/entet kontraktuese, në përputhje me nenin 14, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
2. Autoritetet/entet kontraktuese i paraqesin agjencisë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat, një kopje të kontratës, së bashku me dokumentet e tenderit dhe shtojcat/anekset që janë pjesë e saj. Çdo shtojcë ose aneks i nënshkruar pas lidhjes së kontratës i paraqitet agjencisë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e nënshkrimit të tij.
3. Në rast të mosparaqitjes së informacionit ose dokumentacionit të kërkuar, agjencia vepron në përputhje me kompetencat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Neni 8
Rregullorja e brendshme
Rregullorja, që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të agjencisë, miratohet nga ministri përgjegjës për ekonominë, me propozimin e kryetarit të agjencisë.
Neni 9
Drejtimi i ATRAKO-S
1. Agjencia drejtohet nga kryetari, i cili organizon dhe drejton të gjitha aktivitetet e saj dhe e përfaqëson atë në marrëdhëniet me palët e treta.
2. Kryetari i agjencisë është përgjegjës ndaj ministrit përgjegjës për ekonominë dhe ka detyrat e mëposhtme:
a) Përcakton objektivat dhe detyrat e njësive organizative brenda agjencisë;
b) Koordinon punën midis njësive organizative brenda agjencisë;
c) Nxjerr urdhra dhe udhëzime të brendshme, me qëllim marrjen e masave dhe përmbushjen me efikasitet të detyrave dhe objektivave të agjencisë, si dhe disiplinimin e veprimtarisë së saj.
Neni 10
Marrëdhëniet e punësimit
1. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të agjencisë rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil.
2. Marrëdhëniet e punës së kryetarit dhe të punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
Neni 11
Shpërblimi i veçantë për punonjësit e agjencisë
Për çdo studim fizibiliteti të përfunduar dhe të dorëzuar zyrtarisht, punonjësi që ka marrë pjesë drejtpërdrejt në hartimin e tij mund të përfitojë shpërblim deri në masën e një page mujore bruto, sipas pozicionit të punës në muajin e dorëzimit të studimit, por, në çdo rast, jo më shumë se tri studime fizibiliteti në vit. Masa konkrete e shpërblimit përcaktohet në bazë të kontributit të dokumentuar të punonjësit dhe fondeve në dispozicion, duke respektuar kufirin e përgjithshëm vjetor.
Neni 12
Emërimi dhe kriteret e përzgjedhjes së kryetarit
1. Kryetari i agjencisë emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për ekonominë.
2. Kryetari i agjencisë duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë një diplomë “Master i Shkencave”, të fituar në përfundim të studimeve të ciklit të dytë me 120 (njëqind e njëzet) kredite dhe një kohëzgjatje normale prej 2 (dy) vitesh akademike, ose ekuivalente, sipas legjislacionit për arsimin e lartë në shkencat ekonomike/juridike;
ç) Të ketë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë profesionale;
d) Të dallohet për një karakter të pastër etik dhe moral;
dh) Të mos jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake;
e) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
ë) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
f) Të mos ketë konflikt interesi me detyrën, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.
Neni 13
Lirimi nga detyra i Kryetarit
Kryetari i agjencisë lirohet nga detyra kur:
a) mbush moshën për pension të plotë pleqërie;
b) shpallet i paaftë për punë nga komisioni mjekësor kompetent;
c) është në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
ç) jep dorëheqjen nga detyra.
Neni 14
Shkarkimi nga detyra i kryetarit
Kryetari i agjencisë shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen me dashje të një krimi ose të një vepre penale;
b) konstatohen shkelje të dispozitave të legjislacionit në fuqi, përfshirë legjislacionin specifik mbi të cilin agjencia ushtron aktivitetin e saj;
c) kryen aktivitete që krijojnë konflikt interesi;
ç) gjendet në kushtet e ndalimit të kryerjes së funksioneve publike, sipas legjislacionit mbi integritetin e personave të zgjedhur, të emëruar ose që ushtrojnë funksione publike;
d) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrave të tij/saj;
dh)vërtetohet se ka përgjegjësi për mosarritjen e objektivave të përcaktuar për agjencinë.
