Në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), pranë Kryeministrisë, është çelur ekspozita e veçantë me vepra origjinale të artistit me famë botërore, Salvador Dalí. Kjo ekspozitë, e hapur për publikun deri më 23 maj, përfaqëson një ngjarje të rëndësishme kulturore për vendin dhe një arritje të re në promovimin e artit ndërkombëtar në Shqipëri.
Ekspozita sjell për herë të parë në Tiranë një koleksion të jashtëzakonshëm veprash, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e artit botëror, duke ofruar një përvojë unike për publikun dhe komunitetin artistik. Realizimi i saj është bërë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, përkushtimit profesional dhe angazhimit të vazhdueshëm të kuratorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
***
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama: Sot dola me dëshirë, ndryshe nga herët e tjera për të thënë dy fjalë sepse kjo ekspozitë është një majë e re e Qendrës për Hapje dhe Dialog dhe prezenca këtu e një koleksioni të jashtëzakonshëm origjinalesh të një artisti që ka shënjuar historinë e artit botëror është diçka vërtetë për tu kremtuar, por nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht por është bërë e mundur nga përpjekja, dashamirësia, dëshira, pasioni dhe këmbëngulja e disa njerëzve dhe natyrisht që falënderimet e Kristinës janë falënderime protokollare, por jo për modesti, unë dua që të nënvizoj se ky koleksion ka ardhur në radhë të parë falë këmbënguljes së Eridanës e cila e ka drejtuar COD-in për disa vite me radhë dhe me të cilën kemi bërë dhe takimin e parë me Kristinën këtu kur koleksioni ishte i mundshëm për të ardhur, por Kristina ishte ndoshta jo 100% e bindur për kushtet dhe për sigurinë e koleksionit.
Natyrisht që siç e tha dhe Kristina, pas shpinës së saj është një shqiptare që në një farë mënyre ka luajtur rolin e një persekutori të Kristinës duke i qëndruar mbi kokë në Francë dhe pastaj patjetër është pa diskutim edhe puna vërtetë e admirueshme që ka bërë Natalia të cilën e komplimentova dhe pak më parë sepse nuk është e lehtë që të instalosh një ekspozitë të tillë dhe ata që këtu janë të pranishëm dhe që merren me këtë punë, e kuptojnë shumë mirë se për çfarë e kam fjalën.
Ekspozita është vërtetë e instaluar bukur, çdo gjë është në vendin e vet dhe besoj që edhe fjalët e Kristinës sot kur u takuam për punën e Natalisë, ishin absolutisht jo protokollare siç ishin për mua. Kjo është e mira dhe e keqja kur je në pozitën time, që merr falënderime, por po të gënjeu mendja se i meriton vërtetë, atëherë mund të krijosh opinione të gabuara për veten. Nuk kam çfarë të them për koleksionin, është i jashtëzakonshëm edhe më vjen shumë mirë që disa miq këtu duke filluar nga profesor Naxhiu që është një lëvrues legjendar i penës mbi letër në kërkim të ekspresivitetit të figurave dhe pastaj me radhë disa të tjerë deri te shoku im i fëmijërisë Shpend Bengu që po ashtu ishte që i vogël me problemin që ngatërronte qumështin me bojën e Kinës siç e quanim ne, do ta shijojnë në mënyrë të veçantë këtë ekspozitë. Patjetër nuk dua t’i heq asnjë gjë edhe aftësisë së të tjerëve për ta shijuar, por realisht për ata që kanë ecur me sy mbi një fletë letre për shumë vite, ky koleksion është një ftesë për në parajsë për një moment të caktuar. Kështu që shijojeni këtë ftesë dhe faleminderit shumë Kristinë. Jam shumë mirënjohës që ti e hodhe këtë hap dhe patjetër që kjo ekspozitë do të hyjë në historinë e kësaj godine.
Shumë faleminderit hijes dhe persekutores tënde shqiptare që është bashkë me ty. Faleminderit Natali për punën dhe natyrisht faleminderit dhe të gjithë ekipit të Kodit mbas dhe nën drejtimin e Natalisë që realisht janë treguar profesionistë të vërtetë në instalimin e një ekspozite kaq delikate sa kjo.
Shumë faleminderit të gjithëve.