Neni 15
Stema, logoja dhe vula zyrtare
1. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema e agjencisë përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e (emri i ministrisë përgjegjëse për ekonominë), Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat”, në përputhje me dispozitat e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
2. Vula e agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KAPITULLI IV
PROCEDURA PËR PËRCAKTIMIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET E OFRUARA NGA AGJENCIA E TRAJTIMIT TË KONCESIONEVE DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Neni 16
Natyra dhe qëllimi i tarifës
1. Agjencia siguron të ardhura nga shërbimet që kryen në dobi të autoriteteve/enteve kontraktuese.
2. Tarifa e shërbimit përbën pagesën për shërbimet konkrete dhe të dokumentuara që agjencia ofron për një projekt të caktuar, në përputhje me kompetencat e saj ligjore dhe që lidhen me hartimin e studimit të fizibilitetit, dhënien e ekspertizës së specializuar dhe/ose oponencës, asistencën teknike, si dhe përgatitjen ose shqyrtimin teknik e metodologjik të dokumentacionit të projektit.
3. Kur studimi i fizibilitetit përgatitet nga vetë autoriteti ose enti kontraktues, tarifa aplikohet vetëm nëse agjencia ofron një ose më shumë nga shërbimet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni. Ushtrimi i funksioneve të përgjithshme rregullatore, mbikëqyrëse, raportuese, metodologjike ose i funksionit të krijimit dhe mbajtjes së regjistrit nuk përbën, në vetvete, bazë për aplikimin e tarifës.
Neni 17
Vlera dhe mënyra e pagesës së tarifave
1. Tarifa për shërbimet e ofruara nga agjencia shpallet në dokumentet e procedurës konkurruese dhe paguhet nga operatori ekonomik i shpallur fitues, përpara nënshkrimit të kontratës me autoritetin/entin kontraktor, në masat e mëposhtme:
a) Për projektet me koncesione/PPP, me një vlerë investimi deri në 700 000 000 (shtatëqind milionë) lekë, tarifa është 700 000 (shtatëqind mijë) lekë;
b) Për projektet me koncesion/PPP, me vlerë investimi mbi 700 000 000 (shtatëqind milionë) lekë deri në 2 100 000 000 (dy miliardë e njëqind milionë) lekë, tarifa është 1 400 000 (një milion e katërqind mijë) lekë;
c) Për projektet me koncesion/PPP, me vlerë investimi mbi 2 100 000 000 (dy miliardë e njëqind milionë) lekë deri në 7 000 000 000 (shtatë miliardë) lekë, tarifa është 2 800 000 (dy milionë e tetëqind mijë) lekë;
ç) Për projektet me koncesione/PPP, me një vlerë investimi mbi 7 000 000 000 (shtatë miliardë) lekë, tarifa është 4 200 000 (katër milionë e dyqind mijë) lekë.
2. Tarifat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni lidhen me shërbimet e parashikuara në nenin 16 dhe janë të veçanta nga tarifa e shërbimit për konsulencën e jashtme, e rregulluar në kapitullin V të këtij vendimi, kur plotësohen kushtet për aplikimin e saj.
Neni 18
Trajtimi i të ardhurave dhe auditimi financiar
1. Të ardhurat e përftuara nga tarifat e parashikuara në nenin 17, të këtij vendimi, derdhen në buxhetin e shtetit.
2. Administrata dhe veprimtaria financiare auditohen nga ministria përgjegjëse për ekonominë dhe institucione të tjera të ngarkuara me ligj për auditimin.
KAPITULLI V
TARIFA E SHËRBIMIT PËR KONSULENCËN E JASHTME TË PËRDORUR NË PËRGATITJEN E STUDIMEVE TË FIZIBILITETIT
Neni 19
Natyra dhe pagesa e tarifës së shërbimit
1. Kur agjencia, në përputhje me shkronjën “d”, të pikës 6, të nenit 13, të ligjit nr.88/2025, angazhon konsulentë të jashtëm në funksion të përgatitjes së një studimi fizibiliteti, kostot faktike dhe të dokumentuara, që lidhen drejtpërdrejt me këtë konsulencë, përfshihen në tarifën e shërbimit të ofruar nga agjencia për përgatitjen e studimit të fizibilitetit, për qëllime të pikës 4, të nenit 13, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
2. Tarifa e shërbimit për konsulencën e jashtme përfshin vetëm kostot faktike dhe të dokumentuara, që lidhen drejtpërdrejt me konsulencën e angazhuar në funksion të përgatitjes së studimit të fizibilitetit dhe mund të përfshijë, sipas rastit:
a) analiza teknike dhe inxhinierike;
b) analiza ekonomike dhe financiare;
c) analiza ligjore dhe rregullatore;
ç) vlerësime mjedisore dhe sociale;
d) shërbime të tjera konsulence dhe asistence teknike që lidhen drejtpërdrejt me përgatitjen e studimit.
3. Kostot e konsulencës së jashtme planifikohen sipas rregullave të menaxhimit buxhetor dhe përballohen, brenda fondeve të miratuara, nga buxheti i agjencisë.
4. Shuma e tarifës së shërbimit, e përcaktuar mbi bazën e kostove faktike dhe të dokumentuara dhe brenda kufijve maksimalë të përcaktuar në nenin 21 të këtij vendimi, shpallet në dokumentet e procedurës konkurruese dhe paguhet nga operatori ekonomik i shpallur fitues përpara nënshkrimit të kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat.
5. Shumat e mbledhura nga tarifa e shërbimit, sipas këtij neni, derdhen në buxhetin e shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin buxhetor.
Neni 20
Kufijtë maksimalë të tarifës së shërbimit për konsulencën e jashtme
1. Tarifa e shërbimit për konsulencën e jashtme, e parashikuar në nenin 20 të këtij vendimi, nuk mund të kalojë përqindjet e mëposhtme të vlerës totale të investimit të parashikuar të projektit:
a) Për projekte me vlerë investimi deri në 1 500 000 000 (një miliard e pesëqind milionë) lekë, deri në 1.5%;
b) Për projekte me vlerë investimi prej 1 500 000 001 (një miliard e pesëqind milionë e një) deri në 20 000 000 000 (njëzet miliardë) lekë, deri në 1.0%;
c) Për projekte me vlerë investimi prej 20 000 000 001 (njëzet miliardë e një) deri në 50 000 000 000 (pesëdhjetë miliardë) lekë, deri në 0.75%;
ç) Për projekte me vlerë investimi mbi 50 000 000 000 (pesëdhjetë miliardë) lekë, deri në 0.5%.
2. Përqindjet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përbëjnë kufijtë maksimalë të tarifës së shërbimit dhe nuk krijojnë një të drejtë automatike për pagesë në këtë masë. Shuma përfundimtare e tarifës përcaktohet në bazë të kostove faktike dhe të dokumentuara dhe, në asnjë rast, nuk mund të tejkalojë kufirin maksimal të zbatueshëm.
KAPITULLI VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 21
Vijimësia e funksionimit
Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) do të vijojë funksionimin e saj, deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat.
Neni 22
Trajtimi i nëpunësve civilë në rast ristrukturimi
Nëpunësit civilë aktualë të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) trajtohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil, në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.
Neni 23
Zbatimi dhe hyrja në fuqi
1. Vendimi nr.285, datë 10.4.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin, funksionimin si dhe procedurat e niveli i tarifave të shërbimeve që do të ofrohen nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO)”, i ndryshuar, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR AUTORITETIN PORTUAL DURRËS, TË DISA PASURIVE TË PALUAJTSHME, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8517, DURRËS, DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.586, DATË 10.9.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTAVE TË INVENTARËVE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT U KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI SHOQËRIVE ANONIME DHE NDËRMARRJEVE TË SISTEMIT TË TRANSPORTIT DETAR DHE AJROR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Portual Durrës, të disa pasurive të paluajtshme, ndodhur në zonën kadastrale 8517, Durrës, sipas formularit, 1 (një) fletë, dhe hartave kadastrale të pasurive, 3 (tre) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për ushtrimin e veprimtarisë sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës së inventarit të pronave, bashkëlidhur vendimit nr.586, datë 10.9.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të inventarëve të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat u kalojnë në përgjegjësi administrimi shoqërive anonime dhe ndërmarrjeve të sistemit të transportit detar dhe ajror”, të ndryshuar.
3. Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit Portual Durrës u ndalohet ndryshimi i destinacionit të përdorimit apo tjetërsimi i pasurisë së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Portual Durrës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË KOMPENSIMIT PËR SHOQËRITË E LINJAVE TË TRANSPORTIT QYTETËS, RRETHQYTETËS DHE NDËRQYTETËS NË KUSHTET E SITUATËS SË VEÇANTË NË TREGUN HIDROKARBUR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
Kompensimin e shoqërive të transportit për linjat qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse, në masën 50 (pesëdhjetë) lekë për litër karburanti, për një periudhë pesëmujore, qershor, korrik, gusht, shtator, tetor 2026. Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit gjatë periudhës së kompensimit, por jo më shumë se 110% e sasisë mesatare mujore të karburantit të komsumuar gjatë periudhës mars-maj 2026, për secilën nga shoqëritë.
II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E KOMPENSIMIT
1. Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, bëhet nga subjekti vetëm një herë, pas përfundimit të periudhës së kompensimit, pranë administratës tatimore, nën juridisksionin e së cilës ai është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.
2. Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Kopjen e licencës përkatëse, të vlefshme për transportin qyetetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;
c) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;
ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;
d)IBAN-in e llogarisë bankare (jo më shumë se 28) karaktere dhe në monedhën lekë;
dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant, për periudhat mars–maj 2026 dhe qershor–tetor 2026;
e) Për shoqëritë, që, përveç aktivitetit të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant, për periudhat mars–maj 2026 dhe qershor–tetor 2026, duhet të paraqesin edhe:
i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, shoqëruar me fatura të blerjes;
ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë periudhave mars–maj 2026 dhe qershor–tetor 2026, të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, sipas targave të mjeteve.
3. Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë) të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji nëntor 2026.
4. Në rastin kur konstatohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administriata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve punë, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.
5. Administrata tatimore pas verifikimit të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë, urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.
6. Për shoqëritë që nuk kanë ushtruar aktivitet gjatë gjithë periudhës mars–maj 2026, si vlerë reference për kompensim merret sasia mesatare mujore e karburantit të konsumuar, që shërben si bazë referuese për përllogaritjen e kompensimit, përcaktohet duke pjesëtuar sasinë totale të karburantit të konsumuar dhe të dokumentuar gjatë muajve të plotë të ushtrimit të aktivitetit, brenda kësaj periudhe, me numrin e këtyre muajve.
Përllogaritja kryhet mbi bazën e dokumentacionit provues të paraqitur nga subjekti dhe të verifikuar nga administrata detare.
7. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në kërkesë.
8. Struktura e thesarit në degë, mbas marrjes së urdhërshpenzimit me listën e përfituesve, sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen pagesën brenda 5 (pesë) ditëve punë.
III. ÇËSHTJE TË FUNDIT
1. Kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 16 nëntor 2026.
2. Efektet financiare, prej 209 022 872 (dyqind e nëntë milionë e njëzet e dy mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy) lekësh, do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, të miratuar për vitin 2026.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJEN E FONDEVE NDËRMJET PROGRAMEVE BUXHETORE TË MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL, NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2026, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin “Mbështetje për peshkimin”, tavani buxhetor i shpenzimeve korrente pakësohet në vlerën prej 19 000 000 (nëntëmbëdhjetë milionë) lekësh;
b) Në programin “Menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit”, tavani buxhetor i shpenzimeve korrente shtohet në vlerën prej 19 000 000 (nëntëmbëdhjetë milionë) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.221, DATË 28.3.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLIT TEKNIK PËR ETIKETIMIN E PRODUKTEVE TË QELQIT KRISTAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.221, datë 28.3.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullit teknik për etiketimin e produkteve të qelqit kristal”, bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 5, fjalët “… ose një përshkrim që shkakton konfuzion …” zëvendësohen me “… ose një përshkrim që mund të ngatërrohet me të …”.
2. Në pikën 6, pas fjalës “… teknik …” shtohen fjalët “… mund të …”.
3. Pas pikës 7 shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:
“8. Parashikimet e këtij rregulli teknik nuk zbatohen për produktet e destinuara për eksport drejt vendeve, të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA